Shqipja e vjetër ka ushtruar një ndikim të madh ndaj gjuhëve ballkanike
Historia e Adamit dhe Evës (majtas italisht, djathtas shqip)
një nga materialet e studimit në projekt. Shqipja e vjetër ka ushtruar një
ndikim të madh ndaj gjuhëve ballkanike. Kjo është teza kryesore e një projekti
të dy linguistëve vjenezë, që po financohet nga Fondi austriak për Shkencën.
"Kërkojmë shitës me njohuri të gjuhës serbe, hungareze,
rumune dhe gjermane!" - një afishe e zakonshme kjo në qytetin Vërshac të
Vojvodinës në Serbi, në vitet 30-të të shekullit të kaluar. Asokohe njohja e
gjuhëve të ndryshme ishte parakusht mbijetese. Linguisti vjenez Shtefan
Shumaher (Stefan Schumacher) e sjell këtë si shembull për të treguar, se
komunikimi gjuhësor mes fqinjëve në Ballkan, në kohërat e mëparshme ka qenë
shumë i gjallë.
"Ne mendojmë se rrethana të ngjashme kanë sunduar edhe
në të gjithë Ballkanin, pra që njerëzit kanë përdorur më shumë se një gjuhë
brenda një dite për të komunikuar me të tjerët", thotë Shumaher në një
intervistë me Deutsche Wellen. Për të mësuar më shumë se si shqipja ka ndikuar
ndaj gjuhëve tjera të Ballkanit doktori i shkencave linguistike ka filluar në
vitin 2006 një studim tre vjeçar për shqipen e vjetër, së bashku me kolegun e
tij, albanologun Joachim Matzinger. "Joachim Matzinger dhe unë jemi marrë
me shqipen prej shumë kohësh. Shumë shpejt kuptuam se kushdo që merret me këtë
i bazon gjykimet për shqipen dhe historinë e saj tek gjuha e sotme moderne. Ne
e dinim se qysh nga shekulli i 16-të e këtej ekziston një korpus i madh letrar,
i cili duhet studiuar me themel", thotë Shumaher më tej.
Si bazë për këtë studim, shërbejnë kryesisht, shkrimet e
shekullit të 15 dhe 16, studimi i të cilave në periudhën e komunizmit nuk
arriti të bëhej i plotë, edhe për faktin se ato kishin përmbajtje fetare.
Shumaher ka analizuar deri tani afro 60 për qind të Pjetër Bogdanit, ndërsa Matzinger
po merret me Budin. Bartja e ndikimeve gjuhësore mendohet të ketë ndodhur
përmes barinjve shtegtarë si dhe përmes latinishtes.
Ndikimi i shqipes i konsiderueshëm
Qysh tani ata kanë vënë re, se shqipja e vjetër, e cila
mendohet të jetë të paktën 2500 vjeçare, ka pasur një ndikim të madh në
zhvillimin e gjuhëve ballkanike. "Kjo vihet re qartë tek rumanishtja, e
cila është shumë më ndryshe nga gjuhët e tjera romane dhe megjithatë ka disa
veçori që janë tipike edhe për shqipen e sotme. Kështu për shembull që nyja
bashkangjitet në fund të foljes, ndërkohë që të gjitha gjuhët e tjera romane e
vënë atë në fillim, sqaron Shumaher.
Bardhyl Demiraj, profesor i albanologjisë në Universitetin e
Mynihut, ka qenë referenti i parë i projektit dhe është i gëzuar që ky projekt
po mbështetet edhe nga Fondi për Shkencën, institucioni qendror i Austrisë për
financimin e studimeve bazë. "Shtefan Shumaher është një indoeuropianist i
njohur, por ndërkohë po bën emër edhe në albanologji si edhe në disa fusha të
tjera të shkencave historike e gjuhësore. Ai është një njohës shumë i mirë edhe
i gjuhëve rrënoja të Evropës Qendrore dhe në veri të Ballkanit. Ndërkohë që
Matzinger është më i ri, është një albanolog i mirëfilltë, i cili ka botuar mbi
25 artikuj", vlerëson Profesor Demiraj.
Studiuesit po përdorin jo vetëm një bazë të re materiale,
por edhe metodat më të reja të indoevropianistikës, vlerëson Demiraj. Një
rezultat i këtij projekti pritet të jetë një fjalor me foljet e shqipes së
vjetër. Dy studiuesit austriakë pritet të japin një ndihmesë të çmuar në
studimet albanologjike, duke i qendruar kështu besnikë traditës austriake në
këtë lëmi, gurin e parë të së cilës e vuri po në Vjenë, profesor Norbert Jokl,
rreth 100 vjet më parë.
Comments
Post a Comment