Bashkë me ikjen, Martin Camaj mori me vete zhguallin e gjuhës
Sero sapiunt*
Një homazh në përvjetorin e shkrimtarit të madh shqiptar
Martin Camaj, që nuk u kthye kurrë në vendin e tij të origjinës. Studiuesi
Behar Gjoka bën një ekskursion në veprën e tij duke kërkuar atë fillin lidhës
të nivelit të lartë, që ofroi ai në mungesën
fizike për letërsinë shqipe...
“Libri ‘Rikthimi i Martin Camajt’, ka në qendër të analizës
dhe shqyrtimit krijimtarinë e gjerë dhe përplot laryshi të Camajt, pra duke
përfshirë poezinë, e gjithëpranuara nga leximet dhe studimet letrare, prozën,
më shumë të shqyrtuar në pista përtej teksteve, si dhe dramatikën, pothuajse të
heshtur. Mendoj, se hapësira e leximit,
shqyrtimit dhe interpretimit të veprës letrare të shkrimtarit, ende është në
fillesat e veta, dhe duke qenë kështu, gjithnjë simbas idesë sime të njohjes së
teksteve, jemi në fillim të leximit, pranimit, shqyrtimit të vlerave që përçon
kjo dukuri letrare, e mëvetësishme dhe unike e letrave shqipe”.
A mund të quhet
fatlume për ne dhe fatkeqe për të, emigrimi jashtë vendit? Sa e ndihmoi kjo
gjendje shpirtërore, poetin për të krijuar veprën e tij?
“Termat fatlume dhe fatkeqe, në fakt në marrëdhënie me
tekstet letrare në poezi, prozë, sinkretikën letrare, por edhe dramën e tij,
nuk e shpjegojnë fare realitetin letrar. Qëndrojnë vetëm raport me autorin.
Fatlume ishte ikja prej Shqipërisë, sepse vendi në atë kohë ishte kthyer në
burg i ideve të marrëzisë së barazisë, prandaj autori e la atdheun në mungesë
të lirisë së shprehjes, e jo për shkaqe ekonomike ose për dëshira djaloshare,
siç edhe është pohuar nga ndokush. Fatkeqe është në një kuptim, sepse
krijimtaria e tij, nuk ndikoi në gjallje, por edhe tani në amshim, është
pothuajse jashtë rrjedhave të ligjërimit letrar, të kuptohemi ka qasje zyrtare
dhe jo të tilla për ta lënë jashtë tyre. Pra, Camaj, e sidomos vepra e tij
është jashtë kohe, jashtë hapësire, është jashtë rrjedhave të mediokritetit
letrar të ligjëruar me shumicë në dheun amë. Padyshim, që ikja e padëshiruar
ndikoi pozitivisht në krijimtarinë e tij, sepse ai shkroi letërsi larg
fanfarave të çmimeve bajate, larg vlerësimeve të akademizmit të mykur zyrtar, e
mbi të gjitha u lidh me sallone të kulturës dhe letërsisë si Roma, Mynihu, por
edhe Beogradin e artit dhe kulturës. Vetmia dhe dija janë dy parakushte për të
sendërtuar letraren vetjake dhe të ndryshme nga ngjyresat e artit të shërbesës
së realizmit socialist”.
Çfarë lloj metodike
keni përdorur për të penetruar në veprën e tij?
“Tekstin e parë për Camajn, posaçërisht për novelën
‘Pishtarët e Natës’, e kam botuar në vitin 1997 tek gazeta Rilindja e Kosovës.
Metodika është e ditur, lexim dhe rilexim i veprës letrare të shkrimtarit. Pas
kësaj domosdoje të njohjes, zë fill ajo që në fund quhet edhe optikë personale,
e cila në gjykimin tim ka të bëjë me analizën e tekstit dhe të formësimit
artistik të secilës vepër të autorit. Pra, lexim dhe braktisje e leximit të
leximeve të pa lexuara, që e hasim shpesh edhe në nivelet e akademizmit
shqiptar e jo më të lexuesit të zakonshëm”.
Si e shikoni
figuracionin e veprës së tij...?
“Pamëdyshje që shenjat letrare, pra edhe figuracioni i
pranishëm në tekstet e shumta letrare të autorit, përbëjnë edhe një shkallë
vështirësie të lartë, për shkak të abstraksionit të pranishëm. Në një kuptim
krijimtaria e tij i përket rrafsheve të eksperimentit letrar, që do të thotë se
kemi tekste krejtësisht të ndryshme nga ajo se çfarë kemi lexuar ndër shkrimtarët
bashkëkohorë. Për mua, tekstet poetike ‘Nema’,
‘Bualli’, ‘Palimpsest’, teksti i sinkretikës letrare ‘Dranja’, por edhe ‘Karpa’,
romani fantastik, si dhe dy tekstet dramatike ‘Lojë Mbasdreke’ dhe ‘Kandilja
Argjandit’, e ngjisin Martin Camajn në majat e ligjërimit letrar modern jo
vetëm në letrat shqipe”.
Për mendimin tuaj, ku
'çalon' krijimtaria e tij në formë apo në përmbajtje...
“Për të respektuar pyetjen, krijimtaria e Camaj, pra të
gjithë tekstet letrare, kanë një të “metë” të madhe, se nuk kanë asnjë lidhje
më mediokritetin letrar të Shqipërisë, nuk kanë asnjë lidhje më letërsinë e
shërbesës së realizmit socialist, por as me atë të antishërbesës, porse
aderojnë dhe aspirojnë të shënojë vlera letrare, më së tepërmi universale”.
“Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë se
keni vendosë të vlerësoni veprën time:ky vlerësim na afron. Batë
burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë
shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”. Si një njeri që jeni
aq shumë me të në këtë studim, këto fjalë të fundit të tij janë fjalë
dëshpërimi apo respekti për shqiptarët...
“Gjithçka e shkruar prej Camajt të vë në mendim, madje edhe
në një situatë tronditëse, se si paturpësisht dhe djallëzisht vijon të heshtet
përballë kësaj vlere artistike, se si tentohet të quhet si shkrimtar i së
kaluarës nga akademikët tanë. Vepra letrare e Martin Camajt, është vepra më e
munguar në të gjithë historinë e letrave
shqipe, madje edhe më shumë se ajo e Fishtës dhe Konicës, që u mallkuan pa
asnjë hezitim nga ideologjia dhe shkrimtarët shërbëtor të saj. Është e tillë
për faktin e thjeshtë se Fishta dhe Konica, por dhe dhjetëra shkrimtarë të
tjerë të ndaluar, mallkuar dhe anatemuar, e kishin krijuar dhe shpallur fytyrën
e shkrimtarit, dhe më to ngjau një “vrasje” gjysmake, ndërsa me Camajn,
mallkimi ishte i plotë dhe përfundimtar, sepse u dënua me heshtje bizantine, pa
u dukur ende në qiellin e letrave shqipe. Mjerisht kjo situatë e mospranimit të
ndihmesës së dhënë në lëmin e letrave, vijon po kaq e fuqishme edhe në amshim.
Fjalët e mësipërme të “testamentit” të Camajt, janë klithma e mbrame e dhimbjes
dhe krenarisë që nuk reshti së kontribuari kulturën dhe letërsinë shqipe, janë
një klithmë që të përkujton vetiu gjarpërinjtë e Kutelit, një burri po kaq të
sojshëm të letrave shqipe”.
Sa e ka ndihmuar
formimi i gjithanshëm autorin për të krijuar?
“Tekstet e tij letrare, dëshmojnë se bashkë me ikjen, Camaj
mori me vete zhguallin e gjuhës, pra dialektin e gegnishtes, por edh jo pak
dromca të variantit të arbënishtes, të cilët edhe në vetmi të plotë, edhe në
kundërshtim me normat e 1972, i mbajti gjallë, si me thënë e mbajti të ndezur
kandilin e ligjërimit letrar, gjithnjë si gjuhë e autorit dhe e letërsisë. Ma
do mendja se nuk gjendet vend i dytë në botë që t’i kërkohet shkrimtarit, pra
gjuhës autoriale, gjuhës së letërsisë që të zbatojë rregulla fikse, norma të
një kuvendimi gjuhësor dhe jashtëgjuhësor, pra duke vrarë kështu subjektiven
dhe autorialen. Në këtë kuptim ka qenë shpëtimtare, për autorin dhe sidomos për
ndryshueshmërinë (variantet e ndryshme shkrimore) gjuhësore dhe letrare, ikja
prej atdheut të ideologjisë së monizmit. Nga ana tjetër, me vlerë jetike janë
edhe udhështegtimet e shkrimtarit në Prishtinë, Beograd, Romë dhe Mynih, që i shërbeu
si një dritare e madhe për ta rreshtuar ligjëratën letrare në rezonim me
ngjyresat letrare bashkëkohore evropiane”.
A ka vend më shumë në
letrat shqipe dhe pse nuk është i pranishëm Camaj në letërsinë shkollore...
“Që të mos ia hamë hakën edhe kësaj kohës tonë, copë e
grimë, Camaj ka hyrë në programet e shkollës shqiptare në të gjithë nivelet,
edhe është përmendur në ndonjë përvjetor. Porse, pranimi dhe receptimi i
krijimtarisë, i vlerave të pranishme, është gati në pikën fillimtare, sepse
studimet letrare dhe gjuhësore do të duhet të japin përgjigje shkencore sa i
përket vlerave të letërsisë së tij jo thjesht si një vijim i ligjërimit të
gegnishtes, e cila në fakt gjithnjë sipas paragjykimit dhe pasgjykimit e le
jashtë rrjedhave letrare, por si pjesë me vlera të pakontestueshme e ligjërimit
letrar në gjuhën shqipe. Po ashtu, shenjat eksperimentale, në poezi apo prozë,
dhe në shumëçka do të duhen kundruar në optikën e dijes letrare moderne jo në
pranimet e sociologjizmit vulgar të realizmit socialist. Po kaq vlerë kanë edhe
sqarimi i konteksteve kohore dhe hapësinore, pra krijimtaria e Camajt i përkon
letërsisë bashkëkohore, dhe sipas mendimit tim dhe shijes time është kulmi i
ligjërimit modern të saj, si dhe është një urë ndërlidhëse e letrave shqipe me
letërsinë evropiane”.
*Atyre u vinë mendtë
me vonesë (latinisht)
Ben Andoni
Comments
Post a Comment