Tinka Kurti: Dama plakë, roli që m’u mohua


“Vizita e damës plakë” është një dramë që publiku e identifikon me Edi Luarasin, e cila në vitin 1991 ngjitej në skenën e Teatrit Kombëtar pas shumë vitesh mungesë. Kur regjisori Kiço Londo ia propozoi më 2012-ën, rolin e plakës Kler aktores, Tinka Kurti nuk e dinte që bashkë me këtë propozim po plotësonte edhe një ëndërr të kahershme të aktores. Tinka Kurti ka shumë emocion kur flet për rolin dhe sidomos për teatrin. Skena është vendi ku ajo nuk ndien vetminë, teatri është ai që i sjell në kujtesë njeriun që i mungon më shumë në këtë jetë: nënën. Sonte ajo do të ngjitet në skenën e Akademisë së Arteve me rolin e Kler te “Vizita e damës plakë”.
Si ka ardhur Tinka Kurti në petkun e plakës Kler?
Do doja shumë që këtë të ma thoshte publiku pasi të shohë shfaqjen. Por ajo që mund të them unë është se ka qenë një ëndërr e imja e kahershme që të luaja këtë rol.
Ëndërr e kahershme…
Po, po, që kur punoja me regjisorin Serafin Fanku në Teatrin Migjeni në vitin 1977. Unë atëherë isha e re në moshë, por e kishim diskutuar me regjisorin për ta vënë në skenë në teatrin “Migjeni”.
Përse nuk e realizuat?
Për arsye që as sot nuk i shpjegoj dot. U diskutua asokohe se përse i duhej publikut kjo vepër. U hodhën ca mendime që gjoja vepra nuk i përshtatej kohës për mesazhin që përcillte. Kështu që nuk u vu në skenë.
Si u ndjetë kur e patë “Damën plakë” më 1991 të interpretuar nga Edi Luarasi?
Atë kohë m’u propozua edhe mua nga regjisori Gëzim Kame, që t’i bashkohesha trupës së Teatrit Kombëtar, por unë nuk pranova.
Përse nuk pranuat, a kishte qenë një ëndërr e juaja kjo? Apo donit doemos rolin e Kler?
Jo nuk është kjo. Mua më erdhi shumë mirë që Edi Luarasi do të ngjitej në skenë pas shumë vitesh mungesë. Por mendova se duke qenë rikthim pas shumë vitesh Edit nuk i duhej në krah një aktore që kishte qenë vazhdimisht në skenë dhe ishte duartrokitur nga publiku. Edi Luarasi kishte nevojë të ishte vetëm në atë skenë dhe të realizonte atë rol që ajo e solli aq bukur sa mbahet mend edhe sot.
Ku ndryshon Kleri e luajtur nga ju nga ajo e Edi Luarasit?
Ajo që mund të them është se unë e kam sjellë krejt ndryshe nga ajo e Edit vite më parë, sepse dhe regjisori Kiço Londo e ka konceptuar ndryshe nga Gëzim Kame. Për shembull, një element ndryshe është fakti se Kleri që luaj unë është vazhdimisht e ulur në një karrocë me rrota. Ajo ka të paralizuar një dorë dhe një këmbë. Ky element përbënte vështirësi për mua si aktore. Së pari, e ulur në karrocë, diafragma është e mbyllur dhe krijon vështirësi në interpretim. Së dyti, duhej të kisha vetëkontroll të rreptë që njëra këmbë dhe njëra dorë të qëndronte e palëvizshme. Ky ishte siklet i madh. Por ndryshe e kam sjellë edhe në figurë dhe në interpretim.
Roli juaj i fundit në skenën e Teatrit Kombëtar është te Filumena Marturano, ndërsa tani vini me rolin e Kler te “Vizita e damës plakë”. Për Tinka Kurtin s’ka lamtumirë skenë?
Filumena Marturano është një rol që unë e kam dashur dhe kam punuar me shumë kënaqësi dhe në fund m’u shpërblye me çmimin që më dhanë. Ndërsa Kler, siç ju thashë, është ëndrra ime e plotësuar. Sa për skenën, mendoj se vjen një moment që e mendon dhe largimin. Dua të them se teatri është shumë i lodhshëm tani për moshën time. Por nuk mund të them dot se ky apo ai rol do të jetë i fundit, sepse mund të ndodhë që ndonjë regjisor tjetër ma prish mendjen, siç bëri Kiço Londo.
Të njëjtin shqetësim para pak kohësh ndante dhe aktorja Drita Pelinku, e cila i është rikthyer skenës me veprën “Përjetësisht dashuri…”
Po, gjithçka ka moshën e vet. Por në film edhe mund të pranoja role, sepse filmi është më ndryshe ka çak-un. Unë për shembull, kur shoh rolet e mia që kam bërë në film nuk më pëlqejnë. Them gjithmonë se mund ta kisha bërë më mirë, por nuk ka kthim mbrapa. Ndërsa në teatër ke mundësi ta përmirësosh rolin nga një shfaqje në tjetrën. Dua të bëj një parantezë këtu. Këtë rol unë ia dedikoj mamasë sime. Ajo ishte hungareze dhe dinte shumë pak shqip. Në karrierën time e kam marrë shumë shpesh në sallë, se kisha nevojë që ajo të ishte aty. Sa herë që mbaronte ndonjë shfaqje, unë zbrisja dhe i kërkoja mendim. Me atë shqipen e saj gjysma gjysma më thoshte: Bukur more. Të gjithë ishin bukur. Mam, unë si isha, jo të tjerët – i thosha. Ti ke mundësi edhe më mirë – më përgjigjej. Mamaja ime rriti katër fëmijë, me të cilët ajo ishte gjithmonë kritizere. Falë kësaj ne u bëmë të gjithë të suksesshëm në profesionet tona. Tani që ajo nuk jeton më e kujtoj mamanë time sa herë që ngjitem në skenë.

E ka zëvendësuar njeri vendin e saj në sallë?
Nuk e di. Djalin e kam larg. Unë jetoj vetëm, nuk kam njeri këtu.
Po të mos kishe teatrin…
Teatri dhe kinemaja është ajo që më mbajnë në Shqipëri, se do t’i isha bashkuar djalit me kohë.
Somario
Dua të them se teatri është shumë i lodhshëm tani për moshën time. Por nuk mund të them dot se ky apo ai rol do të jetë i fundit, sepse mund të ndodhë që ndonjë regjisor tjetër ma prish mendjen, siç bëri Kiço Londo.

“Vizita e damës plakë” sonte në Akademinë e Arteve
Pas turit të suksesshëm në disa rrethe të vendit, “Vizita e damës plakë” do të shfaqet sonte në orën 20.00 në sallën e madhe të Akademisë së Arteve edhe për publikun kryeqytetas. Në role të tjera janë aktorët: Myzafer Zifla, Astrit Hasani, Deshmir Halitaj, Marvin Tafaj, Miola Sitaj, Dori Çaushi, Shpëtim Shehu, Hasan Bregu, Klajdi Marku, Todi Llupi, Dafina Llupi dhe Eni Celibashi. Qyteti Gylen (që literalisht do të thotë jashtëqitje) është në një gjendje të mjerueshme dhe banorët vuajnë prej skamjes. Ata shpresojnë që Kler, e lindur në këtë qytet të vogël, do t’i ndihmojë me investime shumë të nevojshme. Por Kler ka ardhur me të tjera synime. Ajo kërkon vetëm hakmarrje për mënyrën sesi njerëzit e këtij qyteti janë sjellë me të vite e vite më parë. Në këtë vepër tregohet sesi një qytezë e vogël, e varfër, por me qetësi shpirtërore, ku banorët janë në solidaritet me njëri-tjetrin, kthehet në një shoqëri pa moral dhe pa dinjitet kur në mes hyn paraja. Paraja shkërmoq gjithçka të bukur dhe morale që ka ky qytet, ndërsa dama plakë largohet me hakmarrjen e lënë pas.
Aida Tuci

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk