Jorge Luis Borges, fenomeni letrar që la gjurmë në gjithë botën
Në gusht të vitit 1899, në Buenos Aires, Argjentinë, do të
lindte Jorge Luis Borges. Fëmija i quajtur "Georgie" nga familja e
tij, dhe që vetëm kur ishte 9 vjeç do të përkthente W
ilde "Thw Happy Prince" nga anglishtja në
spanjisht (gjyshja e tij ishte angleze), do të bëhej një shkrimtar i madh, për
t'u konsideruar nga shumëkush "si një nga shkrimtarët më brilantë dhe më
polemizues të planetit".
Ky Borges, që në të vërtetë i përgjante më shumë se një
bombe atomike, kishte gjithnjë si lemë në mendje: "nëse gjen një çelës ai
mund të hapë një portë".
Sot fenomeni Borges, autori i "El Aleph" nga
erudicioni, historia dhe etimologjia, është një idil i preferuar nga shumëkush.
Ata që marrin pjesë në panaire librash që zhvillohen në botë, duhet ta kenë
vënë re se ai nga një shkrimtar elitar, sot është një hero popullor.
Stili origjinal, ironia therëse, temat që trajton, bëjnë që
edhe shkrimtarët e mëdhenj të kohës sonë ta njohin atë si mjeshtër të madh,
duke e përcaktuar si një nga shkrimtarët më të shquar të shekullit të XX-të.
Marguerite Yourcenar e admironte. Cioran, mendimtar
rumuno-francez, e përcaktoi si "i fundit i delikatëve". "Loja e
Borges të kujton ironinë romantike sa dhe shpërthimin metafizik të
iluzionit", thoshte ai .
Umberto Echo shprehej gjithnjë se, "çmendej" kur
lexonte librat e Borges. "Kaloja netë e netë, duke lexuar veprat e tij së
bashku me miqtë e mi", thotë Echo. Por shumë të tjerë e kanë përcaktuar si
Stendhal apo Flaubert, të tjerë e quanin thjesht dhe me admirim 'Mjeshtër'.
Por çfarë mendonte Borges për veten e tij?
Në shkrimin "Borges dhe unë", autori beson se,
Borges është një imazh, një emër që shfaqet mbi një letër apo në një fjalor
biografik. "Nuk më kushton të them se, kam shkruar disa faqe me vlerë; por
ja që gjithnjë mendoj kur shkruaj, se më e mira ndoshta nuk i takon askujt
(...) Unë dua të mbetem tek Borges, por jo tek unë (nëse jam dikush). Di të
them se e njoh veten më mirë në librat e tij".
Ende kujtohet sot një ndodhi e shkrimtarit të madh. Kur
dikush e mori në telefon në shtëpi për t'i kërkuar një takim, teksa mendonte se
duhej të fliste me një nga sekretarët e tij, befas dëgjoi zërin e tij. Duke
ngatërruar fjalët, mërmëriti: "Tungjatjeta mjeshtër". Përgjigja ishte
sa shokuese aq dhe e natyrshme: "Mjeshtër jo. Më thërrit Borges".
Borges shprehej se e kishte kaluar jetën, duke menduar për
gratë, se ishte një njeri pasionant dhe emotiv, por nëse dikush lexon dy
koleksionet e tij me tregime të famshme "Fiksione" dhe
"Aleph", kupton të kundërtën.
Nëse dikush lexon intervistat e tij do të shohë, se ai e
shpjegon veten e tij si "sentimental" dhe flet shumë për emocionin.
Por, në proçesin e transformimit të eksperiencave të tij në tregime ka një
ndryshim të madh, që do të thotë se në këto tregime emocionet zhduken.
Në dekadën e viteve '30 të shekullit të kaluar, ai ishte një
ndër të parët shkrimtarë dhe intelektualë të Argjentinës, që u shpall kundër
fashizmit. Borges ishte shumë këmbëngulës dhe këtë gjë e shpjegon dhe fakti që
ai ishte një opozitar edhe me Peron, dhe ndoshta kjo i shkaktoi edhe mosfitimin
ndonjëherë të Nobel-it.
Dekada e fundit e jetës së Borges ishte një periudhë shumë e
vështirë për Argjentinën. Borges kërkonte me çdo kusht të vinte në dukje
nevojën e bashkëjetesës së grupeve të ndryshme dhe partive në vend dhe këtë duket
se e gjeti në modelin zvicerian, ku ai edhe mbylli sytë.
Në Shqipëri, Borges u bë sidomos i njohur pas viteve '90-të.
Më parë, ai kishte qenë i njohur vetëm nga nje shtresë e caktuar dhe aspak nuk
mund të ishte i përkthyer në gjuhën shqipe. Botimi para disa vitesh i revistës
letrare "Aleph', ishte një mesazh intelektual sa edhe mirënjohjeje i një
grupi të rinjsh në nder të shkrimtarit të madh.
Një revistë, ku të rinj të talentuar arritën të përkthenin
në një stil origjinal, pjesë dhe vepra të njohura të letërsisë botërore.
Por edhe shumë shtëpi botuese, sot për sot kanë marrë guxim
të shqipërojnë gjuhën enciklopedike që të ofron Borges. "Libri i qenieve
imagjinare", përkthyer nga Azem Qazimi dhe botuar nga "Zenit",
"Tango", "Inkuzicioni dhe të tjera", "Vdekja dhe
busulla", shqipëruar nga Mira Meksi dhe botuar nga "Ideart, janë disa
nga veprat e shkrimtarit që di të çelë me gjeninë e tij portat e letërsisë
botërore sot dhe në vitet që vijnë.
Jo më kot në vigjilje të ditëlindjes së tij (24 gusht) janë
të shumta aktivitetet që organizohen në shumë vende të botës në nder të tij;
nga Egjipti ekzotik, në vendet gjaknxehta të Amerikës Latine, sikundër dhe në
Amerikën e ekulibruar, sepse ndoshta nuk mund të ketë në planet shkrimtar si
Borges, i cili është studiuar, analizuar, interpretuar nga njerëz elitarë të
letrave, nga kritikë e profesorë të njohur.
Por nostalgjikë, sa edhe shpirtërorë, argjentinasit thonë se
ndër gjërat që Buenos Aires humbi dhe që ju mungojnë, janë hapat e matur të një
Borges-i të verbër, kur ai çapiste në rrugët e tij të preferuara.
Dhe të gjitha këto falë dhe pavarësisht figurës së tij herë
polemike, e herë të dashur sa edhe kokëfortë...!
Ky Borges, si njeri dhe si personazh 'iku' më 14 qershor
1986, në Gjenevë (Zvicër). Por jeton megjithatë në të gjithë botën esenca e
fjalës së tij, reflektimi filozofik, loja intelektuale, misteri dhe
gjysmërealiteti.
Flora NIKOLLA
Comments
Post a Comment