Baton Haxhiu_Kolegë, e vramë profesionin
Bisedoja me Remzi Lanin për lajmin dhe demantin në mëngjesin
e të shtunës. U botua një demant për sekuestrimin e ndodhur pa u botuar lajmi
fare. Pyetja ishte e thjeshtë, si mund të mungojë një kod moral në profesion
(150 televizione ka Shqipëria, mbi 60 gazeta e revista dhe afër 250 radio) dhe
e gjithë kasta jonë e gazetarëve të dobësohet përpara ekspozimit të
papërmbajtur të fuqisë së biznesit. Nuk është fjala as për një hulumtim
gazetarie (sepse kjo rrallë ndodh në Shqipëri) as një rrezik që e plandos
sekretin e shtetit. Ishte fjala për një lajm: “Banka Credins” dhe “Taci Oil”
kishin një aferë të hapur që tashmë ishte publike.
Brenda një dite të gjitha gazetat dhe televizionet, përveç
Mero Bazes individualisht, arritën të vrasin profesionin e gazetarisë në
Shqipëri. Edhe gazeta “Shqiptarja” dhe TV “Top Chanel”, e shfaqën lajmin dhe
pastaj e zhdukën të nesërmen sikur të mos kishte ndodhur. Afera e sekuestrimit,
për nga përmasa në një shtet çfarë është Shqipëria, është e ngjajshme me ato që
ka tash Greqia, dhe dikur Amerika në vitin 2008.
Kjo mënyrë e komunikimit me opinionin publik është sikur të
bësh prerjen e degës ku qëndron. Atë që Michael Ignatieff, një shkrimtar dhe
gazetar i njohur kanadez, e quan humbje të etikës profesionale në emër të
njeriut të pushtetit. Shpjegimi më i mirë për politikën mediale mund të
përmblidhet me një fjali të vetme: Ishte e vështirë për njerëzit (shefat e
lajmeve) të kuptojnë se ajo që ishte arritur aq shumë dhe aq shpejt në Shqipëri,
të dinin se ku po e çojnë gazetarinë dhe lajmin. Gazetaria ka qenë aq mirë dhe
aq e fuqishme para vitit 2005 sa është dashur të jesh shumë i pacipë ta dëmtosh
dhe ta shkatërrosh në këtë derexhe.
Rasti i “Taci Oil” nxori në pah gjithçka të fëlliqur të racës
së gazetarisë dhe vë në pikëpyetje profesionin tonë në të ardhmen. Vë në
pikëpyetje etikën, profesionin, të vërtetën dhe lajmin. Shtrohet pyetja se kë
duhet të kritikojmë, dhe a kemi të drejtë tash e tutje ta kritikojmë dikë në të
ardhmen dhe në të njëjtën kohë të na besohet profesioni i gazetarit.
Fakt është, krejt kjo gjoja gazetari do të qëndronte e
pavërejtur dhe nuk do të ishte fare shqetësuese sikur kjo sëmundje të mos
shpërndahej si virus në tërë spektrin medial të Shqipërisë. Kriteret e bëra dhe
të vendosura nga shefat e mediumeve, po bëhen lajtmotiv profesional. Po bëhen
apo thënë edhe më realisht dhe fatkeqësisht, janë bërë udhërrëfues profesional
dhe kriter i bërjes së gazetarisë!
Secili lexues dhe shikues i zakonshëm mund të drejtojë gishin
nga ne dhe të pyes hapur: Kush janë njerëzit që po varrosin idenë e gazetarisë,
lirisë së shtypit, fjalës së lirë në Shqipëri?
Përgjigjja është e lehtë: Janë ata që kanë parë shumicën e
mediumeve më të mira në botë. Kanë shijuar gazetarinë në BBC, në “Boston Globe”,
në “Deutsche Welle”, CNN e ku jo tjetër. Kanë ndërtuar medium dhe lajme. Kanë
përjetuar transformimin medial nga primitivja në të kultivuarën. Por në fund po
tregojne se mediumet dhe puna e gazetarisë në Shqipëri po merr një kthesë të
rrezikshme. Kjo gazetari po fillon ta humbë, nëse nuk e ka humbur fare,
identitetin e saj të krijuar.
Rasti i fundit i “Taci Oil” na nxori edhe një të veçantë dhe
njëkohësisht një gjë të tmerrshme: Pa u botuar lajmi për sekuestrimin nga
askush, nga asnjë medium, të nesërmen jepet demanti në media i një njeriu të
fuqishëm të një kompanie që askush nuk di ta zbërthejë dështimin.
Rasti Taci shënoi thyerje drastike të profesionit të
gazetarisë që mund të quhet i pakthyeshëm për të ardhmen. Ky është modeli i së
keqes së profesionit të gazetarisë dhe modeli i shënimit të turpit profesional.
Model se si mund të shitet profesioni pa asnjë rezistencë profesionale.
Editorët e lajmeve të gazetave dhe televizioneve ate ditë e
kanë përfunduar profesionin e gazetarisë. Ata mund të jenë pjesë e ndonjë
projekti medial në të ardhmen, por punën me gazetarinë e kanë të huqur. Ata
kanë mashtruar të kaluarën profesionale. Kanë shkelur dinjitetin profesional
duke ua vënë në dispozicion faqet e gazetës dhe ekranet mass-mediatike dy- tre
politikanëve. Ose edhe më keq, të përdoren brutalisht nga ta duke i ofruar
opinionit publik vetëm imazhe dhe regji politike, duke harruar të ofrojnë atë
që është dhe misioni i gazetarisë: të vërtetën objektive.
Njeriu i profesionit mund të pranojë që të jetë pjesë e një
qëndrimi. Mund të bëjë edhe “shkelje“ profesionale duke marrë anë sepse
konsideron se është në të mirë të së vërtetës dhe opinionit publik, por ta
shesë veten deri aty ku nuk merr pjesë në ndërtimin e rrëfimit të gazetarisë
dhe pranon të jetë pjesë e heshtjes respektivisht heshtjes si genjeshtër,
përbën një rast sui generis në gazetari të një shteti, të një shoqërie para së
gjithash.
E gjithë ajo që ndodhi me “Taci Oil” nuk është asgjë tjetër
pos një ngjarje pa media.
Një javë e më shumë, sa po zgjat heshtja per rastin Taci në
Shqipëri, ka qenë e kontrolluar dhe e stisur në atë që në gjuhën e ballkanit
quhet tradhti ndaj profesionit, kurse në gjuhën profesionale quhet mashtrim
ndaj opinionit publik.
Ky shkrim u dedikohet kolegëve. Kurse lexuesit duhet një
shpjegim të veçantë se çka në të vërtetë po ndodh me mediumet dhe me
televizionet në veçanti.
Mediumet gjatë kësaj kohe nuk kanë më as shef lajmesh, as
shef mediumesh sepse edhe kryeredaktorë edhe redaktorë edhe reporterë është një
njëri - Rrezart Thaçi.
Gjithçka po heshtet sipas shijes së këtij njeriu, pa kaluar
fare në filtrin e domosdoshëm të medias. Në këto ditë ai është politika dhe
media vetë.
Dikur këto mediume e bënin jetën publike transparente,
debatuese, sa më objektive, jo të njëjtë me njëra-tjetrën, por konkurruese deri
në betejë të ashpër profesionale. Kjo betejë, padyshim, ka qenë ndër më të
kushtueshmet dhe më debatueset e bëra ndonjëherë në Shqipëri dhe ka bërë që të
gjitha mediat të ofrojnë skema dhe projekte për të kapur sa më shumë hapësirë
mediale dhe ndikim tek opinioni publik. Mediat në Shqipëri u paraqitën si
fenomen ballkanik i prezencës vizuale dhe koloritit profesional.
Por vetëm tash ato treguan se zhvillimi i tyre profesional ka
qenë huqje e madhe. Ka qenë një falsifikim. Ka qenë një ide e pambaruar. Ka
qenë një ide pa vazhdimësi dhe pa aktorë që e vlerësojnë profesionin si një
pasion të shenjtë. Tash mund të flasim vetëm per heshtjen dhe vdekjen e
gazetarisë. Aty, gazetari është portier, është kamera-mbajtës dhe dëgjues apo shikues
i zakonshëm. Aty, fjala medium (ndërmjetës) ndërmjet ngjarjes dhe shikuesit më
s’ka kuptim. Sepse gazetari është njëri prej lexuesve dhe shikuesve të gjithë
asaj që ofron stafi i regjisorëve të dy partive politike më të mëdha.
Ajo që nuk vërehet në gazetarinë tonë është mungesa e
gazetarisë me qëndrim, diçka që quhet gazetari e padenjë dhe protokolare duke e
shndërruar këtë profesion në bunkerizim të "të vërtetave"
protokolare. Ky është një koncept dhe një realitet shumë i prapambetur, i mosemancipimit
të këtij profesioni. Dhe fyerje për popullin. Kisha menduar se ne si shoqëri do
të mbrohemi nga presionet e titullarëve të niveleve të ndryshme. Kam menduar se
do të largohemi nga kronikat e qilimave të kuq dhe protokoleve që s’thonë
asgjë. Por jo. Tashmë është më se e qartë që ne nuk dallojmë nga shumë mediume
të botës së kontrolluar. Ne po tregohemi të paaftë të luftojmë për lirinë e
fjalës dhe idenë e gazetarisë me qëndrim.
Mediumet tash po ofrojnë vetëm dy liderët e partive politike.
Ata ofrojnë gjithçka që duan, pa i pyetur askush se çka thonë dhe çka
premtojnë. Ata prodhojnë dhe shpërndajnë imazh, që mund të quhet gënjeshtër,
mund të quhet mashtrim. Por jo, nuk është as gënjeshtër as mashtrim, sepse as
këtë nuk ka më kush ta vërtetojë apo më keq akoma ta thotë. “Taci Oil” dhe ata
dy liderët që heshtën për krimin e kësaj decenje në Shqipëri e fituan betejën
pa kurrfarë rezistence me profesionin e gazetarisë. E fituan betejën me lajmin,
me opinionin publik dhe të gjithë ne si gazetarë u poshtëruam. Është njëlloj
sikur të jetonim në Korenë e Veriut…
Comments
Post a Comment