Esat Mekuli: A asht fajtor shqiptari pse, si të tjerët, po don të jetojnë si Njeri në të vetat sot e përjetë


ESAT MEKULI
Esad Mekuli lindi në dhjetor 1916 në Plavë (Mal i Zi). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Pejë. Studimet i vazhdoj në Beograd, Zagreb e Itali. Kreu fakultetin e Veterinarisë ku edhe doktoroi. Nga viti 1949 e derisa u pensionua ishte kryeredaktor i revistës letrare ”Jeta e Re”. Esad Mekuli ishte anëtar dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Kosovë.
e krijimtari poetike filloi të merret qysh në shkollën e mesme. Në fillim shkroi në gjuhën serbokroate, pas luftës botoi shqip në Kosovë e Maqedoni.
Në moshën 40 vjeç ai botoi librin e parë "Për ty" (1955), (i cili ka patur edhe tre ribotime), me vetëm 50 vjersha, i cili shënon jo vetëm një kulm poetik për autorin, por me të ai i bën një vend nderi vetes në poezinë shqipe. Mekuli është gjithashtu autor i disa vëllimeve të tjera poetike, i mjaft përkthimeve nga letërsia jugosllave si dhe përkthime në serbisht të mjaft librave nga letërsia shqiptare.
Në librin e parë e më të spikatur të tij, "Për ty", mungojnë motivet e përjetshme të poezisë si ai i vdekjes, i dashurisë; ai është poet i popullit dhe i problemeve të tij më qenësore, poet i problemeve historike dhe shoqërore. E mbase bash për këtë R. qosja thekson se Mekuli edhe pse nuk ka shkruar shumë, "fama e tij mund të matet me famën e Majakovskit, Apolinerit, Lorkës o Eseninit në vendet e tyre" dhe e quan "tribunus plebis" (tribun popullor). Poezia e tij mbart brenda ngjarjet dhe trazimet që kaluan kosovarët në luftën e tyre për ekzistencë në trojet e veta. Ja si gjëmon Esad Mekuli me vargun e tij në poezinë "A asht fajtor shqiptari?", e shkruan më 1938, kur mësoi për Memorandumin famëkeq të Çubrilloviqit, i cili bënte thirrje për dëbimin e qindra mij shqiptarëve etnikë nga Kosova për në Turqi:
"...A asht fajtor shqiptari pse, si të tjerët, po don të jetojnë si Njeri në të vetat sot e përjetë?
A asht fajtor pse përkundër dhunës qindron .Nën qiellin e Kosovës loke, në trollin e të parëve të vet!"
Poezitë e veta Mekuli i ndan në tre grupe që i përkasin tri periudhave historike të popullit: të para luftës, të luftës e të mbas luftës. Çdo kohë në poezinë e tij është sintezë e asaj peshe sociale e psikologjike që breznitë i lënë njëra-tjetrës. Pra, poeti është bërë lajmëtar i kohës dhe për nga misioni afrohet shumë me Migjenin. Esad Mekuli dhe Migjeni janë një brez. Të dy studiuan jo për letërsi, por në krijimtari tematikat i kanë shoqërore. Të dy e shikojnë realitetin të vrazhdë e të padurueshëm. Shpresojnë tek e nesërmja dhe shfaqen romantikë. Ata në poezinë e tyre kanë lajtmotiv rininë. Edhe në pikëpamje të stilit Migjeni dhe Esad Mekuli janë të afërt. Ata nuk i kanë limuar sa duhet vargjet e tyre dhe vjersaht mbajnë më tepër material se ç' mund të durojnë. Në fillim të krijimtarisë së tyre shfaqen romantikë, për t'u paraqitur më vonë analizues të plagëve sociale e morale të shoqërisë. E kështu edhe Mekuli u bë poet i tragjikes historike, i mërgimtarit, i lypësit, i skamnorit, i fshatarit të shfrytëzuar e të rrjepur nga polici, etj. Tematika e tij është tematikë e kthesave të mëdha në jetë. E midis tyre spikat vjersha "Kush i pari bani", e cila, sipas R. Qoses "...me poemën e Migjenit kushtuar mjerimit janë dy kryevepra të literaturës sociale shqipe"
Esad Mekuli, ky poet që për jetën shqiptare në viset ku jetoi shfaqet si portretist, psikolog, sociolog e mbi të gjitha si humanist i pashoq, vdiq më 6 shkurt 1993 në Prishtinë.

Teksti i kësaj pjese marrë nga Floart-Press.


Të dëbuarit

Kamionat e pasbjeshkës na e shkarkuan
Në derë një “barrë” të papritur....

Vallë, breshërima është reja
e godet, vret rrufeja
dhe përrenjtë kudo vërshojnë-
o shtëpizat na rrënojnë,
o vatrat na shkretojnë
në këtë Ditë,
pa pritë,
pa pritë?!

Xhadja ikën...Jam i nguruar, si i marrë,
midis vatrës-ku gjeta strehim
dhe asaj-ku së pari pashë zjarr...
“Rrugës kah noton me nxitim
kjo peshë qenjesh të gjalla,
shih, o miku im-
rrembat me hije e mbulojnë
si me duvak të zi,
që askush të mos shohë gjë
e të turpërohet
sot
për kot)
O, ku na sjellin-përcjellin?
O, ku na çojnë-dëbojnë?
Ku e pritëm këtë ditë-ligë...
(Ushtojnë motorët. Koha-shtrigë...)

Grua e dashur, mos vajto!
Fëmijë të mi, kujt i ngjan kjo?

(E ajo,
nënë zemërplasur,
foshnjes në gji
ninulën i këndon:
“Fli zemër, fli-
na çojnë
kuajt syzjarr, jelepraruar
atje ku çdo gjë bleron,
ku qumësht-lumi
si lumi
kullon...”)
Dhe gjithnjë më larg xhadja gjarpëron
gryka i mbështjell, i merr...
E nuk janë robër.
Rajë nuk janë!

Prill 1972
*****/*-
Ndërgjegjen ku e bore, poet?

Oskar Daviços


Janë fjalë rënkimi, oskar në poemën tënde “Oh, rida...
-
Padi kundër “berrejshmes” doktoreshë,
bashkëshorte e një poeti (dhe jo vetëm kundër saj!),
rrungajë akuzash helmuese, që të joshën edhe ty
në vorbull trillimesh-për njëfarë Stacioni (të shpikur)
të Ndihmës së Shpejtë, ku “berrejshmja” nuk pranon
                        t’i ndihmojë vashëzës së kombësisë tjetër,
dhunuar prej plakës së matufosur,
të shkyer e copëtuar mu si vashëza...”
-Gjë e pabesueshme si për fantazinë tënde të bujshme,
Ashtu, edhe më shumë, për atë çka nuk ishe:
Për abuzim detyre në jë profesion human, e,
Mandej, për mërinë ndaj kombësisë tjetër-
                        Poet, tash me vrer i mbushur!
Më trego, si nganjëherë jo larg-ç’deshte, o Dav-poet:
Mos ndoshta të forcosh paditë pa ispatë të atyre
Që trumbetuan para teje
-pse “berrejshmja” doktoreshë (me kirurgë të tjerë
të klinikës),
sipas betimit-detyrë dhënë si mjek dhe urdhrit të eprorëve,
            u ndihmoi studentëve të plagosur rëndë        
                                                            në demonstratë?
(A nuk i mjekuan ushtarët-nazi-fashistë, zënë rob gjatë
luftës, e jo...).
Si do të arsyetosh padinë për të pabërën
Para vetes e kohës që pamëshirë gjykon
-ajo çka një revolucionari-humanisti nuk i përket?!
**/

Mbretëresha e rrugëve

E barta dhe e përhapa nëpër tokë.
E fsheha që askush i gjallë të mos ta ndëgjojë,
Të mos ta shohë dhe të mos ta ndjejë.
 Ajo më ka mbajtur gjallë,
Ajo më ka lëvizur gjakun ndër dej, zërin në
fyt dhe ditët e vitit.
Ajo më shpëtoi, ajo më përkëdheli,
Ajo më çoi përdore, më tregoi rrugën dhe m’i
shpjegoi diejt dhe yjtë.
Ajo rrodhi dhe kulloi lumenjve të mi të fshehtë
ishte komplotiste dhe e burgosura e zemrës sime.
Ajo u hodh në hapësirat vetmitare të shpirtit
tim të pikëlluar e të paanë,
Ka banuar në shkretëtira dhe ka çarë pyje
dhe detyra.
Ajo ka mbajtur pishtarë
Dhe ka ndezur zjarrin ndër netët e mia
Të gjata e të pagjumë.
Ajo ka qenë zonjë e diellit mbretëreshë e
rrugëve dhe e shtigjeve,
ajo ka qenë lule e shkretëtirës,
ajo me sytë e saj ka errësuar yjtë hyjnorë
kurse me dritën e re, të padukshme dhe të
pashpjeguar, ka shndritë hapësirat qiellore.
*/*

BJESHKË-O, BJESHKË

Lirisë

Ti e mbilartësuara, mbi çdo kreshtë e qiell-krahët
i ke shtrirë, ditën me diell, mbi ashtat shekullore-
dhe me sy të Liqenit ku rrëshqitaz pasqyrohesh
sogjen brioket dhe fushat argatore;

Retë shtëllungë-shtëllungë përshkon me lata të mprehta
të cilat ç’prej se agon dita
e gjersa të ngryset nata
skuqen dhe skuqen
ashtu si skuqet vasha;

Përplot jo me drojë nga ajo forcë jetike,
nga gjaku mal’sorak në bedenet tua;

Rojtare shekullore
që ortiqeve të rrëmbyeshme
dhe ujërave të cemta
gjëmën dhe vetëtimën ua rrëmben në mugëtirë
dhe i shpraz me pamëshirë-

Ti përbindësh-strehues i pakufi,
që qielli plot vrenjtësirë ia spastron Diellit
dhe me agime të bardha ti veç bën shoqëri

Nga “Triptikon për bjeshkën”
*
Në liqenin e Plavës

Ja ku me ke, Liqen i dashur: mu ne bregun tend
- te enderruar, te deshiruar. Eshte mengjesi
i hershem. Mjegullat, me ngadale, jane
shtresuar mbi syprinen e ujit, por shpejt
e shpejt ndahen prej saj. Tashme zbulohen
tiparet e Kufilaces, matane, dhe te Visitorit
te afert- rreze malit. Kurse, edhe me larg
mezi dallohen shkembinjte e Bjeshkeve
te Nemuna. Bari i dendun, erekendes i renduar
nga vesa. Si pas shiut pranveror...
Mbi Qafen e Diellit- drite. Rrezet e para
miklojnë Qafen, për t´i vërshuar, mandej,
hapësirat e pyjeve dhe te rrafshit përposhtë.
- Mirëmëngjes, bukuri e vendlindjes!
Mire se vjen!
As kërcimi i troftës syprines, as gagarisja
e patave te egra neper shastar, as kënga
e zgjatur e kostareve herak livadheve përreth.
Heshtje. Qetesi e vendlindjes, si ne çaste te rralla pajtimi...
Ndahem nga bregu me barkën e lirë. Lopata
e dyfishte zhytete here ne njërën, here ne anën
tjeter. Si dikur ne sandolinën e vogël.
Lagur, gati me dashje, rrobat nga lundrimi
i vrullshëm. I trimëruar. Mandej i rraskapitur,
ia dorëzoj lopatën me te fortit dhe me te shkathtit.
Ne bash i ulur, i përqendruar i teri ne sexhaden
e lëmuar te barit nen ujë që përdridhet
ne drejtim te rrymës kah Limi.
Si kujtimet e shumta ne kete mengjes veror.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk