Nga Albert Vataj
|
Mark Simoni |
Kacarritje
nëpër fijet delikate të kujtimeve të dënesura. Të mund të përqafesh me
gjithë forcën e pasionit të zotërimit botën e brengës dhe pikëllimit që
ka bërë Mesinë në mbarsjen dhe amësinë e tyre artistike. Ky është
përkushtimi që ka rrokur ngasjen profesionale të shkrimtarit dhe
publicistit, Mark Simoni, të bubërrojë nëpër varre e qiparise. Të
orvatet në këtë botë të ndaluar dhe të makthshme. Për të na kumtuar më
të lartën e mëkimit që kjo botë pikëllimi dhe brenge ka lënë sot e në
përjetësi, nëpërmjet veprave të korifejve të artit. Qiej të mrrylët nga
flatrime korbash shpalohen në çdo shfletim të faqeve të librit
“Komshinjtë e vdekjes”, të shkrimtarit Mark Simoni. Nga penelatat e
pusta në Lezhë, hop në kapërthimin etërn dëngur me ngrysti në Prishtinë.
Nga “Korbat në fushën me grurë”, të Van Gogut te “Lot në parajsë” të
Erik Klepton. Nga tragjizmi i përçuar në forma të garrametshme, te
predikimi i përunjët i bashkëjetesës me vdekjen. Porsi një gjahtar
zemërthyerjesh, ai ka qëmtuar vdekjen ngado, ku ajo, duke u përkundur në
prehrin e artistëve, është rritur dhe himnizuar, duke gjeneruar
hyjnoren në tërë gjenialitetin e tyre krijues. Tuj rrëmu në natën kob të
piktorëve, shkrimtarëve dhe muzikantëve, Mark Simoni përplotëson në
kujtesën tonë me këtë gurë, tërë mozaikun e tyre artistik. Në këtë ese,
apo ekspeditë burimore të naltësive, ku u ngjitën ata, ai ngucat
gjithsekun për të hetu gjurmët e hidhërimit dhe lotëve në veprën e tyre.
Autori vjen dhe turit korbat nga pema e hargalisur në kahmote. Ata
ngrihen trumba-trumba në qiellin tonë të kandjeve estetike tuj poteris
me rrahkrahje, ndoshta jo dhe aq për të nxiros hapsinën tonë të
kthjellët, sesa për të përmend ndër ne forcën, vitalitetin, dufin
krijues që ka motivu këto gjeni, të cilët ndarjen e kësobote me më të
dashtunit e tyre e konvertojnë në një dimension të ri krijues.
Pozicionin e tyre e yshtin në një tjetër këndshikim, pikërisht në atë që
do ta bënte mrekulluese krijimtarinë e tyre, të lindur nga vdekja, por
të pavdekshme. Prarimi, velja, pikëllimi, mrrolja, çatrafilisja, janë
fijet magjike që përqarkojnë si meridiane kumti e sharmi universin e
tyre krijues. Kjo është ajo që rrëfen autori në këtë qasje. Të ngresh
një realitet amshues nga mbarsje e hidhërimit. Të rilindësh nga
gërmadhat. Porsi një Sfinks, të krijohesh nga hiri. Ndër kësi orvatjesh
përleshet kumti i tij, për ta kjartësuar e davaritur përgjithnjë çdo
dyzim që ka ngucat perceptimin tonë të ngërthyer në alkiminë estetike të
këtij vërshimi. Autori gjithashtu përfshihet nga ngulmi për të hequr
paralele mes përjetimeve dhe vdekjes. Përcikjas e ceremonialit mortor që
tek Zoomorfizmi i Ilirëve, deri sot, te burrat britmëtarë e gratë
vajtore behin kësodore me kaq origjinalitet e pathos, me kaq kjartësi e
tragjizëm, me kaq vërtetësi e larushi, sa nguron të kuptosh vdekjen
vetëm si ndalim i akrepave të orës. Humnera të thella që hapen, qiej që
përjetësohen në ngrysti, kjo ishte ajo që e bën këtë libër një qëndismë
në mantelin e pustë të vdekjes që flatron bashkë me korbat në jetë të
jetëve.
Comments
Post a Comment