Ardian Klosi vdiq ashtu siç jetoi, si intelektual

Henri Çili
Fabula është perfekte, perfekte për depresionin e intelektualit, perfekte për zhgënjimin e intelektualit, perfekte për skenën e përsëritur qindra herë në historinë botërore, sidomos të shoqërive të sofistikuara ku një intelektual i jep fund jetës me vetëdije.
Ardian Klosi qe një prej emrave emblematikë të tranzicionit shqiptar në të gjithë kuptimet e tij: njeriu i shqetësuar, njeriu asnjëherë dakord me botën e të tjerët, ndoshta shpeshherë as dakord me veten, njeriu i ideve dhe vlerave për të cilat besoi dhe militoi fort, njeriu tipik i shoqërisë civile, një lloj prifti laik i publikes, një lloj prifti laik i kulturës shqiptare; edhe pse i dimensionit të saj kritik ose vetëkritik, për të cilat ai shpeshherë qe vendosur në qendër të kritikave, të fyerjeve e herë-herë edhe të poshtërimeve.
Ardian Klosi, me të cilin shpeshherë kemi debatuar nëpër studio, dhe besoj shumëve u ka ndodhur, ishte megjithatë intelektuali racional, debatuesi kritik, i papritur, asnjëherë i mërzitshëm, gjithmonë novator dhe vazhdimisht i shqetësuar në lidhje me atë se çfarë shkonte mirë ose çfarë shkonte keq në shoqërinë shqiptare.
Në jetën e tij Klosi u mëshoi disa prej kauzave, të cilat e bëjnë jetën publike që të jetë e tillë, e bëjnë një shoqëri që të kalojë nga gjendja e saj primitive në sofistikim, e bëjnë njerëzoren e ashpër dhe, të themi njerëzoren bruto të futet dhe të latohet, të bëhet e pranueshme për tjetrin, të bëhet e pranueshme për shoqëroren dhe për publiken.
Rrallë mund të ndodhte që Ardian Klosi të kalonte pa vëmendje. Kur shkruante, apo kur fliste, kur debatonte, kur mbante një qëndrim, i cili ishte gjithmonë pozicioni i tij. Pozicioni i tij kryesor ishte pozicionimi, mbajtja anë në çështje. Ardian Klosi më kujton një shprehje të viteve ’60 të lëvizjeve civile në Europë, ku një prej intelektualëve u thoshte kolegëve të vet: Intelektualë pozicionohuni! Pikërisht këtë bëri Ardian Klosi, u pozicionua me guxim sipas ideve të tij, madje që në fillim. Që në fillim në Lëvizjen Demokratike me Refleksionet dhe Shqipëria Quo vadis. Më tej në mesvitet ’90 me ngjarjet e ’96-97-ës, më tej me degradimin e qeverisjes socialiste, dhe më tej me disa kauza publike të cilat janë transversale dhe u përkasin të gjithave, siç është mjedisi, (kujtoj rastin e Vlorës), çështjen e fabrikave të çimentos, apo së fundmi betejën e tij finale në lidhje me importin e plehrave.
Me shumicën e ideve të tij mund të mos jesh, ose mund të mos kem qenë dakord, por ç’rëndësi ka! Ai sot mungon në krah të disave dhe përballë disave, duke shënuar vërtet një humbje nga ato të pazëvendësueshmet. Duke i lënë pas jetës publike shqiptare një hero të vërtetë: hero i kohës sonë, hero i publikes, hero i civiles, hero i njerëzores, kundër vulgares dhe kundër së ashprës, të cilën ai nuk e pranoi asnjëherë dhe në të cilën ai nuk ra asnjëherë.
Ndoshta vulgariteti i fundit që i refuzoi vetes ishte të priste vdekjen në shtrat.
Mapo

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve