Misteri i Shopen ne kolanen e muzikës klasike botërore
Stili i tij eliptik: Muzika e polakut Frédéric Chopin mund të duket e thjeshtë për publikun, por puna e
tij është ende e pastudiuar ashtu si duhet nga kritikët
Nga Anne Midgette*
Të hënën e 22 Shkurtit, ishte data e përvjetorit të 200-të të
Frédéric Chopin. Ajo ishte ditëlindja zyrtare e Fryderyk Chopin, kompozitorit
me origjinë polake dhe me banesë në Paris, emri i të cilit tashmë shqiptohet gjithnjë
e me më shumë “Y”1 . Por, kjo është edhe data e tij e vërtetë e
lindjes, e cila i referohet për hir të së vërtetës certifikatës së tij të
pagëzimit; ndërsa vetë kompozitori ka thënë se ai ka lindur më 1 Mars. Edhe
gati 200 vjet pas lindjes së tij, gjërat që duken aq të thjeshta rreth Chopin,
janë shumë më tepër të ndërlikuara sesa duken në të vërtetë.
Përpos të tjerave, le të themi vetë muzika e tij. Copëzat e tingujve
të pianos së Chopin apo të gjithë copëzat e artit të tij përfshijnë atë që ai
krijoi: nuk ka thjesht tinguj simfonish apo operash këtu, madje edhe ato që
duken si lirike dhe të dashura, poetike dhe kështu në dukje të gjitha duken si
të arritshme. Të gjitha gjërat e tij mund të jenë po aq harmonikisht të
ndërlikuara, sa edhe teknikisht sfiduese.
Etydet e tij 24 Op. 10 dhe Op. 25, janë larg të qënurës
thjeshtë “mësime” për nxënësit, janë madje aq shumë të vështira saqë edhe
pianisti i madh dhe specialisti i Chopen, Artur Rubinstein e shmangte me
vetëdije interpretimin e disave prej tyre. Dhe, ato mund edhe të konsiderohen vërtetë
si eliptike në pikëpamjen e papërshkueshmërinë (të marrim lëvizjen finale të Sonatës së Dytë: një re përdredhëse
tingulli jo më shumë se dy minuta e gjatë). Të marra së bashku, pjesët e
Chopin përfaqësojnë një pengesë të stërmadhe, një si stad përkundrejt të cilës ka
provuar që të matet secili prej pianistëve klasikë ---kuptohet në pjesët e
ndara për shkak të vështirësisë së gjetjes së udhës për të zbërthyer thellësinë
e muzikës së tij, që për veshët e zakonshëm tingëllon aq e thjeshtë.
* * *
Stili “i zakonshëm” i Chopin është njëkohësisht një vulë për
të aprovuar madhështinë dhe në anën tjetër edhe subjekt i një debate të
pafundmë. Ai përfshin ndriçimin dhe pastërtinë e prekjes së tastierës, diçka që
është vërtetuar nga një prej prodhimeve të fundit të Chopinist-it, Rafal
Blechacz, në CD-në e tij të re në inçizimin e dy koncerteve tradicionale për
piano. Ai tenton drejt një legato të kënduar: iluzionin se pianisti është duke
krijuar një linjë të pathyer të tingullit, njësoj sikur të jetë vetë zëri
human. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Nokturnet, të cilat janë krahasuar gjithnjë
me veprat e mikut të Chopin, Vincenzo Bellini-t.
Por stili i Chopin gjithashtu mund të evokojë edhe llojin e
një shpërthimi të stuhishëm siç ka ndodhur me të renë Martha Argerich, e cila
sapo e ka dhënë në CD-në e saj të re sapohedhur në treg, një koleksion
regjistrimesh në radio të patransmetuara më parë dhe të cilat janë të realizuara
që nga viti 1959 dhe 1967.
Më e rëndësishme dhe më e pakapshme është fakti se stili i
Chopin përfshin rubato –tempo që ndryshojnë shpesh apo edhe një ritëm për
qëllime ekspresive. Çështja e rubato-s e ndjek vazhdimisht performancën e
Chopin. Kompozitori thuhet se ishte krejt i lirë në interpretimin si pianist,
por kjo nuk është aspak e qartë se çfarë duan të thonë ata realisht: Ka indikacione që bëjnë me dije se ai mbante
vazhdimisht dhe kudo që të ndodhej ritmin lehtësisht me dorën e majtë.
