ÇAJUPI Andon Zako, babai i satires shqiptare
ÇAJUPI Andon Zako (1866-1930). Poet i shquar, veprimtar
patriot dhe demokrat revolucionar. Lindi në Sheper të Zagorisë. Në Nivan kreu
mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku
jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për
të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e
doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë
kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen
patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e
gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit
rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek
për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një
pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj dhe veglave
të tyre e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u
zgjodh kryetar i shoqërisë "Vëllazëria" me qendër në Kajro. Qe
frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i
dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të
Shqipërisë. Më 1920 themeloi "Shoqërinë e Miqve", e cila në vitin
1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga ana e A.Zogut.
Pothuaj në të
njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare Çajupi e nisi punën letrare. Më 1902
botoi librin"Baba Tomorri", një nga veprat më të shquara të letërsisë
së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake
patriotike, demokratizmi i hapur dhe fryma popullore në brendi dhe në formë
Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në
pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike
dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e
shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me
komedinë e njohur "Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr". Vjersha e gjatë
"Baba Tomorri", me të cilën hapet përmbledhja, është një grishje e
zjarrtë drejtuar bashkatdhetarëve që të zgjohen dhe të përpiqen për atdheun e
robëruar. Patriotizmi i flaktë shquan edhe një varg krijimesh të tjera poetike,
si Mëmëdheu, Ç'jemi? .... Ku kemi lerë?, Vaj etj. në të cilat duket brenga e
poetit tek shihte që lëvizja nuk kishte marrë ende vrullin që ai dëshironte. Në
një varg poezish kumboi me forcë thirrja për të rrëmbyer armët kundër robërisë
shekullore të huaj (Besa-besën, Shqipëtar, Atdheu dhe dashuria etj.). Dashuria
e flaktë për atdheun është shkrirë në poezitë e Çajupi me urrejtjen e
papërmbajtur ndaj armiqve të Shqipërisë, të cilët fshikullohen me forcë të
veçantë satirike, si në vjershat Sulltani, Punërat e Perëndisë, Greku dhe
shqiptari. Në një sërë vjershash poeti foli për plagët shoqërore të fshatit
shqiptar (Fshati im, Kurbeti, Fyelli i bariut etj.). i këndoi dashurisë si ndjenjë
njerëzore e natyrshme. Pikëpamjet demokratike të Çajupi gjetën shprehje në një
varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia shoqërore, ngrihet lart e me
dinjitet jeta e lirë (Misiri, Varfëria dhe liria). Rreth viteve 1903-1905
Çajupi përfundoi poemën Baba Musa Lakuriq, që mbeti dorëshkrim. Në këtë vepër
që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në
gjithë letërsinë demokratike, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë,
nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike
të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë
me klasa. Në këtë vepër u shfaq me forcë të veçantë demokratizmi revolucionar
dhe ateizmi e afetarizmi i autorit.
Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si
dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij Katërmbëdhjetë vjeç
dhëndër dhe Pas vdekjes (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli
një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë. Në
komedinë e parë, autori vuri në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe
zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e dha me ngjyra të gjalla e
plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. Pas vdekjes është një komedi
politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkroi me sarkazëm
dërrmuese portretin e politikanit që bënte lojën e xhonturqve në gjirin e
lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia Burri i
dheut (botuar më 1937),
Çajupi u mor edhe me
përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomorri, më
1921 nxori në dritë Përralla të zgjedhura të vjershëtarit të madh La Fontenit,
në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me
mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës,
satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si
grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje
me vjersha të poetëve indianë.
Shfrytëzuar nga ëëë.albanais.net
14 vjeç dhëndër
Nga Andon Zako Çajupi
Pamje e Katërt; Dit' e Dasmës
(Ndë odë të krushqet,
sofra plot me mish të pjekur m'
hell. Burra, gra,
çupa, djem, këndojnë a hedhin valle.
Çoku kërcet ndonjë
pushkë. Burrat e shtrojnë me dolli,
dhëndri rri më këmbë,
dhe dy a tri trima qerasin krushqit pas urdhërit "dollibashit". Këto
të gjitha bëhenë më darkë.)
I.
Gratë vetëm:
A të pëlqen nusia,
more djal' o lulia?
Ësht' e mir' e shoqe s'ka,
m'e mirë nga gjithë na.
Nusia si zogë deti,
sikur është bijë mbreti.
Gra e burra bashkë:
Ç'mirë ja bëm' krushkësë,
q'i muarm të bijënë,
atë më të mirënë,
Maro gjeraqinënë.
Burrat vetëm, në valle:
Moj unaza rreth me ar,
për grua do të të marr,
gjithë të kanë nakar.')
nakar le të kishninë,
sa të mos pëlcisninë.
Moj unaza rreth flori,
gjithë të kanë zili,
se do të të marr ndë gji.
Zili le të kishninë,
sa të mos pëlcisninë.
II
(Burrat rrinë përdhe të pinë me dolli.)
Nuni: Djalë, bjerë,
shtjerë verë
shtjerë, shtjert
në të tjerë.
Pini verë,
mor të mjerë,
se qederë
do tua nxjerrë.
Gjithë burrat:
Kush e pi këtë dolli?
Zoti nun me trimëri,
i gëzofshim më shtëpi!
Nuni te prifti: 0 prift, të kam gjetur!
Pa pirë ke mbetur,
të gjej me kupë me verë
të ëmbël si sheqerë.
Prifti Tek unë mir' se të vish.
Nuni. Këtë ta dish e ta pish
për shëndet të dhëndërit,
që rri më këmb' e dremit.
Gjithë tok
Shëndet të mirë të ketë,
të trashëgohet për jetë! (Kërcet
një pushkë).
Prifti. (Te nuni) Zoti, nun, mir' se më erdhe!
Po verën pse na e derdhe?
Nuni. (Te prifti)
Mir' se të gjeta, uratë,
të kesh jetënë të gjatë.
Kupën e piva me fund
dhe më tutje, mo e tund.
Prifti. S'e pi dot, jam prift njeri.
Nuni. Të di, uratë, të di. . .
Prifti. Kur e bën emërë vete
pikë në kupë mos mbete!
Ti që vure sot kurorë,
pagëzofsh edhe me dorë,
Gjithë tok:
Nuni që vuri kurorë
pagëzoftë edhe me dorë
urdhër, o nun se jam plak
të lutem, bëmë konak.
Nuni. Konak? Gjej Vangjel' e shkretë.
Prifti. Këtë kërkojë dhe vete'
Vangjel, e mira të gjetë.
Vangjeli Me një kupë ç'do të jetë?
Prifti. E di mirë kush martonet?
Djali të të trashëgonet.
Do ta pi pas urdhërit,
shëndet të dhëndërit!
Gjithë tok
Dhëndëri të trashëgonet,
të gëzonet e të shtonet!
Vangjeli. S'e pive të tër' uratë!
Prifti. Përmbys e ktheva, s'e patë?
Vangjeli. prift, mirë se urdhërove,
rrofsh e qofsh që më nderove!
Dhe dollibashi na rroftë,
dhëndëri ju trashëgoftë'
Gëzofsh dhe në dere tënde'.
Nuni. Dhe zoti të dhëntë mëntë!. ..
Vangjeli. Unë verën s'e kam pirë
që të mos kuvëndoj mirë.. .
Po dilni, paskam mënt pak,
të lutem bëmë konak.
Nuni. Ç'konak kërkon të më thuash?
Vangjeli. Dërgomë ku do të duash!
Nuni. Zotnë Brodanë të gjësh
dhe si të duash të bësh!
Vangjeli. 0 zoti Brodan, të gjeta!
Brodani. Mir' se erdhe, t'u ngjatë jeta'
Vangjeli. Këtë kupëzë, ta dish,
për dhëndërin plot ta pish.
Gjithë tok:
Dhëndëri shumë të rrojë,
jetë të mirë të shkojë!
Brodani. Zotrote që gjete mua,
më shtëpi ta paça hua!
Dhe dollibashi me nder,
u bëftë dhe vetë vjehrr
dhe rroftë sa shkëmb' i malit.
Nuni. Gëzofsh më dasmë të djalit!
Brodani. Ku do t'më dërgosh të pshtetem,
se do të pi e mos dejtem.
Nuni. Ecë pshtetu te Abazi,
s'ka pir' e ju tha gurmazi.
Brodani. Të gjeta, Abaz i mjerë!
Abazi. Kshtu të më gjesh kurdoherë!
Brodani. Këtë kupë do ta kthej
për shëndet të këtij bej.
(Rrëfen dhëndërin.)
Gjithë tok:
Me nuse të trashëgonet,
nga e liga të mërgonet!
Abazi. (Te nuni) Dollibash, të qofsha falë,
zoti të faltë një djalë'
Nuni. Rrofsh e qofsh!
Abazi. Kush më ka gjetur?
Nuni. S'e ndëgjove? Keshe fletur?
Të ka gjetur Brodan Duni.
Abazi. Më ke gjetur, thotë nuni,
të gjet' e mira përjetë,
të rrosh sa të duash vetë.
Gjithë tok:
S'mba mënt? U deje pa pirë?
Abazi. Dhe në mos kuvëndoj mirë,
un, i mjeri jam çoban;
sos jam, i ziu, në stan,
dhe sos jini dhën e dhi,
të di për cinë të pi.
Nuni. Ky është shëndet i parë,
për dhëndërin, mor i marrë.
Abazi. Sa malet, o nun, të rrosh!
Tani ku do t'më dërgosh';
Se dua të pi një verë.
Nuni. (Numëron) Një, dy, tri,. . . s'ka më të tjcrë.
Abazi. Numuroi dhëntë mirë.
Nuni. Le të kollet kush s'ka pirë...
Me mua, zoti Abaz.
Nuni. Të gjeça kurdo me gas.
Këtë kup do ta pi
për shëndet. të dhëndrit të ri.
Gjithë tok.
Shëndet të mirë të ketë
dhe të gëzojë përjetë!
I zot' i shtëpisë rroftë
dhe djali ju trashëgoftë!
(Soset dollia dhe prifti ngrihet e zë vallen me burra,
duke kënduar).
Prifti:
Do të them një këngë vetë,
këngë prifti të vërtetë,
rroftë vështi dhe dhëria,
rroftë vera dhe rakia,
q'i ka bërë përëndia.
Se dhe zoti Krisht një herë
mori uj' e bëri verë.
Moj verë, burim i gjakut,
gaz' i djalit e i plakut!
0 raki, moj bukuroshe,
që na hedh qoshe më qoshe!
Se ç'bën vera e rakia,
pin' e dejen trimëria,
sa vjen rotullë shtëpia!
Det i madh e det i gjerë,
pse s'të bëri zoti verë,
se do ta pinim pa blerë?
IV
(Është natë: krusliqit zën' e ikin duke uruar mëmën
e dhëndërit, zonjën Tanë, që është shumë e gëzuar.)
Nuni. Të të trashëgonen!
Brodani. Si bletë të shtonen!
Abazi. Me jetë t'u rrojnë!
Prifti. Dhe t'u pleqërojnë!
Tana. U paça, të rroni,
gjithë të gëzoni!
(Një nga një ikin të tërë dhe mbeten vetëm ndë odë
Tana me djalë e me nuse.)
Tana. (Tek i biri) Rri me nusen, djalë,
dhe foli dy fjalë,
të mos ketë frikë.
Dhëndëri (i thotë s'ëmës)
Ngreu mëm' e ikë.
(Tana ikën.)
(Dhëndri me nusen mbeten vetëm)
Dhëndëri. Lozëm ndonjë lodër?
Të dua si motër.
Nusja. Ç'motër më ke mua,
o lum' e përrua?
Ti më more grua.
Dhëndëri. Pse u zemërove
dhe u hidhërove?
Kur s'lot ndonjë lodër,
s'të dua si motër,
të dua si mëmë!
Po hajde të flemë,
se më mori gjumi.
Nusja. Fli të marrtë lumi!
Comments
Post a Comment