Moderniteti si sfidë e pashmangshme

Ardian Ndreca
Për nji pjesë të madhe të globit tingëllon ironik fakti që moderniteti si periudhë historike nis konvencionalisht me vitin 1492, data e zbulimit të Amerikës. Në kandvështrimin eurocentrist të periodizimit të historisë ka edhe data tjera që merren parasysh për me shenjue fillimin e erës moderne në Europë; nji prej tyne asht edhe shpikja e shtypit prej Johann Gutenberg-ut në vitin 1455.
Në rastin tonë në qoftë se marrim si datë orientimit shpikjen e shtypit, ne e kemi përqafue modernitetin relativisht shpejt, tue qenë se librin e parë të shtypun në gjuhën shqipe e kemi në vitin 1555, pra nuk jemi larg popujve tjerë të Europës lindore.
Kur flasim për periudha historike, siç ka theksue studjuesi Krzysztof Pomian, aspektit faktual i korrespondon nji aspekt konceptual. Pra, nji periudhë historike karakterizohet prej disa ideve që e drejtojnë dhe e mbajnë gjallë. Kur forca e këtyne ideve mbaron, bashkë me to perëndon edhe vetë periudha në fjalë.
Arsyeja e mbarimit të nji periudhe historike nuk mvaret edhe aq prej periudhës së re që nis e duket në horizont, sa mvaret prej shterpësisë së tharmeve të asaj që po mbaron. Ka popuj që me ose pa vetëdije dalin sot prej mesjetës së tyne, e kjo gja ndodh jo aq për meritën e erës së re, sa për shterpësinë e asaj së vjetrës.
Karakteristika kryesore e modernitetit asht e lidhun me idenë e progresit, i cili nuk mund të konceptohet në mënyrë të njianshme. Për shembull: nji shoqni përparon në lamijen e kulturës dhe të ekonomisë, por s’mund të kthehet mbrapsht në fushën e ligjeve apo të politikës. Sado të vegjel të jenë hapat e progresit, ato i përkasin të gjitha fushave të jetës.
Historikisht kemi disa kombe që kanë qëndrue në ballë të progresit, por kemi të tjerë, që për motive nga ma të ndryshmet, kanë mbërrijtë ma vonë në takimin e tyne me progresin. Tue huazue nji metaforë të Kandinskit, mundena me thanë se njerzimi ec përpara në histori si nji trekandësh ku kombet ma të përparueme janë kandi që çan përpara, ndërsa baza paraqet ata ma të vonuemit, të cilët mbërrijnë gjithnji me “vonesë” në pozicionin e kandit që çan përpara.
Shpeshherë për me u çlirue prej sensit të të qenunit në bazën e atij trekandëshi imagjinar, popujt kthejnë sytë kah e kaluemja e largët dhe e trajtojnë atë në nji aspekt funksional të së tashmes. Për shembull arabët krenohen me të drejtë me algjebristat e tyne. Por s’mund të themi se njohja e thellë e algjebrës prej dijetarëve arabë në Mesjetë të ketë ndikue që jeta e arabëve deri në fillimet e shek. XX të ndryshonte sadopak prej kohës kur u zgjidhën së parit ato ekuacione!
Për ne europianët momenti historik që e ka artikulue në mënyrën ma domethanëse idenë e modernitetit ka qenë Revolucioni francez. Tue lanë mënjanë çdo lloj gjykimi apo vlerësimi mbi ketë eveniment, mundena me thanë se ai revolucion i ka ndrrue faqen njerzimit përgjithmonë. Ai ka shenjue lindjen e kombeve moderne dhe kalimin prej nënshtetasit tek qytetari, tue plazmue njikohsisht ndërgjegjen e të qenunit të lirë në shoqni. Edhe pse këto ide të mëdha u vunë përposhtë prej vetë revolucionarëve, ne aty gjejmë tharmet pozitive të modernitetit.
Ndryshimet rranjësore që përjetonte shoqnia në shekullin XIX, të paraprime prej ndamjes së shtetit prej kishës dhe prej konsolidimit të sovranitetit popullor bane të mundun lindjen e nacionalizmit si proces integrimit politik të masave në shoqni.
Edhe në ketë pikëpamje kombi ynë e përqafoi relativisht shpejt modernitetin, tue qenë se ideologët e Rilindjes si Pashko Vasa, Sami Frashëri, Jeronim de Rada ishin aktivë në gjysmën e dytë të shekullit XIX.
Megjithatë moderniteti nuk asht nji formulë që mund të mësohet përmendësh dhe ka veti magjike. Jo vetëm ekzistojnë popuj të tanë që i afrohen modernitetit me hapa të pasigurtë dhe me dyshim, por edhe mbrenda nji shoqnie moderne ka spore reaksionare që në kushte të caktueme shpërthejnë në vatra infeksioni.
Gjithsesi, me gjithë zigzaket dhe vonesat, kthim mbrapsht nuk ka, progresi edhe pse jo i njitrajtshëm asht i pandalshëm. Shumica e intelekteve të cekta ngatërrojnë progresin me pozitivitetin dhe negativitetin e asaj që sjell e ardhmja. Në të vërtetë bahet fjalë për plane konceptuale të ndryshme. Ata që i rezistojnë progresit dhe e refuzojnë atë nuk kthehen në njerëz primitiv, por në barbarë, dhe si të tillë janë përgjegjës për ngadalsimin e zhvillimit të popujve të cilëve u përkasin. Për shembull: korrupsioni asht nji prej anmiqve që pengon konsolidimin e shtetit modern dhe si rrjedhojë pengon progresin. Ata që favorizojnë korrupsionin, që korruptojnë dhe korruptohen janë shembull barbarizmit në shoqninë civile, pse vendosin qenjën e tyne të pakuptimtë dhe kalimtare mbi interesat e shoqnisë.
Në erën e globalizimit moderniteti asht ba ma i prekshëm, ndërgjegja civile asht zgjue në çdo paralel të globit, konfliktet janë ba ma të ashpra, vijat ndamëse ma të thella dhe diferencat ma të dukshme.
Historia ecë përpara, mund ta themi me nji metaforë të filozofit H. Bergson, si nji lumë lavet i zjarrtë, anash të cilit ngurtësohen format e pashpresa për zhvillim dhe gjithçka e panevojshme dhe e kotë që mton me ia pengue rrjedhën.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk