Vlerat e një shoqërie në ripërkufizim
(Shënime për librin e Miranda Haxhisë Kur qante Hirushja e Bllokut)
Nga Dashnor Kokonozi
Për dikë që për arsye
të ndryshme nuk mund të ndjekë në mënyrë të përditshme zhvillimet
kulturore, artistike e intelektuale në Shqipëri, nuk do të kishte rekomandim më
të vlefshëm e praktik se sa t’i drejtohej faqeve të librit më të fundit të
Miranda Haxhisë: Kur qante Hirushja e Bllokut, (botim i Shtëpisë
botuese Ilar) për të marrë jo vetëm një informacion të saktë, por edhe një
opinion që jepet sa me modesti aq edhe me përgjegjësi profesionale.
Libri ka trajtën e një
dritareje të hapur nga ku secili, sipas interesit mund të kundrojë atë hapësirë
të botës shpirtërore shqiptare, që i intereson, mund të mësojë mbi nivelin e
kulturës së komunikimit dhe problemet e mediave në Shqipëri, për artet
figurative dhe zhvillimet letrare, për dramat në hapësirat skenike dhe ato që
kanë ndodhur e ndodhin në jetë, do të
njohë portrete njerëzish pasionantë e me humanizëm të pashoq, të cilët kalojnë
në mënyre pothuaj anonime përmes nesh, por do të marrë informacion edhe për
zhvillimet sociale dhe të pathënat e korridoreve të politikës etj.
Natyrisht të shkruash
rreth një tematike kaq të gjerë, të ndalesh e të përcaktosh me dorë të
sigurt të veçantën e individëve të shquar, të shkrimtarëve, regjisorëve,
piktorëve, por shpesh edhe të personave të panjohur nga publiku i gjerë, kjo para së
gjithash shtron detyrimin e thellë ti ndjekësh hap pas hapi këto zhvillime, në
të gjithë elementët e tyre të veçantë. Pra të kesh atë vesin që po bëhet
gjithnjë e më i rallë midis shqiptarëve: pasionin për lexim. E megjithatë kjo
nuk është e mjaftueshme. Një informacion, sado i përditësuar qoftë, nuk mund
t’i ofrohet lexuesit pa u analizuar së pari në tërësinë e tij nga vetë personi
që merr përsipër ta shprehë atë publikisht, pa ia nënshtruar atë forcës së
analizës që të jep formimi personal.
Titulli i librit të
tërheq veçanërisht vëmendjen për sintetizimin që i bën një fenomeni të pashëndetshëm
e pothuaj pervers që vërehet jo rrallë në shtypin shqiptar: hapësira e
gjerë dhe e papërligjur që u lihet bëmave të individëve që ishin në majën e
kupolës së regjimit dhe këmbëngulja e tyre që të thonë fjalën e fundit
për natyrën e diktatorit apo diktaturës. Pra janë të tillë njerëz të lidhur
kërthizërisht me regjimin, që gjithë jetën kanë fjetur në një shtrat, të cilin
e ndante vetëm një mur nga dhoma e diktatorit, të cilët në vend që të shprehin mea culpa, qoftë edhe me zë të ulët, çmendurisht nuk lodhen së
shpjeguari viktimave dhe gjithë shoqërisë së traumatizuar shqiptare, cilësitë e
larta “humane” të diktatorit, se e keqja nuk ka ardhur prej tij, por prej atyre
që e manipulonin etj., nga të cilët kanë vuajtur edhe vetë ato që M. Haxhia
i quan “Hirushe”.
Këmbëngul në vlerën
simbolike të kësaj gjetjeje (që në fakt është titulli i një prej analizave të
shumta që gjenden brenda faqeve të tij), sepse ndryshe nga sa ndodh në vende të
tjera, që kanë patur të njëjtin fat historik në gjysmëshekullin e kaluar,
në Shqipëri dëgjojmë të flitet më fort për fatin e dhëndurëve dhe të rejave të
familjeve të kriminelëve se sa për fatin e viktimave, të flitet e shkruhet për
dhembshurinë ndaj nipërve e mbesave të atyre që e shtynë vendin në humnerë, më
fort se sa për ata që ranë në humnerë, për ata prindër që u ndanë egërsisht nga
fëmijët, për ato familje e dashuri që u kalbën burgjeve e kënetave.
Pikërisht të tilla
arsyetime të vijnë vetiu në mendje tek sheh punën voluminoze që ju ka dashur të
përballojë M. Haxhisë në shkrimin e këtij libri. Por veç analizimit të anëve të
dyshimta të shoqërisë shqiptare shohim se në të i kushtohet mjaft vend ndjekjes në vazhdimësi
të atij dimensioni krijues e intelektual të vendit që shpesh i kalon pa rënë në
sy kalimtarit të zakonshëm apo edhe atyre që janë të prirur të shohin rreth
vetes vetëm një ligatinë sociale e intelektuale.
Nuk është fare e
habitshme që autorja në librin e saj një vend të veçantë i kushton edhe rolit
të mediave të ndryshme, të print mediave në tërësi. Në intervista të veçanta me
persona të njohur të kësaj fushe, e shohim atë t’u drejtojë pyetje të tilla, që
në thelb do të dëshironte t’u bënte edhe shikuesi i thjeshtë i ekraneve
që flasin shqip, si një mënyrë për t’u dhënë atyre në dorë një çelës për
të kuptuar atë proces të gjatë pune e krijimtarie, nga i cili ata ndjekin vetëm
fazën e realizimit përfundimtar; shfaqjen në ekran.
Natyrisht faqe pas
faqeje vëren se M. Haxhia nuk është e prirur të shohë vetëm shkëlqimin e asaj
bote të cilën duket se e njeh në thellësi. Sikundër vetë publikut të gjerë dhe
analistëve e sociologëve të shtypit, ajo nuk ngurron të thotë fjalën e
saj për cilësinë e një pjese të shtypit shqiptar. Kështu, në esenë: Median e
shkruar po e vret mediokriteti, ajo shpreh idenë se koncepti i krizës së medias
së shkruar, ka brenda krizë e fjalës së shkruar, kulturën dhe thellësinë e
argumenteve. Gazetat shqiptare, nënvizon ajo, vuajnë antikapin e madh
të mungesës së cilësisë së fjalës së shkruar dhe abuzimin e zakonshëm me fjalë...
Vështirë se ndokush do të ndjente dëshirën t’i shtonte gjësendi tjetër këtyre
konstatimeve.
Më tej vërejmë
ndjeshmërinë e Haxhisë për plagët tejet të dukshme e që rrjedhin ende gjak e
dhimbje, që diktatura komuniste ka lënë mbi trupin e Shqipërisë. E vërejmë këtë
te refleksioni i dridhshëm “Jet’ trembur se mos vdesi” që ajo e cilëson edhe si
reportazh nga ferri, e shohim te përshkrimi i trishtuar, i një poeti që ikën
nga jeta, te buzët e pazëshme të një poeteje që vdes në vetmi etj.
Në libër gjejmë edhe
disa nga zhvillimet e skenës së teatrit
shqiptar, për punën krijuese të
disa prej regjisorëve dhe aktorëve të saj të parapëlqyer, për ata fenomenin aq
të panjohur e të paimagjinueshëm disa vite më parë të sjelljes së personave që
vuajnë dënimin në burg në një sallë teatri etj.
Një vend të
rëndësishëm në libër zënë intervistat me shkrimtarë dhe artistë të njohur, përshtypjet
për libra të shumtë dhe autorë me të cilët ajo ndjehet më afër. Nga gjithë kjo
kuptojmë se kopshti saj sekret, pasioni i saj i madh mbetet letërsia
artistike. Në faqet që i kushtohet kësaj fushe vërehet një punë tejet e kujdesshme
për të dalë nga analizat e cekta dhe shtrati i pyetjeve rutinë, të cilat shpesh
herë janë përgjegjëse për përgjigje po aq rutinë.
Intervista me
Kadarenë zhvillohet jashtë shtigjeve të njohura e aq të përsëritura të
raporteve të shkrimtarit me diktaturën, biseda me Vath Koreshin synon të gjeje
të veçantën e një autori të tillë, që ka vendin e tij të padiskutueshëm në
historinë e letrave shqipe, ajo nuk e fsheh adhurimin e saj kur shkruan për
Podrimjen, Agollin, për krijues më ët rinj si A. Çipa etj.
Mbërrin në faqet e fundit
të këtij libri dhe vërtet vëren se je më afër realitetit shqiptar, se ke të
bësh me një shoqëri që po i largohet së kaluarës së saj të trishtuar, se po
ripërkufizon vlerat e saj, një shoqëri që i ka një sërë problemesh të
padiskutueshme, por që është tepër e nxituar ta shohësh vetëm si një shkretëtirë shpirtërore, si një
tokë shterpë, që prodhon gjithçka veç vlerave shpirtërore.
Vlera krijohen çdo
ditë, por ajo për të cilën kemi më shumë nevojë është rritja e ndjeshmërisë dhe
vëmendja që shteti dhe shoqëria duhet t’u kushtojë atyre, heqja qafe e një ndjenje të trashëguar
inferioriteti, rivlerësimi i imazhit të vetvetes dhe i krijimtarisë së mjkut,
artistit e shkrimtarit, që përshëndesim çdo mëngjes.
Comments
Post a Comment