Mira Meksi_Gjuha e së vërtetës



GURI FILOZOFAL
Rëndësia e autobiografisë së shkrimtarëve
Shkas për këtë shkrim u bë botimi i paradokohe i autobiografisë së Fatos Kongolit, “Iluzione në sirtar”, vepër me vlera për shoqërinë tonë, mendoj, në përpjekjet që shoqëria bën për të njohur vetveten, të kaluarën, dhe nëpërmjet saj, për të kuptuar të tashmen e çdo dite. Përherë jam shprehur për vlerën e madhe që kanë autobiografitë, në rastin tonë ato të shkrimtarëve, për njohjen në përgjithësi; jam shprehur edhe se kjo është një gjini jo fort e lëvruar në tokën tonë, ndonëse kemi në shqip vepra me vlera të spikatura autobiografike si ato të I. Qemalit, E. Bej Vlorës, P. Markos, dy libra të Kadaresë në formën e sprovës, edhe për faktin e thjeshtë se ne shqiptarët jemi mësuar që të themi, të komentojmë, analizojmë apo të nëpërgojim gjithçka nëpër kafenera, apo vesh më vesh, por kur vjen puna për të thënë të vërtetat tona, për të dhënë gjykimin mbi epokën tonë dhe bashkëkohësit tanë publikisht, atëherë kthehemi në penëthyer dhe gojëkyçur: na mungon guximi për t’i thënë açik të vërtetat. Për të kuptuar më mirë rolin dhe rëndësinë e autobiografisë së shkrimtarëve, atyre që jemi mësuar t’i konsiderojmë si pjesë e qenësishme e “ndërgjegjes” sonë, dhe sidomos për të kuptuar tërë efektet që ato kanë pasur së fundmi në shoqëri, që si kjo shoqëria jonë, kanë ende probleme të pazgjidhura me të kaluarën e tyre dhe reflektimin domosdo në të vërtetat e kohës, e shoh të udhës të shpjegoj se ç’është autobiografia dhe disa prej karakteristikave të saj. Etimologjia greke lejon të përcaktohet kjo gjini: autobiografia është rrëfimi që autori bën për jetën e tij. Karakteristikë e autobiografisë është përdorimi i vetës së parë, rrëfimtari dhe personazhi kryesor janë i njëjti person. Në tekst janë dy veta të para: veta e parë e kohës kur ngjarja e rrëfyer ka ndodhur, pra e kaluara, dhe veta e parë e kohës së shkrimit, pra e sotmja. Autobiografia i drejtohet edhe vetvetes edhe lexuesit në të njëjtën kohë. Gjithçka që rrëfehet paraqitet si e vërtetë: autori përpiqet që të jetë i sinqertë. Gjithsesi, vitet, koha që ka kaluar mes ndodhive të së shkuarës dhe çastit kur po rrëfehen bëjnë që kujtimet të jenë të deformuara dhe të cunguara, pra nuk rrëfehet gjithçka, autori bën një lloj përzgjedhjeje. Kjo përzgjedhje bëhet në përputhje me imazhin që ai do të japë për vetveten. Kuptohet që një autobiografi përmban një raport të caktuar me të kaluarën, ajo alternon rrëfimin me analizën: autori rindërton të kaluarën e tij dhe analizon veten e tij në këtë të kaluar. Sipas rastit, ai mund të identifikohet me unin që ka pas qenë dikur dhe të përjetojë sërish emocionet e atëhershme, ose përkundrazi, të distancohet dhe të mbajë një qëndrim kritik ndaj këtyre kujtimeve. Por, cili është qëllimi i autobiografëve, përse kjo nevojë për të treguar kujtimet e tyre? Ka disa përgjigje: për të lënë një gjurmë të jetës së tyre dhe për të luftuar kundër rrjedhjes së kohës dhe harresës. Duke qenë subjekti i librit të tij, shkrimtari i jep një koherencë jetës së vet, duke i dhënë asaj formën e një tregimi. Autobiografia shkruhet edhe për të justifikuar vetveten, për të njohur gabimet, për të shpallur fajet dhe për të kërkuar ndjesë duke e bërë këtë. Por, mund të shkruhet edhe për të njohur më mirë vetveten, për të ndjekur dhe njohur zhvillimin e vetvetes, por edhe për t’u lënë një eksperiencë të tjerëve.
Në vitin 2006, një autobiografi shkrimtari shkaktoi një tallazim të vërtetë në gjirin e shoqërisë gjermane, duke e përçarë atë paq, por duke nisur njëkohshëm edhe një lloj procesi vetëpastrues të pazakontë: Çmimi “Nobel” i letërsisë Gunter Grass, një nga figurat më të mëdha intelektuale të së majtës gjermane, zbuloi, në muzgun e moshës së tij, se ka qenë efektiv i forcave ‘SS’ kur qe 17 vjeç, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në moshën 78- vjeçare, shkrimtari i famshëm gjerman vendosi ta thyente heshtjen në autobiografinë e tij: “Duke qëruar qepët” (‘Beim Hauten der Zëiebel’). Siç e rrëfeu edhe shtypi i kohës, ai shpjegoi se doli vullnetar për shërbimin në fjalë me qëllim që t’i shpëtonte diktatit të prindërve. Dhe, se u bë i ndërgjegjshëm për atë çka ishin forcat ‘SS’ vetëm pas luftës. Përballë kësaj deklarate të bujshme, shtypi gjerman, pothuaj në unison, e qortoi autorin që e kishte njohur dhe zbuluar të vërtetën me shumë vonesë, ndërkohë që bënte moralizuesin për atë çka qe e mirë të mendohej e të thuhej në Gjermani, e sidomos në lidhje me çështjen e nazizmit. Punët arritën gjer aty, sa pati zëra që i kërkuan ( e vazhdojnë disa syresh t’ia kërkojnë edhe sot) të dorëzojë çmimin ‘Nobel’: argumentimi i tyre për këtë ishte se, “apostulli” Grass i 50 viteve me radhë, apo Herr Grass-i, në të gjithë librat e tij kishte akuzuar gjermanët se kishin harruar fajet e tyre historike dhe se ia dedikonte famën e tij ndërkombëtare pikërisht kësaj farse; pa këtë qëndrim, vepra e tij do të qe mesatare. Andaj, po të kishte guxim, qytetari dhe burrëri, - vazhdonin kritikët e tij, - do të bënte mirë të hiqte dorë nga të gjitha nderimet që pat marrë për veprën e tij.
Ca më e ndërlikuar paraqitet çështja e shkrimtarit tjetër të madh, Milan Kundera, ku trilli i romanit, autobiografia e rreme dhe dosjet e policisë së fshehtë çekosllovake, u përzien ligsht. Në tetor të vitit 2008, revista çeke “Respekt” botoi një proces-verbal të policisë komuniste çekosllovake të datës 14 mars 1950, që dëshmonte se Kundera kish denoncuar një nga bashkëqytetarët e tij të quajtur Miroslav Dvoracek, dënuar më pas me 22 vjet burg. Dokumenti u botua më 2008, nga instituti çek i studimeve mbi regjimet totalitare. Ky dokument i botuar shpërtheu një furtunë të gjerë në tërë universin e letrave dhe të intelektualëve europianë: kishte kohë që Kunderës i qortohej një lloj ftohjeje dhe gjer një qëndrim përbuzës ndaj vendit të tij, Çekisë; tani në furtunën e krijuar, disa analistë shpallën se në romanin “Shakaja”, ku rrëfimi bëhet në vetë të parë, Kundera, si në një autobiografi të vërtetë ka bërë ‘Mea-Culpa-n’ e tij, ka treguar pikërisht denoncimin që vet ai pat bërë në mitin 1950 dhe jo vetëm kaq, por e ilustruan këtë tezë me pjesë nga romani, ku Kundera flet për gabimin, për mosriparimin, mosndëshkimin dhe harrimin e tij: “Po, befas po më qartësoheshin gjërat: shumica e njerëzve i jepen mirazhit të një besimi të dyfishtë: ata besojnë në përjetësinë e kujtesës ( së njerëzve, sendeve, akteve, kombeve) dhe në mundësinë e riparimit ( të akteve, gabimeve, mëkateve, fajeve). Si njëri, si tjetri janë të rremë. E vërteta gjendet tamam në krahun e përkundërt: gjithçka ka për t’u harruar dhe asgjë s’ka për t’u riparuar. Roli i riparimit ( si me hakmarrje dhe si me ndjesë), do të luhet nga harresa. Askush nuk ka për t’i riparuar gabimet e bëra, por të gjitha gabimet do të harrohen”. ( “Shakaja”, M. Kundera). Autori e mohoi kategorikisht këtë fakt dhe u shpreh se ishte i shokuar nga këto akuza. Kunderën e mbështeti në këtë çështje historiani çek, Zdenek Pesat. Ndërkohë, shumë shkrimtarë, katër prej të cilëve laureatë të çmimit ‘Nobel’ (J.Coetze, G.G.Marquez, Nadine Gordimer dhe Orhan Pamuk), u bashkuan për të mbështetur romancierin. Porse në tërë këtë ndezulli mediatike me zbulime dokumentesh të fshehta të së kaluarës, analiza, gjykime, akuza, u fol dhe u diskutua shumë mbi rolin e shkrimtarit dhe veprës së tij në shoqërinë njerëzore, marrëdhënien e tij me gjuhën dhe vendin e origjinës, të vërtetat njerëzore dhe ato të krijimit, e mbi të gjitha, të vërtetat e kujtesës historike së popujve.
Por, le t’i kthehemi autobiografisë “Iluzione në sirtar”, të Fatos Kongolit, të cilën e lexova me shumë kujdes, edhe për hir të parapëlqimit që shpreha më sipër për këtë gjini me vlera njohjeje. Poshtë titullit shkruhet: ‘Pothuajse roman për vetveten’. Kjo e çorienton lexuesin, pasi në të vërtet, autobiografia asesi nuk është roman, dhe as pothuajse roman për vetveten dhe për askënd, pasi në këtë rast do të kishim atë që quhet “autobiografi e rreme”, ku elementi i rremtësisë (fiksionit) apo trillimit, do të qe domosdo i pranishëm. “Autobiografia” në fjalë, ku autori bën ‘Mea-Culpa-n’ e tij, duke rrëfyer se në vitin e mbrapshtë 1981 është shtrënguar të bëjë një dëshmi kundër një kolegu të tij, i cili më pas u dënua me burg, në pjesën më të rëndësishme të saj (në atë që na intereson më shumë e që shpall të vërtetat që duam të njohim), është edhe një reflektim mbi kujtimin, jo mbi kujtesën në formën e një kronike. Në këtë reflektim, ndonëse ka plot detaje, mund të thuhet se Kongoli e mban lavdërueshëm përgjegjësinë e mungesës së saktësisë së plotë që shfaq kujtimi si natyrë (ai shpesh thotë: “nuk e di, nuk e mbaj mend, më është fshirë nga kujtesa”). Dhe, ndoshta pikërisht për këtë mungesë saktësie a për këtë vagulli rrëfimi të kujtimit, autori, me gjasë, ka përdoruar nëntitullin në fjalë, por ndoshta edhe për të rrëfyer se ‘Mea-Culpa’ e tij, në fakt, është një pëshpërimë më shumë për vetveten se sa për të tjerët. Janë dy deri më tani hipotezat e ngritura mbi këtë pjesë të “Autobiografisë”:
Hipoteza e ngritur mbi këtë evokim kujtimi, ku ecet pothuaj verbazi në “kronologjinë”, vijueshmërinë dhe qartësimin e fakteve, nga A. Hasani (në shkrimin e tij: ‘Një tjetër K’), është një hipotezë jo e favorshme për autorin e ‘Autobiografisë’: sipas kësaj hipoteze, Kongoli fsheh gjëra (zbut, maskon, i thotë faktet çyryke me kast), ndoshta fsheh më të rëndësishmen, faktin që dëshmia e tij, përveçse e turpshme, është e rreme. Hasani nuk nguron ta quajë atypëraty të rreme dëshminë e Kongolit ndaj kolegut të tij (ndonëse autori në libër i mëshon më shumë se një herë faktit se dëshmia e tij, ndonëse e turpshme, nuk ka qenë e rreme) dhe e bazon këtë gjykim në dy fakte: në atë çka thamë më sipër, pra në mjegullimën apo mossaktësinë me të cilën autori vesh bisedat e vërteta midis tij dhe kolegut-viktimë, por edhe në faktin që vetë viktima i ka mohuar ato prerazi si në hetuesi (në ballafaqimin e tyre), po ashtu edhe në gjyq, kur autori ka qenë dëshmitar.
Hipoteza tjetër, ajo dashamirëse ndaj autorit, është e K.Cukalit  (në shkrimin K për K), e cila e shpall autorin me një ndershmëri të rrallë, krejt të ndryshëm nga shumë shkrimtarë të tjerë, që me sa duket kanë vendosur t’i marrin me vete në varr “bëmat” e tyre, dhe se larg shpalljes së një individualiteti të spikatur të rrugëtimit të vet, siç bëhet në përgjithësi nëpër biografi të tilla, ku jo rrallë ka doza pasinqeriteti, përkulet, përulet, vetëzhvlerësohet si një njeri i thjeshtë përpara makinës së një regjimi të urryer, sa gjer arrin të zhvishet lakuriq e të kamzhikojë veten me hithra... Deri këtu, gjithçka duket të jetë në rregull, dhe të dy hipotezat në fjalë janë pro dhe contra. Porse Cukali shtyhet më tej dhe, në ‘contra-n’ e tij ndaj hipotezës së A.Hasanit, thotë: ”Për aq sa mund të perceptoj unë, është një rrëfim plot brenga. Unë nuk besoj se prifti i gjykon rrëfimtarët pas rrëfimit. Ai thjesht i fal. Por, kush jam unë që të kërkoj priftërinj në këtë vend?”. Autori i shkrimit ‘K për K’ kërkon të kthejë në prift një shoqëri të tërë, shkurt e me një fjalë, kërkon të ‘Priftëzojë’ shoqërinë shqiptare, ta kthejë atë në një instrument qorr e pasiv faljeje të gënjeshtërt, dhe kjo është vërtet e rrezikshme dhe dëmtuese për parimet demokratike, por edhe për ato njerëzore, dhe sidomos për zhvillimin e një shoqërie e të një kombi që ka ende probleme të pazgjidhura me të kaluarën dhe historinë e vet, e për pasojë edhe me të tashmen e tollovitur. Porsa kemi dalë nga një errësirë diktature (njëzetë vjet duket të jenë shumë pak për ne në udhën e dritës) dhe po të rrekeshim ta përmblidhnim me dy fjalë atë çka jetuam asaj periudhe, pa dyshim do të qe: gënjeshtra dhe hipokrizi e përhershme; një sistem i përsosur i së pavërtetës sistematike. Po t’i shtosh kësaj edhe sistemin e superfuqishëm e të frikshëm të policisë së fshehtë, Sigurimit të Shtetit që kontrollonte gjithçka, kupton se kemi qenë një popull i tërë i zhytur në vetmi dhe moskomunikim. Gjuha e së vërtetës dhe qëndrimi ndaj së vërtetës janë, gjykojmë, ndoshta i vetmi mjet efikas që mund të vendosë sigurshëm lidhjen dhe komunikimin e vërtetë midis të gjithëve, në këtë shoqërinë tonë. Camus-ja e konsideronte si një akt politik vullnetin e së vërtetës, të barazvlefshëm me kundërveprimin e njeriut të lirë, e revoltës kundër gënjeshtrës, e gjuhës së dyfishtë dhe dredhive të shtypësit: “çdo shteg dyshimi, çdo keqkuptim, nxit vdekjen. Vetëm gjuha e qartë, fjala e thjeshtë, mund të shpëtojnë nga kjo vdekje. Akti i Kongolit në “Autobiografinë” e tij, gjykoj, është një komunikim, është një përpjekje për të thënë të vërteta, si i tillë është një akt i respektueshëm, me gjasë purifikues, që meriton një reflektim të gjatë dhe që, pa dyshim, do të jetë pjesë e gjykimit aktiv të shoqërisë. Nuk mund të jetë ndryshe. Nuk do të kishte asnjë vlerë për shoqërinë e për askënd, një ‘Mea-Culpa’ e individit në vetvete dhe vetëm për vetveten, nëse shoqëria nuk do të kundërvepronte me gjykimin e saj. Nëpërmjet këtij gjykimi shoqëria do të mund të ndihmojë në vendosjen e së vërtetës; vendosja e kësaj të vërtete i takon të gjithëve, dhe duhet të pranohet nga të gjithë, si nga ata që nuk e besuan komunizmin, edhe nga ata që e besuan atë. Modelet në këtë drejtim i kemi nga bota e madhe, por edhe ky “modeli – Kongoli”, mendoj, do të shërbejë për vetëpastrimin e shoqërisë sonë, aq më tepër që ende “dyert e blinduara” të dosjeve të mbushura me plot ‘x file’ mbeten të vulosura. Por, edhe vetë librat e Kongolit, ka fort të ngjarë të perceptohen dhe përjetohen ndryshe paskëtaj nga lexuesi, jo vetëm prej të vërtetës së shpallur nga autori i tyre, por edhe prej zbulimit se shumë ngjarje në to e kanë lëndën krejt reale, autentike dhe se nuk i përkasin fiksionit, se nuk janë të trilluara (apo të qëmtuara nga eksperienca e të tjerëve dhe të abstraguara në procesin e krijimit), se rrëfimtari dhe personazhi janë një, se nuk ka realitete paralele, por veç një realitet i njëmendët, se lexuesi ndodhet përballë skenave-dëshmi ( kujtoj këtu, p.sh, skenat e hetuesisë te romani “Kufoma”, për të cilat autori rrëfen se janë krejtësisht reale). Historia është vërtet një shkollë durimi, por Hegeli thotë: “Një kujtim i zbehtë nuk ka forcë në furtunën që fryn mbi të tashmen”. Një kujtim i vetëm i Fatos Kongolit është shumë pak për të sjellë gjithë të vërtetën në shoqërinë tonë; lipset të kemi shumë akte të tilla, lipset të rikrijojmë kujtesën tonë historike, lipset të përmbushim të drejtën e individit, por edhe të tërë shoqërisë, për të njohur të vërtetën, e kjo nuk mund të përmbushet dot pa njohjen në thellësi dhe gjerësi të fakteve, e sidomos të shumë dosjeve dhe dokumenteve që ende rrinë në errësirë, lipset të mos lejojmë që të gjallojë fenomeni që Novruz Shehu në shkrimin e tij mbi disidencën letrare shqiptare e quan “Katovica letrare”, për analogji të asaj politike...

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk