100 vjetori i pavarësisë/ Avni Mula: Notat e mia për Ismail Qemalin


Ekziston një vend në mes të Tiranës, ku mes qetësisë dhe tingujve të një pianoje gjendet një artist që nuk resht së shkruari. Në një nga dhomat e shtëpisë së tij është ulur dhe Avni Mula. Tavolina në studion e punës është mbushur me copa letrash ku janë “shkarravitur nota”, më tutje partiturat e një vepre muzikore. Procesi i krijimtarisë së një artisti fillon që te prehja e lapsit e përfundon tek ato partitura. Avni Mula vazhdon të kompozojë edhe sot që dora nuk i bindet si dikur. Ulet në piano për t’u dhënë zë notave që ka në mendje dhe pastaj ashtu ngadalë i hedh me laps një herë në një fletë “prove”, siç e quan ai, e pastaj në partitura. “Po kompozoj diçka për 100-vjetorin e Pavarësisë. Është një vit i shënuar për Shqipërinë dhe dua të bëj dhe unë diçka”- thotë ai. Pranon jo pa dhimbje që dora herë pas here nuk i bindet. “Nuk ka rëndësi, unë e kam në mendje muzikën dhe kam filluar të shkruaj diçka në partitura”. Mbi origjinën e veprës së tij ai niset nga ndërtimi i rrethanave që sollën Ismail Qemalin në Shqipëri. Cila ishte familja, gruaja greke, fëmijët e deri te bashkëkohësit e plakut të urtë. Përballja e libretit me muzikën vërtitet në gjithë procesin krijues të artistit. Ky është dhe subjekti mbi të cilin e ngre veprën e tij më të re Avni Mula. “Libretin ma kanë sjellë prej kohësh dhe unë pasi e kam lexuar po përpiqem të kompozoj muzikën. Kam shkruar disa pjesë dhe besoj se do ta mbaroj që të vihet në skenë me rastin e 100-vjetorit”- thotë Mula, i cili veprimtarinë krijuese e nisi diku në vitet ’60, duke shkruar muzikë këngësh fillimisht, pastaj romanca, kantata, poema vokale dhe skenike etj. Por vepra më madhore e krijimtarisë së tij mbetet opera “Borana”. Partiturat e saj ai i mban ende sipër tavolinës së punës. Teatri i Operas dhe Baletit e riktheu një vit më parë në skenë operan “Borana”, pas 27 vjetësh. U tha se Mula e kishte rishkruar dhe një herë veprën, çka menduam se ishte e vërtetë kur pamë partiturat e saj ende mbi tavolinë. “Jo, nuk i kam bërë asnjë korrigjim. Për mua është gabim të korrigjohet një vepër. Nëse artisti e ka kompozuar në një kohë të caktuar ajo ashtu duhet të mbetet edhe pas dhjetë apo pesëdhjetë vjetësh”- irritohet paksa kompozitori. Por shton gjithashtu se gjithmonë një kompozitor e vë në dyshim veprën e tij, sa më shumë që vitet kalojnë. “Në mendjen time unë them me vete po sikur të ishte kështu e ashtu kjo arie apo ky duet. Por vetëm kaq. Por kur vepra ka përfunduar dhe është vënë një herë në skenë, është e mira që ajo të mbetet ashtu”. Ai mendon se me vënien në skenë të operas “Borana” pas 27 vjetësh nga premiera jo gjithçka ishte ashtu siç ai do të donte ta shihte në skenë operan e tij. “Borana është një vepër me kërkesa të larta dhe ajo nuk u ekzekutua ashtu siç ishte, sepse është një vepër e zorshme shumë. Por ekzekutimi varet nga shumë faktorë. Unë mendoj se përsa i përket anës muzikore, nuk iu shkua deri në fund veprës. Edhe vënia në skenë e një operas është një proces i vështirë, prandaj kjo opera mbeti e panjohur për publikun, pasi nuk u arrit të vihej në skenë ashtu siç unë e kam shkruar operan këtu e shumë vite më parë.
“Borana”, me muzikë të Avni Mulës dhe libret të Gjergj Zhejit, është ngjitur për herë të parë në skenë më 5 prill 1984. Është një histori dashurish dhe tradhtish. Është viti 1448, kur sulltan Murati II, i nxitur nga Venediku, sulmon Arbërinë. Pasi nuk e ka marre dot betejën në shesh të mejdanit, përpiqet me anë të dredhisë. Tradhtari Bash Murghini dhe Ferucio, një i dërguar i Venedikut, që hiqet si tregtar, janë paguar të hedhin në erë portën e kalasë, duke ua lënë turqve rrugën të lirë. Sokol Suta, biri i Marka Sutës, një luftëtar i vjetër, zbulon planin, ndaj edhe e vrasin. Për të humbur gjurmët, tradhtarët hedhin hije dyshimi mbi Sokolin, çka e pikëllon pa masë luftëtarin, i cili mbyllet në shtëpi i turpëruar. Turpin që ka mbuluar babanë dhe të vëllanë do ta “lajë” Borana, e cila do të vishet si burrë për të luftuar turqit e për të zbuluar të vërtetën. “Disa personazhe nuk ishin prekur edhe pse nuk ishin të skalitura ashtu siç duhet, por mendoj se dirigjenti kishte bërë një punë të mirë për ta sjellë sa më pranë origjinalit pjesën, me gjithë se unë kur e kam shkruar këtë vepër kam menduar se ajo do t’i rezistonte kohës e do të vihej në skenë edhe pas dhjetë apo pesëdhjetë vjetësh.” Një vepër muzikorë që të arrijë perfeksionin duhet të vihet disa herë në skenë. Mula merr shembullin e ‘Traviatës’, që  është vënë me qindra herë në skenat më të mëdha të botës dhe dy herë edhe në skenën shqiptare. “Duhet që vepra të vihet herë pas herë në skenë, që të arrihet perfeksioni. ‘Traviata’ është vënë me qindra herë, kurse ‘Borana’ vetëm dy herë. Diferenca është shumë e madhe, prandaj them se duhet vënë disa herë në skenë “Borana” që të arrihet te cilësia e muzikorë e veprës. Avni Mula, që i ka kaluar të 80-at, rri me orë të tëra para partiturave, vazhdon ende t‘i kushtojë mendimet, ndjenjat, dashurinë gjithashtu një vepre muzikore që do të ngjitet në skenë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk