Kundërpërgjigja e pashmangshme e forcave të së mirës

“Hoteli i drunjtë”, roman nga Diana Çuli, botuar nga “Toena”
Preç Zogaj

Shkrimtarët shqiptarë, prozatorë, poetë dhe eseistë kanë në botimet e “Toena”-s një vend të veçantë, që nuk e gjejmë te çdo editor. Të kuptohemi: shqiptarë apo të huaj, këtu nuk ka receta. Është një zgjedhje e lirë gjithsesi, që mbështetet në disa logjika, ku ajo e tregut të vështirë të librit ka një rol përcaktues. Mendoj se kjo e “Toena”-s, përveçse një politikë e lavdërueshme për të promovuar krijimtarinë e shkruar në gjuhën shqipe, është edhe një gërshetim optimal i standardeve letrare të dorëshkrimeve në shqip me një ide pozitive marketingu. Shkrimtarët e mirë vendas sjellin tema dhe trajtime origjinale nga historia dhe aktualiteti; ata bëjnë të flasë me gjuhën e artit një realitet që lexuesit tanë e kanë më të afërt, e përjetojnë apo e jetojnë çdo ditë. Bota e librit dhe e leximit do të ishte e varfër pa romanet e tyre. Vetëm muajt e fundit “Toena” ka botuar veprat e reja të katër romancierëve të njohur, të Zija Çelës, ( Apokalipsi sipas shën Tiranës), të Fatos Kongolit,( Sidorela), të Diana Çulit ( Hoteli i drunjtë), të Nasi Lerës ( Sytë e Sofisë). Do të ndalemi pak me gjatë kësaj radhe te romani i Diana Çulit, duke njoftuar ndërkaq dëshirën dhe impenjimin për të shkruar së shpejti edhe për dy romanet e tjerë.

x x x
Diana Çuli vjen me këtë roman pasi i dha jetë në shqip me përkthimin e saj cilësor romanit të Elisabet Gilbert “Ha, pi, dashuro”. E përmend jo pa qëllim këtë fakt, pasi mendoj se në romanin “Hoteli i drunjtë” ndihet inercia dhe mbresat që ka lënë tek autorja përkthimi i Gilbert, me atë këmbënguljen dhe besimin e personazhes kryesore për t’i shkuar deri në fund qëllimit të saj, me shendosjen dhe lidhjen disi kinematografike të skenave, me përkushtimin për të depërtuar nëpërmjet meditimit në lidhjen e padukshme të ngjarjeve, deri edhe me përkujdesjen për të shkruar saktë dhe bukur.
Subjekti është marrë nga aktualiteti i përzishëm i ditëve tona. Gazetari Artur Radovani, i njohur si një yll i medias televizive të Tiranës, rrënohet papritur pasi zbulohet përfshirja e tij në një aferë korrupsioni të ministrit të Kulturës. Si pasojë e këtij zigzagu të madh në jetën e tij deri dje të shkëlqyer, atij i ikën nga shtëpia pa i dhënë asnjë shpjegim edhe bashkëshortja, Arjana, një grua e kultivuar, që merret kryesisht me përkthime librash artistikë. Kjo goditje, më e fortë se ajo e akuzës për përfshirje në korrupsion, e shtyn Arturin të kërkojë ndihmën e një agjencie private për gjetjen e gruas së zhdukur. Agjencia i vë në dispozicion një vajzë të re, që dallohet për shkathtësi dhe zgjuarsi, Liljana Dukën. Kështu fillon romani, që do të vijojë si një investigim i dyfishtë policesk dhe psikologjik në enigmën e zhdukjes së Arjanës. Ç’ka ndodhur me të? Pse duhej të ikte ajo nga shtëpia pa u shpjeguar me të shoqin pikërisht në ditët e tij me të zeza të jetës? A mos ka ikur me një të dashur tjetër? A mos e kanë rrëmbyer? A mos e kanë vrarë për një arsye…iks? Apo…as njëra, as tjetra, por thjesht ka ikur diku për një arsye që nuk e di kërkush përveç saj?
Përgjatë zbardhjes hap pas hapi të kësaj enigme nga dedektivja private Liljana Duka, lexuesit i jepet rasti të ndjekë me kërshëri një histori tërheqëse me elementë të thrillerit dhe njëkohësisht të njihet me disa pamje domethënëse, nganjëherë edhe tronditëse nga jeta bashkëkohore. Korrupsionin që ka vënë në lëvizje gjithë intrigën e romanit e ka bërë vetë ministri. Ai ka qenë përfituesi i madh. Përfituesi numër dy ka qenë Arturi. Por ministri që “nuk ka firmosur” gjëkundi, në mirëkuptim me Arturin që nuk ka nga të lëvizë, vendos të bëjë kokë turku para drejtësisë shefen e financës, Fatmira Selimin. Për një rastësi në vargun e rastësive të shpeshta në këtë roman, Fatmira është gruaja e ve e Gent Radit, një bohem, ish-i dashuri i Arjanës. Kjo hollësi do të përcaktojë drejtimin e saktë të hetimeve të Liljanës .
I ndërtuar si një kolazh rrëfimesh në vetë të parë të protagonistëve, romani sjell një larmi gjendjesh, marrëdhëniesh dhe kontradiktash nga jeta e sotme e Tiranës. Shtypi cinik, i pashpirt dhe vrasës, që gjen kënaqësi në shkatërrimin e tjetrit, është një “personazh” me rëndësi në roman. Në rrokullisjen e tij nga “Olimpi” i shtypit, gazetari Artur Radovani, tashmë viktimë e të njëjtit mekanizëm denigrimi që ka shërbyer vetë deri dje, zbulon se gjithë suksesi i tij ka qenë ngritur mbi lustrimin e realitetit dhe goditjen. Fati i Arturit dhe reflektimet e tij sjellin mesazhin e paqëndrueshmërisë dhe dështimit të pashmangshëm të një “formule” të tillë suksesi. Në fund të fundit shoqëria do gjejë forca të kundërpërgjigjet ndaj së keqes dhe të rivendosë rendin normal të arsyes në jetë. Liljana Duka, dedektivja private, personifikon këtë forcë . Ajo rrëmbehet shpirtërisht nga hetimi i saj, vendos t’i shkojë deri në fund, duke marrë në sy disa rreziqe, si disa heronj librash. “Seancat” finale të hetimit të saj do ta çojnë në luginën e Valbonës, atje ku personazhet e intrigës së këtij romani do të mblidhen si nga dora e fatit për të “prodhuar” zbardhjen e së vërtetës. Atje është edhe hoteli i drunjtë që i ka dhënë titullin librit.
Me këtë roman shkrimtarja Diana Çuli kërkon të na thotë se ka ende kërkues dhe luftëtarë të së vërtetës, ka ende hapësirë për drejtësi, pavarësisht se degradimi dhe kalbëzimi kanë përfshirë pjesë të tëra të botës politike, mediatike, ekonomike dhe shoqërore. Shkrimtarja kërkon t’i lartësojë këta njerëz dhe t’i fryjë zjarrit të shpresës, natyrisht pa dalë nga shtrati i letërsisë. Ajo shkruan rrjedhshëm, me një dorë të stërvitur në shkrime letrare dhe përkthime. Brenda romanit shohim konturet e tri-katër tregimeve që ngjajnë si oaze të vezullimit, siç është për shembull takimi pas shumë vitesh i Arjanës me ish-të dashurin e saj të sëmurë dhe të rrënuar, Gent Radin. Hija e kësaj dashurie të largët, dridhërimat dhe interferimet e saj në aksionin e romanit, pastaj vdekja e papritur e bohemit, funerali i tij si funerali i një stili të papërsëritshëm jete në qytet, boshllëku i papritur që hapet në shpirtin e Arjanës- të gjitha këto janë dhënë me një finesë dhe fuqi artistike të veçantë, që të shtyjnë të mendosh se temat e holla lirike i shkojnë më shumë se subjektet thriller shkrimtares Diana Çuli.
Ndihet gjithkund në këtë roman ndikimi i leximeve të autorëve modernë. Deri te prirja për të përdorur fjalët që emërtojnë objektet e teknologjisë bashkëkohore të komunikimit, të investigimit etj.
Duke mos e marrë të shkëputur romanin “Hoteli i drunjtë” nga prurjet e autorëve të tjerë bashkëkohorë shqiptarë, mund të them se kjo krijimtari po ekspozon tendencat e sotme të prozës shqipe, sintoninë dhe kontrastet e saj me letërsinë botërore bashkëkohore, vlerat dhe defektet e saj në një mjedis të ndryshuar ku shkrimtarët janë shpeshherë vetëm, si në një botë pa pasqyra, ku mungon kritika, diskutimi, përballja, shkëmbimi i sinqertë i opinioneve, analiza profesionale.
Mendoj se është koha të diskutojmë për këto tendenca, për raportin midis reales dhe ireales në prozë, për fibrat që krijojnë unitetin e brendshëm dhe organik të veprës, për kollajllëkun në një anë dhe sforcimin në anën tjetër, në shkelje të disa ligjësive të thjeshta që proza i ka të vetat, siç janë për shembull ruajtja e rendit logjik të gjërave, apo parashtrimi i një intrige romaneske që të mban në emocione, që nuk është as e kërkuar, as e lexueshme. Për t’u ndalur te “Hoteli i drunjtë”, mua më duket se ky roman vuan nga roli përcaktues i rastësive, që janë të shpeshta. Udhëtimi njëherësh drejt Valbonës i Arjanës dhe gazetarëve dhe zbulimi i të “zhdukurve” të shumëkërkuar atje e ilustrojnë këtë pohim. Krijohet kështu një lloj kontradikte midis shkrimit dhe kompozimit. Por mesazhet dhe idetë duhet të rrjedhin nëpër ngjarje dhe vetë ngjarjet duhet të ruajnë maksimalisht logjikën e brendshme.

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve