Prag ironie në vetmi
Krenar Zejno*
...Surrealizmi i vonët i Hrabalit,
njëherësh naif e nën shoqërizime
poetike, i nderte mishrat e femrave nëpër kanapé dhe pastaj, siç i ka hije
surrealizmit që i bën edhe shëmbëlltyrë qiellore, ia hidhte fajin kohës. I vuri
emrin “mallkimi i shekullit erotik, gjithçka e hipererotizuar”, e prej këtej e
përshkroi atë nën diçiturën SOS – Shoqëria e Objektivave Social. Ama, ky SOS është
aty edhe si pragu i fundëm përtej të cilit nuk duhet shkuar në përzierjen e
shkrimit me socialen, e shumta gjer te liturgjia e përtypjes së të tërës brenda
tymit të mejhaneve e qebaptoreve. Nuk shtyhet tutje Hrabali, as ndër terrenet e
pa sosur të përshkrimit të joshjes së natyrës, as të shoqërisë si institucion.
Pse ironia e tij, duke iu shtuar asaj të traditës së Hashekut, bëhet e vetëmjaftueshme
të institucionalizojë vetë kulturën, nën gjuhëzimin popullor të ndoca neneve
anekdotik, që tok me Kafkën mbërrijnë prej Pragës të grisin edhe copa nga eteri
qiellor.
Madje, Hasheku nuk na la as përshkrimin
që të mund ta imagjinojmë Shvejkun e vërtetë! Por veç një identikit hamendjeje,
mbërritur mrekullisht gjer tek ne prej kaligramës së ironisë së vet. Nuk na la
asnjë lloj pranie femërore, si për ta shkarkuar atë nga përgjegjësitë e
thanatosit sarkastik të luftërave. Ende mbetemi nën atë përfytyrim të
përfytyrimit, të cilin vizatuesi i portretit të tij na ka ofruar në etiketën e
birrës që shkumëzon në paqe, si me thënë, me lehtësinë e papërballueshme të
qenies së sarhoshit nën premtimin futurist të qerasjes së tjetrit me ndonjë
kriko... me t’u çliruar mëhalla! Dhe gjithsesi, a nuk duket sikur Shvejku pa
shtëpi e katandi, që nuk i dëfton fare rrënjët e veta, do dalë prej imazhit si imago cristi dhe papritur do ankohet...
Këta të bëjnë të fisëm me pahir, or’zotni, s’të lënë as fytyrë, as në daç të
bësh dashuri, as të vdesësh po deshe, prandaj, jemi që jemi, le ta rrëkëllejmë
me fund këtë gjallmim jete që po derdhet! Apo, mbase Hasheku faktikisht ka
harruar ta përshkruajë, ose s’e ka shkuar në mend që njerëzia do ishte kaq
kurioz, përtej detajeve të mirësisë dhe uniformës, edhe për profilin e ushtarit
të mbarë Shvejk!
Lidhur këtu edhe me faktin, një
ditë Hrabali, gjoja si i mërzitur nga keqkuptimi, tha “fakti është se unë nuk di të shkruaj, e
mandej ata nuk dinë ku ta hedhin grepin, dhe shpikin një mullar me gjëra”. Si vetë
ajo mospërputhje tek zoti Hanta, mes dengjeve me libra të vjetër, gati për
kurban ambalazhi në presë të thikës, dhe përkujdesjes diturore ndaj elokuencës:
“Në realitet nuk se lexoj, e shkoj ndonjë frazë në sqep dhe e thëthij si një
karamele, sikur të gjerbja me nge një gotë liqeri, gjersa kjo ide të më shkrijë
në gojë”.
Bohumil Hrabal po shkonte drejt të
nëntëdhjetave, teksa kishte hasur në jetë të nëntëdhjetenëntat dhe kishte
provuar qindin. Ah po, së fundmi edhe një detaj i vockël: Sepse, në fakt, po më
vjen çudi si e ku ta ketë gjetur atë forcë Hrabali në këtë moshë të madhe për të
marrë një vendim deri diku madhor, si ai për të vrarë veten?! Faktikisht, e meqë
nuk na lejohet të shkëputemi krejtësisht nga faktet, përsa jemi duke fjalosur për
librin e tjetrit – ndonëse edhe ky bën fjalë për librat e të tjerëve pa i rënë
në mend për faktet e jetës së autorëve –,
Hrabali edhe mund të mos e ketë vrarë hiç veten!
Mundet e gjithë kjo të jetë këtu
një ngatërresë me personazhin Hanta, përfundimin në vetëvrasje të të cilit e
di, ashtu si dhe ju, me siguri. Por kjo nuk mendoj se ka ndonjë rëndësi të rëndësishme
sa për të anuluar gjithë ç’ka u munduam të themi gjer tani. Pse nëmos biografia
e jetës së autorit, për kushtëzimin e plotë të së cilës mbi veprën mbetem
skeptik e kundërshtar, ama destini i jetës së personazhit mund të jetë vërtet
uni i vërtetë i tij. Një gjë është e sigurt, prej këtu, unjur para shkrimit pa
u ndihur fare prej nevojës faktike të verifikimit: macet e Hrabalit janë krejt
të vërteta dhe kanë jetuar pranë “më të epërmes liri të mundshme të kësaj bote
pa zot” – ironisë së madhe të letërsisë. (Një e tillë grafemë e vockël është
edhe fjala zot e Hrabalit, të cilën ky
na detyron ta shkruajmë me germë të vogël, siç ai e ka shkruar në origjinal, si
dhe ta sqarojmë në kllapa në gjuhët e tjera, përndryshe rrezikojmë
mosrespektimin e ortografisë.)
Ai, vdiq më aq e kaq, në moshën që i binte aq e kaq vjeç,
duke qenë se kishte lindur më aq e kaq. Duke e vërvitur veten, si çdo gjë e rënë
nga sipër e kërkon prehjen pingul përtokë. Iu dha vdekjes fiks me po atë
vullnet që rasti lyp, dhe e lëshoi në eter veten e vet. Pa arsye ose për aq e
kaq arsye! Por këto janë vetëm numra, shifra që, sado statistikë dhe ekonomi
fjalie, mbesin gjithsesi llogari prej llogaritari nën vërtetësi autentike të
gjendjes civile dhe biografike, sa për të rrëzuar e zvarritur osh prej ndonjë
oshënari burokracie përjetësinë e një shkrimtari. Aq më tepër si ai, që nuk i është
mirënjohës duhmës së saj mbytëse prej kalbësie, anipse bash pesha e kësaj e
shtyu drejt... përjetësie.
*Marrë me shkurtime nga eseja e
tij
Comments
Post a Comment