Uliksi i James Joyce
Uliksi
Nga James Joyce*
Çfarë kursesh paralele ndoqën Blumi dhe Stiveni gjatë
kthimit?
Pasi u nisën së bashku me hap normal shëtitës nga Beresford
pleksi, ata ndoqën drejtimi e quajtur Louër dhe Midël të rrugës Gardiner dhe
sheshin Mauntxhoi, nga perëndimi; pastaj me hapa më të ngadaltë secili duke marrë
majtas, drejt Gardiner Plejsit, hutueshëm deri tek cepi më i fundëm i rrugës
tempull, nga veriu; mandej me hapa të ngadalësuar e me ndalesa, duke marrë
djathtas, nga rruga tempull deri në Harduik Plejs. Duke u avitur, jo barazisht,
me hapa të qetë shëtitës, ata kaluan matanë cirkut, diametralisht para kishës
së Xhorxhit, me perimetrin e secilit rreth më të vogël sesa harku që tërheq.
Për çfarë fjalosi dumvirati gjatë itinerarit?
Për muzikën, letërsinë, Irlandën, Dublinin, Parisin,
miqësinë, femrën, prostitucionin, dietën, për ndikimin e llambës me gaz dhe të
harqeve rrëzëllitëse në rritjen e pemëve të përngjitura paraheliotropike, për
vendosjen e thasëve me rërë për raste urgjence nga kompania e duhur, për kishën
romane katolike, për beqarinë ekleziaste, për kombin irlandez, edukimin jezuit,
karrierën, për studimin e mjekësisë, për dietën e shkuar, për ndikimin keqbërës
të parasabatit dhe për të fiktit e Stivenit.
A zbuloi Blumi faktorë të përbashkët ngjashmërie mes
reagimeve përkatëse, pëlqyese dhe mospëlqyese, kundrejt përvojës?
Të dy ishin të ndjeshëm ndaj përshtypjeve artistike muzikore
më tepër se ndaj atyre plastike apo piktoriale. Të dy preferonin më shumë
mënyrën kontinentale të jetesës kundrejt jetës ishullore, për një vend banimi
këtej Atlantikut sesa përtej tij. Të dy rridhnin nga një edukim i hershëm
familjar dhe qëndrueshmëria heterodokse iu kishte mësuar mosbesimin ndaj shumë
doktrinave fetare, ortodokse, kombëtare, shoqërore dhe etike. Të dy pranonin
ndikimin herë nxitës, herë trullosës, të magnetizimit heteroseksual.
A ishin pikëpamjet e tyre të ndryshme mbi disa çështje?
Stiveni ndahej haptazi nga pikëpamjet e Blumit mbi rëndësinë
e vetëndihjes distike dhe qytetare, ndërsa Blumi, me takt, ndahej nga
pikëpamjet e Stivenit mbi afirmimin e përjetshëm të shpirtit të njeriut në
letësi. Blumi bashkohej fshehurazi me korrigjimin që i bënte Stiveni gjykimit
prapanik lidhur me caktimin e datës së konvertimit të kombit irlandez në fenë e
krishterë nga druidizimi, sajë Patrikut, birit të Kalpornit, bir i Potitit, bir
i Odisit, i dërguar nga Papa Çelestini I në vitin 432 në mbretërinë e Lirit
deri në vitin 260 ose aty rrotull në mbretërinë e Kormak MakArtit (vdekur më
266 p.e.s.) vdekur nga mostretja e ushqimit nga Sliti dhe i varrosur në
Rosnari. Mbarim të cilin Blumi ia mvishte mungesave gastrike dhe disa
përbërjeve kimike me gradë të ndryshme alkooli dhe tradhtie bashkëkohore, e
përshpejtuar nga kapitja mendore dhe shpejtësia e lëvizjes së vrullshme
rrethore në një atmosferë prehëse, këtë Stiveni ia mvishte shfaqjes sërishmi të
një reje mëngjesore (e perceptuar prej të dyve nga dy pika të ndryshme
vëzhgimi, Sendikovi dhe Dublin) fillimisht jo më madhe se dora e një gruaje.
Kishte pika të përbashkëta mohuese në pikëpamjet e tyre?
Ajo mbi ndikimin e dritës së llambave me gaz ose dritës
elektrike në rritjen e pemëve të përngjitura paraheliotropike.
A kishte diskutuar Blumi për çështje të ngjashme gjatë
ecejakeve të mbrëmjes në të shkuarën?
Në 1884 me Ouen Goldbergun dhe Sesil Tërnbullin gjatë natës
nëpër shëtitjet publike në hapësirën midis sheshit Longud dhe këndit të
Leonardit dhe atë mes këndit të Leonardit dhe rrugës Sinxh e atë mes rrugës
Sixh e sheshit Blumfild. Në 1885 me Persi Epxhonin gjatë mbrëmjeve, të
mbështetur pas murit në pjesën midis vilës Gjibraltar dhe ndërtesës Blumfild në
Kramlin, baronia e Apërkrosit. Në 1886 herë pas herë me të njohur rastësorë dhe
blerës të mundshëm në pragjet e shtëpive, në sallonet para derës, nëpër vagona
trenash të klasit të tretë të linjave jashtë-urbane. Në 1888 shpeshherë me
major Brajen Tuidin dhe të bijën, Marion Tuidin, së bashku ose veçmas, në
sallën e ndenjes tek Methju Dilloni në Raundtaun. Një herë më 1892 dhe një herë
më 1893 me Xhulius Mastianksin, të dy rastet në korridorin e shtëpisë së tij
(Blumit) në rrugën Lombard në anën perëndimore.
Çfarë shqyrtimesh bëri me vete Blumi lidhur me rrjedhën e
parregullt të datave 1884, 1886, 1888, 1892, 1893 dhe 1904 para mbërritjes së
tyre në destinacion?
Mendoi se zgjerimi në rritje i fushës së zhvillimit dhe
përvojës individuale shoqërohej në mënyrë prapakthyeke nga një kufizim i orëve
bisedimore në marrëdhëniet ndërindividuale.
Në çfarë mënyrash?
Nga ekzistenca në ekzistencë, ai u kish dalë para shumë
vetëve dhe ish pritur si një; nga ekzistenca me ekzistencë, ai ishte me çdokënd
si çdokush me çdokënd; nga ekzistenca në mosekzistencë do të mbaronte fare nga
të gjithë si i paperceptuar nga kush.
Çfarë veprimesh kreu Blumi pasi mbërritën në destinacion?
Tek shkallët e parme, tek i 4-ti i numrave baraz-ndryshëm të
pafat, shtëpia me numër 7 në rrugën Ekles, ai e çoi dorën mekanikisht tek xhepi
i pasmë i pantallonave për të nxjerrë kyçin e drynit.
Aty ishte çelësi?
Ishte në xhepin përkatës të pantallonave që i kish veshur
një ditë më para kësaj.
Përse ishte ai dyfish me nerva të cytura?
Sepse kish harruar dhe sepse e mbante mënd që dy herë e kish
kujtuar veten të mos harronte.
Cilat ishin pra rrugëdaljet e kësaj dysheje, me paramendim
(përkatësisht) dhe jo i kujdesshëm, pa kyç?
Të hynin a të mos hynin. Të trokisnin a të mos trokisnin.
Vendimi i Blumit.
Perlë. Ai vendosi këmbët mbi murin e ulët, hipi mbi
kangjellat, e ngjeshi kapelën në kokë, mbërtheu duart tek dy pika në nivelin e
poshtëm të kangjellave, e zvogëloi gjatësinë e trupit ngadalë nga pesë këmbë e
nëntë inç e gjysmë në dy këmbë e dhjetë inç në pjesën e trotuarit dhe e la
trupin të lëvizte lirshëm në hapësirë duke e shkëputur veten prej kangjellave
dhe duke u gërmuqur në parapritje të aktit të rënies.
Ra?
Me të gjithë peshën e njohur të trupit të tij njëqind e
pesëdhjetë e tetë librash sipas shkallës averdypua, sikundër e vërtetuar nga
makina e graduar për të matur vetë peshën në mënyrë periodike, blerë tek
shitoret e Frensis Frodmenit, kimist farmacist në nr. 19 të rrugës Frederik, në
pjesën veriore, në festën e fundit të Ngritjes në qiell, që do të thotë ditën e
dymbëdhjetë të majit të vitit perishtup një mijë e nëntëqind e katër të erës së
krishterë (pesë mijë e gjashtë qind e gjashtëdhjetë e katër sipas hebrenjve,
një mijë e treqind e njëzetë e dy sipas muhamedanëve), numri i artë 5, pakti
13, cikli diellor 9, germat dominikane C B, përcaktimi romak 2, periudha
juliane 6617, MXMIV....
Përktheu nga
origjinali Idlir Azizi
Comments
Post a Comment