Azem Shkreli preku shpirtin e fjalës
Se Shkreli, shkruante ngadalë,më mësoi koha që banonim
bashkë. Azemi në zgjim ka qenë i hershëm. Çdo mëngjes, shkruante me makinë
shkrimi, mendimet e natës. E bëre një libër, i thashë në një mëngjes të vonshëm
timin. "Jo nuk është libër, është veç një poezi".
SALI BEQIRAJ*
Azem Shkreli jetonte shpejt, dhe shkruante ngadalë. Kam dy
njohje me të. E para: si fëmijë, kur sapo kisha nisur t'i lidh shkronjat, në
shkollën e fshatit Bogë të Rugovës. Aty mes librave e njoha në fjalë, në
vargje. Nga të gjithë autorët e tjerë që mësonim në shkollë, tek Azemi preknim
gjunjët dhe gjurmët tona. Shikonim vetën tonë në fërkime vargjesh me gurë, me
kroje, me lugje, me male...E dyta; si i rritur në Prishtinë, kur isha student,
aty e njoha si njeri, ishte ashtu siç e kisha mbjellë në kujtesën e shkronjave
si nxënës filloreje, i pafajshëm, fjalë-pak, mendim-shumë. Edhe pak për njohjen
e dytë; ka qenë vjeshtë. Viti 1993. E takove në banesën e tij, në “Breg të
Diellit”. Ishte vetëm. Kisha përgatitur librin tim të parë me poezi. Ia
dorëzova. E lexoi kalimthi. Tha, do e lexoj ngadalë. E vendosi mbi tavolinën e
tij të punës. Një makinë e vjetër shkrimi. Ca gjethe e boça pishash Rugove,
rrinin me fletët e shkrimeve të tij të shpërndara mbi tavolinë. Folëm gjatë. Si
çdo takim i parë me njeriun që tek ti është maje respekti, kalon shpejt. Dhe,
sado gjatë që biseduam, mbi katër orë, mbeta mangët për shumëçka. "Poezia,
aq sa don mjeshtëri për ta shkruar, po aq mjeshtëri don për ta lexuar, do
kondicion, durim", më tha duke më përcjellë deri poshtë, në fund të
shkallëve, në hyrje të banesës së tij. E lashë dorëshkrimin dhe mora presionin
e kohës së vlerësimit. Nuk dija se kur ta zgjedh ditën për ta thirr në telefon.
Ndjeja diç të përzier; frikë dhe besim. Cila do jetë fjala e tij për librin? Nuk
i bëra telefon. Kishin kaluar dy javë. E takova te Fakulteti Juridik, ecte
shpejt. " Librin e kam kryer", më tha, "eja në banesë, të pres
në mbrëmje". Nga ora 19°° deri pas mesnate qëndruam aty. Kur i sosëm
fjalët për poezinë, bënim pauza duke lexuar me zë, herë unë, e herë ai, vargje
nga libri i Dritëro Agollit "Pelegrin i vonuar", të cilin e kishte
marrë të nënshkruar nga autori. Pas kësaj mora librin bashkë me shenjat e
nënvizuara me stilolaps të kuq, i kishte korrë fjalët e tepërta. "Poezia
nuk duron teprime, ajo edhe ashtu i ka miqtë e rrallë dhe nëse bëhesh i
mërzitshëm, miqtë, lexuesit, do të ikin".
Poezia na e la miqësinë. Takoheshim herë pas here. Ai dilte
të pinte kafe tek “Qafa”, një korridor i gjatë dhe i errët kafiterish. Ai korridor korrespondonte
më gjendje e rëndë. Koha ishte ngrysur. Ajrit i vinte erë lufte. Aty ishte
vendi ku takoheshim. Pak poezia,pak gjeografia e Rugovës, na bënin të
ndjeheshim të afërt. Na bënin miq. Ai lëvizte shpesh Kosovë-Gjermani, kishte
familjen jashtë Kosovës. Gruan e sëmurë në dializë prej shumë vitesh. Kohën dhe
kokën i kishte të ndarë në dysh. Më tha " unë lëvizi shpesh. Të shumtën e
kohës nuk jam këndej. Eja e rri në banesën time. Kur të jem unë aty, i ndajmë
edhe dhomat, një unë,një ti". Kur do nisesh andej?, - e pyeta unë. -Të
shtunën, më tha. Për një vit banuam bashkë. Azemi vinte e shkonte. Bënte jetë
dinamike. Me stres. Vetëm kur qetësohej reflektonte prush, tregonte se sa e
mundonin shkuarje-ardhjet. Sikur kërkonte ilaç qetësimi në bisedat për Rugovën.
"A ke qenë kah malet"? pyeste. Sa herë që kthehej nga udhëtimi i
largët, më bënte këtë pyetje. Fliste me mall, për gurë, për kroje, për
lisa...Flisnim e flisnim për fëmijërinë; për majtën e kohës me hije lisash.
Se Shkreli, shkruante ngadalë,më mësoi koha që banonim
bashkë. Azemi në zgjim ka qenë i hershëm. Çdo mëngjes, shkruante me makinë
shkrimi, mendimet e natës. E bëre një libër, i thashë në një mëngjes të vonshëm
timin. Kishte edhe dy ditë për të udhëtuar jashtë. "Jo nuk është libër,
është veç një poezi", më tha, dhe ma dha ta lexoja. Ishte poezia
"Libër i vockël" nga libri i ndërprerë (botuar pas vdekjes)
"Zogj e gurë". Kishte kaluar mbi një muaj, që çdo mëngjes shkruante
variantet e natës, të së njëjtës poezi. E pyeta, " kaq kohë për një
poezi?".. "Ç'të bëj, po kërkon shumë nga unë, e unë nuk po mund t'ia
jap atë që po kërkon". Prapë mëngjesin e ditës tjetër shkruante me makinë
shkrimi mu atë poezinë që kërkonte shumë prezencë. Derisa po prisnin te na
nxehej çaji, pa e pyetur më tha: "poezia vazhdimisht kërkon prezencën
tënde, nuk do ajo që ta lësh vetëm dhe do që t'i besosh, ta ndiesh. Poezia
është vetëm rrëfimi i gjendjes emocionale. Është e ndodhura brenda teje, atë të
ndodhur duhet ta bartësh tek lexuesi, duhet t'ia dëshmosh, e pa këtë dëshmi, nuk
ka besim mes lexuesit dhe poezisë."
Azem Shkrelin e njoha fizikisht në kohë të keqe. Kohët e
robërisë s'i duan njerëzit e ndjeshëm. Azemi ishte i tillë. Me ndjenja të buta. Unë mbarova studimet dhe
u ktheva në Pejë. Takoheshim më rrallë. Ai prapë vazhdonte me udhëtimet jashtë
Kosovës. Dëgjoheshim në telefon. Telefoni shpesh binte i shurdhër. E dija se
ishte diku nëpër Evropë tek po bënte udhëtime për t'i qetësuar dhimbjet e tij.
Për të fundit herë, e takova në Pejë. Ishte mars i
vranët. M'u duk disi i lodhur dhe me
hir mërzie. Qëndruam rreth gjysmë ore në
një lokal plot zhurmë, afër stacionit të autobusëve. Donte të udhëtonte për
Prishtinë. E shoqërova deri te autobusi. "I ke rralluar ardhjet" , më
tha. Dhe, kurrë nuk shkova më. Dhe,kurrë nuk e pashë më!
Ishte muzg i mbrëmjes së 24 majit të 97-tes. Sapo isha
kthyer nga Rugova. Kisha varrosur një dhembje të madhe, vëllain tim, Shabanin,
që kishte ndërruar jetë në agim të ditës. Ishte dhembja e parë. Më e rënda.
Dhembjet tjera i kisha kapërcyer si mes ëndrrash djalërie, që rrallë o kurrë
realizohen. Malësorët e mi, flisnin, të vogël, vesha-veshë. Dëgjova; ka vdekur
Azem Shkreli! Nuk kisha më mish,as asht
për dhimbje. Kam rënë herët atë natë, Jam zgjuar herët. Isha mpirë nga
dhimbjet. Kalova kohë të gjata mërzie. Dikur,u shumuan motet e vdekjes.
Ndihesha me fat, që kam njohur Njeriun. Sot e përgjithmonë ketë fat e mëkoj.
Jetova kohë te Azem Shkrelit.
Veç edhe pak për poezinë. Poezia e Azem Shkrelit është
festë. Është çlodhje. Lartësia e saj është Olimp. Është bërë biografi gurësh e
kroje etjesh...! Krejt konkret; Azem
Shkreli është identitet letrar. Mendim i veçantë i shqipes. Azem Shkreli vdiq
shpejt. Krejt është e shkuar. Koha që iku, iku. Ai do lexohet ngadalë. Do të
kujtohet bukur. Do përfytyrohet në kujtesën e fëmijëve të lindur pas nesh.
Pastaj, do të shërbejë si Dhiatë e Vjetër. Pastaj... pastaj mbajmë mend; Azem Shkreli preku shpirtin e fjalës. Mësoi
si hesht e pathëna. Si dhemb ajo. Mësoi, mësoi... Ra këndej. Bëri maje mendimi.
Dhe,u ngjit deri në qiell...!
*Gazetar dhe publicist në Pejë
Comments
Post a Comment