Çeshtja e arsimit privat në Shqipni

Ardian Ndreca
Arsimi privat asht nji çeshtje historike në Shqipni, madje ajo ka impenjue në gjysmën e viteve ’30 deri edhe Gjykatën e Hagës, e cila e cilësoi shtetizimin e shkollave private prej Ahmet Zogut si diçka të padrejtë.
Historikisht arsimi privat, pra nismat e nji pakice individësh, shoqatash laike apo fetare, ka kontribue në historinë e arsimit shqiptar shumë kohë para se të lindte sistemi arsimor shtetnor. Por edhe me lindjen e shtetit shqiptar shkollat private kanë vijue me dhanë nji kontribut të madh. Mund të marrim si shembull në shekullin e kaluem gjimnazin françeskan Illyricum në Shkodër, i cili përdorte programe austriake, ishte i hapun ndaj të gjithëve, në radhët e nxanësve të tij kishte studenta që vinin prej familjesh myslimane dhe ortodokse prej Jugut dhe Veriut, dhe jepte nji kontribut pozitiv në formimin e brezit të ri. Si ai lice ka pasë edhe disa shkolla tjera të meritueshme, si ajo e Harry Fultz-it etj.
Kohët e fundit çeshtja e arsimit privat në Shqipni u rrah me forcë mbas skandalit të djalit të U. Bossit, i cili ka marrë nji diplomë të rreme pranë universitetit ‘Kristal’ në Tiranë.
Në fakt nuk kishte nevojë me dalë ky skandal për me dijtë se disa prej universiteteve private shqiptare nuk meritojnë emnin universitet, madje as emnin shkollë. Megjithatë, plaga e korrupsionit por edhe cilësia krejt përtokë nuk janë prerogativa vetëm të arsimit privat, ato prekin gjanësisht vetë sistemin e arsimit publik. Oferta private në lamijen e arsimit ka pasë sukses edhe për arsye të dobësisë së arsimit shtetnor.
Fakti që në kërpudhënajën e universiteteve shqiptare ka mjaft që s’kanë asnji lloj vleret akademike, që nuk plotësojnë kushtet minimale as për sa i përket mësimdhanjes, ambienteve, bibliotekës, kërkimit shkencor, cv të docentave, organizimit të mbrendshëm, botimeve – nuk mund të shtyjë askënd me kriminalizue arsimin privat si kategori dhe si model.
Në këto vite janë kapë plot diploma të rreme të lëshueme edhe prej universiteteve shtetnore, shumica e të cilave janë thellësisht të politizueme, kanë nji personel mësimdhanës që nuk shquhet për punë shkencore, kanë nji cilësi tejet të ulët, nuk kanë politika largpamëse etj.
Çka me ba me to? Me i mbyllë? Me kërkue që nji agjenci e paanshme, e huej, të bajnë ranking edhe për to e në qoftë se niveli i tyne nuk do të jetë i mjaftueshëm atëherë të mbyllen!
Qeveritë shqiptare, sidomos këto dy të fundit, s’kanë ba thuejse asgja për me nxjerrë arsimin shtetnor shqiptar prej batakut në të cilin ndodhet. Në këto kushte duem me e nxjerrë dufin me të gjitha institucionet private! A mendon ndokush se universiteti ‘Kristal’ asht në të njejtin nivel me universitetin ‘Zoja e Këshillit të Mirë’ apo me Universitetin Europian të Tiranës?!
Shumëkush harron se arsimi, sidomos ai i naltë, edhe kur kthehet në nji ndërmarrje ekonomike, nuk mund të barazohet me nji çfarëdolloj ndërmarrjet me karakter fitimprurës, pse prej tij mvaret e ardhmja e kombit, integrimi i shqiptarëve, mirëqenia e tyne, klasa e ardhme politike.
Edhe mrekullia ma e madhe zgjat vetëm tri ditë, jo ma diploma e rreme e nji teveqeli si djali i Bossit, ndërsa çeshtja e arsimit privat asht tepër e randësishme për ne e s’mund të përballemi me të të frymë prej pasionit të çastit.
Do të ishte mirë që institute të hueja, të thirruna prej ministrisë kompetente, të banin ranking periodik tue publikue rezultatet e tyne, kjo gja do të ishte në interesin e vetë universiteteve private që punojnë seriozisht dhe kanë rezultate pozitive. Të tjerat, së bashku me ato shtetnoret që bajnë hije kot, do të duhej të ndërshkoheshin në mënyrë administrative tue u bazue te rezultatet e ulëta të klasifikimit, përndryshe herë mbas herë ndonji troftë apo krapuliq, vendit apo i huej, ka me mbetë në rrjetë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk