“Jam Pater Fishta që them uratë me gishta!”
Punët si nji
herë, nji herë e…“Rroftë Shqipnia!”
“Jam Pater Fishta që them uratë me gishta!” është anekdotologjia, fryt
i një pune shumëvjeçare, që ka përgatitur për botim shkrimtari dhe studiuesi Kujtim
Dashi. Në të janë përfshirë: anekdota nga
Gjergj Fishta dhe për të; fragmente nga publicistika e proza e Fishtës, që janë
treguar dhe mund të ritregohen si anekdota; impulse fishtjane nga vepra
satirike dhe publicistike e tij; biobibliografi e zgjeruar për Gj. Fishtën, si
dhe vlerësime për veprën e Gj. Fishtës.
Bashkëkohës e studiues të Fishtës kanë vënë
në pah prej kohësh se për të janë krijuar e tregohen shumë anekdota, disa të
vërteta e një pjesë e madhe të trillueme prej fantazisë së popullit, apo që ia
kanë ngjitur atij duke i marrë prej ndokujt tjetër, siç ka ndodhur e ngjet
zakonisht me këtë zhanër. Njerëzit kanë kërkuar gjithnjë, që në qendër të
anekdotës të kenë si protagonist një figurë shumë të njohur, të besueshme e sa
më popullore, e thënë ndryshe, e patundshme; ndonjë politikan i sotshëm do të
thoshte gjithëpërfshirëse. Kjo dëshmon për prirjen e veçantë të Fishtës
ndaj humorit, zgjuarsinë e fantazinë e pasur, gjykimin e mprehtë të tij, si dhe
për përvojën e madhe jetësore, aftësinë e rrallë improvizuese, çka mishërohet
në batutat e tij të befasishme, pikante dhe jetëgjata, që janë përcjellë nga
brezi në brez deri në ditët tona. Volteri
thoshte se anekdotat janë si kallinjtë që mbeten fushës së historisë pasi kalon
drapri i të korrave. Pra, në këtë rrugëtim të gjatë edhe nëse është shtuar
diçka në “kallinjtë” fishtjanë, në çdo rast, krijuesi, me siguri, ka pasur mirë
parasysh një “kuotë” a një “referencë” nga Fishta dhe, me siguri, është munduar
gjatë që t’ia atribuojë apo jo atij. Pavarësisht nëse janë origjinale
apo janë të krijuara prej të tjerëve që e kanë njohur ose jo Fishtën, fakti që
ky repertor fishtjan gjallon në kujtesën e njerëzve njëkohësisht me veprën e
tij poetike, satirike, dramatike, publicistike etj., ende sot e kësaj dite, e
rëndësishme është se ato bartin dëshmi autentike biografike dhe një qëndrim të
veçantë receptiv të veprës së tij letrare e shoqërore; ato mund të vlerësohen
edhe si një kronologji humoristike e jetës së Poetit dhe të preokupimeve të
mëdha të kohës, i pranishëm ose jo edhe ai në to. Të drejtpërdrejta ose burimore, do t’i konsideronim ato anekdota të
mbledhura prej Fishtës, ose prej atyre njerëzve, të cilët kanë pasë miqësi të
ngushtë, ose kanë botuar kujtimet e tyre për të, sidomos pas viteve ’90 të
shekullit të kaluar, të cilëve, siç thotë Stefan Shundi, “mund t’u besohet
verbtas”, si dhe ato pasazhe të shkëputura enkas nga publicistika e tij, të
cilat në substancë përbëjnë fabulën e një anekdote, skice a tregimthi
humoristik e që, siç kam vërejtur, tregohen “me pak fjalë” edhe sot e kësaj
dite nga njerëzit si anekdota. Bibliografia e pasur (afro 200 zëra) dhe
variantet e një fabule, të vjelura drejtpërdrejt, të publikuara apo të
mbledhura në arkiva shtetërorë e personalë, në monografi a libra memuaristikë
dëshmojnë për besnikërinë në zbatimin e principit të autoktonisë të kësaj
pasurie humoristike fishtjane.
Teksa pyesim
autorin e anekdotologjisë “Jam Pater Fishta që them uratë me gishta” se kur do
ta kemi në duar këtë libër të çmuar, ai me humor na thotë, se “Unë punën time
thuajse e kreva. U bë një kohë e gjatë që kam “qepur strajcën” për ndonjë
mbështetje financiare nga dashamirësit e panumërt të Fishtës. Mbase kujtohet ndokush...N.
Gogol thoshte “Nga të qeshurit kanë frikë të gjitha pasionet tona të ulëta. Le
t’i kthejmë së qeshurës rëndësinë e saj të merituar”.
Zyrtarve që u ka ardhë ndonjëherë era huder, mos me ja
u
lanë tepër thonin me u rritë.
Zyrtar i pabesë.- Na shkruajnë prej
Mirditet, se një Mydirri t’atjeshëm i ishin kenë rritë thojt pak per s’tepërmi,
si me thanë se ka dalë hajn; per t’cilën punë Qeveria ja ngjiti thojt edhe e
burgosi, megjithë do Muftarë të një katundi t’Mirditës, per arsye që ai kishte
vjedhë e kta i kishin mbajtë thesin. Tujë kenë që ky lajm nuk na vjen
zyrtarisht, kështu, për sot, nuk po ja zamë emnin ktyne batakçinjëve. Veç çka
se s’mundena me ndejë pa e kja me lot ket rrezik, që aty ktu, po i ndodhë popullit
Shqyptar, me kësi zyrtarësh t’pandershëm e batakçinjë. Njani nder shkaqe ma
t’forta, neper te cilat rrenohet shtëpia e robit, asht, pa dyshim, hajnia
mbrenda. Si t’rrin gjindja e shtëpisë tujë vjedhë shtëpinë e vet, asht e ditun,
se ajo shtëpi shkon dam e bahet mos me pasë çka me i hanger mini mbas darket.
Kshtu edhe kur kësi zyrtarësh batakçinjë, që janë amanetqarët e Qeverisë,
vjedhin popullin a Qeverinë, asht e ditun se Shqypnia rrenohet e shkon si asht
ma zi. Prandej asht mirë që zyrtarëve, të cilëve t’u ketë ardhë ndonjë here era
huder, mos me ja u lanë tepër thonin me u rritë.
Amerikanët janë kahë na i marrin pleshtat.
Këndojmë nder
fletore se një miliarder amerikan, i quajtur Valter Rothshild, ka fillue me
mbledhë pleshtat e botës. Ka nisë me ba, një koleksion pleshtash; deri sot
burri i botës ka mbërritë me mbledhë tok rrash tri mijë krenë, duke i pague
edhe shtrejtë fort. Vetëm për një plesht, që është në trajtë të lunderzes, ka
pague kurrgja ma pak se 15.000 frank. Per tre pleshta të tjerë, që ja solli një
fatbardhë kanadez prej Polit të Veriut, lau 3000 frank në kambë e në dorë. E
pra, në Shqypni e nder diplomatë të Europës…kishte me i gjetë edhe pa pare.- Me
pague 15.000 frank per një plesht sot, që shekulli mbarë asht tujë u rreshkë
prej ujet2, një punë kjo që shpjegon ma së mirit, se çka asht v l l a z n i
a në kulturë të sotshme!
__________________
1)Shalë, Shosh-fshtra në Dukagjin të
Shkodrës.
2)uje-urie.
Ku hàn e së t’apin e ku flet e së të ndigjojnë nuk ke
se ç’bân
-Në treg të malcis-
Malcori.- Po kjo Tirana
ku do të jetë?
Gjytetasi.- Po as kaqe e gjâ nuk e din
se Tirana âsht kryegjyteti i Shqypnis?
M.- Hek! Masi kryet Shqypnija e paska
në Tiranë, po bishtin ku do t’a ketë?
Gj.- Jo more Sokol, mos e kujto punën
kështu, pse Shqypnija së ka as krye as bisht, por deshta me thanë se atje në
dhè të kuq rrinë të parët e paret e Shqypnis.
M.- Hak e pernjimend, më kanë thanë se
atje janë napulanat e kuq si bari në bashtinë, po na kah pernjimend jemë në dhè
të zi, qyshë se po kemi zi parje e zi buke.
Gj.- Po a s’e din ti, se Shqypnija, si
flamuri i sajë âsht kuq e zi?
M.- P’a ndigjoma i’fjalë: kur të
shkojsh në Tiranë m’i lë të falë me shndet të parit të Shqypnis, se…i Shqypni
t’eger e të zezë nuk ka ç’e bân.
Gj.- Drue se së kam me muejtë more
Sokol, pse ku hàn e së t’apin e ku flet e së të ndigjojnë nuk ke se ç’bân.
“Pse per pa e muejtë e keqja, Shqyptari nuk ban
gjurmë kahë e
mira.”
-Në
log të kuvendit-
B
a j r a k t a r i.- merr fjalën- e tuej
e shkundë mbi gur kamishin e duhanit, zen e thotë: Pra me giasë se nuk do të
mund i gjindet kurrkund rrfana ksajë Shqypni! Mana por moti i mirë shifet në
nadje, e m’a thotë mendja, se nuk do të
mund të shkojmë fort giatë më si ja kemë nisë: qep nji pllamë e shkep nji
pash.
-
Gjofti rrfeja, po ç’je kahë thue, ja pret M i c a n i, pa’j duhet me kenë
Shqypnija e ngatrrueme si flokët e dreqit, per me vojtë puna si ç’thue ti
Bajraktar. Sod per sod kush ka pare ka
çajre, e po t’i kite Shqypnia paret e krajlave, s’pat me hanger pula gur
nder ne, por pat me hanger qeni pogaçë, si motit, pse si i thonë nji kajgës:në
të pvetët kush se si asht jeta, Shqypni e
kom po ish kuleta.
-
L u l a s h i.- Mana por kurrkund s’ja ke gjuejtë lum Micani, se qe besa e
burrave parja s’ba pare në Shqypni tonë,
pse duhet me pasë ma shum mend se dhen, e parja pa zot, asht si shiu që bjen
kot, e derë të thohet per Shqypni, se shpija u dogj, por lum kush mund të
zehet, s’na prodhojmë as paret as visaret e të tanë krajlave të gjitha tok me i
pasë.
-
Lumti goja, or Lulash – ja kthen me nji herë G j e l o s h i – Ku s’e njef qeni
të zonë punët nuk kan si shkojnë marë, e per me ja gjetë fijen lamshit, kish me
dash me fillue per së marit, tuej vu dorë e tuej
hjekë e ndrrue: e zyrtarë, e të
parë e shkollarë a si po u thonë të
gjith atyne, të cillët nuk po lanë Shqypnin me çue kryet as me marrë frymë.-
-
Shitofti zana se nuk je kurrkund kahë ja giet, ja pret S o k o l i, se mana vendi nuk mahet pa kren, me sa shpija pa
tren, edhe po u terrnuekan të gjith ashtu si thotë Lulashi, por hik prej shiut
e del në breshen, se kish me pasë kush me i gia e kish me u gjetë kush me i
sha.
M
i c a n i, A di si?
S
o k o l i: He…
M
i c a n i: Si kish me dalë puna me pasë per t’u çue fjalë krajlave? Se me dashtë ata…puna kish me u ndreqë
në kamë e në dorë.
-
L u l a s h i, Kurrkund nuk je më ta, lum Micani, se per pa ju ligë ora
Shqypnis nuk ka si bahet ata ç’mendon ti. Krajlave me giasë iu asht lidhë Shqypnija,
e diku prej inadit, diku prej prej droje të shoshojt, ham dr…ç’paça, as janë ata qi e çarsin as ata qi e ndreqin
Shqypnin. A jemë kund na vetë, se per krajla?...Kemë vojtë prallë, e kemë
dalë fisit e bajrakut.
B
a j r a k t a r i tuej dhanë marrim
kuvendit: Mana por lumti goja, or Lulash, se kuvendi e urtia po të shkote per
gjak e per piri, edhe ‘asha at Sh’Marrabee, Shqypnin
ja do t’a ndreqin Shqyptarët, ja s’ka
kush ven dorë në të. Por per me zanë mend Shqyptarët lypet bash do kohë e
duhet edhe mjaft do mund, pse per pa e
muejtë e keqja, Shqyptari nuk ban gjurmë kahë e mira.
________
kamish (turq.)-çibuk i gjatë
Shka len prej micet gjuen mi
- Babë, sa punë
lypen per me kenë shqyptar i vërtetë?
- Nuk lypen punë
por fjalë.
- Po, fjaltë i
merr era, more Babë, e Shqypnija nuk asht veç nji fjalë per t’u folë.
- Mirë e ke, se
Shqypnija nuk asht fjalë, por asht pare, e per me fitue pare, e per me fitue
pare me spol, lypen pak punë e shum fjalë.
- E po çfarë
fjalësh? A fjalë shqype a të hueja?
- Shqypen
mjafton me e perçapë, të huejat duhen me i dijtë.
- Pra shqyptar i
vërtetë dashka me thanë me diejtë Italisht, Slavisht, Greqisht e Turqisht.
- Mos harro:
edhe me kenë i zoti me e përçapë shqypen.
- E si perçapet
giuha shqype?
- Shqym njashtu
si ja ban kuer të soset djathi e të metë buka that, perçape fort per me të ndi e me të dhanë nana
tjeter, perçape perdhuni pse nuk t’a
ka ande buken por i lakmon djathit.
- Pra msuesi na thot ndryshe në shkollë, se
nierin e ban kena e jo duka, e se nuk mjafton me shitë atdhetarizem me fjalë,
por duhet me punue per Shqypni.
- Aj asht ne e
Lekës he krahthatë! Po s’punove per vedi, ke metë në zall ti me gjith Shqypni.
Shka u qiti Shqypnija atyne qi u borne mas sajë?
- Pra lum baba
masi nuk i dashka zanë besë msuesit, kot se më çon në shkollë.
- He…ti je i
vogel more bir e nuk din ma giatë. Msuesit merri fjalët, por me punue, puno si
të thotë Apa:
Un per vedi e të gjithë per mue
Dy
në dorë e tri në thue.
- Besa more
Babë, fjalët tua nuk dij me i marrë vesht e ata të msuesit më vinë të kollajta.
Por kuer të rritem tash mendoj me mend të mija.
Kur s’ke ç’me ba, luej derën
Puntori.- Shka don me thanë qi kurr
s’mund e mora vesht punën e ksaj dreq Shqypnijet! Kur më përmendë kush Amerikën
e di se asht vendi i pareve, Inglizin e mbaj për njeri diplomat e politiket, po
foli kush per Alleman (Gjerman), me ve’ me nji herë mendja te puna e te dieja,
e kshtu per ç’do nahije diç m’epet me thanë e me mendue, por Shqypnia, per mua
asht si prralla e Gjo Mar’Shkallës.
Zyrtari.- Shko mor budall; ti s’din me
i dhanë gomarit ujë, jo ma po don me i kuptue se shka asht Shqypnia. Shuej aty,
se besa po gjenë shka lypë.
P.-Po, more Zotni, ani se un s’po
dijkam gja, por un kam ndi tuej e ba ket ankim edhe disa qi per kahë dieja
s’preken me pupël. Hajde se po e lam ket punë, por ne mos tjeter a din me më
kallzue a ka kund Shqypni?
Z.- Ty me gjasë, mas hallit, të paska
lanë edhe mendja; po si pvetë a ka Shqypni, mas topave qi janë shprazë e mas
ligjeratave qi janë majtë me 28 Nanduer! Balonat kan ardhë, ingjinerat kan
fillue m’u perda, parlamenti vijon çashtjet gjithnji e per shpejti do të kemë
edhe asamblen komtare. Mandej a s’i ke ndië ti urdhnat e çpallun e plakatat e
vume, a s’ke pague kurrnjiherë, vergi, iktibari, e shka di un tjeter ma. Të
gjitha kto janë per Shqypni e ti vjen e me pvetë a ka Shqypni!
P.- Besa nji Zot por e din se shka do
të hjekim per pagesa, por thaçë se po kallzon se ku shkon gjithky mund qi bahet
e gjith kjo pare qi derdhet. Z.-Mos
e tierr ma gjatë lum djali, se ke prekë nder tela. Shqypnija per me u majtë ka
nevojë për zyrtarë, zyrtarët do të paguhen prej popullit, e se si ja ban mandej
populli për me pague aty din vetë. Por paguej e mos druej.
P.- Pra masi kënka puna kshtu, më ve’
mendja me u ba ma shqyptar tuej gjetë ndo’j zyre.
Z.- Rri more krah thatë, rri në zanatë
qi të la yt atë. E po ti zot e un zot, gomarin kush e kullotë?
P.- E po, njimend se ma i madh hatri se
topuzi, por besa kur s’ke ç’me ba, luej deren.
Letersija nuk asht per dhambë të gjithkuejë
Nji qylahxhi, para se me çilë
dugajë m’vedi per qylahxhi, duhet qi per do vjet të ketë ndejë shegert me
ndonji qylahxhi; pse ndryshe bota s’e njef per qylahxhi. Por edhe per me kenë
kallajxhi, duhet me pasë ndejë vjet e vjet shegert me ndonjë kallajxhi e me
pasë nxanë se si bahen e si kallajtisen sinijat, tepsijat, kusijat, legenat,
jibrikët, fulteret etj.; pse per ndryshe nieri s’kishte me u njoftë per
kallajxhi.
E kshtu të thuesh
per likuraxhi, shkarpaxhi, samarxhi, bosaxhi etj. Due me thanë se, per ç’do
zanat qi do me kapë nieri, duhet nji farë pregatitje gjithkund, por edhe në
Shqypni. Vetem asht nji zanat qi në Shqypni s’lypë kurrfarë pregatitje:
letersija! Jo, po; nja 90%në Shqypni mendojnë se, per me kenë letrar, s’lypet
tjeter veç karta, penda, mereqepi, ngaeja, e mos me pritue nji ç’do kryematare
me shtrue at kartë m’tryez, me perla at pendë në dorë, me u zhytë ne mereqep, e
mbasandej me te bje kryq e terthuer kartave, shkarravitë kund 70-80 faqe tanë
fjalë bihude e në nji shqype të garavaxhzueme, e atëherë botoj, e shkruesi
ngrifu per “auktor”, brejë hekur m’Ministrin e Arsimit, po s’i dha ndonjifarë
shperblimit 50-100 napolonash-pak me thanë-per at paçaver! Tash kshtu puna s’hecë-e as
s’do të hecë; pse pernjimend po bahemi gazi i dheut. Per me u mbushë mendjen
nji palë shqyptarëve, pra, se per kenë leterat nuk asht mjaft të keshë nxanë me
kendue e me shkrue, tash e ma vonë due me u pru në HD disa piksime estetike mbi zejen e fjalës a se së thanmes, prej
së cillave ka me u pa, se letersija nuk asht per dhambë të gjithkuejë.
“M’kallxo se ç’libra kndon, e t’kallxoj se kush je.”
“M’kallxo
me ke shkon, e t’kallxoj kush je”, ka thanë i moçmi; pse shoqi me fjalë e me
kshille t’veta kadalë e kadalë t’a ndrron mendjen e t’ban per vedi. Prandej me
gjith arsye mundem me thanë: m’kallxo se ç’libra kndon, e t’kallxoj se kush je;
pse edhe libri, si shoqi, tue t’folë e tue t’kshillue me shkrola t’veta, kadalë
e kadalë t’a mbushë mendjen e t’ban per vedi. Sikur nieri, pra, para se me
lidhë miqsi me nji shoq, do t’a njofë se ç’nieri asht; kshtu para se t’vehet me
kndue nji liber, do t’a dijë se ç’faret asht libri, a i mirë a i keq, per mos
me u vue n’rrezik qi me kenë rrejtë e mahitë prej s’i…E pra sejcilli shqyptar,
(sidomos sod), kishte
me dashtë me kenë i dijshëm. Por asht halli, qi s’del kush i dijshëm, po nuk u
mundue me xanë; pse si thonë Anzat e
Parnasit: “S’a ba i dijshëm kush pa
hiri,/Ndejë peshtetë e tuj njefë miza.
Si shpëtoi “kapitali” i dijetarit
Editorialin
e “Posta e Shqypniës”, të datës 13 tetor 1917, me titull “Shqypnia e kultura”, Gjergj Fishta e nis me ngjarjen e
mëposhtme:
“Kallxohet
se motit kishte pasë kenë mbytë një barkë në det e, se nder ata njerëz-e shumta
tregtarë-që i kishin pasë shpëtue rrezikut, por që gjaja u paska pasë kenë
mbytë krejt në det, paska pasë qëllue edhe një dijetar. Mbasi u pat kalue droja
e rrezikut të jetës, tregtarët ja nisën me qa me lot për gjanë që u kishte
humbur, pse tujë pasë mbet gisht, kurrkund s’ja shihnin gjasen vedit, se si
kishin me mujtë me jetue mbi shekull; vetëm dijetari nuk bante as ankim as vaj.
Si mundesh me ndejtë pa qa, i thanka njani asi tregtarësh, mbasi edhe ty t’asht
mbytun në det çka pate? Nuk qaj, i përgjigjet dijetari, pse unë kapitalin tim,
që asht dija, e kam shëndosh e as më mbytet në det, as më humb m’tokë. Edhe
njimend s’rrejti me atë fjalë; pse, në të parin qytet që u ndal, çeli një
shkollë, neper të cilën mandej jetoj zotnia nja per nja si përpara.
Por
s’di si ishte da ky dijetar me gjithë dije të vet, po ta kishte qitë ora me u
kapë s’parit mbas atij rreziku m’breg të Shqypniës. Kujtoj se kishte vdekë
ujet, a se mos tjetër, i ishte dashtë me dalë e me lypë derë për derë, si ata
të tjerët shokë të tij tregtarë; pse shkollat, si motit, si deri të gjithë
ditën e sotshme, s’janë mbajtë për gja nder ne”.
“Jevgëve ose gabelëve edhe me ua falë
shpinë, s’ta marin…”
“…E kush asht ma
i lirë se jevgët ose gabelët? As çajnë kryet për mbretën e ministra, për taksa
e të dhjeta, për pasaporta e lejekalimi, edhe lirinë e vet sot s’e ndërrojnë
për çdo gjëje tjetër jete sado të gëzueshme, por qi t’ua pengojë këtë
liri…jevkët e gabelët nuk janë gjaksë: s’vrasin kënd për inate, as mbas shpine
për para, as me pushtue tokët e robtë e ships së huej…E vërtetë se kta vjedhin,
por shka? Ndo i zog pule, ndo i këmishë n’gardh-gja për me veshë a për mu u
ushqye; se ktyne edhe me ua falë shpinë, s’ta marin…”
Punët si nji
herë, nji herë e…“Rroftë Shqipnia!”
Shkodër.-Në Shkodër punët si një herë,
një herë: rrena, pluhun a baltë, kuaj e katana, muzika, peca1 e…”Rroftë
Shqipnia!” sa të duesh; por punë, pa të cilat s’ka si rron Shqipnia, pak e
aspak. Gjindja janë ndejë hijeve pa punë, tue pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash,
pale se çka po u bje nana-vida Europë; por…për një herë…prit Zot, veç mizat;
pse, (me ç’andrra po shihen), vonë e vonë, u shqyen gurmazësh, tue folë për
Shqipni e tue punue për vete, por ç’dobi! Për Shqipni s’po ka punë e për
atdhetarë s’po ka pare. Pazari i Shkodrës asht ba tamam Club me pi kafe e me ça
llafe…politike. Oh po! Për politikë mos pyet! Këtu politikë sa të duesh. Pa pasë
nxanë gja politike, çdo kopuk do me dalë Bismark: pa iapasë ndie emnin
strategjisë, çdo kulifickan2 i keq, ba prej lëngatës mos me u gjetë qen që me
hangër, flet, more djalë, për punë lufte si me qenë një Velington, një
Napoleon, një Moltke, Togetof a Togo,
shi me ta ba kryet për voe3. Por, ele4, me të qitë rreziku me nejë më ndonjë
asish, që ka pa andërr se asht i dijshëm, prej se, kur pati qenë në shkollë, ka
pasë shqye ndonjë kartel5 a thye ndonjë tabelë, atëherë, po, se nuk i di maje
vetes, kaq dijen e filozofinë e politikën e madhe që pështyn prej goje. Ta ndan
shekullin fele-fele6, si me qenë tue nda një shalqi Stajke7, i ngatërron e i
shkatërron krajlat shok me shok, me të vojtë mendja se atëherë po kërset lufta
e po bahet nami; por, kur fundi, veç n’i kristë zorra në bark atij prej së
thati, se kurrkush s’lot vendi.
E
tue qenë që këtu rregullohet politika, jo mbas interesash të vendit, por mbas
leverdisë së secilit, çdo punë që ndodh, kaq dredhet e shpërdridhet, e shtohet
e vogëlohet e zbukurohet, sa mos me mujtë ma me ditë se çka asht rrenë, se çka
asht e vërtetë. Prandaj kësaj here s’po vëmë lajme Shkodre; pse druem se vihemi
në rrezik me thanë ndonjë rrenë: çka kishte me qenë kundër amtyrës8 së së përkohshmes
sonë.
___________
1)peca-lecka
2)kulifickan-tuberkuloz
3)me ta ba kryet për voe-për ta bërë kokën
dhallë.(voe-vezë)
4)ele-sikur
5)prejse-nga që.
6)kartel-fletore.
7)fele-fele-thela-thela.
8)Stajka-fshat i Shkodrës.
9)Amtyrës-natyrës.
* * *
Përmbajtja
1.-Amerikanët janë kahë na i
marrin pleshtat.
2.-Zyrtarve që u ka ardhë
ndonjëherë era huder, mos me ja u lanë tepër thonin me u rritë.
3.-Ku hàn e së t’apin e ku flet e
së të ndigjojnë nuk ke se ç’bân -Në treg të malcis-
4.- “Pse per pa e muejtë e keqja,
Shqyptari nuk ban gjurmë kahë e mira.”-Në log të kuvendit-
5.-Shka len prej micet gjuen mi
6.-Kur s’ke ç’me ba, luej derën
7.-Letersija nuk asht per dhambë
të gjithkuejë
8.-“M’kallxo se ç’libra kndon, e t’kallxoj se kush je.” 9.-Si shpëtoi “kapitali” i dijetarit
10.-“Jevgëve ose gabelëve edhe me
ua falë shpinë, s’ta marin…”
11.-Punët si nji herë, nji here
e…“Rroftë Shqipnia!”
**************/***************
Kalendari i KOHA
JONË
Bardhyl
Londo
Ka lindur në vitin 1948 (25 Dhjetor) në Përmet, Shqipëri. Studioi për gjuhë dhe letërsi në
Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite
mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qënë
kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Krijmtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me
poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.
Epitaf i
shtatë ëndrrave
....
Dola. Çiftet e
dashuruara
putheshin
qetësisht në park.
Rendin rrugët e
periferisë
buzët të takonin
me bulevardin e madh.
Natë e bukur, çapitej
ngadalë,
diellin
priste të puthej në mëngjes.
Qyteti
përqafohej me mallin përballë
pa asnjë
llogari, pa asnjë interes.
Natë e
bukur tmerrësisht
një natë a
vetë jeta ish?!
Jetë
njerëzore-fytyrë dashurish.
" Nata
jeton me pasionin e agimit
e sotmja ëndërron
të nesërmen
Vetë hapi i
njeriut mbi tokën time
trajektore e
pasioneve te ndershme
Nga pasione te
bukura njerezore
lindin, vdesin,
rilindin miliona dashuri.
Do te vdes nga
pasioni per te qene njeri!"
" Te kam
besur gjithmone si femija nenes,
ty, force e
pamposhtur e njeriut te mire,
çdo kohe fytyren
e njeriut ka enderruar,
koha ime ka
fytyren e njeriut te lire.
*/**
Motiv i lashte
popullor
Ne jemi si
dybrigje te nje lumi
perjete perballe,
perjete te ndare
naten ndertojme
ne endrra nje ure
diten mbetemi te
huaj si me pare.
Nje ure te ngre
qe te lidhen brigjet
me ditet e
mia, me endrrat do ta mbaj
te vij te
mbeshtes koken mbi supin tend
dhe te hesht, te
qesh, te qaj.
Comments
Post a Comment