Ende brezat e tërë të interpretuesve të tij, duke ndjekur
nocionin e keqdrejtuar se një pjesë muzikore është thjeshtë një kanavacë mbi të
cilën ata duhet të shprehin vetveten, e marrin mbrojtjen, të cilën i bënte
Chopin rubatos, si një lloj license qoftë për të ngadalësuar dhe për të
shpejtuar gjithmonë me dëshirën e tij. Duke dëgjuar aq shumë për Chopin—madje
edhe në disa raste një Chopin shumë të mirë—ndodh që të kem ndjesinë e të zënës
së detit për shkak të dëgjimit të shumë frazave, të cilat duken aq shumë të
tërhequra, sikur të jenë në ngjitjen e ngadaltë të pjerrësisë së një kodre,
pastaj akrobacia e hallakatur sërish poshtë.
Muzika e Chopin ka markën e një diçkaje femërore, apo një
“muzike salloni“: jo shumë serioze, jo shumë të shëndetshme, jo krejt gjermane,
që kur ajo niset si bazë nga konvencionet strukturale të shkollës së madhe
klasike Vieneze. Madje edhe dy performancat e fuqishme janë jotradicionale, të
luajtura shpejt dhe të zgjidhura me konvencionet strukturore të mbështetura kryesisht
nga arti i Mozart dhe Beet’hoven.
Në të vërtetë disa nga mbrojtësit më të flaktë të Chopin
kanë lënë të nënkuptuar idenë se muzika e tij është e dobët dhe ka nevojë për
mbrojtje, faktin e përpjekjes që të theksojnë seriozitetin e saj (dhe
virilitetin e saj) duke i interpretuar veprat në pjesë të ndara—të gjitha 24
preludet, apo edhe 24 etydet të Op. 10 dhe 25 – dhe kështu ato të derdhura
ngjajnë sikur janë copë të gjata, plot peshë dhe duken më shumë sesa masa
argëtuese salloni, të cilat zgjasin thjesht tre apo katër minuta.
* * *
Pikëpamja e punës së tij si delikate dhe e pashëndetshme
është gjithashtu e lidhur me idenë e përhapur për Chopin, si një gjeni prototip
i Romantizmit; i zbehtë dhe i gjallë, me fatin e keq të jetës së shkurtër
tragjike (ai kishte tuberkuloz), që kishte
nevojën e kujdesit të një figure të fortë mëmësore (e dashura e tij ishte e tillë. Ajo është shumë e njohur prej
pseudonimit të saj letrar George Sand), duke marrë shkrepëtimin e shenjtë
të inspirimit në tastierë (megjithëse ai
mbahej si një improvizues brilant, ai u është rikthyer shumë prej kompozimeve
të tij).
Por, puna e tij duhet thënë se s’është aq delikate. Gjithsesi,
vetë Chopin thuhet se rrinte larg interpretimit të shumëzëshëm, ka shumë në të
që gjëmojnë dhe plot të tjera që janë kategorike. Ai është mrekullisht origjinal.
Chopin, ndryshe nga shumë kompozitorë të kohës së tij, ishte nën trandjen e Beet’hovenit.
Ai kishte neveri përshembull, për fillimin e lëvizjes së kohës së fundit të
Simfonisë së Pestë, influencat e tij më të para ishin tejet më të hershme dhe
ato lidheshin me Johann Sebastian Bach.
Ashtu si vetë Bahu, ai shkroi muzikë në pjesë: për shembull të
24 Preludet janë një set me pjesë të shkurtra për çdo tastierë njësoj si trajtimi
i "The Well-Tempered Clavier." Dhe muzika e tastierës para-Klasike
ishte një influencë në disa prej formave që ai i zhvilloi vetë në mënyrë të
veçantë—madje edhe Nokturnet, që shprehin në mënyrë kuintesenciale vetë Romantizmin.
Chopin bëri dhe pionerizimin e formave të tjera, po ashtu
ngjashëm me Katër Baladat: monologje të gjata dramatike pa fjalë me ndërprerjen
e toneve të poemave dhe soneteve. Në veçanti, krijimet e tij më të zakonshme
ishin polonaises dhe mazurkat, mbështetur në idenë e muzikës së valles popullore
polake, ato ishin përherë të mbështetura si një shembull i patriotizmit të
kompozitorit të mërguar. Chopin e mori Nacionalizimin e tij të shprehur në polka
shumë seriozisht, por ai gjithashtu edhe e shkroi atë me germa të mëdha mbi
interesin e përhershëm në ngjyrat e folkut lokal, të cilat dilnin edhe në koncertin “Turk” të Mozartit
apo vallet hungareze të Brahmsit. Atje s’ishte në të vërtetë asgjë të ngjashme
me polonezet A-flat.
* * *
Ka po ashtu edhe një shenjë pragmatizmi në të 19 valset e
Chopin. Kur shkoi në Vienë i riu Chopin, pak përpara se të vendosej në Paris , i
përbuzte valset dhe madje i etiketonte si mishërim të shijes së keqe popullore dhe u
ankua madje tek dikush se ishte gati e pamundur për një kompozitor të nxirrte
diçka të tillë. Ai mund të ketë parë me përçmim mbi to fillimisht, por ai ishte
aq praktik për të filluar pak më vonë dhe vetë të shkruajë valse---jo,
veçanërisht valset ato për të cilat duheshin për të kërcyer por copëza që të
sillnin atmosferën e sallës së vallëzimit, pak a shumë ato që përcillnin atë që
lidhej me shtjellën e rrobave të kërcimit.
Valset duken se janë ringjallur me një kujdes shumë të
veçantë në këtë përvjetor. Regjistrime të reja janë nxjerrë pak më parë nga
Alice Sara Ott dhe Ingrid Fliter, dy pianistë të vlefshëm të njohur për këtë
dhe seria klasike e Dinu Lipatti nga 1950 ka për qëllim që si e tërë të çlirohet
sërish në fund të Marsit.
Duke i dëgjuar të gjithë valset në vazhdim dhe pandalim
është njësoj si të hash po ashtu rresht një kuti me çokollata, duke iu lënë
juve me një ndjenjë jo më pak të keqe; por gjithsesi secila nga këto regjistrime
veç e veç ka forcën e saj. Valëvitja ka një madhështi dhe dritë të prekshme
lehtë e cila përcillet te unë në mënyrë instiktive, por ajo shkon me një si
humbje kontrolli me rubato, e tërhequr aty dhe nxitur çdo masë. Ott, gjithashtu
ngandonjëherë tingëllon kokëfortë por ajo ka një drejtim të shëndetshëm. Me një
tingull të madh që ndjen brenda ngadalësimin, ajo mishëron në Grande Valse
Brillante në E-flat, plotësinë lehtësisht të gëzuar të një vajze të re në
kërcimin e saj të parë. Në krahasim me të, pianisti francez Alexandre Tharaud,
që i regjistroi vetëm pak vjet më parë valset, ofron një qasje më të thatë dhe
më të freskët. Interpretimi është në mënyrë të admirueshme i pastër dhe
lehtësisht larg dhe ngjan si një tonik pas kaq shumë shfaqje emocioni.
Valset mishërojnë një nga gjërat më të zellshme për sa i
përket përpjekjes së interpretimit të Chopin: duke ecur në një linjë të
mrekullueshme në mes të emocionit dhe sentimentit, ndërmjet të ndjerës së
diçkaje dhe shikimit pas dashurisht në mënyrën sesi ndjehet. Chopin parandjeu
dhe "La Valse" e Ravel në
shprehjen e tij të lehtë të nostalgjisë ironike. Përdorimi i formave të dansit të
Chopin kishin ngjyresa të veçanta;
Punët e tij ishin një lloj komenti social. Sot, nostalgjia
kërcënon që të marrë në letër gjithçka. Një sekret i madh që lidhet me
interpretimin e Chopin mund të jetë thjesht edhe kujtimi që nuk është aq i
mrekullueshëm sesa tingëllon.
Shënime
1-Shqiptimi me Y do të
tregojë se po trajtohet më shumë si polak. Arsyeja është se midis Francës dhe
Polonisë ka mosmarrëveshje për origjinën e tij, për shkak të prindërve të tij,
që ishin njëri polka dhe tjetri francez
*Gazetare e Washington
Post. Përktheu nga origjinali Ben Andoni
Shopen në Shqipëri
Ambasada e Republikës së Polonisë në bashkëpunim dhe me
Ambasadën e Republikës së Francës dhe Shoqatën “F. Chopin” në Shqipëri për disa javë me radhë
në kuadër të 200 vjetorit të lindjes së Chopin do të organizojë disa aktivitete.
Sipas renditjes ato do të jenë:
MARS
28.02- Inaugurimi i Sheshit Chopin me një koncert në natyrë
01.02- Konferencë shtypi shoqëruar me një koncert te
shkurtër në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (
në mesditë)
03.03 -Koncert i Marek Szlezer, pianist polak në TOB ( në mbrëmje)
PRILL
02.04- Koncert i Pascal Gallet, pianist francez në Akademinë
e Arteve ( në mbrëmje) në kuadrin e frankofonisë
23-26.04- Konkursi kombëtar i pianistëve të rinj në
Akademinë e Arteve
26.04 -Koncert i laureatëve të konkursit F. Chopin në sallën
Josef në Durrës (në mbrëmje)
27.04 -Koncerti final i laureatëve të konkursit F. Chopin
shoqëruar me ndarjen e çmimeve, në Akademinë e Arteve (mbrëmje)
Kush është Shopen
Frederik Shopen (Frédéric Chopin) u lind më 1 mars 1810, kjo
datë gjithsesi mbetet e diskutueshme për kompozitorin dhe fa-miljen e tij, pasi
në certifikatën e lindjes që është lëshuar disa javë pas lindjes, shënohet 22
shkurt. Shopen është lindur në fshatin Żelazowa Wola, pranë Sochaczew, në
rajonin Mazowsze që atëbotë bënte pjesë në Dukatin e Varshavës.
Zotërimet e Żelazowa Wola i përkisnin kontit Skarbek dhe ati
i Shopenit, Mikollaj (Nicolas) Chopin, polak me origjinë franceze, ishte atje i
punësuar si kujdestar. I lindur në vitin 1771 në Marainville, në Lorraine të
Francës, ai ndërtoi, në fëmijërinë e vet, marrëdhënie miqësore me familjet
polake të kontit Michal Pac si dhe me administratorin e pasurisë së tij, Jan
Adam Weydlich.
Në moshën 16 vjeç Mikollaj shoqëron për Poloni miqtë e vet
francezë dhe vendoset atje përgjithnjë. Nuk kthehet më në Francë dhe as nuk
mban marrëdhënie me familjen e tij franceze, duke i rritur fëmijët e vet si
polakë.
Në 1860 Mikollaj Shopen martohet me Tekla Justyna Krzyżanowska,
e cila shërbente në familjen Skarbek në Zelazowa Wola. Me të bëjnë katër fëmijë
: tri vajza; Ludwika, Izabela dhe Emilia si dhe një djalë Frederikun, që është
fëmija i dytë. Pak muaj pas lindjes së Frederikut familja vendoset në Varshavë
ku Mikollaj punësohet si mësues i gjuhës dhe letërsisë frënge në Liceun e Varshavës.
Administron ndërkohë një shkollë me konvikt për fëmijët e shtresave të mesme.
Tashmë në moshën 7 vjeç Frederiku kompozon dy “poloneze” që
publikohen fillimisht nga atelieja e gravurave At Cybulski . Talenti
evidentohet në gazetat varshaviane me cilësimin “Shopeni i vogël”. Bëhet aty
për aty tërheqës dhe i preferuar në sallonet e aristokracisë kryeqytetase. Nis
gjithashtu të japë koncerte publike për bamirësi.
Mësimet e para profesionale për piano i merr tek Wojciech Żywny,
çka zgjati nga 1816 deri në 1822, vit, kur mësuesi konstaton se nuk është më në
gjendje ta shtyjë përpara, sepse aftësitë e studentit patën tejkaluar të tijat.
Frederiku më pas i besohet Wilhelm Wurfel-it, pianist i njohur dhe profesor në
Konservatorin e Varshavës, i cili i mëkon kompozitorit të ardhshëm koncepte të
vyera për piano dhe organo.
Në periudhën 1823-1826 Frederik Shopen studion në Liceun e
Varshavës, ku i ati është mësues. Pushimet verore i kalon rregullisht në vise
të ndryshme të vendit, nëpër pronat që u takonin prindërve të shokëve të
shkollës së mesme. Në takimet përgjatë pushimeve tregon interes të veçantë për
muzikën popullore duke marrë pjesë nëpër dasma dhe festivale stinore. Kjo i jep
mundësinë të njihet me muzikën tradicionale të Polonisë në formën e vet
autentike, me tonet e veta dalluese, pasurinë e ritmeve dhe vallet e fuqishme.
Në vitin 1825 kompozon mazurkën e tij të parë dhe më pas, për shumë herë të
tjera, i kthehet dhe i rikthehet kësaj pasurie që i mbush shpirtin dhe mendjen
deri në fund të jetës.
Në vjeshtë 1826, Shopeni nis të studiojë teori muzike dhe
bazat e harmonisë në Shkollën e Lartë Muzikore në Varshavë, pjesë e
Konservatorit dhe që gjendet në Universitetin e Varshavës. Këtu drejtor është
kompozitori Josif Elsner . Shopeni nuk merr pjesë në mësimet për piano. I
vetëdijshëm për natyrën e jashtëzakonshme të talentit të Shopenit, Elsner, me
personalitetin dhe temperamentin e vet , i mundëson atij të përqendrohet në
muzikën pianistike, duke qenë i bindur në korrelacionin e çështjeve teorike me
dhuntitë e rralla të talentit. I pajisur me aftësi të veçanta interpretuese,
mprehtësi për improvizim dhe prirje drejt efekteve dhe harmonisë, Shopeni
përsos dhe vendos themele të forta të disiplinës dhe përpikmërisë në të
kuptuarin logjik të çdo note. Pas tre vjet studimesh përfundon shkollimin e
lartë dhe diplomohet në vitin 1929. Elsner në një relacion shkruan: ” Frederik Shopen, student i vitit III,
talent i jashtëzakonshëm, gjeni muzikor”.
Me përfundimin e studimeve Shopeni planifikon një udhëtim të
gjatë jashtë vendit për t’u njohur me jetën muzikore në Evropë. Në korrik 1829,
i shoqëruar nga Wilhelm Wurfel, i cili prej tre vjetësh ndjek veprimtarinë e
Shopenit, ndërmerr një rrugëtim të shkurtër drejt Vjenës për kontakte dhe
njohje. Jep me këtë rast dy koncerte me improvizime në Kartnertortheater,
shoqëruar me orkestër. Këtu shënon sukses të madh në publik. Kritika, anipse
vëren një vëllim të vogël vokal, përshëndet me entuziazëm gjenialitetin e tij
në piano dhe larminë e kompozimeve. Botuesi i Tobias Halinger publikon
“Variacione mbi një temë të Mozartit”, çka përbën edhe botimin e parë të një
vepre të Shopenit jashtë Varshave.
Pas kthimit në Varshavë, Shopeni lirohet nga detyrimet si
student dhe i dedikohet kompozicionit, ku ndër të tjera kompozon dy koncerte
për piano dhe orkestër. Kjo është edhe periudha e nokturnit të parë, etydit,
valsit, mazurkës dhe këngës me tekst të Stefan Witwicki. Teksa planifikon
udhëtimin e tij të gjatë Shopeni jep disa koncerte, nga të cilët të fundit në
Teatrin Kombëtar të Varshavës më 11 tetor 1830 . Më 2 nëntor, tok me mikun e
vet Tytus Wojciechowski, niset për Austri me qëllimin final për të mbërritur në
Itali . Me të mbërritur në Vjenë mëson nga dy miqtë e vet për fillimin e
revoltave në Varshavë kundër varësisë nga Rusia të Mbretërisë së Polonisë.,
mëson, në këtë kontekst edhe për mëtimin e fronit të Polonisë nga ana e Carit
rus. Tytus Wojciechowski në këto e sipër kthehet në Varshavë, ndërsa Shopeni
mbetet në Vjenë. Gjatë tetë muajve, eksperienca e madhe dhe dramatike
emocionale ngacmon imagjinatën krijuese të kompozitorit dhe ndoshta përshpejton
skalitjen e një stili të ri individual mjaft të ndryshëm nga stili i tij i
zakonshëm. Veprat dëshmojnë forcë dhe pasion, përfshijnë Skerco në si minor dhe
mbi të gjitha Etydi opus 10.
