Philip Roth, një roman në mbrojtje të letërsisë
Philip Roth me romanin ”Del hija”, ku kompetencën e rrëfimit
e bart një njeri i pashpresë, shfaq gjendjen në të cilën ndodhet letërsia e
mirëfilltë me krijuesit dhe lexuesit e saj, kohën kur kurrreshtja për zhbirime
biografike synon të zëvendsojë kërkesat estetike dhe dëshira për famë nuk
zgjedh mjete.
Romani ,,Del hija” është vepër e shkrimtarit të madh amerikan, Philip Roth, që
në titull paralajmëron një përmbajtje të veçantë. Roth sjell tek lexuesit
misterin e një shkrimtari që në të njëjtën kohë paraqitet si njeri i vdekur por edhe i gjallë. Thënia e
Dylan Thomasit: Para se vdekja të të marrë, merre mbrasht këtë! – Kjo flaji që
është vënë si moto në hyrje të romanit - kur ndërthuret me rrëfimin e njeriut
që ndodhet në vjeshtën e jetës së tij, merr kuptimin e porosisë që jeta duhet
të jetohet me të gjitha çastet e saj, se
njeriu duhet të përballet me të deri në fund, e kur prapa lihen vepra të mëdha
atëherë dueli vazhdon edhe pas vdekjes.
Rrëfimi i romanit “Del hija” është i ndarë në pesë pjesë me
tituj të veçantë, që bëhet në vetën e parë nga shkrimtari Nathan Zukerman. Ky
rrëfim prek çështje të ndryshme që e preokupojnë njeriun e sotëm, që të lidhura
me ngjarjet reale të viteve të fundit ngrenë pikëpyetje të shumta mbi jetën,
vdekjen dhe asaj që mbetet pas tyre, e mbi te gjitha mbas jetës të një
shkrimtari. Kthimi i Zukermanit në jetën e Nju Jorkut, sa përkon me kthimin e
Odiseut në Itakë, aq edhe dallon nga ai, sepse qëllimi i kthimit në këtë rast
lidhet me vullnetin dhe dëshirën për të mposhtur kërcnimin nga mosshijimi i
kënaqësive të jetës. Nëse një kërcnim serioz nga armiq të pendës së tij e
kishte bërë të ikte nga Nju Jorku, tani një kërcnim tjetër e bën të kthehet
aty. Por, derisa Odiseu kthehet triumfues dhe triumfon mbi gjendjen e krijuar
në Itakë, Zukermani nuk e arrin këtë gjë. Ai përveç tjerash, duke u bërë
dëshmitar i sulmeve ndaj biografisë së shkrimtarit, E.I. Lonof, nga njerëz të
uritur për famë kthehet prapa edhe me pasigurinë për fatin e veprës dhe
biografisë së tij pas vdekjes.
Megjithëse kemi të bëjmë me narratorin që flet në vetën e
parë, episodet nga e kaluara, nga jeta e Emit, Lonofit, Xhemit dhe vetë
Zukermanit futen natyrshëm brenda linjës kryesore të rrëfimit duke e pasuruar
atë dhe duke zgjeruar tablonë e jetës. I nisur nga aktualiteti, e duke vazhduar
me pasojat e sulmeve të 11 shtatorit, sulmet terrosiste që tronditën botën, e
mbi të gjitha popullin amerikan, zgjedhjet presidenciale në Amerikë, zgjedhje
këto qe sulmohen apo nuk pranohen si zgjedhje reale, politika e G.W Bushit
kritikohet drejtpërsëdrejti duke e konsideruar si një politikë centraliste,
vetëpërfituese, neglizhente për botën, rrezikun që po i sjellte botës, një
politkë që po e rrezikonte planetin tonë në shumë aspekte, zhgënjimi i njerezeve
nga jeta dhe mënyra e të jetuarit. Rrëfimi shkon prapa në kohë deri tek
periudha e Luftës së Dytë Botërore përndjekja e hebrenjve, duke u kthyer në
kohën e së kaluarës ku ai paraqet vështërsitë e medha të popullit hebrenj në
kohen e përdjekjes, dhe në anën tjetër ai ngrit besimin herbraik. Përqasja e
kohërave bëhet përmes shëtitjeve narrative që ndërtojnë fabulën në qendër të së
cilës ndodhet Zukermani, i cili i prekur nga sëmundja kanceroze kthehet në
NewYork, vend ky ku kishte kaluar tërë jetën, duke përjashtuar ato 11 vitet e
fundit që i kaloi jashtë qytetit të zhurmshëm,
të ngulfatur nga njerëzit. Protagonisti që në nismë shfaq ndjenjat e
ftohta të të jetuarit në këtë botë, ndjesitë e tij tani më kishin pësuar
ndryshime, ai rrëfen se nuk kishte ndonje dhimbje per 11 shtatorin, gjë që nuk
mund të merrej si normale për kohën. Kthimi do t’i ringjallë atij kujtimet e
fëmijërisë, fuqinë dhe energjinë që tani
i kishte humbur. Kontrast i fuqishëm krijohet mes arritjeve teknologjike që
ishin bërë gjatë një dekade dhe nivelit ku kishte ngelur Zukermani: në kohën e
makinës së shkrimit, mes shkrimeve, mes librit, pa zërin e botës, pa gjininë e
kundërt, pa kërcënimet terroriste, jetonte i mbyllur në vete, me heshtjen, me
pleqërinë, por, duke u prehur brenda lirisë së vetevetes. Në rrethana të tilla
shkrimtari do të duket si hije e njeriut që kaherë kishte ikur nga kjo botë.
Megjithë averzionin ndaj ndryshimeve dhe pamundësinë e adaptimit në jetën e re
të qytetit, rikthimi në Nju Jork, qytet ky që zgjon te çdokush mundësi të reja,
tek Zukermani zgjon krahas shpresës për shërim edhe ndjenjën e dashurisë ndaj
shkrimtares së re Xhemi Logan.
Rrëfimet e personazheve të tjera që në mënyra të ndryshme
lidhen me të zbulojnë përvoja njerëzore, që kur vihen pranë njëra-tjetrës
përplotësojnë tërësinë e ndryshimeve që karakterizon kohët e ndryshme. Kështu,
kthimi atij i kujton njeriun me egon të madhe, Lerri Hollis, njeri qe kishte
mbetur ne kerkesat femirore: ,,Rruga e Lerrit drejt pushtetit, ishte te pasurit
e pelqimi te heshtur e te plote nga njerezit e dashur ne jeten e tij – e imja
ishte te mospasurit e askujt ne jeten time”. Nëse Emi Beleti në moshë të re
ishte dashuruar në shkrimtarin e vjetër Lonof është e gatshme që për hir të
kësaj dashurie t’i nënshtrohet jetës ashtu siç e diktojnë teket e tij, Xhemi
Logan e dashuruar në Billin nuk është e gatshme të sakrifikojë asgjë rehatia e
saj për këtë dashuri, aq më tepër kur e sheh se ai e adhuron. Emi i qëndron
besnike dashurisë së saj edhe pas vdekjes së Lonofit, ndërsa Xhemi nuk e bën
këtë as në jetë. Megjithatë Zukermani dashurohet pikërisht në Xhemin, sepse ajo
është simbol i të bukurës, të paarritshmes asaj për të cilën gjakon çdo njeri
në jetë. Në pamundësi të realizimit të kësaj dashurie në realitet, shkrimtari e
bën këtë në shkrimet e tij, që futen si krijim brenda krijimit. Dialogët e
shumtë ku AI dhe AJO shkëmbejnë mendimet dhe ndjenjat e tyre janë fryt i
imagjinatës së Zukermanit dhe përmes tyre ai tregon përparësinë që ka mendja në
raport me trupin. Prej këtu duket se del porosia: Nëse dashuria nuk mund të
realizohet fizikisht, atë nuk mund ta ndal askush në imagjinatë dhe në vepra,
që tek e fundit mbeten të përjetshme.
Duke i dhënë rolin e forcës lëvizëse të konfliktit veprën e
papërfunduar të Lonofit dhe dilemën rreth incestit të tij, shkrimtari e vë në
pah kotësinë e kërkimit të lidhjes së veprës me realitetin. Së këndejmi, mund
të arrihet përfundimi se nuk është me rëndësi a është real, a e ka përjetuar
vërtet shkrimtari një fakt që e fut në vepër, me rëndësi është se ky fakt është
real për botën psikologjike të tij. Nëse Primo Levi vetëvritet pasi shkruan për
Aushvicin, thotë Emi, Lonofi vdes pse në romanin e papërfunduar përballet me
një fakt që e kishte ndrydhur në pavetëdijen e tij dhe të cilin nuk e tejkalon dot.
Duke e marrë në mbrojtje Lonofin nga sulmet e kohës së re, që në vepër përfaqësohen nga Klimani, shkrimtari i vjetër
Nathan Zukerman e mbron në një mënyrë veten dhe veprën që do të lërë pas. Aq
shumë identifikohet me Lonofin sa edhe vet në ëndërr përballet me incestin me
nënën e tij. Mirëpo, me gjithë
këmbënguljen e tij, Zukermani nuk ia del ta mbrojë deri në fund çështjen e
Lonofit dhe si pasojë duket se profecia e Niçesë “Arti vritet nga smira”
realizohet herët a vonë, e aq më tepër në kohën kur në pamundësi të krijimit të
monumenteve të mëdha të artit shfaqet synimi për t’i njollosur ato të kaluarat.
Philip Roth me romani Del hija ku kompetencën e rrëfimit e
bartë një njeri i pashpresë, shfaq gjendjen në të cilën ndodhet letërsia e
mirëfilltë me krijuesit dhe lexuesit e saj, kohën kur kureshtja për zhbirime
biografike synon të zëvendësojë kërkesat estetike dhe dëshira për famë nuk
zgjedh mjete. Reagimi kritik i drejteperdrejt, pikërisht vije me letren e Emit
drejtuar redaktorit të gazetës së njohur NewYorkTimes, për ato shpërfillje të
shkrimtarëve dhe shkrimeve të tyre.
Përmes rrëfimtarit shkrimtari vë në diskutim se a duhet apo
jo të futen çështjet intime ose personale, pra jeta personale, në mesin e
diskutimeve rreth veprave të autorit.. Roth është vetë Zukermani që në fund të
rrëfimit dorëzohet me ikjen e tij nga NY duke mbetur peng i asja se a do të
vazhdojë të zhbirohet ajo që është letërsi.
Nga Berat Amidi
Kohen Ditore
16 qershor.2012
Comments
Post a Comment