Victor Hygo, republikani dhe dashnori i madh
Në fillim ishte Të mjerët, (Les Misérables), pastaj Shën
Mëria e Parisit, (Notre Dame de Paris), më vonë ne lexuam Viti ‘93 dhe Njeriu
që qesh, e kështu me radhë. Në botën tonë të adoleshencës, personazhet e
shkrimtarit Viktor Hygo, (Victor Hugo), shtoheshin pareshtur dhe ngjizeshin në
imagjinatën tonë për të mbetur të pashlyera. Mbaj mend gjithnjë kur në kinemanë
verore “17 nëntori”, shikonim filmin Të mjerët dhe zbulonim portretet e Zhan
Valzhanit, Kozetës, Fantinës, Mariusit, imazhet e Revolucionit francez dhe të
kopshteve të Luksemburgut, katakombet e Parisit dhe më pas, Kuazimodon dhe
Esmeraldën në sheshin e “Notre Dame de Paris”. Nga dritarja e shtëpisë ngjitur
kinemasë, për ditë me rradhë, në orët e vona të mbrëmjes, vazhdoja të dëgjoja
të njëjtat dialogje të atij filmi dhe unë imagjinoja të njëjtat skena që kisha
parë disa ditë më parë, edhe pse dialogjet nuk i kuptoja. Këmbanat e katedrales
mitike vazhdonin të ushtonin…
Kur erdha në Paris, pas godinës së ambasadës, zgjatej
avenyja “Victor Hugo” dhe në hyrjen e një ndërtese, një pllakë e vendosur
tregonte se pikërisht atje kishte jetuar Viktor Hygo. Aty dhe kishte vdekur.
Madje dhe ambasadori i mëparshëm shqiptar, Misto Treska, i cili kishte punuar
dy hapa larg asaj banese dhe e kishte shqipëruar atë shkrimtar, duke filluar me
kryeveprën e tij, Të mjerët. Ai ecte kështu në gjurmët e Sami Frashëri,
përkthyesit e parë të Hygosë. Kështu niste për mua ky itinerar i jetës së
Hygoit, i cili do të më çonte në disa nga vendet mitike të këtij shkrimtari të
madh, në shtëpitë ku ai kishte jetuar, në Place Royale apo Place de Vosges, (ku
sot është dhe Shtëpia Muze), apo në rrugët ku ai kishte përjetuar revolucionet
dhe dashuritë e tij të panumërta: Rue Vaugirard, Rue Clichy, Rue de Paradis,
Rue de Dragon e gjer nën kupolën e Panteonit. Gjurmët e tij ishin ngado në
Paris, pasi jeta e tij, që nga lindja në Rue Feuillantines e gjer në vdekje,
kishte kapur pothuaj ngjarjet më të mëdha të atij shekulli. Një shekull
tronditës brenda një njeriu.
Të shumtë janë ata që njohin veprën e tij, të paktë janë ata
që njohin itinerarin e jetës së tij. Cili ishte ky njeri dhe ç’shpirt kishte
ai? Çfarë i dha ai Francës dhe botës? Cili është mesazhi i tij për kohën tonë
dhe shekujt që vijnë?
I ati i Viktor Hygosë kishte qenë një gjeneral i Bonapartit
dhe deri në rininë e tij, Hygo ishte një monarkist. Ai kishte një adhurim për
Napoleonin, i cili padyshim hodhi bazat e shtetit modern francez. Një ditë para
se të vinte hiri i Napoleonit nga ishulli i Shën Helenës në Francë, ai shkroi
poezinë Kthimi i Perandorit. Të nesërmen, në 15 dhjetor 1840, Parisi pothuaj
ishte boshatisur. Perandori e kishte lënë me testament që trupin e tij ta varrosnin
buzë Senës. Dhe në atë ditë të ftohtë, atë e sollën drejt kishës në Hotelin e
Invalidëve. “Topi qëllon njëherësh në tre drejtime të ndryshme të horizontit, –
shkruante Hygo për atë ditë historike, – Karroja që tërheq arkivolin e tij më
së fundi shfaqet. Dielli, i cili deri atëherë ishte fshehur, tashmë u shfaq
edhe ai. Nga larg, në sfondin gri dhe të kuq të pemëve të Champs Elysées,
përmes statujave të mëdha e të bardha që u ngjajnë fantomave, pikaset lëvizja e
ngadaltë e një mali të florinjtë. Janë shkëlqime të shndritshme që duken mbi
gjithë sipërfaqen e karros, herë si yje e herë si vetëtima. Një zhaurimë e
mbështjell gjithë këtë spektakël. Dukej sikur ajo karro tërhiqte pas vetes
brohoritjen e një qyteti…”
Gjashtëmbëdhjetë kuaj tërhiqnin atë arkivol, të kryesuar nga
një kalë i vetmuar e i bardhë, që ishte si vetë kali i betejës së Napoleonit.
Strategun e madh e të lavdishëm të Francës, po e çonin drejt banesës së tij të
fundit.
Poema e tij Kthimi i Perandorit, pati një sukses të
jashtëzakonshëm dhe njerëzit e kërkonin ngado nëpër librari. Jo shumë vonë pas
kësaj ngjarje, pena e Hygosë do të bëhej e njohur. Ai botoi fillimisht poezi,
novela e romane, pjesë teatrale, si Hernani, që u kthye në një ngjarje
tronditëse për teatrin francez, e po kështu Këngët e muzgut, Dita e fundit e
një të dënuari,Marion Delorme etj. A nuk kishte thënë ai që adoleshent se do të
bëhej një shkrimtar i madh? “Ose do të bëhem si Shatobriani, ose hiç? –
shkruante ai në ditarin e tij. Më vonë Hygo do të shpallej anëtar i “Chambre de
Pairs”, ku ishin fisnikët e mëdhenj dhe autoriteti moral i monarkisë, edhe pse
ai vetë atë kohë po bëhej tashmë republikan. Por ngjarja më e madhe për të
ishte kur do të pranohej në Akademinë Franceze, në Quai Conti, edhe pse katër
herë me radhë ai kishte tentuar, por nuk kishte mundur dot të hynte në të.
Historianë të vegjël dhe shkrimtarë që s’do t’u dëgjohej më emri, zinin vendin
e tij. Por kur ai u pranua, Shatobriani (Chateaubriand), i shkroi: “Ju nuk i
detyroheni askujt për këtë nder. Është vetë talenti juaj dhe jeni ju vetë, ai
që e keni vendosur kurorën mbi kokën tuaj”. Në fjalën e tij në Akademi, ku
kishin ardhur ta dëgjonin princat e Orleanëve, zonja Thiers dhe ajka e Parisit,
veç Adelës dhe diku më tutje të dashurës së tij Zhylietë, (Juliette Drouet),
Hygo do të pikaste dhe kolegun e tij të madh, Honoré de Balzac.
Pikërisht në këto vite Hygo do të përjetonte dhe ngjarjet e
Revolucionit grek. Bëmat e suljotëve trima si Marko Boçari, Xhavella, Kanaris
etj., e frymëzuan për poemat e tij të botuara në vëllimin poetik Orientales:
Beteja vendin kish pushtuar dhe zërat thërrisnin:
Mbrohu nga kjo hordhi e poshtër!
O hije e Boçarit! Grekërit e tu janë të pafat!…
Zhylieta
Në jetën e Hygosë, letërsia, politika dhe dashuria
ngërthejnë thelbin e ekzistencës dhe të vlerës së tij. Dhe dashuria nuk zë vend
të pakët, se në rrugët e Parisit, Hygoja ka bredhur si një nga dashnorët më të
mëdhenj të atij shekulli. Dashuria e Hygosë për Zhyliet Drue, ishte një nga
himnet më të bukura të dashurisë, e kthyer tashmë në një legjendë. Një lidhje
50 vjeçare, plot ekstazë, ngjarje, drama, dëshpërime e mërgime dhe më së fundi
një jetë të përbashkët, atëherë kur gruaja e shkrimtarit, Adele Faucher,
(Hygo), nuk ishte më. Madje vitet e fundit, Adela e kishte pranuar atë si
pjesëtare të familjes dhe e kishte marrë pranë tyre. Ajo ishte e pranishme
ngado. Dashuria kishte fituar mbi xhelozinë dhe mërinë e hershme.
Zhylieta kishte qenë aktore dhe luante në teatrot pariziane,
në Odeon apo në teatrin e “Porte de Saint-Martin”, kur ajo ishte njohur me
Hygonë. Kjo kishte ndodhur gjatë leximit të një pjese teatrale, Lucrecia
Borgia, e cila do të vihej në skenë. Me 16 shkurt të vitit 1833, ai ngjiti
shkallët e dhomës së saj dhe e mbuloi me të puthura. “Të dashurosh është më
shumë sesa të jetosh”, - shkruante ai.
Si të gjitha gratë e dashuruara, edhe ajo mendonte se ai do
ta linte Adelën dhe do të martohej me të, por kjo s’do të ndodhte. Jeta
tragjike e fëmijëve të tij do ta mbante Hygonë të lidhur gjithnjë pranë
familjes, edhe pse ai si natyrë ishte një i dashnor i madh. Kur shkroi dramën
mjaft të njohur Hernani, Hygo kërkoi që roli kryesor t’i jepej Zhyljetës dhe se
në të kundërtën ai do e tërhiqte pjesën, por gazetat do ta kritikonin rolin e
saj në skenë. Ajo që e largoi atë nga ai rol ishte në fakt vetë Adela, e cila
nga xhelozia, i shkroi drejtorit të teatrit që mos ta pranonte më interpretimin
e Zhyljetës. Dhe ashtu ndodhi. E fyer dhe e thyer si aktore, Zhylieta do të
tërhiqej nga bota e teatrit për t’iu kushtuar më pas njeriut pas të cilit ishte
dashuruar: “Kam zinë e një roli të bukur që tashmë më ka vdekur përgjithmonë…”
– i shkruante ajo Viktorit. Por dhe Viktori do të vuante nga dashuria e gruas
së tij, Adelë, me shokun e tij më të ngushtë, kritikun e njohur, Saint-Beuve.
Një miqësi u prish, ndërkohë që Adela do të vazhdonte bredhjet e saj të fshehta
dhe dashuritë me Beuve, herë në karroca, hotele apo kthina të fshehta të
Parisit. Sidoqoftë, në një mënyrë të heshtur ata e lanë të lirë njëri-tjetrin.
Letërkëmbimi i Hygosë me Zhylietën është një nga
letërkëmbimet më poetike që ekzistojnë në historitë e dashurive njerëzore.
Vetëm ajo i ka dërguar rreth njëzet mijë letra, deri në ditën kur do të vdiste.
Shpesh e quante “I gjalli më sublim i kësaj toke që kurrë nuk kam parë
ndonjëherë”, ndërsa ai e thërriste: “Engjëlli im i mjerë e i panjohur”. Dymijë
letra të botuara kohët e fundit, ku përgjërohet pasioni dhe mendimi, ku flitet
për ëndrrat dhe ëmbëlsinë e jetës, për vdekjen dhe ringjalljen, për tradhtinë
dhe besnikërinë e përjetshme dhe ku ajo i shkruante për “ballin e tij qiellor”,
(“le front celeste”)… “Të dua si një grua e devotshme, e gatshme të japë jetën
me shenjën më të vogël”… Hygo e thërriste shkurtimisht “Zhuzhu”, ndërsa ajo
“Toto”. Ajo ëndërronte të kishte një fëmijë me të. Atje, në “Rrugën e
Parajsës”, krevati i Zhylietës ishte në një sfond të kuq dhe ngjyrë ari.
Gjithçka ishte romancë, poezi, erotikë. “Qielli për ne është këtu, në këtë
dhomë, në këtë shtrat”…Në netët e vona, nën hijen e një qiriu, atje në Place
Royale, ku Viktori shkruante romanet dhe poemat e tij, ai nuk harronte të
shkruante dhe letrat e dashurisë:“Zhylietë…do të punoj për të dy! Pasioni për
ty më djeg të gjithin. Dua të më duash! Dua të jesh e bukur! Dua që të jesh e
lumtur…Po, ti do të jesh!”[1]…Kështu, Zhylieta përjetonte çdo hap të Hygosë,
çdo shkrim të tij, çdo roman që ai botonte. Madje jo rrallë ajo e ndihmonte në
mbledhjen e të dhënave historike që atij i duheshin për një roman të caktuar.
Ajo ishte e dashura e tij dhe bashkëpunëtore njëkohësisht.
Në mbrojtje të Republikës
Shtëpitë e Hygosë në Place des Vosges” dhe “Place Royale”
janë dy nga vendet ku jeta e Hygosë përjetoi ngjarje të mëdha historike që
kalonte jo vetëm Franca, por e gjithë Europa. Së pari, revolucionin e vitit
1830 e më pas disa revolucione e revolta të mëdha. Gjatë gjithë jetës së tij,
Viktor Hygo përjetoi ngjarje të stuhishme historike. Kur në qershor të vitit
1848, revolucioni shpërtheu përsëri, tashmë Franca ishte Republikë dhe ai ishte
i zgjedhur deputet. Ndërkohë që ishte në Parlament, miqtë e tij erdhën dhe i
thanë:
- Sheshi Royale është djegur!
- Po familja ime?
- Ajo është në siguri.
Hygo i drejtohej Lamartinit:
- Ç’po ndodh kështu?
- E ka marrë lumi! – ia ktheu ai.
- Ç’do të thotë kjo?
- Për një çerek ore Asambleja do të pushtohet.
- Po trupat tanë?
- Gjithçka ka mbaruar!
Një gjeneral iu afrua dhe shtoi:
- Sapo më njoftuan. Familja juaj është në siguri, por
shtëpia është djegur.
Ndërkohë, në shtëpinë e Hygosë, njerëzit që nuk e dinin se
kush ishte Viktor Hygo dhe që bërtisnin se ai ishte një reaksionar, kërkonin ta
digjnin, por dikush i kishte ndaluar sapo kishin hyrë drejt sallonit të
shtëpisë, duke u kërkuar të mos preknin asgjë. Ishte “një revoltë e popullit
kundër vetvetes”, do të shkruante më pas Hygoi, i cili ishte për mbrojtjen e
Republikës së vendosur tashmë dhe jo për një tjetër aventurë republikane. Në
fakt, Hygo kishte qenë pro revolucionit të vitit 1830, po kështu dhe pro
revolucionit të shkurtit të vitit 1848, por tashmë, ai ishte kundër një
gjakderdhjeje të re, përderisa populli kishte fituar të drejtën e votës. Për të
vendosur qetësinë, qeveria “Constituante” kishte caktuar 60 komisarë. Një nga
ata ishte dhe Hygo. Më 24 qershor, i paarmatosur, ai shkoi drejt barrikadave,
duke iu drejtuar kryengritësve:
“Mjaft fëmijët e mi. Kjo luftë është vrasëse!”
Por njëri nga ata qëlloi drejt këmbëve të tij. Donte ta
ndalonte.
- Do të vritesh! – i tha dikush që e njohu.
- Unë pikërisht për këtë kam ardhur! – ishte përgjigjur
Hygo.
Trimëria e tij kishte bërë efekt dhe njerëzit e armatosur
ishin larguar.
Një ditë më vonë, ai i dërgonte një letër urgjente të
dashurës së tij, Zhylietë Drue: “Tri ditë e net i kam kaluar rrugëve, pa
fjetur, duke dremitur nganjëherë në kalldrëm. Është lufta e tmerrshme e vëllait
kundër vëllait që më së fundi mbaroi. Dhe unë jam gjallë, por shkatërrimi është
i madh…” Në një letër tjetër ai i shkruante me nxitim: “Ku je? Po bredh që prej
dy ditësh dhe po të kërkoj pa mundur të vij gjer te ty. Jam këtu me një mandat
për të vendosur rendin, paqen, pajtimin. Franca do të shpëtojë!”. [2]
Barrikadat ishin ngado dhe njerëzit ishin ende të armatosur.
Ngado qëllohej, por këto mesa dukej ishin shkrepjet e fundit. Po atë ditë, ai
arriti të çajë drejt rrugës Saint-Anastasse ku banonte Zhyljeta. Ishte ngjitur
lart, por nuk e kishte gjetur atje. Atëherë i la një letër, ku i shkruante: “Ji
e qetë. Gjithçka mbaroi. Nuk ka më rrezik dhe mos ki frikë. Të dua!”
Kur rendi u vendos, Hygo u trondit nga reaksioni i pushtetit
ndaj atyre që kishin ngritur krye. Ekzekutime pa masë, burgime dhe arrestime të
mijëra e mijëra njerëzve e zhgënjyen shpresën e tij. Francën e kishin pushtuar
ethet e terrorit. Madje dhe gazetat ishin mbyllur. Kjo gjë e bëri Hygoin të
revoltohej dhe të kërkonte që t’i jepej fund kësaj gjakderdhjeje. Madje, ai u
kërkoi gjeneralëve që t’i linin të lira gazetat. Si mund të kuptohej një
Republikë pa shtypin e lirë? Që nga kjo kohë, ai do të bëhej një aleat vetëm i
të majtëve.
Një mërgim i gjatë
Në Place des Vosges, pranë Bastijës, në një grup ndërtesash
të stilit fiorentinas, shtëpia muze e Hygosë ka gjithnjë njerëz, veçanërisht të
huaj, të cilët janë kureshtarë të njohin jetën e shkrimtarit dhe bëmat e tij.
Cili ishte ky njeri? Cilat ishin ëndrrat dhe lufta e tij? Vallë a kishte mundur
Hygo ta shikonte vdekjen drejt në sy, apo i ishte trembur asaj? Pikërisht nga
kjo shtëpi ai ishte larguar me nxitim në fund të dhjetorit të vitit 1851, drejt
një mërgimi të gjatë që do të vazhdonte 19 vjet. Një jetë larg Francës. Atë
vit, populli përsëri kishte dalë në rrugë. Louis Bonaparte kishte shpërndarë Asamblenë
Parlamentare dhe ngado kishin filluar ndjekjet mbi njerëzit e opozitës dhe
socialistët. Ndërkohë, shkrimtarin dhe deputetin Hygo e kërkonin kudo. Më 2
dhjetor, një përfaqësues i popullit shkonte në shtëpinë e tij. Një djalosh
32-vjeçar e njoftoi për një grusht shteti. Lajmet ishin të rënda. Tetëmbëdhjetë
deputetë ishin arrestuar në shtëpitë e tyre dhe i kishin flakur në burg. Një
grup deputetësh republikanë kishin lënë të takoheshin të nesërmen në mëngjes në
4, Cité Gaillard. Parisi ishte pushtuar nga ushtria. Asambleja gjithashtu. I
tronditur, Viktori kishte dalë në qytet për të matur pulsin e asaj çka po
ndodhte. Disa njerëz e njohën dhe iu afruan.
- Ç’duhet bërë? – e pyetën ata.
- Grisni afishet e grushtit të shtetit dhe thërrisni “Rroftë
Kushtetuta”.
- Po nëse ata qëllojnë?
- Rrëmbeni armët![3]
Turma ishte gati ta ndjekë, por ajo ishte e pa armatosur. Ai
e dinte se gjakderdhja nuk ishte e largët. Në një mbledhje deputetësh, Hygo
përgatiti tekstin drejtuar popullit: «Louis Bonaparte është një tradhëtar. Ai
është i jashtëligjshëm dhe duhet të largohet brënda pesë orëve! Poshtë Louis
Bonaparte!»…Dhe turma brohoriste pas thirrjes së tij. Por ndërkohë ai kërkoi të
largohej, pasi duhej të takonte gruan, Adelën dhe fëmijët e tij. Po kështu dhe
Zhyljetën…ndoshta dhe Leoninë. Në rrugë, ai pikasi një omnibus të Bastijës që
punonte akoma dhe i hipi për të shkuar në shtëpinë e tij. Kur iu afrua
shtëpisë, një nga të njohurit e lajmëroi: «Policia është në shtëpinë tuaj. Po
ju kërkojnë!» E vetmja mundësi ishte të takonte Zhyljetën, e cila do ta fshihte
në apartamentin e saj e më pas në një apartament tjetër, te zonja Montferrat.
Jeta e tij ishte në rrezik. Një ditë më vonë, ai kishte kohë vetëm për të
përqafuar gruan. Pak më vonë, Zhyjeta e shoqëronte me karrocë, e cila u detyrua
të ndalonte para turmës që kishte mbushur Sheshin e Republikës. Ngado kishte
ushtarë dhe njerëz të trëmbur. Ushtarët nuk donin ta lejonin të kalonte, por
Hygo zbriti nga karroca dhe duke u treguar shallin e deputetit, u tha:
«Ushtarë, shikoheni këtë shall. Ky është simboli i ligjit, është përfaqësimi i
Asamblesë. Atje ku është ky shall, është e drejta. Pra ky shall u tregon të
drejtën. Lui Bonaparti po ju çon drejt krimit. Ai po vret Republikën. Atëherë
mbrojeni atë!”
Zhyljeta që kishte zbritur pas tij, kërkonte ta qetësonte
dhe ta tërhiqte që të largoheshin, por ushtarët, të hutuar nga guximi i
deputetit qëndronin të heshtur. Karroca kaloi… Në kujtimet e saj, të botuar
kohët e fundit nën titullin Souvenirs, ato ditë Zhyljeta përshkruante këtë cast
historik: “Viktori përkulet nga dritarja dhe u thërret atyre se janë të varfër,
të poshtër dhe vrasësa. “Pushkatomëni dhe mua që të mos kem më turp të shoh
këtë popull të padenjë që e le veten ta turpërojnë e që nuk është i zoti të
protestojë”. Unë përpiqem ta ndaloj, ti vë dorën në gojë, por nuk mundem. Por
ndodhi mrekullia sepse fjalët e tij nuk u dëgjuan të gjitha. Zoti i kishte
goditur ata njerëz të verbuar të etur për dhunë e gjak.”[4]
Atë ditë, në një kafene ku ishin mbledhur republikanët, drejtuesit
e tyre po hartonin një proklamatë. Shpejt, Hygo e nënshkroi atë bashkë me të
tjerët. Ngado ushtonte Marsejeza. Por Hygosë i duhej të fshihej. Ai mund të
arrestohej nga çasti në çast. Aleksandër Dyma dhe aktori Bocage kishin shkuar
me nxitim te Adela për ta njoftuar se disa njerëz ishin rekrutuar për të vrarë
Hygonë. Në mbrëmje ai u fsheh në Rue Richelieu. Ndërkohë, ministri i Brëndshëm
kishte nxjerrë një urdhëresë të posaçme kundër tij: “Nëse kapet Viktor Hygo,
bëni ç’të doni me të…”! Mesazhi ishte i qartë. Ai duhej ekzekutuar.
Të nesërmen në mëngjes, Zhyljeta shkoi ta takonte, por nuk e
gjeti atje. Shumë të njohur i thonë Hygosë se duhej të ikte sa më parë nga
Franca. Pasi brodhi në barrikadat e Les Halles, në Saint-Eustache, në Rue
Cadran apo në Rue Saint-Denis, ku pikasi mjaft të vrarë, Hygo e kuptoi se kauza
e tyre kishte humbur. “Pashë vrasjen, krimin, vdekjen…Pashë atë shi të vdekjes
së verbët”, do të shkruante me dhimbje ai. Në mëngjesin e 4 dhjetorit, Zhyljeta
e kishte gjetur me një fytyrë të bardhë meiti. “Është i zbehtë, por jo i
pashpresë”, shkruante ajo në ditarin e saj.
Përmes ca miqve, ajo i siguroi një pasaportë të mikut të
saj, tipografit Lanvin. I maskuar dhe përmes trenit, më 11 dhjetor 1851, Hygo
më së fundi mori udhët e ekzilit drejt Brukselit e më pas drejt brigjeve të
ftohta të Anglisë. Zhyljeta ishte atje në stacionin e trenit.
I madhi Hygo linte me dhimbje Francën dhe Republikën për të
cilën luftoi. Shumë vite pas atij mërgimi të gjatë, ai do të kthehej në Paris
po në atë stacion, ku një popull i tërë e priste me brohorima: Ishte dita e 5
shtatorit të vitit 1870.
Dashnori i madh
Hygo ishte një qenie e dashuruar përjetësisht. Dashuria
ishte droga e tij, ku ai përhumbej dhe e ndiente veten plotësisht. Një nga
dashnoret e njohura të Hygosë ishte dhe Leonie Briand, e cila atë kohë banonte
në 12, Rue Laferrière. Në fakt, Hygo e dashuronte edhe atë, në mënyrën e tij,
por ja që fjalët nganjëherë ishin të njëjta me ato që i shkruante Zhyljetës. Të
gjitha gratë për të ishin poetike dhe zgjonin veçse vargje tek ai. Por gratë
janë dhe xheloze. Madje kur fliste për Zhyljetën, Leonia e quante atë “plaka”,
meqë ajo ishte gati 10 vjeç më e madhe se ajo. Kështu, që ta largonte Zhyljetën
nga krahët e Hygosë, një ditë Leonia i mblodhi gjithë letrat që i kishte
dërguar poeti i dashur dhe të lidhura në një pako ia dërgoi Zhyljetës,
shoqëruar me një letër. Leonie i shkruante se ajo kishte qenë dhe ishte
dashnorja e Hygosë që prej 17 vjetësh.
Këto letra ishin një bombë e vërtetë për Zhyljetën. E
plagosur dhe e zhgënjyer nga i dashuri i saj i përgjëruar, ajo i la një letër
lamtumire dhe e braktisi Parisin menjëherë. Si mund të jetonte më? Por Viktori
nuk donte që ta humbiste atë dhe i lutej që mos ta braktiste. Madje u vu në
kërkim të saj, duke pyetur ndër miqtë dhe të afërmit e saj. Ngado kërkonte një
gjurmë të ekzistencës së saj. Kur mori vesh se ajo ishte në Brest të Bretanjës,
ai i shkroi menjëherë: “Po të flas para Zotit. Të thërras ashtu siç i thirret
Jetës. Shpëtomë nga dëshpërimi! Ktheu! Të dashuroj!”… Dhe si shumë e shumë gra
të tjera, edhe ajo do të kthehej.
Atë ditë Viktori e priste në stacionin e trenit dhe ajo iu
hodh në gjoks. Ai e vendosi atë në një apartament në Rue Sycomores. Përsëri në
ekstazë, si të çmendur. Dhe ajo që i shkruante:“Çfarë furie që sapo kaluam së
bashku në shtrat. Do ishte e ëmbël dhe sikur të vdisnim!”.
Në mëngjes, kur u zgjua, ajo gjeti një letër që ai i kishte
lënë para se të largohej: “Isha i vdekur. Tashmë jam gjallë. Ti je gjaku i
zemrës time, drita e syve jeta e jetës time…engjëlli im!”
Megjithatë, ajo kërkoi ta vërë në provë. Por pavarësisht nga
provat, Leonia do të mbetej përsëri në zemrën e tij. Në korrik të vitit 1845, i
fshehur në një apartament në “Passage Saint-Roch” të Parisit, Viktor Hygo
flinte me të dashurën e tij, Leonie Briand. Kur ndërkohë dera kishte rënë me
forcë. “Në emër të mbretit hapeni portën!» – ishte dëgjuar nga pas. Viktori
hodhi me të shpejtë një këmishë dhe doli të hapë portën. Policët i thanë që t’i
ndjekin nga pas. Pranë komisarit të policisë ishte dhe burri i të dashurës së
tij.
- “Unë jam ‘Pair’ de France!” – kishte thënë Viktori, duke i
bërë të qartë se ai kishte një imunitet të paprekshëm.
Leonia e mjerë ndoqi policët. Të nesërmen, gazetat folën për
skandalin e një shkrimtari të njohur, të kapur në flagrancë, por askush nuk e
botoi emrin e Viktorit, i cili me kohë kishte kontaktuar gjithë gazetat, duke
iu kërkuar kryeredaktorëve që ta shmangnin emrin e tij. Por e shkreta Leoni, e
dënuar nga gjyqi, pas burgut u detyrua të mbyllej në manastirin e Saint
Augustinës.
Historia e Zhyjetës ishte një histori përkushtimi si rrallë
në historitë e dashurive të mëdha. Një përkushtim gjer në vdekje. Zhylieta
tashmë jetonte vetëm për të. Madje ajo e ndoqi dhe në mërgim, në Gurnesey, ku
ajo u vendos në një apartament pranë shtëpisë së Hygosë, të quajtur “Hauteville
House”. Që ta njoftonte se ishte zgjuar, Hygoja lidhte një shami të bardhë në
ballkon që ajo ta shikonte nga larg dhe pastaj të shkonte pranë tij. E
megjithatë, dashuritë kalimtare nuk do të mungonin dhe më vonë në jetën e tij.
Në janar të vitit 1872, në shtëpinë e Zhyljetës, Hygo u
lexonte aktorëve të teatrit pjesën e tij Ruy Blas, që do të rivihej në skenë në
teatrin Odeon. Sarah Bernard, ylli i ri i teatrove pariziane, i vinte rrotull,
edhe pse syri i mprehtë i Zhylietës vigjëlonte. Jo, Hygo nuk mund të rrinte pa
bërë dashuri. Kjo do të ndodhte dhe me aktoren Berndard, ashtu si dhe me
zonjëza të tjera. Kësaj radhe, e dashura e tij ishte kopistja e dorëshkrimeve
dhe shërbyesja e shtëpisë, bukuroshja Blanche Lanven.
Ajo ishte e re dhe Viktori i moshuar. Por zjarret e tij nuk
ishin shuar. Ai ishte i tmerrshëm në dashuri. Blansh ishte e re ndërsa Zhylieta
ishte plakur. Një natë, siç shkruan Hygo në shënimet e tij, ai e kishte parë
Blanshën lakuriq: “30 janar, 1874. E pashë atë pothuajse nudo, si rrallë
ndonjëherë, çka nuk më ka ndodhur prej kohësh. Ajo ka ende një trup të
mrekullueshëm…” Por kur Zhylieta i ra në gjurmë dhe Blansh e pranoi gabimin e
saj, Viktori i kërkoi ndjesë. “Për të bërë dashuri, – i shkruante me dhimbje
Zhyljeta, – ti ke nevojë për shumë trupa, ndërsa dashuria ime për ty, që të të
dua më mirë, ka nevojë vetëm për dy shpirtra…Ti nuk je më një burrë për mua. Ti
je shpirti i shpirtit tim.”
Ndërkohë, i plagosur nga dhimbja, Hygo do t’i përgjigjej:
“Shpirti im, dashuria ime e madhe. Ki mëshirë për mua dhe bëhu e butë me
sjelljet e mia!”…
Blansh u detyrua të largohej, por fshehurazi, Hygo do t’i
merrte një apartament me qira për ta strehuar dhe bujar siç ishte, ai do ta
ndihmonte atë gjer në fund të jetës së tij.
Në ditarët e Hygosë, biografët kanë gjetur mjaft shënime të
çuditëshme, të koduara, iniciale apo emra femrash, me të cilat ai ka kaluar
aventura të një jave apo disa ditëve: Alice Ozy ishte një aktore dhe kurtizane;
Louise Colet ishte po një kurtizane që koleksiononte dashnorë në radhët e
poetëve e letrarëve; Esther Guimard ishte dashnorja e një pronari gazetash;
Laure Desprès ishte gjithashtu e dashura e dukës De Praslin. Por në ditarët e
tij janë dhe emra të panjohur si Poléma (në Rue Clichy), Theodorine, (në
Passage Saulnier), Janette, (në Rue Delebelle) etj., shpirtra që janë tretur në
botën anonime. Ishin “vajza të gëzimit”.
Jeta, një stuhi e pambarimtë
Jeta e Hygosë ka qënë padyshim një stuhi e pambarrimtë, një
jetë me trauma e tragjedi të mëdha, me vuajtje, vdekje të shumta dhe
dëshpërime.
Njëra nga vajzat që quhej Leopoldinë, bashkë me të fejuarin
e saj u mbyt në prag të një udhëtimi me anije. Djali i tij, François-Viktor,
vdiq tepër i ri. Eugène, djali i vogël që i vdiq në Belgjikë, ai e solli dhe e
vendosi në varrezat e “Père Lachaise”. Po atje vendosi dhe Adelën, gruan e tij.
Sa shumë vdekje mbi një zemër! Një tjetër vajzë iu çmënd dhe e përfundoi jetën
në një spital të çmëndurisht. Dhe mbi të gjitha, mërgimi i tij në tokën
angleze, në Guernesey apo në Belgjikë. Shkrimtari i madh e kishte të ndaluar
kthimin e tij në Francë. Por mbytja e vajzës së tij Leopoldine ishte padyshim
dhimbja më e madhe.
Ishte viti 1843. Ai po ikte fshehurazi me Zhyljetën në jug
të Francës, në La Rochelle, kur në Roshefort, diku në një bujtinë, rastësisht
ai lexoi një lajm të gazetës: «Vajza e Viktor Hygosë, Leopoldine, është mbytur
në Villequier. Thuhet se Hygo është në Rochelle…” Në kujtimet e saj për këtë
ditë të kobshme, Zhyljeta ka shkruar: “Shiko sa e tmerrshme! – më foli ai. –
Ngrita sytë drejt tij. Kurrë s’do ta harroj shprehjen e fytyrës së tij fisnike.
Sapo e kisha parë të qeshur e të lumtur dhe ja tani, për një sekondë, e gjeta
sikur ta kishte goditur rrufeja. Buzët e tij ishin zbardhur. Sytë e tij të
bukur vështronin si të humbur, fytyra dhe flokët i ishin lagur nga djersa dhe
dora e tij ishte ngjitur fort pas zemrës, sikur të donte ta pengonte atë që të
mos dilte nga gjoksi i tij. Mora gazetën dhe e lexova. I dashuri im i mjerë, më
lutet të mos shpërthej në lot. Me një kurajë mbinjerëzore më ndihmoi të dalim
nga kafeneja. Kapërcyem pragun dhe ecëm në fushat që digjeshin nga dielli…”[5]
Po, pa folur, me fytyrë meiti, Hygo kishte dalë nga bujtina
dhe ishte nisur drejt një livadhi. Zhyljeta kërkoi t’i shkonte nga pas, por ai
i kishte bërë shenjë ta linte vetëm. Papritur, nga dhimbja e madhe Viktori
kishte rënë dhe ajo vrapoi drejt tij. Pastaj ata u kthyen, u ulën në tavolinë
dhe ai i shkroi një letër Adelës: “Gruaja ime e mjerë! Mos qaj! Bëhu e fortë.
Ajo ishte një engjëll. Le t’ia japim Zotit!”…
Midis tragjedive, jetës pasionante dhe mërgimit të detyruar,
Hygo përpiqej të mbijetonte në sajë të artit të vet. Dhe ai ishte i bindur për
misionin e tij si republikan dhe artist: “Po shkruaj një bibël.- shënonte ai në
ditarin e vet, – Jo një bibël hyjnore, por një bibël humane. Një libër të
shumëfishtë që përmbledh një shekull. Ja çfarë do lë pas vetes…»
Një ditë, duke përshkuar rrugën e përditshme, Hygo pikasi
një karrocë që po çonte dy të dënuar drejt gijotinës, e cila që pas
Revolucionit ishte ngritur në qendër të qytetit. Kjo pamje e tronditi aq shumë
sa ai filloi të shkruajë librin e tij të mëvonshëm Dita e fundit e një të
dënuari me vdekje.
Tregojnë se më vonë, një ditë tjetër, duke shkuar për në
Akademinë Franceze, Viktor Hygo, pa dy xhandarë që kishin vënë përpara një
burrë të lidhur dhe të zbehtë në fytyrë. Njerëzit thoshin se kishte vjedhur
bukë. Po atë natë ai shkruante: “Për mua ai njeri nuk ishte thjesht një njeri,
por vetë spektri i mjerimit; ajo fantazmë e mjerimit e shfaqur në mënyrë të
shpërfytyruar e të errët, ishte imazhi i një revolucioni të rënë në errësirë”…
Ky do të ishte protagonisti i romanit Të mjerët, vetë Zhan
Valzhani.
“Avenue Victor Hugo”
Kjo aveny në atë kohë quhej aveny Eylau dhe ata banonin në
numrin 130. Pas vdekjes së Adelës, Viktori dhe Zhyljeta jetonin tashmë bashkë.
Më së fundi mund të jetonin si burrë e grua: ai një kat mbi apartamentin e
Zhylietës. Megjithatë, darkat për miqtë, letrarët, artistët dhe politikanët
shtroheshin gjithnjë në sallonin e saj. Ajo vigjëlonte mbi të, mbi miqtë dhe
botën që i rrethonte..
Më 1879, Viktori i ishte lutur Zhylietës që ta hipte në një
ballon dhe të ngjiteshin së bashku në qiell. Ai kërkonte të dehej me retë. Dhe
ata u nisën. Në qiell, në një tjetër botë. Ndoshta ishte frymëzuar nga Zhyl
Verni. Ndoshta…Sidoqoftë ajo skenë duhet të ketë qenë diçka e magjishme, ku
shpirti puqet me qiellin dhe ngjizja është sublime.
Më 8 maj të vitit 1881, Bashkia e Parisit vendosi që avenyja
e tyre të quhej “Avenue Victor Hugo”. Në letrat që i drejtoheshin shkrimtarit,
shkruhej “Merr Victor Hugo, Avenue Victor Hugo”… Madje dhe letrat e Zhylietës
vinin në po këtë adresë. Më së fundi, zonja Drue banonte në avenynë me emrin e
të dashurit të saj.
Më 27 shkurt, një kortezh i pafund kalonte para dritareve të
shkrimtarit duke thirrur: “Vive Victor Hugo!” “Rroftë Republika!…Dritarja ishte
e hapur dhe Viktori i përshëndeste! Jashtë kishte filluar të binte dëborë…Por
tashmë Zhylieta ishte tepër e sëmurë. Ajo ishte dobësuar dhe ishte bërë si
kufomë. Megjithatë, pena e shkrimtarit i këndonte gjithnjë shpirtit të saj,
gjer në prag të vdekjes:
“Kur të them qofsh e bekuar – është qielli!
Kur të them fli e qetë – është toka!
Kur të them të dua – jam unë!”…
Më 1 janar të vitit 1883, ata përkujtuan së bashku ditën e
parë kur kishin vështruar njëri-tjetrin dhe ishin dashuruar. Viktori i zgjati
një fotografi të përbashkët, ku pas saj kishte shkruar: “50 vjet dashuri – kjo
është martesa më e bukur!” Më 11 janar, e shkatërruar nga kanceri, ajo vdiq pa e
kërkuar Viktorin, pa dashur ta shqetësojë Viktorin që t’i shkonte pranë
shtratit për t’i thënë një lamtumirë. Të nesërmen, ai nuk kishte më fuqi ta
ndiqte karvanin funebër të saj, por e ndoqi vetëm nga dritarja. Që nga vdekja e
saj ai nuk do të shkruante më. Vetëm kur ishte në pragun e vdekjes, ai do të
shkruante vargjet e fundit: “Këtu është lufta e ditës dhe e natës!”…Pastaj ai
thirri nipin dhe mbesën dhe u tha: “Të jeni të lumtur dhe të mendoni për
mua!”…Fill pas kësaj, të afërmve ai u lexoi testamentin e tij: “Dua që nga
paratë e mia t’u jepni dhe të varfërve!…Dua të më përcillni në banesën e fundit
me karrocën e të varfërve! Nuk e dua përshpirtjen e kishave. Kërkoj veçse një
lutje nga të gjitha shpirtrat…Besoj te Zoti!”…[6]
I dërmuar nga sëmundja e rëndë, tashmë ai nuk arrinte as të
fliste. Komunikimi i fundit me botën e të gjallëve bëhej përmes gjesteve. Në 22
maj të vitit 1885, kur Hygoi vdiq, gjithë Parisi ra në zi. Arkivolin e vunë nën
Harkun e Triumfit, dhe pastaj një milion banorë e përcollën gjer në portën e
Panteonit. Në dyert e mbyllura të dyqaneve shkruhej: “Mbyllur për zi
kombëtare!” Kambanat e katedrales Notre-Dame si ato të Madeleine apo
Saint-Sulpice, binin me vaj.
Që nga ajo ditë, eshtrat e Hygosë janë atje, në Panteonin e
lavdisë. Por lavdia më e madhe e tij janë padyshim veprat, shkrimet e tij,
apeli i tij i lirisë dhe i qytetërimit. “Thirrja” e tij për “Shtetet e
Bashkuara të Europës”, kjo thirrje profetike, që do të realizohej një shekull e
gjysmë më vonë.
Hygo kishte një ëndërr të madhe. Po, ai krijoi një vepër
titanësh!…Një vepër, gjurmët e së cilës gjenden ngado. Jo shumë kohë më parë,
një prift shqiptar që mbajti meshë në katedralen “Notre-Dame” dhe që më fliste
me entuziazëm për veprat e Hygoit dhe mrekullinë e këtij qyteti, nuk e dinte se
pikërisht ajo katedrale ku ai mbajti meshë, në vitet e Komunës së Parisit ishte
bastisur, ishte plaçkitur e shkatërruar dhe vite më pas, e lënë pas dore, ishte
kthyer në një gërmadhë vajtuese. Ishte pikërisht Viktor Hygo ai që ngriti zërin
e tij të fuqishëm për ta shpëtuar këtë kryevepër të artit mesjetar. Kësaj
katedraleje ai i kushtoi një përkushtim të veçantë dhe në ethet e betejës së
tij për ta shpëtuar monumentin e kulturës franceze, ai shkroi romanin e famshëm
të tij, të njohur nga të gjithë ne, Shën Mëria e Parisit…Notre-Dame de Paris!
[1] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.
[2] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.
[3] Victor Hugo, Max Gallo, Ed. XO, Paris, 2001.
[4] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.
[5] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.
[6] Victor Hugo, Ed. La Pleiade, Gallimard, Paris.
Luan Rama
Comments
Post a Comment