Colum Mccann, endësi i portreteve njerëzore
Shkrimtari irlandez Colum Mccann është profesor i letërsisë bashkëkohore në European Graduate School, në Zvicër dhe Hunte College, në Nju Jork. Është autor i një sërë veprash artistike, të botuara në më tepër se 30 gjuhë të botës, dhe i shumë artikujve në New York Times, Atlantic Monthly, Times, Irish Times dhe La Repubblica. Më 2003, Esquire, gazetë që botohet në ShBA që prej 1932, e ka cilësuar Mccann si romancierin e ri “më të njohur e më të shquar”. Romani Le të rrotullohet bota e madhe, i botuar më 2009, është pritur ngrohtë nga lexuesi e kritika dhe është vlerësuar me shumë çmime, si: National Book Award dhe International IMPAC Dublin Literary Award. Gusht 1974, Nju Jork: një burrë që ecën atje lart. Ndërmjet kullave binjake, ai bën ecejake në ajër. Shumë pranë, aty poshtë, jeta për të tjerët vazhdon. Vazhdon për Koriganin, murgun irlandez radikal, që punon në Bronks; për Klerin, shtëpiaken e brishtë në Upper East Side, e cila përpiqet të marrë veten pas humbjes së të birit: për Larën, artisten e re të varur nga droga; për Glorian e paepur dhe krenare, pavarësisht ditëve të vështira; për Tilin, laviren ëndërrimtare dhe Xhazlinën, vajzën e saj të bukur. Nën hijen e kësaj skene të krisur, por të bukur, këto jetë aspak të ngjashme do të përplasen dhe do të transformohen përgjithmonë. Një vepër emocionuese…elektrizuese, e thellë…Si një lojtar i madh në kulmin e vet, Colum Mccann ndryshon vazhdimisht shpejtësinë e rrëfimit, përshtat zëra, tone dhe stile të ndryshme rrëfimi, ndërkohë që hidhet nga njëri rresht i romanit te tjetri…Një nga shenjat dalluese të vlerave të romanit dhe të një ambicieje plotësisht të kënaqur është edhe fakti se shkrimtari Mccann zbulon vazhdimisht personazhe të reja, duke i lidhur bukur me njëri-tjetrin, ndërkohë që romani shkon drejt fundit të tij befasues dhe shumë prekës…Le të rrotullohet bota e madhe duket si një pararendës i romanit The Bonfire of the Vanities, Tom Wolfe. Një roman jashtëzakonisht i pasur, ku përmes një lëmshi xhojsian zërash duke përfshirë edhe atë të figurës artistike të Filip Petitit – Mccann end portretin e një qyteti dhe një moment që të jep një kënaqësi aq të madhe gjatë leximit, sa e ke të vështirë ta heqësh nga dora.
Një histori ciganeje
Zoli është vetëm gjashtë vjeç kur prindërit e saj, të rrethuar nga rojat fashiste të Hlinkës, Hitlerit sllovak, zhduken brenda një liqeni të ngrirë. Shpëton vetëm ajo dhe gjyshi, i cili i mëson të shkruajë e të lexojë, madje e dërgon edhe në shkollë, pavarësisht nga traditat e bashkësisë së tyre. Dalëngadalë te Zoli spikat një talent i jashtëzakonshëm të shkruari e të kënduari. Kënga e saj ngrihet nga pluhuri për të treguar dhimbjen dhe persekutimet, forcën dhe kurajën e një populli që gjithmonë i ka rënë harpës. Mirëpo, kur një anglez i dashuruar me të i boton poezitë, ciganët e detyrojnë të largohet prej tyre, sepse i ka tradhtuar për botën e “të bardhëve” dhe i ka shitur shpirtin dhe zërin një regjimi, që në emër të Barazisë dhe Përparimit, donte të vendoste rregulla të reja për një popull me tradita mijëravjeçare. I frymëzuar nga një histori e vërtetë, ky roman përfaqëson portretizimin e fuqishëm të një gruaje, e cila, edhe pse e braktisur nga njerëzit e saj, i ka kaluar me sukses të gjitha sprovat me të cilat e ka përballur fati, duke u udhëhequr nga dëshira e paepur për liri e, në të njëjtën kohë, duke ruajtur pastërtinë e shpirtit të saj. Një roman i bukur, plot mendim…i shkruar me mprehtësi dhe ndjeshmëri të madhe, i qëndisur bukur nga një prej romancierëve më të mirë të Irlandës.
Titulli: “Le të rrotullohet bota e madhe”
Autor: Colum Mccann
Përktheu: Jorgji Qirjako
Shtëpia botuese “Dituria”
Titulli: Zoli: Historia e një ciganeje
Autor: Colum Mccann
Përktheu: Jorgji Qirjako
Shtëpia botuese “Dituria”
Comments
Post a Comment