Shopen braktis planet e qëndrimit në Itali për shkak të
pranisë së armiqësive italo-austriake dhe i drejtohet Parisit. Gjatë udhëtimit
për Paris mëson mbi rënien e Varshavës në duart e rusëve. Mbërrin në Paris në
vjeshtën e vitit 1831 ku takohet me shumë nga shokët e tij (ushtarë,
politikanë, artistë) në qytetin, ku, pas disfatës në vendin e tyre, u pritën
miqësisht si emigrantë.
Në Paris reputacioni i Shopenit rritet rrufeshëm. Letrat e
rekomandimit që kompozitori sjell nga Vjena e lejojnë t’i bashkohet komunitetit
muzikor lokal, i cili e pret ngrohtësisht. Miqësohet me Listin, Mendelsonin,
Ferdinand Hillerin, Berliozin dhe Auguste Franchomme. Më vonë, në vitin 1835,
takohet në Lajpcig me Schumannin. Ky i fundit e vlerëson lart Shopenin dhe
shkruan artikuj entuziastë për kompozitorin polak. Kur mëson mbi mbërritjen e
të panjohurit nga Varshava, pianisti i madh Friedrich Kalk-brenner, i mbiquajtur
Mbreti i pianos, organizon një koncert për nder të Shopenit më 26 shkurt 1832
në Pleyel Salle. Sukses i madh dhe Shopeni bëhet shpejt një muzikant i famshëm,
i njohur dhe i vlerësuar nga gjithë Parisi. Kjo ngjitje në famë zgjon interesin
e botuesve. Në verën e vitit 1832 Shopeni nënshkruan një kontratë me botuesin
më të madh të Parisit, Schlesinger . Të ardhurat bazë të tij, deri më tani,
janë pagesat për mësimet në piano. Bëhet mësues mjaft popullor në mesin e
aristokracisë polake dhe franceze, sallonet pariziane i rezervojnë vend të
privilegjuar për performancat e rralla. Si pianist Shopeni
renditet në mesin e artistëve më të mëdhenj të kohës, tok me
Kalkbrenner, List dhe Herz Thalbert, por, në kontrast me ta, shfaqet jo i
gatshëm për veprimtari publike, parapëlqen koncerte në grupe miqsh si dhe
koncerte intime ku shpalos një art të madh dhe shtrirje të plotë talenti
pianistik. Teksa vendoset përfundimisht dhe përgjithmonë në Paris , Shopeni
zgjedh qëllimisht statusin e emigrantit. Megjithë kërkesat e të atit , ai nuk u
bindet rregullave të nxjerra nga zaptuesi carist në Poloni dhe nuk e paraqet
kurrë pasaportën e vet në ambasadën ruse. Për pasojë, duke u konsideruar
refugjat politik, Shopeni privohet nga e drejta për të vizituar vendin e lindjes.
Në këto rrethana ai mundet të takohet me prindërit vetëm jashtë Polonisë dhe
kjo realizohet në gushtin e vitit 1835 kur prindërit vijnë për një kurë në
Carlsbad.
Gjatë qëndrimit në Drezden njihet me familjen Wodzinski.
Vite më parë, tre të rinjtë e familjes Wodzinski patën qëndruar në shkollën me
konvikt që administronte Mikollaj Shopeni. Kompozitori bie në dashuri me motrën
e tyre të re, Mari, është koha kur
demonstron talent artistik dhe muzikor të paparë. Një vit më
vonë i propozon martesë, çka pranohet me kusht që ai të kujdeset më shumë për
shëndetin e vet . Meqë ky angazhim nuk plotësohet, propozimi nuk përfundon me
martesë për shkak se prindërit e Marisë e gjejnë të fejuarin të papërshtatshëm
ngaqë vinte shëndetlig dhe, veç kësaj, nuk pranojnë stilin e tij të jetës.
Shopeni e përjeton dhimbshëm refuzimin.
Në korrik 1837 shkon në Londër në shoqërimin e Camille
Pleyel. E bën këtë për të fshirë gjithë kujtimet e pakëndshme. Lidh shoqëri të
ngushtë me shkrimtaren e njohur franceze që përdor pseudonimin Zhorzh Sand
(Aurore Dudevant). Autorja e romaneve të guximshëm, e divorcuar me dy fëmijë, i
ofron artistit të vetmuar atë që ai pat humbur nga largimi prej Varshavës :
ndjeshmëri të jashtëzakonshme dhe kujdes, i fal ngrohtësi prej nëne. Të
dashuruarit e kalojnë dimrin 1838/1839 në ishullin spanjoll Majorka, ku bujtin
në një ish-manastir në Valdemosa. Për shkak të kushteve të këqija të dimrit
Shopeni sëmuret rëndë dhe shfaq simptomat e tuberkulozit. Për javë të tëra
lëngon i mbyllur në shtëpi, punon megjithatë intensivisht duke sjellë një seri
kryeveprash : Preludi 24, poloneze në do minor, Baladë në fa maxhor, Skerco në
do diezis minor.
Pas kthimit nga Majorka, në pranverë 1839, dhe pas një
konvaleshence në Marsejë, Shopeni përjeton një gjendje kritike shëndetësore,
çka e detyron të vendoset në Nohant, në rezidencën e Zhorzh Sand, në Francën
Qendrore. Atje pushon deri në 1846, për t’u kthyer rishtaz në Paris për dimër.
Mbërrin një nga periudhat më të lumtura dhe më të frytshme, shumica e krijimeve
në Nohant janë më të shquarat. Në Paris, kompozitori dhe shkrimtarja trajtohen
si çift i martuar. Kanë miq të përbashkët në qarqet artistike krye-qytetase:
piktorin Delacroix, këngëtarin Pauline Viardot si dhe emigrantë polakë. Për
vite të tëra çifti përjeton dashuri dhe miqësi të thellë. Por me kohë dhe
gjithnjë në rritje, bëhet edhe qëndrimi armiqësor i të birit të Zhorzh Sand që
ushtron ndikim të thellë dhe e bën serioz konfliktin mes tyre. Derisa sa vjen
ndarja përfundimtare në korrik 1847.
Përvojat e dhimbshme vetjake, humbja e Nohant, kaq e
rëndësishme për shëndetin e tij krijues, kanë për kompozitorin një efekt
shkatërrimtar mbi shëndetin fizik dhe mendor. Heq dorë thuajse tërësisht nga
krijimtaria, qysh nga ajo ditë e deri në fund të jetës Shopeni shkruan vetëm disa
miniatura. Në prill 1848 bindet nga nxënësja e vet skoceze, Jane Stirling, për
një udhëtim në Angli dhe Skoci. Së bashku me motrën, Jane organizon koncerte
dhe vizita nëpër lokalitete të ndryshme me praninë e ajkës së aristokracisë
skoceze. Kjo mënyrë jetese e lodh, e tensionon dhe ia shter fuqitë
kompozitorit. Në një gjendje plot ethe Shopeni jep koncertin e tij të fundit më
16 tetor 1848, duke luajtur për emigrantët polakë në godinën e shoqatës në
Londër. Të nesërmen e atij koncerti kthehet vonë në Paris. E ka të pamundur
vazhdimin e mësimdhënies, sëmundja përparon me shpejtësi. Në verën e vitit
1849, Ludwika Jędrzejewiczowa, motra e madhe e kompozitorit, vjen posaçërisht
nga Varshava për t’u kujdesur për vëllain e sëmurë. Më 17 tetor 1849 Shopeni
vdes nga tuberkulozi pulmonar në banesën e vet në sheshin Vendome në Paris.
Eshtrat e tij gjenden në varrezat Pere-Lachaise në Paris.
Në respekt të tij, zemra u hoq nga trupi, pas vdekjes, dhe u
soll në Varshavë nga e motra, ku u vendos në një urnë, instaluar në një kolonë
në kishën e Kryqit të Shenjtë, në Krakowskie Przedmieście, në Varshavë.
Comments
Post a Comment