Shtegtimi i Çajlld Harolldit


Xhorxh Gordon Bajroni
Lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait të tetë, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Neëstead Abbey. Në moshën madhore zuri vendin që i takonte në Shtëpinë e lordëve. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioj gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Këtu ju spikaten ato cilësi të karakterit që i ruajti gjithë jetën : serioziteti dhe zotësia të mendohej thellë mbi ngjarjet e jetës ; dhe bashkë me këto : gëzimi, vrulli shpirtëror e temperamenti i zjarrtë. Më 1805 Bajroni hyri në Universitetin Kembrixh (Cambridge). Kur ish akoma student botoi vjershat e para lirike të tijat "Orët e Ngeses". Revista zyrtare e shkrimtarëve "Edinburg Reviu", i bëri një kritikë pa mëshire. Poeti i ri iu përgjigj me satirën "Këngëtarë anglezë e skocezë", në të cilën sulmoi ashpër letërsinë angleze të asaj kohe dhe gati gjithë poetët e njohur, sidomos ata të "shkollës së liqenit". "Shtegtimi i Çajlld Harolldit" është puna letrare më e madhja e Bajronit. Vetë autori thotë në dedikimin e këngës së katërt se është "më e gjata, më e menduara dhe më e kuptuara nga hartimet e mia".

Child Harold
Nga Bajroni*

O Shqipëri, ku lindi Iskanderi –
Këngë e rinis’, fanar i t’urtëvet! –
Dhe Iskanderi tjetër, që i dërrmoi
Përherë armiqt’ me Kordhn’ e tij kreshnike:
Shqipëri, lejomë te kthej syt’e mi
Mbi ty, o nënë e rreptë burrash t’egër”
Kryqi po zbret, po ngrihen minaret,
E zbeta hënëz ndrin nëpër lugina
Mbi pyje me selvi n’agor të çdo qyteti.

Çajld Haroldi lundroi përbri terikut
Nga kqyrte detin Penelope e gjorë;
Më tej pa kepin e përmendur kur
Dashnori gjeti strehë e Lezbja varrin.
E zeza Safo! Si të vrau dot vdekja
Ty q’i dhe prushin e pavdekur vargur?
Si s’rrojte ti, që jetë amshimi dhe?
Ndë jetë t’amëshuar jeton kënga,
Parajsë e vetme që lakmojnë bijt’e Dheut.

Një mbrëmje t’ëmbël vjeshte greke, Haroldi
Ju fal së largu kepit të Leukadës;
Kish mall ta shihte e të mos ikte sij
I vrente viset ku u zhvilluan luftra –
Aktin, Lepanton, Trafalgar zëmadhin –
Po s’prekej, se (i lindur nënë nj’yll
Të largët të pafamë) s’e kënaqnin
Rrëfime zallahirash gjakatare;
Urrente vrasës, tallej me heronj të luftës.

Po kur pa yll’ e mbrëmjes përmbi krep,
Krep-zinë, të Leukadës, cangël n’ujë,
Dhe varrit të dashnis’ pa fryt iu fal,
Ndjeu, a pandeu se ndjeu një mallëngjim:
Dhe kur anija shkiste madhërishëm
Nënë hije t’atij mali të qëmoçëm,
Vu re si shkonin valët me vajtim;
Shpesh ra, si kish zakonin, në mendime;
Po syri iu qetua, balli iu kthjellua.

Agimi lind: me ‘të po çohen brigjet
E Shqipëris’ së rreptë, shkëmb i Sulit,
Dhe larg të Pindit çuka mjegull veshur,
Të lara penjsh të bardhë si dëbora
Me ngjyra mashkullore e kuqerreme,
Dhe ndërsa retë nisin të shpërndahen,
Spikasin tbanat e malsorëvet:
Këtu bredh ujku – shqipja sqepin mbreh –
Zogj – bisha – njerëz t’egër zën’ e duken
Stuhitë rrotull tundin motin që mbaron.

Haroldi tash e ndjeu veten vetëm;
I la shëndenë botës së krishterë;
Po nisej për në trevë të panjohur –
Shumkush e mburr, pakkush guxon ta shohë; -
Pat armatosur parzmin kundër fatit;
Rrezik s’kërkonte por as nuk i shmangej;
Vërtet qe e egër skena, por e re;
Kjo udhën plot mundim ia bëri t’ëmbël,
Të mos e ndjente dimrin e t’i duhej verë.

I kuqi kryq këtu – kryq ka akoma
Me gjithsej lafshëprerët i akërrohen –
Harron krenin’ q’u kendet priftërvet;
Një soj urrehen priftërij e luftës.
Ah, besëtytni, në çdo tipar të fshihesh,
Si idol, profet, shenjt, kryq, virgjneshë, hënez,
Në çfarëdo simbol të paraqitesh
Priftnis’ i sjell fitim e botës dëm!
Kush mund ta ndajë ndryshkun tënd nga ar i fesë?

Përkthyer nga Skënder Luarasi. Marrë nga Child Harold

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk