BORIS GROYS: Çdo gjë që ekziston është e bukur, ndonëse jo çdo gjë është interesante
Filozof, pedagog në universitetin Karlstruhe
dhe një nga mendimtarët më të njohur të artit sot. “Çdo gjë që ekziston është e
bukur, ndonëse jo çdo gjë është interesante. Kjo është pika e nisjes. Problemi
i vërtetë nuk është që të
themi se kush është e bukur, por të dimë se çfarë
përfaqëson e gjithë kjo”, thotë ai.
Nga Anne Picq*
Pyetje: Çfarë
përfaqëson për ju nocioni i së
bukurës në artin e sotëm?
·
Sipas meje, çdo gjë që ekziston është e bukur,
ndonëse jo çdo gjë është interesante. Kjo është pika e nisjes. Problemi i
vërtetë nuk është që të
themi se kush është e bukur, por të dimë se çfarë
përfaqëson e gjithë kjo. Për shembull, unë
jam i paduruar të
shikoj një artist që të krijojë
një vepër artistike mbi viruset, për të treguar që
përtej sëmundjes ata janë po ashtu vektor (bartës) të së
bukurës në vetvete. Në thelb, çdo gjë që është e perceptueshme, është në
mënyrë automatike, (të vetvetishme) e bukur. Çështja pra nuk është që
të bëjmë dallimin midis asaj që është e bukur dhe asaj që nuk është
e tillë, por midis të dukshmes (asaj që shfaqet) dhe të padukshmes (asaj që nuk shfaqet). Arti
kontemporan, ashtu siç ai shfaqet sot, nuk interesohet për të
bukurën por për atë që
mund të jetë e dukshme. Arti ka aftësinë të
zbulojë ose të krijojë më shumë
objekte, më shumë qëndrime, ndjenja ose sentimente që nuk bënin pjesë deri më sot në konceptin tonë “të së
gjithës” dhe që papritur kalojnë pa i vënë re.
Pyetje: Ky vizion i së
bukurës është një
e re në historinë e artit? Mos duhet t’ia
atribuojnë këtë përmbysje
Marcel Duchamp-it që
shpiku ready-made-in?
·
Unë
do të thosha që pika e kthimit ka ardhur me
Ies Fleurs dumal (lulet e së
keqes) të
Baudelaire-it, me idenë
që çdo gjë është
e bukur, e tmerrshme dhe irituese njëherësh. Kur Baudelaire-i thotë që e bukura është bizare (e pazakontë, e çuditshme), është mënyra
e tij për të shprehur që çdo gjë është
e bukur, madje dhe kufomat në
dekompozim. Është një pohim shumë
i rrënjosur në mendimin Kristian. Mendojmë për imazhet e Krishtit të torturuar ose për
paraqitjet mesjetare të
Gjykimit të fundit.
Natyrisht gjatë shumë kohësh
arti shekullar nuk e ka integruar këtë ide. Por nëqoftëse ju lexoni Burke-n, për shëmbull,
më shumë se Kant-in, ju do të zbuloni që në evokimin e sublimes ai fillon nga sublimja e rendit politik dhe
me skena të torturës dhe të vrasjeve. Në momentin aktual ne shohim
imazhe të ngjashme shumë të forta dhe të
bukura si ato të 11 Shtatorit.
Jemi mësuar nga media të shohim bukurinë në imazhet e destruksionit.
Pyetje:
Mos vallë kjo do të thotë se është një
formë gare e artit dhe medias?
·
Mediat që merren me modën, me dizajnin dhe
artin, prodhojnë diçka që përafrohet me një normë të bukurisë bashkëkohore. Për
këtë arsye artistët duhet të shohin gjithënjë atje ku të tjerët nuk e shpien
vështrimin dhe të shkojnë atje ku të tjerët nuk duan të shkojnë. Problemi i
kulturës sonë që drejtohet nga media, është se ajo bie në vetpërsëritjen e
ekzagjeruar eksesive, jo të përkorë, në vetzbukurimin. Shijet reale artistike të publikut nuk mbështeten mbi artin, por janë të lidhura me modën
e ilustruar në Vogue
dhe Paris Match, me televizionin dhe internetin. Njerëzit nuk e duan artin, ata nuk ja ndjejnë nevojën përderisa kanë,
apo gjejnë çdo gjë nëpër
dyqane. Por ata nuk i ngjajnë
imazheve të shpërndara nëpër media, për
më tepër dhe rrobat që veshin nuk i shkojnë siluetit të tyre. Meqenëse ata nuk kanë
një vlerësim të madh për
veten e tyre, ata preferojnë
të mbajnë nudot e Madonna-ës ose të Carla Bruni-t. Dhe ideja që arti bashkëkohor të përpiqet të
përçojë tek ata, është se ata nuk duhet të shikojnë
as Carla Bruni-n as Madonna-ën,
por të vlerësojnë veten e tyre. Nëpërmjet shumë mënyrave, arti bashkëkohor sjell njëlloj
korreksioni ose kompensimi ironik ndaj normave estetike të vendosura nga media.
Pyetje:
Nëqoftëse është
ashtu siç thoni ju se arti vlerëson
atë që e sheh, ai duhet të jetë i
kuptueshëm dhe të pranohet nga të gjithë. Kështu është?
·
Ne kemi tendencë të mendojmë që publiku nuk e vlerëson
artin kontemporan sepse nuk e kupton atë. Por është një mungesë absolute e arsyes.
Është paradoksale sepse arti kontemporan tenton të demokratizojë nocionin e të
bukurës i cili nuk konsiderohet si i vlefshëm ose i denjë për tu besuar.
Artistët duan ti bëjnë gjërat të dukshme për të gjithë. Njerëzit gëzohen në
fillim, pastaj bëhen mosbesues sepse ata kanë intuitën se kjo fsheh diçka të
padukshme, të fuqishme. Ju nuk mund të tërhiqni vëmendjen veçëse nëse tregoni
gjëra që impresionojnë me të vërtetë, që shfaqen si zbulime. Por shumë shpejt
ndërhyn dyshimi. Për këtë arsye propaganda nuk mund të funksionojë. Ideja sipas së cilës ju
mund të manipuloni njerëzit nëpërmjet propagandës është krejtësisht e gabuar.
Pyetje: Por
duhet ta pranojmë që një grup i vogël (Komisarë ekspozitash, kritikë arti,
drejtorë
muzesh), vendosin në masën më të madhe për atë që shihet ose jo.
- Duhet të mbajmë mirë në mëndje që mjedisi i artit kontemporan, është një minoritet në gjirin e shoqërisë dhe që nuk ka vokacionin (prirjen) për të qënë një tjetër gjë. Për më tepër ai nuk është as elitist as përjashtues. Është një minoritet universalist që është më demokratik se vetë masa. Arti kontemporan ka zënë vëndin që kishte dikur kisha. Ai ngre ndërtesa atje ku dikur ngriheshin kisha. Më parë kisha kompensonte pabarazinë sociale duke pohuar se zoti i deshtë të gjithë njerëzit njësoj. Muzetë sot luajnë këtë rol, duke vënë në dukje se çdo gjë është e bukur. Jeta jonë ekonomike nuk është demokratike. Jeta jonë politike tepër jo më. Muzeu i artit kontemporan është i vetmi vend ku ushtrohet barazia universale, prandaj ai mbetet një institucion minoritar.
Pyetje: Sipas jush muzeu është i domosdoshëm për
shoqërinë tonë sepse ai është
“vendi ku ne mund të mësojmë t’i rezistojmë diktaturës së shijeve
aktuale”. Kjo domethënë se arti po bëhet gjithnjë e më shumë politik?
- Natyrisht! Arti kontemporan është politik në vetë funksionin e tij. Përse? Sepse politika në ditët tona ka pushuar së mbushuri, plotësuar funksionin e saj klasik për tu bërë pjesë integrale e modës dhe e kulturës së masave. Ne nuk kemi më personazhe politikë në kuptimin tradicional, por njerëz si Obama, Sarkozi apo Putin, veçëse të gjithë janë e njëjta gjë: heronj të kulturës së masave, njësoj si futbollistët, yjet e rrokut ose aktorët. Hapësira politike gjithnjë ka bërë pjesë në hapësirën estetike: për të qenë politik duhet me qënë të dukshëm veçëse nëpërmjet estetikës. Pra në mënyrë të logjikshme nëqoftëse ju krijoni një estetikë jo konvencionale (jo tradicionale), ju krijoni po ashtu një politikë jo konvencionale.
*Përkthyer
nga:
Vlash PRIFTI,
pedagog
Maj – 2010
Comments
Post a Comment