Alfred Mirashi-Miloti i kampit kulak dhe një histori që s’harrohet

Valeria Dedaj
Alfred Mirashi - Milot fituesi i “Medaljes së Artë për Pikturë” në Olimpiadën e Arteve të Bukura në Londër. Çfarë ka për të treguar artisti që emrin e vendlindjes e mban në shpinë? Fëmijëria në qytezën socialiste, etiketimi “djalë kulaku” dhe përpjekja për t’u shkolluar në Akademinë e Brerës
“Qoshja mesdhetare” u vlerësua me “Medaljen e Artë për Pikturë” në Olimpiadën e Arteve të Bukura në Londër. Autori i saj është Alfred Mirashi, me emrin e artit Milot, që jeton dhe krijon në Itali. Iku 18-vjeçar nga Miloti. Na tregon në këtë bisedë se ai e ruan në kujtesë qytezën socialiste të viteve të fëmijërisë, shkollën, por dhe të dielat. Nuk ka si të harrojë zërat që e thërrisnin bir kulaku, dhe për këtë shkak të diferencohej nga të tjerët. Jo se sot nuk ekzistojnë forma të tjera diferencimi, për shembull: indiferenca apo veshi shurdh ndaj atyre të rinjve që përpiqen të çajnë pa ndihmën e askujt. “Vendi ynë për artin modern nuk ndjek një sistem. Imagjinoj se çfarë bëhet në Tiranë. Hap faqen e Muzeut Kombëtar të Shqipërisë, shikon se para disa vitesh ka qenë drejtor i ati, sot i biri, ndërsa vëllai prezantohet me ekspozitë. Këto janë forma që nuk i japin kurajë artit në demokraci.”
Miloti lëvron pikturën, skulpturën, instilacionin. Në shenjat figurative dhe të ngjyrës gjen gjithmonë diçka nga Shqipëria. Në këto vite ka ekspozuar në Milano, Firence, Berlin, Katania, Brindizi, Nju Jork, Venecia. 
Urime Alfred për çmimin! Si ka lindur vepra fituese “Qoshja mesdhetare”?
“Angolo Mediterraneo” ky është titulli që unë përdor në veprat e mia pothuajse më shumë se 15 vjet. Ne jetojmë në një vend fantastik, plot histori dhe kulturë, ku kanë lindur personalitete në çdo lloj fushe, ku bota na ka zili për këtë harmoni të plotë, prandaj mendova që të prezantoj diçka mesdhetare në formën time personale dhe kontemporane. 
Përveç emrit të qytezës Milot, çfarë i ke dhënë tjetër nga vendlindja identitetit tënd artistik? 
Milot është emri im i artit. Ishte si një sfidë kur hyra student në Brera. Ato vite për ne shqiptarët ishin të vështira. Mass-media italiane na bombardonte me lajme negative. Prandaj vendosa t’i bashkoj emrit tim edhe emrin Milot. Ndihem krenar që e përdor këtë emër si artisti shqiptar që vjen nga Miloti. 
Më pëlqen shumë arti bizantin, por më shumë më pëlqejnë ngjyrat e pafundme që janë përdorur në traditën tonë folkloristike, në veshjet tona të çdo lloj krahine. 
Atëherë te “Qoshja mesdhetare” ke krijuar një çelës nga harmonia e ngjyrave?
Siç e keni parë dhe ju në veprat e mia spikat harmonia e ngjyrave dhe “çelësi” i përdorur simbolikisht si hapës i një rruge, apo i një porte jo më në kuptimin historik si mbyllës, ndoshta është kjo e veçanta e artit tim. Shoqëria e sotme nuk duhet të përdorë më çelësat për t’u mbyllur, por të ballafaqohet me shoqëri të tjera duke komunikuar pa paragjykime. 
Me çfarë teknike punon kryesisht?
Kam kryer Liceun në Durrës për skulpturë dhe në Milano jam diplomuar në pikturë, kështu që duke i zotëruar të dyja këto teknika, më pëlqen të eksperimentoj, megjithëse nga ana komerciale, është piktura ajo që funksionon më mirë. Si në çdo profesion, me kalimin e viteve fiton një lloj sigurie në punë. Asnjë s’ka lindur me përvojë artistike, por dalëngadalë duke besuar te diçka personale në pikturë, ajo të shtyn që të kërkosh dita-ditës. Gjëja më e bukur është që jetoj në Firence dhe kam një studio timen ku pikturoj përditë. Ambienti në qytet është fantastik, muze pa fund, galeri arti, librari. Këto janë ushqim për krijimin artistik.
Përmende artin bizantin si më pranë shijeve të tua, por çfarë epoke e artit ka influencuar tek ti?
Nëntëqinda është periudha e eksperimenteve të shumta. Habitesh se çfarë lloj demokracie ka pasur arti në këtë kohë. Mendoj që artisti i sotëm kur shikon këtë periudhë i lind pyetja: A mundem të krijoj diçka personale. Për mua artisti më i arrirë dhe kompleks, qoftë me veprën, qoftë me mendimin e tij teorik, është artisti gjerman Joseph Beuys. Emrin e tij ua këshilloj edhe studenteve të artit në Shqipëri. Me fjalë të shkurtra ai sugjeron të mendosh seriozisht për forcat e tua dhe të besosh se edhe ti je “artist”.
Kthehemi pak prapa në kohë. Si ka qenë fëmijëria jote?
Kam lindur në Milot, qyteza ime e vogël. Kam patur një fëmijëri të qetë, sepse me bashkëqytetarët e mi kishim raport të mrekullueshëm, pavarësisht se ishte një periudhë shumë e vështirë ekonomike. Unë nuk i harroj ato që ka vuajtur familja ime, sakrificat që kanë bërë prindërit e mi për të më rritur e shkolluar. E konsideroj veten me fat që linda në atë qytet paqësor ku vinin njerëz nga e gjithë Shqipëria, sidomos nga zonat veriore. Miloti ishte një mrekulli të dielën që ishte ditë pazari. Shihja me kureshtje malësorët, mirditorë, zadrimorë dhe më habiste gërshetimi i ngjyrave, fantazia me të cilën ishin qëndisur veshjet e tyre të pastra, me format e thjeshta dhe shumë dekorative. Më tërhiqte komunikimi midis tyre. Mamaja ime qëndiste bukur, prandaj e shikoja me kureshtje tek bënte punët e saj plot fantazi duke përdorur kombinime ngjyrash me një harmoni fantastike. Babai im, megjithëse punonte në Laç, kur kthehej pasdite nga puna, punonte deri në darkë vonë duke lyer shtëpitë e qytetarëve. E shikoja se çfarë sakrificash bënin prindërit tanë për të na rritur. Ishim 5 fëmijë. Unë jam i madhi dhe rrobat e reja gjithmonë i blinin për mua, e pastaj kalonin për vëllezërit e tjerë. 
Çfarë kujton nga vitet e shkollës? 
Besoj se, si tek çdo person, vitet e para të shkollimit mbesin në kujtesë për atë ndërthurje të pafajësisë me ëndrrat fëminore. Me keqardhje them se veç mbresave të bukura, kujtoj që dikur nuk e kisha të drejtën e shkollës, sepse familja ime ishte familje kulakësh. Kjo etiketë absurde, sot duket diçka e rrallë. Në Liceun Artistik “Mujo Ulqinaku” në Durrës gjithmonë i druheshim faktit se rridhnim nga një familje kulakësh. Imagjino se sa keq ndihesh kur nuk mund ta shikosh të ardhmen, kur nuk kisha të drejtë të bëja universitetin. Por nga kjo anë më mirë, sepse pata fatin të vij në Itali më 1991 e të studioj në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës.


Si shkuat në Itali?
Erdha në Itali me eksodin tjetër të madh të shqiptarëve më 1991. Pas shumë vështirësive ekonomike, fillova studimet në Akademinë e Brerës, në Milano. Në vitin e katërt fitova një bursë studimi në Angli dhe më pas udhëtova për në Nju Jork ku qëndrova një periudhë. E sërish në Itali. Tani jetoj në Firence. Në Shqipëri vij pothuajse çdo vit për familjen dhe shokët e mi.
Pra në Shqipëri, nuk mund të ecnit vetëm pse ishit djalë kulaku?
Kur jam larguar nga Shqipëria ishte akoma periudha kur njerëzit i ndanin në kategori: kulakë, njerëz që nuk mbështesnin regjimin komunist apo komunistë. Nuk mund të shprehem se çfarë do të më kishte ofruar Shqipëria, por mua më pëlqen të mendoj që talenti vlerësohet në çdo vend të botës. As në Itali nuk ka qenë e lehtë dhe nuk është kurrë e lehtë.  Këtu kam gjetur një ambient krejt të ndryshëm nga ai shqiptar, por me shumë sakrificë, vullnet e këmbëngulje kam arritur në këtë pikë ku ndodhem. 
Në Londër fitova “Medalje të artë në pikturë” dhe turp të ketë Ministria e Kulturës s’më ka dërguar asnjë lloj falënderimi. Diçka që nuk kuptohet, sepse kanë qenë të ftuar në Olimpiadë. Atje unë jam prezantuar si shqiptar me ermin e artit Milot. Nuk kam kërkuar ndihmë asnjëherë nga institucionet shqiptare dhe këtë herë nuk prisja asgjë më shumë sesa një fjalë inkurajuese.
Meqë vini çdo vit në Shqipëri, e keni një opinion për ecurinë e vendit.
Për ku ishim dhe ku jemi, vendi ka ndryshuar, por ndërtimet e shumta dhe pa arkitekturë më duken banale e të frikshme, sepse janë bërë gjërat si në anarki. Habitem: shtëpi kudo dhe pyes: po sa milionë shqiptarë ka në botë? 
Sot në Shqipëri nuk ka akoma një stabilitet kulturor. Çdo gjë është e lidhur me politikën ekonomike. Kjo është në nivele shumë të larta burokracia e cila mbylli hapësirat për lindjen e talenteve. Një shtet kur nuk mendon për kulturën, domethënë se njerëzit e artit nuk respektohen. Njeriu jeton një herë, duhet përveç që të jemi pozitiv vetë, ambienti duhet të ndihmojë artin e kulturën. Në çdo vend të botës sot ka krizë, por vendi ynë për artin modern nuk ndjek një sistem. Imagjinoj se çfarë bëhet në Tiranë. Hap faqen e Muzeut Kombëtar të Shqipërisë, shikoj se para disa vitesh ka qenë drejtor i ati, sot i biri, ndërsa vëllai prezantohet me ekspozitë. Këto janë forma që nuk i japin kurajë artit në demokraci. Ka 20 vite që Ministria e Kulturës, duke e ditur se nëpër botë ka artistë të shkëlqyer shqiptarë, asnjëherë i ka ftuar për të bërë ekspozuar me dinjitet bashkë. Për këtë nuk besoj që s’kanë të ardhura, por mungon vullneti i organizimit. Me këto fjalë iku ekspozita ime në Tiranë, që ma kishin premtuar (qesh).
Me Londrën çfarë të lidh? Çfarë mundësish të jep Çmimi i Artë?
Në Londër kam studiuar fotografinë. Ekspozita e fundit dhe “Medalja e Artë në Pikturë” u bënë shkas që të jem i ftuar në disa ekspozita gjatë këtij viti. Në shtator marr pjesë në Bienalen e Torinos, pastaj në Katania për një ekspozitë e organizuar nga Francesco Gallo që i bën homazh Klimtit, ku do të ekspozoj bashkë me poetin nga Durrësi Ilir Paja. Dhe në tetor në Pekin në Muzeun e Artit Modern.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk