Vuajtja e përkorë e një fati
MARK SIMONI
1.
Libra me vezullim të zi, lëngata të gjata fëmijësh, dhimbje
biblike, baballarë të burgosur nga hallet e vuajtjet e bijve të tyre, prindër
të plagosur prej kujtimesh e malli të kalamajve, të sëmurë prej jetës e prej
vdekjes njëkohësisht, shkrimtar të pushtuar prej simbolesh e shenjash që u
dërgojnë prej realitetit të sëmundjes vogëlushët e tyre m’u kujtuan sot të
gjithë bashkë, tek po lexoja librin e Edmond Tupes, “Kur dhimbja premton
dashuri”. Kur shkruaja librin “Komshinjtë e vdekjes” pata lexuar me qindra e
mijëra faqe që shkrimtarë të mëdhenj, të shpërndarë anë e mbanë botës, kanë
shkruar për fëmijët e tyre që lëngonin në shtratin e sëmundjes. Carduçi qan,
qan për të birin, ndërsa Tupja është i mbërthyer herë pas here nga një vaj i
brendshëm: Giusepe Ungareti me sëmundjen e Antonios nëntëvjeçar e drejton
letërsinë e tij drejt një realiteti të hidhur e të zi, nga mistika dhe trandja
sidomos me poezitë “Dhimbje” dhe “Mëshirë”. Tupja kërkon një shteg tjetër atë
të durimit dhe të dashurisë. Ernesto Sabato në vdekjen e djalit Jorge Federiko,
zhytet në lodhjen, pikëllimin dhe vetmimin e tij, duke humbur shijen për jetën
dhe kuptimet më bazike të saj. Tupja i rri kundruall jetës, me një plogështim
të përkorë, por pa u tërhequr. Izabel Aliende shkruan romanin “Paola” (për
bijën e saj të vdekur) me elementë spiritualistë, e mbërthyer prej misticizmit,
ndërsa Tupja për birin e tij të sëmurë është i ftohtë, ekzistencial, me një
ritëm të ngadaltë, të matur dhe të rëndë njëkohësisht. Vite të tërë iu desh të
merrej me Nik Trainën, birin e saj të sëmurë, shkrimtares Daniel Still, që ta
nxirrte nga humnerat e sëmundjes ku kishte rënë i biri, nga ai fat i vrazhdë me
po atë kujdes që ka lundërtari i vjetër për të hedhur në bregun tjetër
udhëtarit më të dashur që ka. Daniel Still nuk ia doli dot mbanë. Edmond Tupja
deri tani ia ka dalë, pavarësisht se i gozhduar dhe ai si biri i tij në kryqin
e fatit.
2.
Mond Tupen e kam hasur për herë të parë mbi biçikletën e tij
thatime, në një prej rrugicave që lidh “Myslym Shyrin” me Rrugën e Kavajës. I
dobët dhe i sfilitur prej dijesh dhe librash, pata menduar. Ashtu mbi
biçikletën e tij desha të kuptoja se kush ia kishte marrë shpirtin shoqishojt:
Mondi biçikletës apo biçikleta Mond Tupes. Çdo gjë tek ai njeri më është dukur
se i përket një realiteti tjetër (librat dhe dijet janë realitete hyjnore më
shumë se çdo gjë), përveç asaj biçiklete të vjetër e të lodhur që më dukej se e
lidhte këtë njeri me këtë tokë ku jemi.
Bash ato ditë pata shkruar në “Koha jonë” një shkrim për
çiklistin e famshëm Marko Pantani që u gjet i vdekur prej overdozës në një
dhomë të vetmuar të një hoteli në periferi të Milanos. Atë e patën përjashtuar
prej garës dhe ia kishin hequr biçikletën, pikërisht atë lidhje që e mbante
Pantanin të lidhur me këtë botë. Kështu kam menduar dhe për Mond Tupjen se nëse
një ditë nuk do ta ketë atë biçikletë, realiteti i tij do të jetë vetëm eterik,
ai lloj realiteti që kanë brenda dijet, librat, gjuhët. Por qenkam gabuar. Ky
njeri e paska një arsye më shumë se gjithkush tjetër për të qenë në këtë jetë,
në këtë areal hallesh dhe travajesh. Jeta e të birit me një sëmundje të rëndë
mbi shpatulla qenka arsyeja e madhe që e mbajtka këtu… edhe pa ikur nga fiqiri,
edhe pa shkuar për fare. Sëmundja e të birit është realiteti ekzistencial,
dhimbja e të birit është lëngata e tmerrshme e Tupes.
4.
Para shumë vitesh mbaj mend të jetë botuar një poezi, “Sa
shumë njerëz për të të rritur ty fëmija im” e Agim Isakut. Vërtet shumë njerëz,
mësues, edukatore, gjyshër, përralla, kukulla, filma me ngjyra dhe libra
gjithfarë lloji. Gjithë këta njerëz, zërat, vështrimi dhe pekulet e tyre e
rrisin lehtësisht një fëmijë. Por djali i Edmond Tupes nuk e ka pasur fatin ta
ketë përreth këtë luks, mbasi porta e dëshirave të tij, e mendjes së tij është
e mbyllur për çdo gjë. Nga ajo portë ka vetëm një shteg të ngushtë, ku mund të
hyjnë vetëm imazhet e prindërve të tij. Dhe Tupja e ka barrën për ta çuar
dashurinë dhe vuajtjen deri në fund, deri atje ku nuk hyjnë dot kukullat,
përrallat, përkëdheljet dhe ninullat, filmat. Po, po, edhe ninullat, sepse ato
janë këngë gjumi dhe ëndrrash. Jam mrekulluar prej një shkrimi të Garsia Lorkës
rreth ninullave dhe e kam parë se ato këngë nuk janë vetëm e vetëm për fëmijët.
Comments
Post a Comment