Qymtim zërit të tulatur të një lirike
Nga Albert Vataj
Një gërthimë dramatike, që vazhdon të luhet si në një teatër
absurd, si në shtjellë e atyre erërave që kujtonim se ishin vetëm trille të
perëndive mitike, kështu do ta kumtonte qasjen poetike të Zog Hysenajt
personaliteti i letrave shqipe, Adem Istrefi. Qasjen poetike jam yshtur
gjithherë për ta parë nga një këndvështrim ndryshe nga sa orvaten të na
miklojnë turli lloj shkresurinash dhe togjesh letre që në vetvete më shumë se
një kërcënim civil, përbëjnë një krim ekonoligj. Poeti nuk rreket të rënd pas
turmës, nuk ngucat asnjë dimension shpirtëror apo emotiv për të përmbushur
tekat masoviste. Ai vjen për të kumtu me një gjuhë, që veç perënditë kanë qasur
në përmasa kohore ta përqafin, si e vetmja shtysë për të predikuar nër njerëz
jetën si parajsë tokësore. Edhe përpjekja e Zog Hysenajt është një pakt me
vetveten, që pikënisë në kryeherën e saj tek lidhjet me vendlindjen, me
gjithçka tjetër që gjallon bashkë me praninë e tij. “Si su mërzit bjeshka pa mua”
është një lajtmotiv brendie që reflekton në tërë faqet e këtij libri. Ndërsa
përfshihem në spiralen e këtij shpirti që përpushet prej vetvetes, më kujtohet
poeti italian Ungareti, sipas të cilit poezi është një goditje, është një
spazëm që na tkurr duke na përmend vullnetin e dhumbjes, si ura e vetme për në
podin e poetit. Hysenaj me këtë përpjekje veç të tjerash mëton atë që në këtë
rrokopujë ngrehaluce “korifenjsh” mundet me e kumtu vetëm një konstelacion
shpirtëror, i cili duke u përfshir nga një stuhi galaktike brendie, ka kurajën
të kap penën, si të vetmen armë të mbetur në duart e tij, jo për të shpëtuar
botën, por veten. Ndoshta këtë e bën edhe për të dëshmuar, për të kapur një nga
atë mori fijesh që të shpien në fund. Lirikat në këto vargje, hera-herës nxjerr
kokën e vështron e tulatur mes valëve e tërbimit të këtij përroi që tatpjetet
potershëm. Ky shpirt nuk ka behur në këmbët e një shtatoreje të thërmuar për të
treguar se ka vendosur të gjunjëzohet për të fundit herë. Në të dëshirat
përpushen si shpuza nën vellon e trashë të grisë së horizonteve që hapërdahen.
Ne fund të tymnajës, në krye t’ahishtes/që rrallë ndonjë zog shtegëtar/ lëshon
një cicërimë këtu e një glasë atje/ poeti viket... për amanetet bjeshkatare që
nuk u thanë.
Në kandën për të pëshpërit përmes kordave të grrithura të
një zëri që herë hepohet e herë palohet nëpër bashtina, ku frymëmarrja e
natyrës është e thellë e flatërimi i zogjve është paqtues, prekesh nga
përkëdhelia e duarve të ashpra që herë kryqëzohen e herë flakërijnë. Në të
kundrohesh nga një puhi që vjen e mbushet me tërbim që shkund krenarinë e
kahershme të bjeshkëve. Tek-tuk dëgjon dihatjen e moçme, e klithmën e tashme të
kohës. Vargëzimi i atij zëri që i gufon përsfundi poetit tërhiqet si prej një
joshjeje lozonjare, e bie në kurthin e një përplasje krahësh e pëshpërimash.
Papritmas sytë përtypin lotë e pamundësitë mbushin shtambat në këtë rrebesh për
të të shuar etjen. Ke vendosur të lexosh këtë libër, mos hezito.
Comments
Post a Comment