Panem et circenses dhe diploma të rreme

Albert P. Nikolla
Panem et circenses është një shprehje e vjetër latine, që do të thotë Bukë dhe lojëra cirku, por kuptimi i vërtetë ka karakter politik dhe shpreh mënyrën sesi populli mund të mbahet i kënaqur dhe të garantohet në këtë mënyrë pushteti politik, duke i dhënë për të ngrënë dhe duke i shkëputur vëmendjen nga realiteti nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm mediatikë, sportivë, pornografikë, thashethemeve. Çdo pushtet, në një farë mënyre, e përdor këtë mënyrë për të ruajtur pushtetin. Në fakt, si nazizmi ashtu edhe komunizmi, përveç metodave të dhunës, preferonin edhe metodën “Bukë e lojëra cirku”. Në Shqipërinë komuniste nuk ishin të pakta parullat komuniste mbi “sigurimin e bukës në vend” dhe më e goditura ishte “Gruri çan bllokadën”. Krahas “bukës”, regjimi kujdesej edhe për “cirkun”. Përveç qyteteve, ku lojërat sportive dhe cirku ishin diçka normale, në thuajse çdo fshat kishte fusha futbolli dhe të paktën një herë në vit kalonte trupa e “cirkut”.
Në Shqipëri, me sa duket, vendin e cirkut e kanë zënë universitetet private. Ata mbinë si kërpudhat pas shiut rreth fillimviteve 2000 dhe habia shoqëronte të gjithë teksa dëgjonin se vetëm në Tiranë ka mbi 40 të tilla. U desh diploma e rremë e Renzo Bossi-t për ta vërtetuar këtë fakt që e dinë thuajse gjithë shqiptarët. Ajo që të bën të tronditesh nuk është diploma e rremë në vetvete sesa mosreagimi i studentëve të universitetit me emër transparent “kristal” dhe i të gjithë opinionit publik. Më vijnë ndërmend fjalët e Solzhenicin-it: “… e përditshme është gënjeshtra te ne–jo tekë natyrash të prishura, por formë ekzistence, kusht i mirëqenies së përditshme të secilit. Gënjeshtra është e përfshirë në sistemin shtetëror, është shartesa e tij e parë (…). Gënjeshtra na rrethon në punë, gjatë rrugës, në kohën e lirë, në gjithçka shohim, dëgjojmë dhe lexojmë. (Da sotto i massi. 1974). Po u mësuam me gënjeshtrën, vështirë se do ta pranojmë dritën e së vërtetës!
Ka vite që shkruaj mbi dëmin që mund të sjellin universitete private. Në vitin 2008 pata shkruar në gazetën “Shekulli” artikullin “Çimka e Majakovskit dhe çimkat shqiptare.” Ku denoncoja me forcë mashtrimin e universiteteve private me diplomat e rreme. Një vit më vonë, më 2009, shkrova në gazetën “Shqip”, ku theksoja: “Mashtrimi me diplomat false, në një pjesë të madhe të universiteteve private, … përbën një rrezik të madh, pasi është i mbyllur krejt cikli i mashtrimit dhe nuk ka kundërshtarë potencialë, veç idealistëve. Të gjithë janë të mashtruar ‘me dëshirë’: ata që japin mësim mashtrojnë, studentët mashtrohen, drejtuesit e universiteteve mashtrojnë, prindërit mashtrohen ‘me dëshirë’ … ka ardhur koha për një kambanë alarmi”. (Shqip. 12.10.2009). U impenjova në debate televizive mbi këtë argument dhe kujtoj se disa miq më thoshin se po rrezikoj të bëhem antipatik, pasi nuk ka një masë të madhe njerëzish që i preokupon ky fakt. Kjo gjë më trishtonte shumë, pasi nuk arrij të imagjinoj sesi është e mundur që njerëzit duan me kaq pasion diploma të rreme, duke mashtruar pikë së pari vetveten!
Mashtrimi fillestar i shumicës dërrmuese të universiteteve private fillon me emërtimin e tyre, që nuk është i saktë. Në Shqipëri, zyrtarisht nuk ka asnjë universitet privat. Ato janë shkolla të larta dhe jo universite. Në faqen e Ministrisë së Arsimit, me të drejtë, ato quhen “Shkolla të larta”, ndërkohë që universitetet vetëquhen të tilla në mënyrë të jashtëligjshme me publicitetin që ato bëjnë. Shkelja ligjore konfirmohet nga Ministria e Arsimit, e cila, në faqen e saj zyrtare mbi arsimin e larte privat, shkruan: Shënim: Jo çdo institucion që mbart  emërtimin  ‘Universitet’  është i lejuar të emërtohet  i tillë me ligj”. (Burimi: http://mash.gov.al/faqe.php?id1=1&id2=7&id3=26).
Mashtrimi vijon me tabelat gjigante me shkrimin “I Akredituar”. Në fakt shumë pak prej këtyre shkollave janë të akredituara dhe, për më tepër, shumë pak prej programeve studimore që ata kanë janë të akredituara. Kështu termi i përgjithshëm “I Akredituar” fsheh mashtrim, pasi nuk jep informacion të saktë se cilat kurse janë të akredituara dhe cilat jo. Me të drejtë Ministria e Arsimit në faqen e saj zyrtare, ku jepet lista e shkollave të larta të akredituara, shkruan: “Vini re!! Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk mban përgjegjësi për çfarë publikohet në faqen e internetit të institucioneve të arsimit të lartë”. (Burimi: http://mash.gov.al/faqe.php?id1=1&id2=7&id3=26). Pra, mesazhi është i qartë: prindër e studentë, kini kujdes nga mashtrimi eventual i shkollave dhe diplomave të rreme!
Universiteti është ndër gjërat më serioze që mund të ketë superstruktura e një shteti. Universitetet kanë lindur së pari nga shkollat kishtare që në mesjetë. Kaq shumë i jepej rëndësi cilësisë së tyre, saqë ata ishin qendra gati me natyrë hyjnore, pasi aty bëhej transmetimi i dijes, ruajtja e saj, respekti për të. Universitetet në kuptimin modern lindin më vonë, në shekullin XVII dhe XVIII, në Itali, Gjermani e Francë. Me lindjen e universiteteve moderne, konceptit mesjetar të transmetimit të dijes i shtohet edhe ai i prodhimit të dijes së re dhe kërkimit shkencor dhe aty fillojnë e formohen klasat drejtuese të shoqërisë. Ky element, jashtëzakonisht i rëndësishëm, mbetet pikë themelore edhe sot e kësaj dite për punën e universiteteve. Pikërisht ky fakt na bën që të përjetojmë thellë dramën e universiteteve private në Shqipëri, pasi në universitet përgatitet klasa drejtuese e së ardhmes.
Duke qenë se e dimë që universitetet janë thesari i kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore dhe shkencore të një kombi, si është e mundur që lejohen çdo ditë licenca të reja për dhënien e diplomave të rreme? Nuk mund të këtë keqpërdorim më të madh të gjësë publike sesa të mendosh ta lësh drejtimin e një vendi në dorë të injorantëve me “diplomë”!
Ndërkohë, një periudhë dramatike përjeton universiteti publik shqiptar, një vatër shkence e kulture që me shumë përkushtim ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në një kohë relativisht të shkurtër prej 50 vitesh. Universitetet private e dëmtuan edhe atë, pasi një pjesë e madhe e pedagogëve u larguan për paga më të mira. Jo vetëm kaq, mendësia e “privatit” dëmtoi edhe tek universiteti publik nivelin e mësimdhënies dhe për rrjedhojë cilësinë e diplomave.
Mendoj se gabohen disa drejtues universitetesh private kur thonë se në renditjen e universiteteve duhet të futen edhe ata shtetërore. Universiteti publik është pronë publike dhe atëherë kur është në gjendje të vështirë, kur ka korrupsion, kur ka cilësi të ulët, ai prapë se prapë duhet ndihmuar sepse është “gjëja publike”. Ne mund të bëjmë shumë mirë pa universitete private, por nuk mund të bëjmë pa universitet publik.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk