Mjeshtri i madh i Rilindjes italiane, Leonardo da Vinçi pikturoi veten tek ‘Darka e fundit’
Sipas një eksperti britanik të arteve, mjeshtri i madh i
Rilindjes italiane, Leonardo da Vinçi ka përjetësuar portretin e tij në dy prej
dishepujve në një nga pikturat më përfaqësuese të tij, “Darka e fundit”.
Të dhëna nga periudha e rinisë së Leonardo da Vinçit ka
shumë pak, përveç faktit që, sipas Giorgio Vasari, gjeniu i gjithanshëm i
Rilindjes ishte një njeri me bukuri të rrallë. Dhe, edhe pse disa dijetarë të
kohës kishin dyshuar gjithmonë se piktori toskan kishte portretizuar vetveten
në një nga pikturat e tij, ashtu si kishin bërë para tij Andrea Mantegna dhe
Benozzo Gozzoli dhe ndoshta në kohën e vet edhe Mikelanxhelo, deri më tani
askush nuk kishte identifikuar piktura ose afreske ku kjo gjë të vërtetohej
edhe për Leonardon. Por specialisti i arteve, Ross King, sugjeron se piktori i
‘Mona Lisa’ i ka dhënë karakteristikat e tij fizike dy apostujve që gjenden në
pikturën e famshme ‘Darka e Fundit’, dhe pikërisht dishepujve Thomas dhe Jakobi
i Vogël.
“’Darka e fundit’ nga
Leonardo është vepra e vetme në të cilën askush, qoftë akademik apo amator, nuk
ka kërkuar asnjëherë për të gjetur një portret të Leonardos”, tha King për
gazetën ‘Independent’ .
Prova e argumentit të tij mbështetet në një poemë pak të njohur,
shkruar në vitet nëntëdhjetë të shekullit të pesëmbëdhjetë, nga miku i tij
Gasparos Visconti, në kohën kur Leonardo ishte duke pikturuar ‘Darkën e
Fundit’, në kishën Shën Maria, në Milano.
Në poemën në fjalë, Visconti ‘tallet’ me një artist të
kohës, i shquar për pamjen e bukur, emrin e të cilit nuk e përmend, i cili ka
vendosur autoportretin në pikturën e tij. Sipas studiuesit britanik, gishti i
ngritur nga apostulli Thomas, në ‘Darkën e fundit’, duket sikur evokon një
gjest tipik që i atribuohet Leonardos. Gjithashtu, King e mbështet teorinë e
tij edhe në një portret të Leonardo da Vinçit që i përket vitit 1515, i bërë
nga njëri prej asistentëve të tij, ku duket një njeri me bukuri klasike, me një
hundë greke, flokë të gjatë dhe mjekër të madhe, kjo e fundit e rrallë për një
burrë italian të epokës. Sipas King, dy apostujt e ‘Darkës së fundit’, ku sipas
tij Da Vinçi ka përjetësuar vetveten, Thomas dhe Jakobi i Vogël, kanë të
njëjtat karakteristika.
Comments
Post a Comment