Jo, absurdit të Luftës Politike

Artur Zheji
Re të zeza priten të shkarkojnë një stuhi të rrëmbyeshme politike, në situatën aktuale. Dyshimet se nga dita në ditë gjërat do të marrin një drejtim të vendosur drejt ashpërsimit, po shndërrohen në bindje. Tensionet e nëndheshme Berisha-Meta pritet që shumë shpejt të bëhen të dukshme dhe të prekshme. Një darkë te ‘Gjiri i Lalëzit’, na doli më e fortë se 21 Janari i vitit 2011, ku 4 protestues u vranë dhe ku Lideri i Opozitës për pak sa nuk shpalli një luftë të përgjithësuar.
Kryeministri, përtej axhendës së tij intensive, axhendë e cila përcakton strukturën e ditës politike shqiptare, perceptohet edhe në krye të një shtabi operacional antikrizë, për të ‘përballuar’ fenomenin Meta.
Ashtu si dhe është tradita dhe ashtu si e lyp strategjia e një ‘lufte të ftohtë’, shtabi operacional, ka mobilizuar mjaft energji në disa rrafshe.
Së pari, në sendërtimin e mjeteve të presionit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ndaj Ilir Metës. Po shfletohen me shpejtësi ‘file’-t e ‘mëkateve’ të tij imagjinare apo të përfolura, për ta gozhduar dhe kompleksuar aktivitetin e tij politik, të cilin, informatorët (mjerisht shpesh të rremë) të Shtabit Operacional Antikrizë, po grupojnë dhe servirin si mjet presioni anti-Meta.
Së dyti, nuk ka më dyshim që tregu i numrave, të deputetëve shëtitës, ka hapur bursën e tij. Janë indeksuar tashmë kokërr për kokërr emrat e atyre që do të hedhin kokrrën e votës së tyre aty, apo për emrin që do të dalë nga Mazhoranca mbas kthimit të Kryeministrit nga Samiti i Çikagos.
Së treti, Shtabi ka vendosur që deputetët shëtitës, jetimë nga grupet parlamentare mëmë, do të jenë edhe mbështetësit ‘outsider’ ose, pse jo, edhe ‘insider’, të Maxhorancës rezervë, në rast se Meta vendos, për një apo 100 arsye, të largohet nga Maxhoranca aktuale. Në këtë pikë Shtabi është në mëdyshje. Të presin largimin e Metës apo ta provokojnë deri në ekstrem largimin e tij? Këtu ‘gjeneralët’ e ‘Shtabit Operacional Antikrizë’ kanë mendime të ndryshme dhe dyzime të natyrshme, për kohën dhe shkaqet apo pretekstet përkatëse. Kryesorja është që ‘kokrrat’ rezervë të mazhorancës, të zëvendësojnë menjëherë boshllëkun e lënë pas nga Meta, largim të cilin informatorët që marrin me këtë rast shpërblime ekstra thonë se do të jetë i shpejtë. Shtabi nuk ka vënë në dyshim, nëse informatorët kanë sjellë pranë tij informacione të besueshme apo disinformacione të besueshme. ‘Lufta’ po troket dhe Shtabi nuk ka kohë për verifikime.
Së katërti, ‘pëllumbat’ e Mazhorancës, një nga të cilët sapo bëri publik projektin fitues të Bulevardit të ri të Kryeqytetit, nuk gëzojnë dashurinë dhe përfilljen e ‘gjeneralëve’, të cilët e këshillojnë Kryeministrin, se ‘rrethimi’ çahet me një betejë vendimtare, të ashpër dhe dhëmb për dhëmb. Mazhoranca ka hedhur mbi shpatulla pelerinën e një Kompleksi Superioritetit. Syri nuk i bën tërr, ndërsa pëllumbat tkurren nën klithmat e ashpra të skifterëve. Ilir Meta, duhet ta pësojë, thuhet në vargjet e marshit të tyre luftarak dhe trimëror. Ashtu si çdo tradhtar e ka pësuar historikisht!

Carl von Clausewitz ushtaraku dhe teoricieni i madh prusian ka formuluar shprehjen lapidare se ‘Lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera…’

Pra, le të kuptohemi, edhe kjo përgatitje për ‘luftë’ që po u merr frymën shtabeve dhe gladiatorëve, është vazhdimi i politikës me mjete të tjera. Vendin e kanonierave me topat e tyre të rëndë, parzmore të trashë çeliku dhe të divizioneve të pamposhtura, e zënë predhat antikorrupsion, rekrutimet e rezervistëve parlamentarë dhe gatishmëria operacionale në shkallën më të lartë.
Një pacifist, ku me modesti rreshtoj edhe veten time, pyet:
‘Pse kjo Luftë?’ ‘Kujt i duhet dhe a është vërtet e pashmangshme?!’
Filozofët, librat e të cilëve zënë myk në bibliotekat e gjeneralëve, kur analizojnë luftërat, çdo luftë, mendojnë dhe thonë se ka gjithmonë një kompromis që mund ta shmangë atë. Ka gjithmonë një formulë që normalizon acarimet, konfronton keqkuptimet dhe thjeshton ekuacionet, përfundimi i të cilave nxjerr luftën si një instrument të pashmangshëm.
Në rastin shqiptar janë interesat tona kombëtare që nuk do të kishin asesi të nevojshme një ‘luftë të ashpër politike’, pikërisht kur Shqipëria ecën mbi cipën e hollë antikrizë, e cila nëse thyhet na fundos në humnerën e një krize ekonomike të paparashikuar. Ne jemi pikërisht si mbi një cipë akulli të hollë, i cili ka përposhtë vetes një humnerë dramatike, ku janë shakullisur dhimbshëm fqinjët tanë jugorë.
Berisha ia ka mbërritur, përmes përgënjeshtrimit të të shumtëve, ta mbajë vendin, mbi cipën e hollë antikrizë. Dhe kjo është një meritë e lavdërueshme. Pa diskutim që po!
Porse lufta politike, e perceptuar si e pashmangshme, mund ta thyejë këtë shtresë të hollë që na ndan pozitivisht nga të tjerët. Dhe dihet, krizat politike dhe ekonomike çorientojnë votuesin dhe degdisin përrenj votash drejt demagogëve apo aventurierëve që vetëshpallen si ‘Shpëtimtarë’!
Sondazhe të ndryshme, publikisht të pashpallura, japin numra avantazhi për Partinë Demokratike, ndaj Partisë Socialiste. Kjo rrëfen se shqiptarët kanë besim te Kryeministri i tyre, te garantizmi i zgjidhjeve të deritashme ekonomike. Në fund të fundit, ata, shqiptarët, shprehen se e kanë pranuar dialogun e tyre pothuajse të përditshëm mediatik me Kryeministrin. Ata besojnë akoma te paternaliteti i tij, që ndoshta e perceptojnë si një mbrojtje, në këto kohëra plot të papritura. Sepse shqiptarët po ndërtojnë përditë e më shumë një Shqipëri gjith e më të jetueshme dhe nuk duan që ky proces të ndalojë.
Lufta politike, nëse dëgjohen skifterët dhe ‘gjeneralët’, nëse nuk gjendet vullneti për të kapërcyer të kapërcyeshmet, frigohem se i thërrmon këto perceptime dhe thyen shtresën e hollë të akullit antikrizë, e cila mbështetet, përpos të tjerash, edhe te Besimi.
Te Besimi se ia vlen të besosh në një Shqipëri të qëndrueshme dhe në një klasë politike më së shumti të arsyeshme sesa nevrotike.

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve