Adelina Ismaili: Ika nga atdheu për një jetë normale
Adelina Ismaili, këngëtarja e afirmuar edhe në shkallë
ndërkombëtare, ka kohë që është bërë shënjestër admirimi e shumë njerëzve pa
dallim moshe gjinie dhe përkatësie. Ajo, me konsekuencë deri në fanatizëm po i
realizon synimet në lëmin e muzikës, duke prekur edhe majat e saj.
Origjinaliteti, zëri, repertori, sharmi skenik dhe sinqeriteti e bëjnë Adelinën
goxha të vlerësuar. Një nga virtytet e saj është edhe modestia dhe të qenit
falënderuese. Në intervistën nga Gjermania, publikuar nga “Telegrafi” në Kosovë,
Adelina i përgjigjet fansave në pyetjet e tyre dhe thekson se suksesin e saj ia
dedikon Zotit, punës, familjes, përkrahësve dhe adhuruesve të saj të shumtë.
Kurse rrëfehet pse u largua: “Erdha që të ikja nga karriera dhe të jetoja për
pak kohë një jetë normale. Asgjë rreth meje më nuk ishte e vërtetë dhe thellë
brenda e dija që askush nuk ka të drejtë të më shkatërronte mua dhe familjen
vetëm pse jam kjo që jam”
Çfarë ka të re në botën tuaj artistike dhe private?
Në jetën private gjithçka është siç është tash një kohë, e
lumtur sa s`thuhet. Në lëmin artistik jam duke përgatitur album internacional,
por edhe shqiptar, ku do ndërthuret muzika shqiptare me trendet perëndimore.
Jam duke u përgatitur për Festivalin Internacional të Klipit në Francë ku jam
përzgjedhur para pak kohësh dhe për rolin e vështirë që më është besuar si
anëtare jurie në Miss dhe Mister Zvicra frankofone 2012. Me një fjalë, kam
12-13 orë punë në ditë.
A ka më shumë punë apo talent te ju?
Thonë që diku 3% është talenti te njeriu, 97% e më shumë
puna për ta kultivuar një talent që e fal Zoti tek një qenie njerëzore. Edhe pse
veten e quaj përtace të madhe, besoj që asnjë talent nuk mund të plasohet pa
shumë punë, mund e sakrificë. Te gjithkush, edhe tek unë më shumë punë.
A keni qenë çapkëne, a keni sjellë probleme? Cilat këshilla
të nënës iu kujtohen sot?
Jo, edhe pse duket ndryshe hahaha. Thonë që kam qenë më e
urta nga fëmijët e familjes, po flas për fëmijërinë e hershme. Nëna thotë që po
të mos ishte ushqimi që e kërkoja çdo orë, nuk do dinte a jam aty apo jo. Kur
jam nisur në shkollë, sikur çdo fëmijë dhe unë kam pësuar një ndryshim. Nuk kam
ngacmuar e para kurrë, por nëse më kanë ngacmuar, kam kthyer shumëfish. Çdo
këshillë e nënës më kujtohet, ajo më këshillon edhe sot e kësaj dite. Do përmendja
dy që i kam si lajtmotiv në jetë: ”Bëj për tjerët atë që dëshiron tjerët të
bëjnë për ty” dhe “Respekto vetën nëse do të jesh e respektuar nga tjerët”.
Po bëni emër në Evropë, sidomos në Zvicër dhe në Francë. Pse
e morët këtë hap për të shkuar jashtë? Ju duket se këtu nuk ju kanë çmuar sa
duhet dhe ku kanë hyrë në hak?
Erdha që të ikja nga karriera dhe të jetoja për pak kohë një
jetë normale. Asgjë rreth meje më nuk ishte e vërtetë dhe thellë brenda e dija
që askush nuk ka të drejtë të më shkatërronte mua dhe familjen vetëm pse jam
kjo që jam. Doja të dija kush ishte gabim, dhe deshi Zoti e morra vesh shumë
shpejt. Nuk planifikoja asnjë lloj karrierë, por koncertin të cilin e kisha
planifikuar të fundit në jetë. Pas suksesit të shitjes, ndryshoi gjithçka dhe
vendosa të vazhdoj edhe pak, presioni nga fansat rritej çdo ditë. Publiku më ka
çmuar në masën më të lartë të mundur, por “të mëdhenjtë” dhe censurat,
sabotimet, bojkotet, shpifjet kishin arritur kulmin. Duhej të bëja zgjedhjen,
dhe e bëra.
A iu është dashur shumë mund që të thyeni kufijtë dhe
paragjykimet, të cilat kanë mbretëruar dhe vazhdojnë të mbretërojnë për ne,
jashtë?
Fatkeqësisht, ka pasur dhe eksperienca të tilla. Jo shumë,
por ka pasur. Ishte e vështirë që e para të filloje të dëshmoje që kemi art,
kur vjen pas 22 vitesh nga një vend i cili njihet ndryshe këndej. Tash habitem
si kisha vullnet që t’i detyroja të gjithë ata me të cilët punoj të merrnin
vesh sa të çmuar e kemi lëminë muzikore. Nuk kam preferuar të flas për
vështirësitë asnjëherë, sepse para 3 vitesh do keqkuptohesha nga shqiptarët e
mi. Por tash kur kanë filluar të korrin suksese dhe tjerë këndej, imazhi për ne
shpresoj të përmirësohet. Shpresoj që ne të arrijmë ta përmirësojmë.
Cili këngëtar apo bend ka patur ndikim në formimin tuaj kur
keni qenë e re?
Kontakti im i parë real me muzikën ishte kur fillova
shkollimin muzikor dhe ndikimi më i madh në mua është jeta dhe vepra e
Mozartit. Si njeri i cili tmerrësisht u gjykua dhe sabotua nga muzikantët e
oborrit mbretëror, u adhurua nga populli pafundësisht, theu shumë rregulla të
muzikës klasike dhe jetoi jetën për qejfin e vet, mbetet një influencë e lartë
edhe në meloditë e tij aq të pëlqyeshme. Më pëlqente më vonë dhe Madonna e cila
gati çdo këngë e ka hit qysh nga fillimi i karrierës dhe imazhi i saj që tregon
se arti është diçka që kërkon lirinë absolute dhe asnjë lloj censure. Kisha dhe
periudhat kur pëlqeja Jim Morrison apo Nirvana. Pastaj grupi Prodigy. Dikur
dëgjoja me pasion dhe Run Dmc deri më vonë tek Eminem. Përgjithësisht muzikantë
që krijuan për qejfin e vet, i duan të gjithë, nuk çanë kokën për censurat e
kohës dhe janë në histori. I dua ata që janë rebel të mençur muzikor dhe vënë
veprën e vet mbi kohën, vendin dhe mendimet e tjerëve.
Po të kishit mundësi a do t’ua ndalonit ndokujt që të
këndonte?
Askujt. Atë gjë guxon ta bëjë vetëm publiku. Unë nocionin
demokraci e kuptoj dhe jetoj në kuptimin e plotë të asaj fjale. Ndoshta do e
ndaloja transmetimin e këngëve të përkthyera nga serbishtja, greqishtja dhe
turqishtja. Për të shpëtuar melosin e pastër shqiptar.
Nëse do t’ju jepej mundësia që të bënit një duet me Viktorin
(UniKKatiL) ose me Besnikun(2po2), a do ta pranonit një ftesë të tillë?
Do kërkoja përgjigje nga fansat. Do kërkoja të bëjnë një
sondazh dhe me vendimin e tyre do pajtohesha. Kam katër vite që urdhrat i marr
vetëm nga ata.
Si ndihesh kur edhe pas 25 vjetëve në skenë, admiruesit tuaj
janë të emocionuar, madje edhe të përlotur duke kërkuar takim me ty? Çfarë
ndjenje është kjo për ju?
Çdoherë ndjehem si herën e parë. Çdo dalje në skenë është e
para. Emocionohem shumë dhe mundohem të fsheh lotët kur shoh fansa që qajnë.
Flas shumë dhe thjeshtëzohem në nivelin më të mundur që të më përjetojnë sa më
normalisht që është e mundur. Mundohem të normalizoj gjendjen. Bëj gjithçka në
fuqinë time që të ndjehen mirë dhe të harrojnë Adelinën këngëtare. Është një
ndjenjë pas së cilës i thua vetës: ”Nuk më duhet më shumë nga Zoti”. Nuk aktroj
një VIP mendjemadhe që gjoja dikush ia paska me borxh admirimin, por as nuk u
vardisem false. Jam vetja dhe nganjëherë nuk arrij të kontrolloj situatën dhe
as vetën. Ndjenjat janë hyjnore, është vështirë të arrish t’i nderosh
barabartë. Pastaj, me ditë të tëra jam nën efektin e atij eksplodimi dhe mendoj
sa fatlume jam.
Sa jeni e kënaqur me mbështetjen e institucioneve të
Kosovës?!
Nuk kam kurrfarë ndjenjë për asnjë institucion kosovar.
Kurrë nuk kam kërkuar, por kurrë as nuk më kanë dhënë asgjë. Kam shpërblimet
për punën time nga Ambasada Amerikane dhe Presidenca Rugova, kam dhe shumë
falënderime, dekorata, mirënjohje, etj., nga shoqata të ndryshme jo
institucionale, të cilat nuk i kam bërë publike kurrë. Do t’i bëj një ditë dhe
ka të tilla që vërtet do habisnin struktura të ndryshme. Nuk kam vrapuar pas
institucioneve, admirimi i audiencës për mua është çmimi më i lartë që një
artist mund ta fitojë. Shkurt, asnjë institucion nuk më ka përkrahur në asnjë
projekt. E kundërta, ka ndodhur të vjedhin projektet e mia dhe t’i prezantojnë
si të vetat. 4 vite me radhë kam prezantuar projekt në një medium dhe doja
vetëm të më lejohej transmetimi, të gjitha shpenzimet i merrja përsipër vet. Më
është refuzuar, më është vjedhur ideja, skenari, skenografia, të gjitha dhe i
janë dhënë një këngëtareje tjetër. Isha totalisht e thyer. Por tash kjo është
prapa meje, larg, nuk më lëndon më.
Tani që jeni larguar jashtë Kosovës, a ju mungon publiku i
Kosovës dhe a mban lidhje me ta?
Ka vetëm një vit që s`kam kënduar në Kosovë, mendoj që nuk
është mungesë e gjatë, edhe pse nga fansat po përjetohet si shumë e gjatë. Në
kontakt me fansat e mi jam gjithmonë, në mënyra të ndryshme. E vetmja gjë që
nuk mund ta ofroj është shfaqja ime në televizione. Nuk mund ta arrij, prandaj
mundohem në forma të ndryshme ta kompensoj, qoftë me intervista të shkruara,
apo koncerte, informoj fansat për çdo gjë, etj. Gjithsesi, më mungon publiku im
kosovar, këtë nuk mund ta mohoj dhe dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata
që erdhën në Ulqin vitin e kaluar, enkas për koncertin tim. Nga zemra
faleminderit që udhëtuat, shpenzuat, u kënaqëm bashkë atë ditë dhe atë mbrëmje.
Keni deklaruar se u është dashur vetëm një minutë që të
dashuroheni. Kaq e thjeshtë është kjo?
Varet me kë dashuroheni. E kam thënë figurativisht dhe jo
literalisht, sepse nuk kam lëshuar kronometrin të maste kohën për sa do
dashurohesha. Ndoshta ka qenë një sekondë, ajo sekonda magjike kur në shpirtin
e një femre ndritët gjithçka. Dashuria e vërtetë asnjëherë nuk mund të jetë e
komplikuar. Komplikimet ndodhin tek njerëzit që nuk janë të sigurt në vetën dhe
ndjenjat e tyre. Po, dashuria e vërtetë ndodh menjëherë ose, kurrë.
Thuhet se femrat dashurojnë me zemër, po meshkujt...?
Edhe meshkujt kanë zemër. Ndarjen gjinore nuk e kam
përjetuar kurrë në masën ekstreme. Jam rritur dhe edukuar në një rreth ku femra
dhe mashkulli konsiderohen të barabartë. Ata që dashurojnë pa zemër, nuk
dashurojnë. Atë soj njeriu duhet braktisur menjëherë, mendoj. Pyet meshkujt e
dashuruar po nuk më besove, hahaha. Ne femrat kemi dyshimet tona dhe kjo është
normale. Prandaj, duhet qenë shumë e sigurt në ndjenjat tua, që ta kuptosh
çfarë do ai zotëri përballë teje. Së paku, kështu mendoj unë.
Sa fëmijë të keni dhe të çfarë gjinie?
E vetmja ëndërr e parealizuar në këtë jetë më ka mbetur ajo
hyjnorja, të bëhem nënë. Që dua shumë fëmijë e kam treguar shumë herë, larg
qoftë të më shkojë mendja ndonjëherë se çfarë gjinie do të jenë. I lutem fatit
vetëm të jenë të shëndoshë dhe të jetojnë si ua do zemra atyre.
A mendoni se e keni arritur famën e mjaftueshme, a iu pengon
fama dhe a mendoni se jeni e realizuar, apo ende jeni në kërkim të realizimit?
Unë kam kapërcyer limitet e famës që mund ta bart.
Megjithatë, 26 vite të jesh qendra e vëmendjes herë më pak e herë më shumë,
është tepër. Është një jetë e tërë dhe shpesh kthehet kundër meje. A jam realizuar,
kam lënë njerëz më kompetentë se unë ta tregojnë dhe nga shpirti i falënderoj
ato 56 personalitete shqiptare dhe botërore që kanë dhënë mendimet e tyre për
mua. Të quhem Diva në Shqipëri, Diva në Ballkan dhe Diva Ballkanike në mediume
evropiane, është më shumë se famë. Karriera për mua ka përfunduar në Ditën e
Pavarësisë kur çdo gjë u pa dhe u dëgjua për mua, në ditën më të shenjtë të
vendit tim. Kjo që bëj tash është për të mos zhgënjyer ata qindra mijëra fansa
që besnikërisht janë me mua në të mirë e në të keq. Unë jam njeriu më fatlum në
botë që me dekada kam njerëz që pëlqejnë punën time, që ndjehemi si familje mes
vete. Por edhe përgjegjësia ime për ta më obligon të vazhdoj, derisa të më
dhënë leje që të jetoj për vetën. Ditën që kam krijuar veprën “Skënderbeu” ,
jam realizuar muzikalisht. Fakti që ishte 6 vite e censuruar, kurse sot
cilësohet si kryevepra ime, më përforcon këtë bindje.
A mund të thuhet se e keni arritur lumturinë, apo më mirë të
themi, e keni prekur kulmin e saj dhe a ekziston lumturia, sipas jush?
Po, me krejt shpirtin tim them që kam kohë të gjatë që
ndjehem si njeriu më i lumtur në planet. Nuk di a është kulmi apo themeli, por
të bie dhe zgjohem e buzëqeshur çdo ditë, unë e quaj lumturi. Patjetër që
ekziston lumturia, vetëm duhet kërkuar atje ku shpirti e ndjen. Mund të flasim
për projekte, plane, biznese, klipe, suksese, etj., por ato të gjitha vijnë dhe
një ditë shkojnë. Suksesi i ekzistencës sime është kjo lumturi.
Jeni trimëreshë dhe silleni me një ego të fortë. A reagoni
në çast, me instinkt apo e përdorni logjikën e shëndoshë?
Egoja ime është një sistem vetëmbrojtjeje që më është
krijuar artificialisht nga sulmet e vazhdueshme që kam pasur gjatë jetës, si
pasojë e sukseseve në punë. Nuk njoh njerëz të suksesshëm me ego të dobët. Por
nuk jam as frikacake. Gjyshja ime malësore, vajzë e Balshave të Shkodrës na
mësonte se “Trimi vdes një herë, frikacaku çdo ditë”. Në asnjë mënyrë nuk lejoj
të udhëhiqem nga instiktet, edhe pse krijohet ajo përshtypje sepse reagoj
shpejt dhe në mënyrë sa më efikase. Nisem nga logjika “Shpejt, pastër, sa më
pak dëme”, hahaha. Bazohem në logjikën e shëndoshë gjithmonë, kurrë në jetën
time s`kam ndërmarrë asnjë hap pa menduar dhe pa u konsultuar me dikë që
konsideroj më të arsyeshëm. Absolutisht gjithmonë logjikoj se kush meriton
reagim nga unë, megjithatë nuk shpërblej çdokënd me nënçmim të dhuruar nga unë.
Deri në çfarë mase jeni besëtyte dhe si e përjetoni nëse një
mace e zezë ua kapërcen rrugën?
Nuk jam besëtyte dhe nuk besoj në ato gjëra. Një mace që
natyra i ka dhënë ngjyrën e zezë dhe po ecën në punët e veta, nuk besoj që
përcakton fatin tim.
Kur do t’ju shohim sërish me gërsheta dhe a planifikoni të
mbani një megakoncert në Tiranë? Nëse po, kur?
Nuk di çfarë të them për gërshetat, ka një dekadë që i kam
pasur dhe nuk mendoj që do kopjoja veten. Nuk janë të modës momentalisht dhe
shkatërrojnë flokun shumë. Koncerti në Tiranë do të jetë projekt që do të
diskutohet pas shumë punëve që kam në shtetet evropiane pas daljes së albumit
dhe me dashamirësinë më të madhe, kërkoj falje që nuk mund të jap përgjigje për
datë konkrete. Por, jam krenare me fansat e mi në Shqipëri. Unë saktësisht e di
që u kam hyrë atyre, bazuar në kritikat që marr pse nuk jam më shpesh atje. Por
do doja të sqaroja, që një gënjeshtër e një kolegeje nga Shqipëria të cilën
dikur e çmoja dhe e cila më tha që në Shqipëri më prisnin rreziqe nëse do vija,
më ka lënë 9 vite pa ardhur dhe kam refuzuar çdo ftesë që më bëhej. Por, nuk
kisha nga ta dija që isha e gënjyer. Tani e di që nuk është e vërtetë dhe
shpresoj në të ardhmen e afërt të jem atje.
Keni shëtitur shumë, a do të na veçonit ndonjë ndodhi nga
këto udhëtime?
Ka aq shumë saqë vështirë të mbahen në mend. Ok, do ta
tregoj një. Kur vizitova muzeun e Luvrit në Paris për herë të parë, ishin vetëm
skulpturat e Greqisë Antike ato që ishin pa veshje, lakuriq. Unë e di që Greqia
Antike që në fakt ishin ilirët, dhe jo grekët e sotëm që nuk dihet as nga kanë
ardhur, kishte bërë revolucion artistik në atë kohë me trupin e femrës dhe
mashkullit lakuriq. Por, hiqesha se nuk di asgjë. Atëherë pashë katër meshkuj,
skulptura që quhet “Katër Albanët” dhe ishin totalisht pa veshje. Mora një
shoqe në telefon dhe po i tregoja që pash katër meshkuj shqiptar në Luvër, ajo
më pyeti: ”A të njohën?” i thash, “Jo, por ishin lakuriq dhe kishin ulur kokat
poshtë” Ajo: “Oh Zot, a janë normal?!” Unë: “Aspak...Janë skulptura”, prapë ajo
“Thuaju atyre budallenjve aty t’u veshin ndonjë rrobë, dhe mos i trego
askujt!”.
A mund të na përshkruani ditën tuaj, çka bëni, cili është
hobi juaj?
Zgjohem diku nga ora 10 ose 11 paradite, pi kafenë dhe ha
mëngjes, afër 60 minuta notoj në pishinë, shkoj në kompani ku çdo ditë kemi
mbledhjen e ditës të caktojmë punët, vazhdoj në studio ku punoj 5-6 orë, ha
drekën dhe vazhdoj prapë në kompani ku ose udhëtojmë diku, ose nëse nuk ka
udhëtim rishqyrtojmë çka është punuar gjatë ditës, raporti ditor me agjenten
time, producentët, juristët, dizajnerin, koreografin, valltarët, agjentin
medial, pastaj kontakti me zëdhënësen, bashkëpunëtorët në shtetet tjera,
gazetarët, etj., vazhdoj në studio apo ushtrime me valltarë, pastaj darka,
prapë ushtrime ose studio deri nga ora 1 ose 2 e mëngjesit, shikoj ndonjë film,
lexoj dhe gjumë. Nëse kthehem më herët, kinema, teatër apo ndonjë ekspozitë e
re. Hobi im, në ditë të lira që ndodhin një here në dy-tre muaj, shkruaj ose
pikturoj.
A ndjeni njëfarë barre që ende nuk keni një diplomë të
shkollimit të lartë? A
Kam shkollim të lartë. Kam të mbaruar Akademinë e Arteve të
Bukura-drejtimi Pedagogjik, seksioni piano. Jam duke mbaruar dhe vitin e dytë
në Fakultetin Juridik. Ndjej një barrë dhe shpesh mendoj pse nuk kemi më shumë
njerëz, posaçërisht femra të shkolluara që do na bënin krenar me veten para
botës dhe do mësonin në shkollë që “xhelozia është e vetmja barrë që e mbajmë
pa asnjë arsye” thënë e shkruar nga Nietzche.
Cila këngë ju rrëmben, cilën e dëgjoni më me afsh dhe a ka
ndonjë këngë që ua nxjerr lotët?
Më rrëmben dhe e dëgjoj me afsh “Nothing Else Matters” nga
Metallica. Hmm, nuk mbaj në mend kur më ka nxjerrë lotët një këngë.
E dashura Adelinë, kë do të dëshiroje ta njihje dhe ende nuk
keni patur rastin ta takoni?
Është Hans Zimmer, kompozitor i muzikës klasike, një ndër më
të shquarit të shekullit tonë.
A e keni pyetur ndonjëherë veten, se “çka do të bëja po të
mos isha këngëtare (dmth kjo që jam)”?
S`kam pyetur sepse e di, haha. Zoti më ka dhuruar një dhunti
për këngën dhe nuk besoj që fati im do ishte shumë më ndryshe. Patjetër që do
isha diçka në lëmin e muzikës. Nëse do përgjigje më të thjeshtë, që shuan
kuriozitetin e thjeshtë, atëherë sigurisht aktore. Nëse jo aktore, atëherë
juriste.
A mendoni për fundin e karrierës dhe çfarë do të bëni pas
saj?
Karriera për mua ka përfunduar më 14 shkurt 2007, kur pas 22
viteve të gjata populli më dha notën e vet atë natë të shenjtë për Kosovën. Që
nga ajo ditë, e bëj për fansa të cilët edhe në shtëpi me vinin me lule,
dhurata, lot në sy që të mos ndaloja këndimin. Ata janë rritur me mua, e unë me
ta. Çdo gjë që bëj, e bëj që ata të ndjehen krenar dhe të lumtur. Kam kuptuar
që nuk mund ta braktis muzikën, edhe nëse e ndryshoj nga këndimi në komponim
apo formë tjetër muzikore. Mezi pres të filloj me diçka të re, qoftë komponim
ose punë me talent të rinj, qoftë forme tjetër muzikore. Këndimin s`do ta ndal
kurrë. Tina Turner është 74 vjeçare dhe këndon së paku njëherë në vit. Nuk njoh
jetë pa këngë. Do e bëj rrallë, por për qejf. Unë kurrë nuk e kam parë vetën si
një nënë që këndon intensivisht. Për mua nuk ka asgjë më hyjnore sesa të jem
një nënë, me një familje të shëndoshë dhe një profesion larg titujve të
gazetave ose televizioneve, që më kënaq shpirtin.
Nëse do ta pyeste Adelina, Adelinën, cila do të ishte
autopyetja?
A. Ismaili: Qenka e vështirë t’i bësh pyetje vetës hahaha.
Po mendohesha gjatë dhe do bëj pyetjen që më bëri një gazetare për një medium
gjerman. Ishte pyetja: “Si është të vish pas shumë viteve në Kosovë,dhe të jesh
krah yjeve të shquar botëror?” Përgjigja ime:”Jam rritur në kohë ku dritë më
bënin granatat që të shkruaja tekste, përderisa mbaja dorën e djathtë me të
majtën, që të mos dridhej. Më shumë kam dëgjuar ulërimat e profesorëve të
rrahur nga milicia serbe, sesa muzikë në shkollën time bodrum shtëpie në
Prishtinë. Prindërit nuk më kanë mësuar cilit pasanik t’i futem në shtrat për
një fustan, ose cilit producent për një emision, por nga cila dalje të ik kur
futet ushtria serbe në koncert. Kur komponoja, kufjen e mbaja vetëm në njërin
vesh, me tjetrin dëgjoja nga cila anë po vijnë tanket e ushtrisë. Femrat më të
bukura në botë, për mua janë ato që nuk vranë veten dhe fëmijët e tyre kur i
përzunë nga shoqëria kosovare, sepse patën fatkeqësinë të jenë të dhunuara nga
egërsirat që na vranë rininë. Jam zhvilluar në një vend e një kohë ku tmerrit i
thonë “Zotëri”, e zotërisë të vërtetë i thonë “Burrë i ligë”.
Prandaj mos më ngatërroni me asnjë yll botëror të cilave u
bën dritë i tërë Los Angelesi që të shkruajnë një rresht. U këndon i tërë
Harvardi që të nxjerrin një tingull nga goja. Unë kam shumë më shumë sesa ato,
kam një jetë dhembje që e ktheva në sukses e lumturi. Kam dhënë më shumë se të
gjitha ato bashkë, kam dhënë jetën që banonte ngjitur me vdekjen brenda një
melodie të vajzës Adelinë e cila gjithmonë mundohet të buzëqesh për ju”.
Comments
Post a Comment