Tollovitje të përditshmë ndër leksionet mediatike
Nga Albert Vataj
Përkundrull një zelli për botime pafund periodikësh e të
gazetash të përditshme, kundrojmë plot pezëm e panik se një tjetër gangrenë
rrezikon të kaplojë endjen për informim publik. Ka do kohë që në këtë batërdi
botimesh të ndeshim opinione, analiza, konstatime dhe përfundime, të cilat më përngjasojnë
më shumë se kurrçka tjetër, veçse me leksione që duke u përpjek me u gadit dhe
pispillos me frazeologjizma e terminologji fillërojnë një auditor me një re të
zezë terrori. Duke kërkuar ndjesë po bëj me dije se shkas i këtyre radhëve janë
ato që në një farë mënyre e gjejnë veten të prekur.
E kurrkush tjetër s’ka pse ta vërë ujin në zjarr e ta vrasë
mendjen nëse unë apo dikush tjëtër mendojmë kështu.
Media, pjesa e mendimit intelektual është kthyer sakaq në një
auditor ku jepen leksione pafund, filozofohet dhe konkludohet në përfundime me
turravrap, por me një ndryshim të vockël fare, në këto mendjendritje mungon gjëja
e gjallë e auditorit. Ose e thënë troç, mungon kjo copë Shqipëri me të mirat e
të këqijat e saja. Kacarritja e mendimit dhe kumtit për t’u ngjitur sa më lart
nuk parathotë ndonjë kob. Anipse e gjithë kjo s’bën gjë tjetër vetëm se thellon
hendekun mes shkruesit dhe lexuesit, duke bërë të mundur dështimin e plotë të
misionit për të cilin media ekziston, informimit, formimit qytetar dhe ngjizjes
së një vetëdije të re politik, sociale ekonomike ndër robni, shqiptarë kësajhere.
Strukja mes termash, anipse nuk ka piksynim për t’u fshehur si struci në rërë,
gjithseqysh ajo përcjell këto gjasa. Rrëshqitja nga e drejta për të qenë mendim
që rrok çdo endje për botëkuptim dhe përgjegjësi është në kryeherën e saj një
risi dhe duke u orvatur të mbetet si e tillë ajo mundet të jetë vetëm mund i shkuar
dëm. Është “sikur të mihësh në ujë”. Kjo pasi nuk ma ha mendja se media duhet të
jetë pararoja.
I yshtun nga e drejta për të besuar ndryshe, po e begenis më
së shumti këtë tendencë si një revolucion mendimi që kërkon të kryengritjet në
tërësinë e vet. Por kjo ka pak gjasa të jetë ajo e vërtetë, ballsam për plagën
e mendësisë së një shoqërie që të mbetet në dorë për hiçgjë.
Nuk e kam idenë më të vogël nëse këto mendje të ndritura ngucaten
të na servirin leksione në vend të qëndrimeve, opinioneve, analizave apo
konstatimeve, nga dëshira për ta kthyer Shqipërinë në një realitet virtual apo
ngase turiten nga shpërblimet e kripura për gjasme mendjet e ndritura që
gatitin të na i servirin.
Ajo që tejkalon të drejtën për të qenë, e kurrëçka tjetër është
se në këto radhë supersonike mendimi “Made in Albania”, pjesën dërmuese të së tëres
si shkrim e zënë referimet, citimet apo diçka e ndërmjetme. Atje flitet për
liri dhe demokraci ideale, thua se Shqipëria është vendi i cili i ka kaluar të
gjitha etapat dhe tashti duhet të truc bythën e të mendojë se ka ardhur radha të
dëshmojë një sistem ideal të përbotshëm. E për ta përligjur këtë nuk lënë
mendimtar pa zhbiriluar për të na e dhënë si çelësin magjik për të çelur
ftillimin e kësaj katrahure gjithështetbërës që ka zatetur qyshkur s’mbahet
mend këtë vend. Flitet për pavarësi institucionesh, për kushtetuetshmëri, për çmos
me kaq stërhollim. E është e natyrshme se kush bëhet me faj. E gishti nuk ka
shumëkund se ku të drejtohet, paçka se të ecësh me thellësinë e këtij mendimi
harrojmë ose nuk na begenis të provojmë se e keqja që ka kapluar ndër ne
kurrseqysh nuk mund të jetë faj personal. Nëse duhet të mbesim përsëri në këtë
hulli duhet të na bëjnë me dije këto mendje të ndritura se e sotmja dha pasojat
e saj janë fryt i të djeshmes. Nuk mundet dhe s’ka gjasa të jetë ajo që
dëshiroj unë apo dikush tjetër. Turravrapi për në sipërfaqen e problemeve
shqiptare gostitur me terma e terminologji që kurrëçka s’kanë shqiptare mund të
jetë shërbesë personale por jo predikim.
Zoti na ruajtë nga ky optimizëm frelëshuar.
Kam ndjekur me delikatesë, i kam lexuar e rilexuar këto
lektorë mediatik dhe pakëz Shqipëri kam mundur të bëj zap. E vetmja grim Shqipëri
që mund të kacarritesh e ta kapesh nga fundi i honit të këtyre mendimeve është
argumenti Berishë apo Nano. Kurrë s’kam dashur ta personifikoj një person, për
më tepër një shoqëri, apo të tashmën e një vendi, duke guxuar t’ia atribuoj tërëçka
atij. As vetë Berisha nuk do ta begeniste një privilegj të tillë.
Qasja për të tollovitur mendimin ndër fraza bombastike,
perifrazime teoricienësh dhe hallakatje tematike ka gjasat të ketë fillesat e
saj tek një zell disi i tërhequr në prapavijë i këtyre opinionistësh për të
dëshmuar para së gjithash vënien e vetvetes në altarin e më të zgjuarit. Për të
mos thënë për të trembur lexuesin, i cili duke e gjetur veten në kësi
trajtesash ngrehaluce, të mos jetë në gjendje të ftillohet. Kjo finte mendimi e
kësaj gjenerate analistësh të dëngur me shkollë, gjuhë të huaja, kondita, para
e makina më shumë se hutim është një fyerje për lexuesin. Parja e realitetit
shqiptar në tërësi nga vrima e gjilpërës, apo më përdreq akoma, nga bisedat e
kafeneve hedh në hendek këto përpjekje titane të këtyre intelektuale, të cilët
mbase do t’i shërbenin më mirë spariherë medias, lexuesit dhe krijimit të një
mendësie vetëdijeje në opinionin publik. Sa më larg e gjejmë veten në kësi
trajtesash, politike a sociale, ekonomike a psikologjike, aq më të pamundur do
ta kemi t’i shquajmë gjërat në plotninë e tyre. Syri i atyre që kumtojnë dhe
perfundojnë është dhe duhet domosdo të jetë një sy i mprehtë dhe i kjartë. Duke
qenë kështu edhe lexuesi do të përfshihet në atë që do ta quanim përpjekje për
tu arratisur nga klishe dalëboje, për të rrokur një pjekuri e për pasojë për ta
parë veten jo si një turmë, por si pjesëza të bashkëjetesës dhe bashkëveprimit
për ndërtimin e të tashmes dhe të së nesërmes. Nuk ma kanda të paragjykoj
pozitat e admirimit politik të njërit apo të tjetrit, pasi kjo është një
territor i paprekshëm. Por ngulmoj në atë që ata që i thonë vetes opinionistë
domosdo duhet të përpiqen të jenë jo vetëm të paanshëm por dhe objektiv në
shtjellimin e situatave dhe në nxjerrjen e përfundimeve. Nëse kjo armatë e gjen
veten të rreshtuar në skalione politike, atëherë dohet ta pranojnë ata vetë dhe
në të kemi mundësi të zgjedhim. Të bësh temena njëres palë, qoftë edhe nëpërmjet
një personifikimi dhe ta shesësh si doktrin kjo nuk është synim për t’i dhënë
shoqërisë një hop qytetërimi dhe t’i hedhësh mbi supe një armaturë vetëmbojtjeje.
Kjo është politikë e njëanshme, është fushatë, është të shesësh sapunin për
djathë. Kjo nuk është e moralshme. Inatet apo shërbimet për interesa palësh nuk
kanë pse të shërbejnë si detonatorë të një katrahure mediatike. Nëse po, atëherë
në këtë vend edhe mendjet e ftohta politike nuk janë më pak shpuzë se sa vetë
personazhet kryesore në skenën brenda kraterit.
Fundja gjithsekush di çbën.
Kjartaz po guxoj me kryengrit mendim mbi këtë barrikad
mendimtarësh dhe uzurpatorësh të së drejtës për të kumtuar atë çka u shijon
atyre, pa vramendjen se lexuesit që i begenisin janë edhe të papunë, edhe të
kequshqyer, edhe viktima edhe të nëpërkëmbur. Vetëm duke u ndjerë pjesë e këtij
realiteti sekush mundet me i ofruar vetes një mundësi komode të të qenit çfarëdo,
qoftë edhe opinionit apo analist, konstatues apo teoricien. Problemet shqiptare
janë të prekshme. Me kudogjendjen e tyre ato injorojnë çdo përpjekje për të
kërkuar kumtin e kësaj të tashme tek një format trajtimi jorealist e të
devijuar. Të kesh respekt për lexuesin, do të thotë të ndjehesh më shumë se i
paguar, i vlerësuar. Unë vijoj të besoj se ata dhe vetëm ata që kanë në dorë
ndryshim e fatit të këtij vendi janë kurrkush tjetër veç ata që guxojnë të
ngrenë krye e të ndeshen me pushtetin dhe çdo fenomen varrmihës i të tashmes e
të pastajmes së këtij vend. Sikundër në përvojat e tjera, ku intelektualët,
mendimi i pavarur dhe vendosmëria kanë shkërmoçur pushtete absolute, ashtu edhe
nër ne ka potencial pozitiv që mundet të jetë produktiv në shërbim të të gjithëve.
Sakaq nuk heq dorë nga detyrimi që duhet të ysht intelektualë dhe mendimtarët,
të cilët duhet të shohin jo të presin t’ua rrëfejnë, duhet ta prekin jo t’ua
kumtojnë atë që është shtys për një qëndrim, apo përfundim. Jeta e gjallë gëlon
përtej zyrave të akomoduara mirë e me ajër të kondicionuar, larg bareve e
ngrehinash shndritëse. Unaza e Tiranës nuk është Rruga e Qumështit, dhe duke
mos qenë e tillë ne i kemi mundësitë dhe duhet të administrijmë më shumë
realitet, më shumë Shqipëri.
Comments
Post a Comment