Kryeministri Berisha pret në takim këngëtaren Rona Nishliu dhe ekipi shqiptar, menjëherë pas kthimit nga Baku (Azerbajxhan)
Kryeministri Berisha i shprehu Rona Nishliut urimet më të
përzemërta për suksesin e shkëlqyer të saj në Eurovizion dhe e konsideroi atë
si një sukses të shumëfishtë, duke theksuar këtu se ajo, me interpretimin dhe
këngën e saj, arriti të tërheqë fuqishëm
vëmendjen e mediave ndërkombëtare, që në natën gjysmëfinale të festivalit.
Në finale, vijoi Kryeministri, ”ju ishit zëri absolut i
festivalit, interpretimi më i shkëlqyer, ishit një përfaqësim shumë dinjitoz
dhe arritje e madhe për gjithë shqiptarët, për Shqipërinë dhe për
Kosovën”. Edhe për sa i përket
vlerësimit, Kryeministrishprehu kënaqësinëpër mbështetjen e madhe që pati nga
të gjitha vendet. Ai theksoi se
përfaqësimi dinjitoz i Ronës në Eurovizion është dhurata më e bukur që
kënga shqiptare i bën Shqipërisë në këtë 100 vjetor të pavarësisë.
Nga ana e saj,
këngëtarja Rona Nishliu falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij
në këtë përfaqësim të saj në Eurovizion. “Ndihem e privilegjuar që sot ndodhem
këtu në këtë takim me ju dhe ju falënderoj jashtëzakonisht shumë për
mbështetjen dhe telefonatën që më bëtë menjëherë pas festivalit, e cila
ka qenë befasia më e këndshme, gjë që më bëri të ndihem edhe më krenare për atë
që realizova në skenë”, u shpreh këngëtarja Rona Nishliu.
Ajo i përcolli Kryeministrit emocionet që kishte ndier tek
shikonte flamurin shqiptar, gjatë renditjes së pikëve, që shfaqej në mesin e 5
flamujve më të votuar të Evropës.
Ndërsa Drejtori i
Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, z. Petrit Beci, u shpreh se ekipi
shqiptar që shoqëronte Ronën në këtë kompeticion e që ka përjetuar nga afër
vlerësimin e të gjitha ekipeve të vendeve përfaqësuese në festival, u ndie
shumë krenar për këngën e Ronës. Ai theksoi se ky sukses është një obligim më
shumë për të vijuar traditën më të mirë
të Festivalit të këngës në RTSH, duke promovuar talente shqiptare, që më pas
përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në skenën evropiane.
Kryeministri Berisha i dhuroi këngëtares Rona Nishliu
çelësin Sol, të punuar në filigram me një dedikim të vecantë në shenjë
mirënjohjeje ndaj përfaqësimit dinjitoz që I bëri Shqipërisë në Eurovizion.
Comments
Post a Comment