Standarde gjysmake e revolucionare vlerash
Sa herë që është për t’u marrë ndonjë dokument në ndonjë nga
zyrat e ndryshme të shtetit për qytetarët, fillon praktika e “parapërgatitjes
shpirtërore” disa ditë përpara. Një frymëmarrje e thellë dhe drejt e në radhët
vrasëse ose në përballimet mbresëlënëse me nëpunësit përkatës.
Roje që sundojnë krenarë dhe të pathyeshëm mbi çelësat e
dyerve. Nëpunës që, megjithëse të shohin për herë të parë në jetë, të drejtohen
me të njëjtin respekt me të cilin i drejtohesh ndonjë personi që të ka
përndjekur gjithë ditët e jetës tënde. Dyer që të përplasen në fytyrë e debate
të lëna përgjysmë, me njerëz që megjithëse e kanë për detyrë, nuk të dëgjojnë,
sepse u ka ardhur orari i kafes dhe nuk kanë kohë të merren me ty. Sherre pafund
nëpër radha dhe shtyrje e sharje pa limit. E sikur të mos mjaftonin të gjitha
këto, gabime e mangësi, për të mos folur për gabime ortografike, nëpër
dokumentet e përfituar me kaq shumë mund.
Duket sikur në ngjyra paksa letrare, egzagjerohet ndonjëherë
realiteti, por në shumicën e rasteve kjo është tabloja e eksperiencave të
tilla. Disa prej institucioneve shqiptare e kanë përmirësuar ndjeshëm këtë
realitet, por kjo është akoma një dukuri tej mase e përhapur, dhe jo vetëm në
rang shtetëror. Që nga zyrat e gjendjeve civile të shpërndara nëpër pallate të
rrënuara, e deri tek dyqanet luksoze në qendër të qyteteve, fenomeni është
thuajse i njëjtë.
Shoh me dhembje sa herë që kthehem në Shqipëri, që pjesën më
të madhe të kohës këtu ta merr lufta për egzistencë. Lufton për gjëra, që
përtej kufijve janë stabilizuar para shumë e shumë vjetësh, lufton për drita,
lufton për ujë, lufton kundër çmimeve që rriten pa kriter, duke ulur çdo ditë
standardin tonë të jetesës. Nga të mos stresohesh nga e gjithë kjo, për më tepër
kur sapo vë këmbën në Shqipëri, gjen një punonjës të rendit që të bërtet sikur
t’ia kishe bërë borxh për vite me radhë, kur hyn në një dyqan dhe shitësja të
rri më e ngrysur se kurrë, kur të duhet të durosh prepotencën e një nëpunësi që
fshihet pas një tavoline pune e që të trajton si një hiç vetëm për faktin se ka
në dorë edhe gjënë më të vogël. Nëse i kemi vënë vetes qëllimin t’i shtojmë
njëri-tjetrit stresin e përditshëm, ia dalim mbanë plotësisht dhe me sukses.
Nuk do ta harroj dot asnjëherë pamjen e dhimbshme të një të
moshuari, të cilit i dridheshin duart duke kërkuar në dosjet që kishte marrë me
vete, ndërkohë që nëpunësja e paaftë i kërkonte me urgjencën më të madhe,
dokumente që s’ishin parashikuar fare në listën e afishuar. Nëpunëse e paaftë,
po, sepse duhet të shkonte dikush që ndodhej rastësisht në radhë e që studionte
ligj për t’i shpjeguar se dokumente të caktuara kishin të njëjtën vlerë, por
mbi të gjitha, e paaftë për të qenë e sjellshme e për të dëgjuar deri në fund
fjalët e një të moshuari, që nuk po arrinte të shpjegohej nën tonin e saj
irritues.
“Eh, kapitalizmi…“- do psherëtinte dikush në moshë të thyer.
Ky lloj fenomeni nuk është kapitalizmi që kam hasur unë në Perëndim, është
pjesë e një kapitalizmi të shpërfytyruar, pjesë e një standardi gjysmak në të
cilin kemi vendosur të hedhim rrënjë, pa ngritur kokën për të kërkuar më shumë.
Pjesë e një zinxhiri mangësish që tërheqim ditë pas dite, duke u munduar t’ia
hedhim njëri-tjetrit e duke luftuar për t’i fshehur më tepër se sa për t’i eliminuar.
Ne shqiptaret s’para dallohemi për njerëz që trajtohen mirë.
Nuk na trajtojnë mirë të huajt, s’na trajton mirë politika, s’na trajtojnë mirë
ambasadat, s’na trajtojnë mirë ata që na drejtojnë, e kështu me radhën
përkatëse. Kemi mësuar nga eksperienca, që s’ia vlen të presësh asgjë nga
asnjeri, sepse vetëm shpatullat e tua të nxjerrin në dritë. Shqiptarët janë një
popull, që atëherë kur kanë dashur, ia kanë bërë vendit vetes, kanë ngjallur
respekt dhe kanë vepruar me autoritet, sepse jemi popull që e ka merituar një
gjë të tillë. Jo të gjithë fenomenet luftohen me të njëjtën mënyrë, ndaj jam e
sigurt se për sa folëm, do të ishte një fillim i mirë, nëse vetë ne, në rangjet
e thjeshta të popullit, të trajonim njëri-tjetrin me respektin që një person, qoftë
edhe vetëm për faktin që është njeri, meriton. Jam e bindur që kjo ndodh herë
pas here me solidarizimin e njerëzve të thjeshtë, por nëse do të realizohej një
përhapje në masë e këtij fenomeni, nëse gjithsecili nga ne do të trajtonte me
respektin dhe edukatën e duhur disa nga njerëzit që i ndodhen pranë, efekti
përçues do të arrinte përmasa të pashmangshme. Nuk është utopike, aspak
utopike, sepse nuk duhet të ngremë shkolla të tëra edukimi, duhet vetëm të
rivemë në jetë bonsensin që si popull nuk na mungon, asgjë tjetër. E nëse duket
utopike, asnjë problem: audaces fortuna iuvat.
Nga dokumentet, tek respekti, një lidhje pak e çuditshme,
por që dëshmon edhe një herë që ndryshimi vjen nga gjërat e vogla. Nga të
gjitha anët që çalon Shqipëria, disa nga ato që kemi në dorë mund edhe t’i
zgjidhim vetë, ndaj pa pritur me kokën poshtë që respektin të na e falin, mund
ta fitojme duke ia dhënë së pari njëri-tjetrit, duke zbatuar parimin themelor
të asaj shprehjes së famshme që thotë: “Bëju të tjerëve atë që do të doje të të
bënin ty”. Do të hidheshin kështu, themele të shëndetshme për një revolucion të
mirëfilltë vlerash.
Comments
Post a Comment