Narcisi në pasqyrën e vet
Nga Domenique Wolton
Nocioni kryesor këtu është ai i “mjedisit”. Gjatë gjithë
vitit, vihet në skenë akuariumi. Mediat flasin për libra të shkruar nga
gazetarët. Yjet e shoë-biz-it dhe të botës së komunikimit bëhen mendimtarë të
kohës. Në emisionet e rralla kushtuar ideve, drejtuesit, gjithnjë e më të
shumtë në studiot televizive, shpenzojnë po aq kohë për t’i dhënë vlerë vetes
sa edhe për t’u interesuar realisht për të ftuarit e tyre. I ftuari bëhet një
garanci për sistemin. Dhe shpesh është fjala për të njëjtët të ftuar që
qarkullojnë nga studioja në studio; ata kanë gjithmonë një prodhim-libër, disk,
spektakël – që duhet promovuar. Shtoni këtu dhe disa politikanë të zhdërvjellët
para kamerave, ca teknokratë që kanë për detyrë të “mendojnë” mbi botën dhe ja
ku u bë ky mjedisi “i famshëm” që, nga radioja te televizioni, nga artikujt e
shtypit në të përjavshmet, nga festivalet te drekat jashtë, përbën atë rreth të
ngushtë të një elite të vetëshpallur. Viti është i ndarë në takime, ku ky
mjedis plotësisht endogjen takohet dhe luan komedinë e vëllazërimit, ndërkohë
që, konkurrenca aty është e pamëshirshme. Eshtë më mirë të mos përjashtohesh
nga skena, sepse është e vështirë të hipësh aty përsëri. Prandaj shumë prej
tyre përdorin mjete të shumta. A mund ta merrni me mend se sa shumë gazetarë
dhe drejtues emisionesh hasim gjatë ditës apo javës në mediat e ndryshme të
shkruara apo audiovizuale? Ndërmjet drejtuesve të emisioneve dhe producentëve,
ndonjëherë kufijtë janë kaq porozë saqë çdo gjë përzihet.
Nuk do të rreshtim së thëni se ky proces mediatizmi, kur
është karikatural, bëhet një faktor kundërshtimi për mediat dhe komunikimin.
Nga ana tjetër këta “mbretër të komunikimit” mendojnë se publiku do të miratojë
qëndrimin e tyre. Por audienca nuk thotë gjithçka, përkundrazi. Ideja e një
distancimi ironik dhe kritik nga publiku nuk na shkon dhe aq nëpër mend.
Sigurisht publiku është voyeur; ai vdes për kotësirat dhe skandalet, por është
njëkohësisht më kritik nga sa e mendojmë, më ironik ndaj kaq shumë kotësirash.
Spektator, por jo naiv. Pra gjithmonë e më pak i tillë.
Me një fjalë, ka një si mur mediatik. Shumë fjalë, të
thjeshta dhe të shpejta, shumë analiza të menjëhershme, shumë gjëra të rëndomta
shprehen nga ndërgjegjet e kohës, që dinë gjithçka dhe mjaftohen me disa
formula të goditura. Kjo është paksa shoqëria e spektaklit. Dhe kjo s’ka fare
të bëjë me ata që rrinë në vendin e tyre, në këngë apo spektakël, lojëra,
informacion, prodhim… Kjo ka të bëjë me ata që, kur arrijnë një farë fame në
fushën e tyre, priren të mendojnë se janë të autorizuar të shprehen mbi
gjithçka. Atëherë, secili nis të jetojë nën shikimin e tjetrit. Në një farë
mënyre, duke ushqyer kështu rezervën ndaj komunikimit, bota mediatike është
armiku i vetvetes. Hapësira publike e mediatizuar kujton se është thelbi i
kulturës; elitat televizive mbahen si elita; romancierët e suksesshëm si elita
letrare, dhe intelektualët mediatikë si pararoja të mendimit. Përderisa
gjithçka që është e rëndësishme është në media, atëherë ata që janë në media
janë të rëndësishëm. Narcisizmi, vetëkënaqësia, karakteri endogam, një farë
pretendimi, fenomeni i oborrit, një farë antiintelektualizmi janë tipare të
këtij mikromjedisi që ka shumë prirje sot për të përvetësuar kriteret e
inteligjencës. Duke pasur si detyrë – gjë që s’është e lehtë – të sigurojë një
farë transparence të shoqërisë për vetveten, ai shndërrohet në etalon i
shoqërisë dhe demokracisë. Ky rreth mediatik dhe satelitët e tij nuk zgjerohen
shumë dhe e ngatërrojnë dritën që hedh mbi botën me dritën e botës, duke
kujtuar me naivitet se është zemra e modernitetit dhe e shoqërisë. Fakti që
kontrollojnë kuptimin e imazhit, të mediave nuk u jep atyre të drejtë të
kthehen në zot të qytetit. Sigurisht, vetëm një pakicë e vogël gazetarësh,
drejtues emisionesh, producentësh… rrezikojnë ta pësojnë këtë devijim, ndërsa
profesionistët, në tërësinë e tyre janë më modestë dhe ruajtës të vlerave
demokratike. Por është krejt mjedisi i komunikimit që për shkak të
heterogjenitetit rrezikon të vuajë dëmet e spirales mediatike.
Në këtë shfaqje të një mjedisi narcisist, krejt përgjegjësia
bie mbi komunikimin. Forma sundon mbi brendinë, stili mbi qenien, dukja mbi
realitetin. Gjithçka është modë, ndryshim, shpejtësi dhe të jep përshtypjen se
pjesa më e madhe e popullsisë është gjithmonë me vonesë, një ide, një modë, një
revolucion “mbrapa”. Këtu komunikimi është një pretekst, një karikaturë. Vetëm
se, ngaqë shohim vetëm atë, arrijmë në përfundimin se çdo komunikim është
kështu. Eshtë sundimi i “të qenit-aty” ku gjithçka s’është veçse shikime.
Yllëzimi i shoqërisë kishte filluar me kinemanë dhe me shtypin për publikun e
gjerë, ai shpërthen qysh prej një gjysmëshekulli, duke ilustruar krizën e
vlerave që ka përshkuar shoqëritë tona. Dje kishte të tjera vlera politika,
shkenca, feja, bota ushtarake, fshatare… shkurt një larmi legjitimitetesh në
konkurrencë. Sot gjithçka renditet në logjikën mediatike, që bëhet
legjitimiteti kryesor. Dhe shkaqet e rrudhjes së sistemit të vlerave nuk kanë
të bëjnë dhe aq me komunikimin, por meqë ne shohim vetëm atë, ky i fundit bëhet
edhe simbol, edhe karikaturë. Atëherë gjithsecili bie në kurthin e imazhit. Ka
njëkohësisht liri individuale dhe mbyllje në lojëra rolesh. Gjithmonë ka pasur
lojë me role, por sot roli shoqëror integron të gjitha aspektet e personalitetit.
Comments
Post a Comment