Amos Oz, kufijtë e forcës


Shkrimtari izraelit Amos Oz, i vetmi shkrimtar në botë i cilësuar si favorit i dy çmimeve Nobel, për Letërsi dhe Paqe, i njohur nga lexuesi shqiptar me romanin “Të njohësh një grua”  dhe librin monumental autobiografik “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, është ndër opinionistët më të rëndësishëm të çëshjeve të Lindjes së Mesme, veçmas të konfliktit izraelito-palestinez. Pas incidentit të ditës së hënë në ujërat ndërkombëtare përballë Rripit të Gazës, ku për shkak të sulmit izraelit në njërën nga anijet e ndihmave humanitare ndërkombëtare, u vranë 9 persona nga grupi i vullnetarëve të bamirësisë, Amos Oz u pronocua menjëherë me opinionin e tij mbi ngjarjen, që u botua në gazetat më prestigjioze në botë. Me lejë të autorit, ky opinion i prezantohet edhe lexuesit shqiptar prej Shtëpisë Botuese “Skanderbeg”.    

Hamasi nuk luftohet duke përdorur forcë mbi forcë, por arsye dhe negociata për zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit e Palestinës.

Për dymijë vjet, izraelitët njohën peshën e forcës vetëm prej goditjeve  mbi shpinat e tyre. Tanimë, për shumë dekada, ne jemi aftësuar ta përdorim edhe vetë forcën. Por jo vetëm kaq, kjo fuqi na ka helmuar shumë e më shumë. Gjithnjë e më shumë, ne e kemi bindur veten se mund ta zgjidhim çdo problem duke përdorur forcën. Një njeriu me çekiç të madh, thotë një fjalë e urtë, çdo shqetësim i duket si gozhdë, që mund ta godasë.
            Në periudhën përpara se të themelohej shteti izraelit, një pjesë e madhe e popullsisë izraelite më Palestinë, nuk i kuptonin kufijtë e forcës dhe menduan se ajo duhej përdorur për të plotësuar çdo dëshirë. Për fat të mirë, gjatë viteve të para të Izraelit, liderë si David Ben-Gurion dhe Levi Eshkol, e dinin fare mirë se kjo forcë ka kufij dhe kanë qenë të kujdesshëm për të mos i tejkaluar ata. Por, qysh prej Luftës së Gjashtë Ditëve në 1967, Izraeli ka krijuar forcën e tij ushtarake. Është krijuar ideja: Çfarë nuk mund ta arrijë forca, e arrin një forcë edhe më e madhe.
            Bllokimi izraelit në Rripin e Gazës është njëri prej fruteve më shëmtuar të këtij koncepti. Kjo ide e ka origjinën në keqkuptimin e të menduarit se Hamasi mund të luftohet me forcën e armëve, në terma më të përgjithshme, se konflikti me palestinezët mund shpërbëhet, në vend që të zgjidhet.    
Por Hamasi nuk është thjesht një organizatë terroriste. Hamasi është një ide. Një ide e dëshpëruar dhe fanatike, që u zhvillua nga mërzia dhe zhgënjimi i shumë palestinezëve. Asnjë ide nuk ka fituar deri tashmë përmes forcës - as nga shtrëngesat, as nga bombardimet, as nga shtypja e zinxhirëve të tankeve, as nga komandot marine. E vetmja mënyrë që Izraeli të nxjerrë jashtë loje Hamasin, është mbërritja e shpejtë e një marrëveshjeje me palestinezët për ngritjen e një shteti të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në kufijtë e vitit 1967, me kryeqytetin e tij në Lindje të Jeruzalemit. Izraeli duhet të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Mahmoud Abbas dhe qeverinë e tij, dhe kjo e kthen konfliktin Izrael-Palestinë në një konflikt mes Izraelit dhe Rripit të Gazës.  
            Ky konflikt i zgjatur mund të zgjidhet, në fund, vetëm përmes negociatash me Hamasin, në mënyrë të arsyeshme, me integrimin e lëvizjes Fatah të Abbasit me Hamasin. Edhe sikur Izraeli të nisë edhe njëqind anije më shumë drejt Gazës, edhe sikur të dërgojë atje njëqind herë më shumë trupa për të pushtuar Rripin e Gazës, pavarësisht se sa herë të tjera Izraeli do të aktivizojë ushtrinë e tij, policinë dhe forcat sekrete, nuk do të mund ta zgjidhë problemin. Çështja është se ne nuk jemi të vetmit në këtë tokë, as palestinezët nuk janë të vetmit në këtë tokë. Ne nuk jemi të vetmit në Jeruzalem dhe palestinezët nuk janë të vetmit në Jeruzalem. Derisa ne, izraelitë e palestinezë, do t’i njohim konseguencat logjike të këtij fakti të thjeshtë, ne të gjithë do të jetojmë një gjendje të vazhdueshme izolimi – Gaza nën shtrëngesën izraeliet, Izraeli nën shtrëngesën ndërkombëtare e arabe. 
            Unë nuk e nënçmoj forcën e armëve. Forca ushtarake është jetike për Izraelin. Pa të ne nuk mund të mbijetojmë as edhe një ditë të vetme. I mjeri vend që e nënçmon vlerën e armëve. Por ne nuk duhet t’ia lejojmë vetes, qoftë edhe për një çast të vetëm, që forca ushtarake të mos ketë vetëm vlerë mbrojtëse – për të mbrojtur shkatërrimin apo pushtimin e Izraelit, për të mbrojtur jetën dhe lirinë tonë. Çdo përpjekje për ta përdorur forcën jo si mbrojtëse, jo për vetëmbrojtje, por në vend të kësaj, si një mjet për zgjidhur forcërisht probleme dhe për të shtypur ide, do të çojë në fatkeqësi të reja, sikurse kjo e fundit ku ne e futëm tashmë veten e që ndodhi në ujërat ndërkombëtare e të hapura përballë Rripit të Gazës.

Përktheu shkrimtarja Flutura Açka

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk