I (vetë)vrari i shoqërisë

Rafaela Marteta & Albert P. Nikolla
Ka ditë kur zemra ndien tmerrësisht se nuk ka rrugëdalje dhe ideja se nuk mund t’ia dalësh, të bie në kokë si një shkop i fortë. -Antonin Artaud

“Van Gogh i Vetëvrari i Shoqërisë” është një sprovë që gjeniu Antonin Artaud ia kushton Van Gogh-ut. Në një ndër faqet Artaud shprehet: “Shoqëria ka në llogari të saj shumë vdekje të famshme e të padenja, Villon, Baudelaire, Nerval, Nietzche… e Van Gogh… plakushi i lodhur me mjekrën e kuqërremtë, që një ditë vere u vetëvra me një të shtënë në bark. Për këto vdekje, asnjeri nuk ka menduar seriozisht të kërkojë llogari”.
Kjo sprovë përshkohet nga një sërë përsiatjesh mbi përsenë e këtij gjesti të fundmë të disa prej gjenive botërore e në veçanti Van Gogh. Sipas Artaud – i cili për vete vuajti disa vite në çmendinë për shkak të mosrehatisë në një shoqëri hipokrite – është  pikërisht shoqëria, që përgatit çdo premisë për dështimin e përmbushjes së dhuratës së jetës. “Njeriu nuk vetëvritet, ashtu si asnjeri nuk vetëlindet, ashtu si asnjeri nuk vetëvdes. Por në rastin e vetëvrasjes duhet një ushtri qeniesh të egra për të shtyrë trupin drejt gjestit të panatyrshëm për t’i privuar vetes jetën”.
Na u rikujtuan fjalët e Artaud paralelisht me lajmin e vetëvrasjes së një të njohuri. A. Klosin nuk e kemi njohur nga afër, por ishte i afërt për aq sa lejon ngurtësia e një ekrani (kur nuk shtrembëron) dhe tejkqyrja e një gazete kur ke një arsye për ta lexuar. Kjo vetëvrasje nuk ishte më e rëndë se të gjithë të tjerat anonime që ndodhin përditë, por është më e dukshme dhe (vetëm) në dukje më e pakuptueshme: intelektual, i vlerësuar, një person që sot është kthyer në motiv dhimbjeje për familjarët e motiv trishtimi për miqtë e të njohurit. Duket se me ikjen e tij është vanitur sërish shpresa për të besuar, se pavarësisht nga të gjitha, në një shoqëri si kjo mund t’ia dalësh mbanë.
Përtej spekulimeve mbi shkaqet e gjestit, askush askurrë nuk mund të marrë përgjegjësinë të besojë së ato ishin vetëm personale. E as pasojat e gjestit nuk janë krejt personale. Gjesti i tij ishte thirrja e fundit e dëshpëruar në një shoqëri, që ka humbur forcën e të ndierit të shqisave e të zemrës. Vetë shoqëria humbi targetin e gjuajtjeve, njërin prej targeteve të parapëlqyer, atë intelektual. Kush e ka radhën tani?
Në jeni të ndjeshëm, në keni ide, në doni njeriun, në besoni në vlera, kini arsye të keni frikë, sepse shoqëria, kjo vrasëse seriale është në gjurmët tuaja. Ajo ka format e veta të vrasjes: nënvlerësim, glorifikim, përjashtim, përfshirje, kthim shpine, gjunjëzim, përçmim, adhurim, braktisje, rikthim. Vetëm për ty koleg, nuk do të ketë më rikthim. A thua e ke parë dritën në fund të tunelit, atë që nuk e pe dot në jetë?
Ardian Klosi nuk u vetëvra, vrau vetëm shoqërinë e ëndrrave që kishte strehuar brenda vetes në një moment kur kjo e tradhtoi: “U fut kështu në trupin e tij kjo shoqëri, e shfajësuar, e shenjtëruar, e glorifikuar e zotëruar nga e keqja… e pasi zuri vendin e tij, e vrau” (Antonin Artaud).
Augusto Boal, regjisor teatri energjik e guximtar, rrëfen në detaje përvojën e tij me “Teatrin e të Shtypurve”. Për arsye që vetëkuptohen nuk do të ndalemi në detaje, por do të mundohemi ta përmbledhim në pak fjalë. Rreziku për ta nxjerrë jashtë kontekstit është shumë i madh, por ia vlen sepse bëhet fjalë për një metaforë shumë të gjetur. Boal fton aktoren të ndryshojë një skenë të paracaktuar sipas mendimit të saj. Qëllimi është që nga e njëjta skenë të përftohen shumë aksione. Praktikisht ajo duhet të pozicionojë aktorët në skenë sipas dëshirës së saj për të përftuar një aksion të përputhshëm me mendësinë e saj. Pasi vajza-aktore bën disa lëvizje të aktorëve në skenë, e dëshpëruar dhe e pakënaqur nga rezultati dorëzohet. Regjisori i sugjeron të lëvizë edhe një grup figurash që janë akoma aty të “pashfrytëzuar” nga ana skenike,  një grup burrash duarlidhur. Vajza me prejardhje borgjeze e nervozuar përgjigjet: “Në fakt, ata as që i kisha llogaritur fare, sepse janë popull…” Dhe regjisori përmbyll: “Ishte e vërteta. Populli për të ishte diçka e tepërt: ajo nuk ia kishte hedhur kurrë sytë” (A. Boal, Il Teatro degli Oppressi, 1977).
Shoqëria jonë e ka akoma sot forcën për të përcaktuar kush është “popull” e kush është “borgjez”, pra kush të lihet mënjanë dhe kush të ngrihet lart. Ty s’të mbetet veçse të gjesh forcën t’i qeshësh në sy atij që të përjashton, ose të ikësh përgjithmonë bashkë me shpresat e tua dhe të të tjerëve.
Shpirti yt u prehtë në paqe kolegu ynë!

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk