Hyjnorja tokësore në veprën e një nobelisti
Preç Zogaj
I pushtuar prej gjumit pas një dite udhëtimi, e afrova makinën nën një pemë buzë rruge/ U mblodha kruspull mbi sediljen e pasme dhe fjeta/ Për sa?/ Me orë. Sa ra errësira…
U zgjova papritur, pa e ditur ku jam/ Isha zgjuar plotësisht, por kjo s’më ndihmonte/ Ku jam? Kush jam?/Diçka që zgjohej nën ndenjësen e pasme vërtitej në panik si një mace në thes. Kush?
Më në fund jeta ime po kthehej. Emri im po vinte si një engjëll/ Jashtë mureve po shpërthente një sinjal trumbete dhe hapat e mi po hapnin vetë shtegun/ Ky jam unë. Ky jam unë.
Mora këto vargje nga poezia “Emri” për të bërë prezantimin e parë të lexuesit të rubrikës sonë me poetin e madh suedez, Tomas Transtromer, fitues i çmimit “Nobel” për vitin 2011. Mos i mora me përzgjedhje këto vargje? Jo. E dija ç’po merrja, por nuk kisha ndonjë tendencë. Mund të kisha marrë symbyllur secilën prej poezive, secilën prej strofave, më saktë secilin prej fragmenteve, pasi në strukturën e poezisë së Transtromer-it strofa ka humbur në kumbimin e muzikës së brendshme të poezisë, dhe prapëseprapë prezantimi do të kishte qenë i njëjtë. Transtomer është unik në origjinalitetin e tij. Është i tillë ngado që ta shohësh, nga libri i fillimit apo nga libri i vazhdimit, nga krijimet e hershme apo nga ato të pleqërisë. Është poeti. Poeti i Ri që ka ardhur për t’u dhënë zë ndjeshmërive të reja të epokës, raporteve të reja konceptuale me ekzistencën, kombinimeve të reja të metaforës. Thoshte Alen Boske, poeti francez: “Nuk mjafton të jesh poet, duhet edhe ta bësh atë”. Rasti i Transtromer-it, veçanërisht në kontekstin e poezisë së laboratorëve dhe teknikaliteteve, do të ilustronte inversin e shprehjes në fjalë. Pra, “nuk mjafton ta bësh poezinë, duhet të jesh poet”.
Le të mendojmë vetëm pak çaste për vargjet që vendosëm në krye të këtij shkrimi. Sa afër janë e thjeshta, e zakonshmja, e përditshmja me të jashtëzakonshmen, magjiken, hyjnoren. Sa afër janë e folura pa nota e kallëzimit me muzikën e lartë të zbulimit. “Jeta ime po kthehej, emri im po vinte si një engjëll…Ky jam unë, ky jam unë!” Është poeti që i afron dhe i shkrin si një demiurg në një njësi artistike të vetme këto botë të largëta. Ai është mbushje dhe lidhje e distancave, është lexuesi i kombinimeve të reja dhe komponimeve të reja në materien e poezisë, është ai që do t’i shpallë leximet e tij për t’i lexuar edhe ne të gjithë. Poezia është si ari i fshehur në masën e mineraleve. Askush nuk e sheh, por kur përftohet i përndrit gjithë shikimet.
E kisha lexuar i magjepsur botimin e parë të vëllimit të Transtromer-it në shqip në vitin 2002, përkthyer mrekullisht nga Natasha Lako dhe botuar nga “Aleph”, me titullin “Perandoria e barit”. Nëntë vjet më vonë isha kurioz të mësoja motivacionin e jurisë së Stokholmit, kur vendosi të nderonte këtë poet me çmimin “Nobel”. Ka gjithmonë diçka të papërcaktueshme te poetët e mëdhenj. Jo më kot në rrethet e kritikëve të poezisë ka lindur fjalia e famshme “unë nuk e di se ç’është poezia, por mund ta tregoj atë kur e shoh”. Por juritë janë të detyruara të formulojnë një motivacion. Dhe motivacioni për Transtomer-in thoshte: Përmes imazheve të ngjeshura e të përndritshme na ka dhënë një lidhje të re me realitetin. M’u duk nga më të gjeturit për kompleksitetin e poezisë së tij.
Ka poezi në botë. Shumë poezi. Kudo. Kurdoherë. Edhe atëherë kur duket se gjithçka e ka vënë poshtë cinizmi, egoizmi dhe degradimi. Kjo është përshtypja e parë që të krijohet pasi ke lexuar Transtomer-in. Ekziston kjo përtëritje e vazhdueshme e frymës dhe inteligjencës artistike, s’ka të mbaruar ky hir i epshëm i botës që është poezia. Por duhet të vijë poeti për t’i dhënë jetë, artikulim. Duhet të vijë poeti për të lexuar me sy mbyllur tekstin e stuhisë apo të ajrit. Duhet të vijë poeti për të folur a shkruar:
Një erë e freskët më hyn në këmishë që të më shtyje zemrën.
Pemët e mollës dhe pemët e qershisë buzëqeshin me qetësi Solomoni.
Ose:
Tablo të errëta mbi ujë, të varura larg prej njeriut,
si lodra të fëmijërisë sonë që janë rritur gjigantë.
Dhe na akuzojnë ne për çfarë s’kemi qenë kurrë.
Ose:
Në orët e para të ditës ndërgjegjja mund të kapë botën
si dora që shtrëngon një gur të ngrohur nga dielli.
E shohim tani ku është poezia, e ndjejmë si një sëmbim efektin e saj. Në poezinë “Gondol trishtimi”, metafora e mitit të Midias që shndërron në ar, në Vagner, domethënë në muzikë gjithçka që prek, vjen si një rrëfim i tërthortë i sekretit të vetë poetit, i cili nga një anë mbledh poezi kudo ku hedh sytë dhe nga ana tjetër sheh dhe dëshmon me dhuntinë e talentit një thelb hyjnor, një mrekulli hyjnore në vetë ekzistencën e njeriut, botës, kozmosit.
Vërtet pa e ditur jemi hyjnorë, shkruan në një prej poezive të tij ku janë zhdukur kufijtë klasikë të prozës dhe poezisë. Janë të shumta poezitë ku manifestohet kjo afërsi dhe shkrirje me hyjnoren, gjë që e tregon Transtomer-in një poet të epifanive dhe vetë veprën e tij si një epifani që ka hirin, prarimin, thellësinë dhe kumbimin e ligjërimit divin.
“Ndodhi diçka, hënë ndriçonte dhomën/ Zoti ishte në dijeni”, shkruan diku.
Ose:
Ndonjëherë jeta ime i ka hapur sytë në mes të errësirës
Me ndjenjën se një turmë po shtyhet në rrugë
plot verbëri dhe ankth prej mrekullisë
e unë e di se jam i padukshëm dhe i ndaluar.
Nga i vijnë atij këto imazhe dhe kumte të larta? Është një pyetje e cila, edhe po të kesh në dispozicion kohë dhe faqe të tëra, vështirë se mund të marrë përgjigje shteruese. Vetë jeta dhe formimi i tij kanë ndikuar që ai të jetë ky lloj instrumenti i sinjaleve të përqasshme me vizionin e hyjnores. Ai ka krijuar ndërkaq kultin e lidhjes intensive me ëndrrën si burim imazhesh e motivesh poetike. “Shkoj të fle si në një festë”, – ka thënë në një intervistë. Shpeshherë poezitë e tij të ndërtuara me teknikën e teleobjektivit dhe montazhit të ftojnë t’i ndjekësh pa kuptuar si një film pa zë. Është i drejtë konstatimi se në veprën e tij, veçanërisht pas një goditje iktusi që pësoi pas vitit 1990, vihet re një tendencë konstante drejt heshtjes.
“Transtromer mbetet një poet stoik, i fuqishëm, nëpërmjet të cilit ne kuptojmë se si poezia, në kushte të pamendueshme e vesh ndërgjegjen me një kapele të butë leshi të ndritur me formë të besueshme”, – shkruan Helen Vendler në një artikull që është vendosur në pasthënien e botimit të dytë të vëllimit “Qiell i lënë përgjysmë”, me rastin e marrjes së çmimit “Nobel” nga autori.
Është rasti të shënojmë se Transtromer e ka vizituar Shqipërinë në vitin 2004. Më duket se është i pari nobelist që ka shkelur në këtë tokë para se ta marrë çmimin. “Profecia” nderon Natasha Lakon, përkthyesen që pati këtë fanitje dhe botuesit e “Aleph” që sollën në shqip dhe në Shqipëri që atëherë një poet kaq të jashtëzakonshëm. E përfytyroj gjithnjë duke u ngjitur me karrigen e tij me rrota në shkallët e Piramidës për të hyrë në panairin e librit. Shqipëria e zhurmave nuk po e mbante shënim praninë e tij. Asnjë shqetësim për poetin. Dukej si dikush që kishte ardhur për të parë një copë tokë të perandorisë së tij poetike. Ose për të na përfshirë në të.

Comments
Post a Comment