Krijuesi në botën e sotme

Lekë Tasi

Vizioni personal i një krijuesi të afirmuar në botën e sotme formohet, përveç përpunimit të brendshëm, edhe si fryt i përjetimit të një larmie të jashtme shumë të shtuar tash së voni, me njohje të gjithanshme të botës
Ekspozita e pikturës shqiptaro-franceze “Ngjyrat e Pranverës”, e hapur në Galerinë FAP të Universitetit të Arteve, duke filluar nga 26 prilli, zhvendoset në Durrës te galeria “Nikolet Vasia”. Pjesëmarrës janë pesë piktorë: Aymard Le Forestier De Quillien dhe Beatrice Richard-de Saint-Jean, të ardhur nga Franca; dhe shqiptarët: Besim Tula, Ledia Konstandini dhe Stefan Taçi (Stefos). Fillimisht, kërkuam të përbashkëtën, që sipas rregullit të sotëm kuratorial duhet të lidhë  në një farë mënyre konceptet. Përshtypja e parë qe pozitive. Pavarësisht nga ndryshmëria, një shije e zgjedhur ishte e pranishme te të gjithë. Sfida e paraqitjes përballë dy artistëve europianë me eksperienca të gjata është përballuar me mjaft dinjitet nga artistët tanë. Kur lexon kurrikulin e dy piktorëve francezë bindesh që vizioni personal i një krijuesi të afirmuar në botën e sotme formohet, përveç përpunimit të brendshëm, edhe si fryt i përjetimit të një larmie të jashtme shumë të shtuar tash së voni: përmes njohjes së gjithanshme të botës. Kështu arrijnë synimin final, te gjuha dhe stili individual. Piktura e Le Forestier De Quillien, e pasur në konstrukte vizatimore, ngjyra dhe aluzione nga realja, pak a shumë të fshehura, flet dukshëm për kërkime drejt një formulimi sa më origjinal të llojit abstrakt. Tabloja më shprehëse duket  “Chartres”, që mund ta marrësh si një sallë ku ndodh një farë riti misterioz, po ashtu dhe “Le noir”, ku dy kontrastet dritë/zi dhe zi/gri të japin ndijimin e mbylljes përsëri brenda një hapësire reale, tredimensionale, jo vetëm  psikologjike. Beatrice Richard de Saint Jean  ka një kurrikulum më të larmishëm në jetën  e saj, po t’u referohemi udhëtimeve krijuese në Guadelupë, Afrikë dhe brenda Francës. Bien në sy disa maniera pune të ndryshuara gjatë karrierës së saj, që shkojnë nga piktura me qëllim zgjimin e sensit artistik te fëmijët (me Virgjëreshën dhe Foshnjën), te magjepsja nga natyra (me forma të shumta gjelbërimi), e në fund te një shprehje abstrakte disi e veçantë. Këtë kalim nga një mënyrë te tjetra te disa artistë e shohim të bëhet në mënyrë të prerë, duke u marrë për një kohë ekskluzivisht me manierën e re, me qëllim thellimin me sistematicitet shkencor në secilën prirje. Kjo duhet t`i vlejë edhe këtu te ne kujtdo që ka synime profesionalizmi serioz në punën e tij. Punimet e artistes të bëjnë përshtypje për marrjen me radhë të mundësive, sesi ruli i ngjyer në akrilik të nxjerrë gjurma kur kalon mbi një material të fortë ose më të butë, shirita ngjyre, të pasura në  larminë e tyre, megjithëse të afërta në shikim të parë, ku vullneti/spontaniteti i artistit, madje me dy rula në dy duart, kombinohet me të papriturën e rastit.
Kontributi i Besim Tulës në këtë ekspozitë njeh një kulm për nga larmia e arritur  në komentimin e përditësisë sonë, me përqendrim tek aspektet e qytetërimi të sotëm informatik ose  të reklamës. Janë punë të goditura (veçanërisht “Biseda në celular” po edhe të tjera) dhe  dëshmojnë për një liri invencioni të arritur prej tij në kombinime për herë të reja brenda kësaj  mënyre personale të praktikuar prej vitesh.
Ledia Kostandini, artistë e re e suksesshme, ekspozon tablo të një realizmi magjik (në tren, në kishë), si dhe  grupe familjare (shumë  shprehëse) e gra të moshuara. Përdorimi i të zezës pranë dritës së ngjyrshme si dhe gjurmët kalimtare të dritës mes rrugës së errët ku anash duken dritare, të  japin  ndjenjën  e një hapësire urbane natën  dhe në mënyrë vërtet poetike.
Stefan Taçi (Stefos) artist me aktivitete që shkojnë nga skulptura, kinematografia me metrazh të shkurtër te piktura, paraqitet  me punime që evokojnë momente të dashura të së kaluarës së tij, deri te sprovat e tij me materiale dhe dekoracione, edhe këto të adresuara te një temë. “Triptiku “ përmban një numër raportesh të gjetura mirë ngjyrash (veçan e kuqja me arin), me simbole, lule, dekorativitet. Kjo përmbledhje të ndryshmesh shihet edhe te “Kambanorja”, por këtu  me njolla, linja, vizatim miniaturistik dhe sipërfaqe të bardhë;  kurse te tabloja e madhe “Dritarja”, pranë  ngjyrave të  realizuara me shije dhe precizion, na shfaqet edhe dantella, që me konkretësinë e vet jashtë-artistike, së bashku me simbolin shtëpiak, i jep tablosë edhe befasinë e këndshme

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk