Logjika: “Buono per l’Albania”

Ardian Ndreca
Në Shqipni njerëzit ankohen për praninë e mallnave të skadueme, për ushqime, pije, por edhe për mallna tjera. Cilësia e dobët e gjanave që arrijnë te ne nga jashtë asht mbresëlanëse, përfshi këtu edhe njerëzit, e kam fjalën për ata të gjallët, të cilëve në Shqipni kryesisht u bajnë përshtypje kërnackat, birra apo qoftet me lang.
Nuk mund t’i fusim të gjithë në nji thes, pse shteti ma i madh mik që kemi, ShBA-ja, ka dërgue përgjithsisht në këto vite njerëz të denjë, jo për Shqipninë e mjerë ku politikanët janë rrencakë dhe të korruptuem, por për vetë atdheun e dhjetë amendamenteve të Bill of Rights e të lirive tjera themelore, natyrale dhe pozitive. Kam parasysh këtu ambasadorët Ryerson, Limprecht, Withers e tashti Arvizu-n.
Meqë jemi të “dënuem” për shkak të rrethanave me “durue” ndërhymjen e ambasadorëve të huej, të kthyem në garantë të jetës politike shqiptare, kemi t’paktën të drejtën të pretendojmë që të jenë në naltësinë e situatës, të mos jenë burokratë të randomtë prej atyne që vlojnë në ministritë e jashtme të të gjithë botës, të kuptojnë sadopak levantinizmin e politikanëve tanë, të njohin historinë tonë të viteve të fundit, me nji fjalë të kenë shpenzue kohë me krijue nji farë kulturet rreth vendit tonë.
Në këto vite kemi qenë shumë të pafat në ketë drejtim, pse qeveritë e disa vendeve, sidomos të BE-së, e kanë kthye Tiranën në nji parking për funksionarë që, tue mos dijtë se ku me i degdisë, na i bajnë peshqesh ne, meqë dami që ata mund të bajnë në Shqipni s’asht i llogaritshëm për shtetet përkatëse. Mediokriteti asht nji monedhë që ec mjaft në Tiranë, logjika e të huejve kur bahet fjalë me na nisë diplomatët e tyne ka qenë dhe asht ma së shumti: buono per l’Albania.
Me sa duket, e njejta gja ka ndodhë edhe në kohën e komunizmit. I derguemi i parë i RFGJ-së në Tiranën e Ramiz Alisë, W. Daum, tregonte se në fundin e viteve ’80 vetëm 2-3 përfaqsues të huej në Tiranë kishin ide të qarta për gjendjen e krijueme në vend dhe për qëndrimin që duhet të mbante Perëndimi ndaj atdheut të komunizmit real.
Edhe sot si atëherë? Jo, por défaillances e vazhdueshme të shumë diplomatëve të huej në Tiranë na bajnë me mendue se tradita e keqe e dërgimit te ne të kallamsheqerave të diplomacisë botnore vijon ende.
Nga ana tjetër skena politike dhe shoqnia shqiptare e kanë relativizue vetvetijshëm diletantizmin diplomatik në Tiranë; megjithatë dami që ky lloj sportit i ka sjell vendit tonë asht i prekshëm dhe ka kohëzgjatjen e vet. Shqiptarët kanë tregue në këto vite se fjalët e disa ambasadorëve i kanë marrë me gaz, të do tjerëve me maraz, të do tjerëve i kanë ndie tue kujtue atë thanjen e urtë: pordhët e ujkut nuk zanë vend!
Kjo asht gjendja dhe sigurisht ne s’mund të bajmë asgja konkrete. Por në nji drejtim tjetër mund të lëvizim tue përdorë pak fantazinë ballkanike. Mund të organizojmë nji Observator të veprimtarisë së trupit diplomatik të akredituem në Tiranë.
Ky Observator duhet të numrojë
  • sa herë diplomati i huej Filan Fisteku ka folë në publik tue përdorë shifrat e qeverisë për me ilustrue sukseset e kësaj të fundit?
  • sa herë ka dalë në shetitje demonstrative me kreun e qeverisë dhe sa herë me atë të opozitës?
  • sa darka ka hangër me njenin dhe sa me tjetrin, çfarë venet apo pijesh tjera jo turbulluese ka pi përpara se me ba deklarata të pangjashme e kundërthanëse me realitetin shqiptar?
  • në qoftë se mbas dy birrash në vendin e tij i tërheqin patentën, ba me nisë makinën; pse i besojnë me drejtue nji përfaqsi të tanë diplomatike te ne!
  • sa investitorë të huej kanë ardhë të “shtymë” prej tij?
  • sa herë ka këndue në tv: aj rum cicirum pare pare gjelisum?
  • sa herë ka përdorë fjalën progres?
  • sa kritik ka qenë me qeverinë dhe sa me opozitën?

Në qoftë se bilanci do të jetë negativ për ambasadorin në fjalë, atëherë Observatori duhet t’i sugjerojë në mënyrë konfidenciale Kryeministrit shqiptar që në shenj hakmarrjet të emnojë në vendin e tij nji ambasador tonin budalla e tru-tutkall, injorant dhe zuzar, llafazan e interesaxhi të pafytyrë.
Harrova, këto gjana Kryeministri i ka vetë parasysh dhe nji shpërblim të tillë ai ia ban herë mbas heret vendeve mike që na nderojnë përpikmë
Mapo

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk