Vladimir Prifti: Jeta ime mes filmit dhe teatrit e plotësuar
Izaura Ndoj
Pak ditë më parë, katër regjisorë
të skenës dhe filmit shqiptar u nderuan me titullin “Mjeshtri i Madh”. Ndër këto
ishte dhe regjisori me përmasa dimensionale Vladimir Prifti. Në një intervistë
për “Koha Jonë”, Vladimir Prifti rrëfen fillimet në karrierën e tij në teatër,
kalimin dhe sfidat që i solli regjia, si dhe projektet që ka si një regjisor
70-vjeçar. “Këto lloj çmimesh, këto lloj titujsh, këto lloj urdhrash,
konsiderohen pika kulmore në jetën e njeriut. Nuk do t'i harrojmë ato vite kur
kemi punuar bashkërisht dhe kur kemi unifikuar pasionet tona në adresë të një
arti që mendojmë se ka lënë gjurmë”, - kështu do të shprehej Prifti. Më tej,
gjatë intervistës, ai na tregon dhe projektin që pret miratimin e MTKRS për të
finalizuar edhe dy pjesët e tjera të dokumentarit “Skënderbeu”. Një dokumentar
që për herë të parë e sjell Skënderbeun si njeri, por dhe si figurë historike.
Ndërkohë, dy seritë e fundit pritet të xhirohen në fillim të muajit qershor, që
në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e Pavarësisë të mos mungojë edhe
Skënderbeu i ekranizuar në katër seri dokumentari.
Z. Vladimir, jeni në pikën kulmore të karrierës suaj artistike dhe në
prag të 70-vjetorit. Ndoshta vlerësimi me çmimin “Mjeshtri i Madh” ishte në kohën
e duhur?
Natyrisht që çmimi është një pikë
kulmore, edhe 70-vjetori është përsëri një pikë kulmore për mua. Gjithmonë
njeriu në këto momente bën një proces analize të kaluarës së tij. Proces që për
mua nuk ka qenë i lehtë për arsyen se fillimet e mia nisën në Teatër, pastaj
konsolidohen në TV dhe më vonë në studion “AlbaFilm” dhe “Eurofilm”. Pra, janë
katër institucione, në të cilat unë kam lëvizur, por të gjitha më kanë ndihmuar
në prodhimin kinematografik. Në këto momente numëroj 10 filma artistikë dhe 8
ose 9 dokumentarë që përbëjnë dhe atë krijimtari ndër vite deri në këto momente
e lidhur gjithmonë me filmin.
Si i kujtoni fillimet tuaja në Teatër?
Kur kujtoj ato fillimet e mia në
teatër, nuk më sjellin ndonjë kënaqësi për mënyrën se si kam qenë aktor, kam
luajtur, por më sjellin një kënaqësi tjetër, punën me Teatrin dhe aktorët e
mëdhenj të skenës shqiptare dhe veprat me përmasa botërore që viheshin në atë
kohë në skenë. Të gjithë këto faktorë e konsoliduan më tej karrierën time. Ajo
dramaturgji botërore dhe kombëtare ku unë pothuajse e preka mirë. Pas punës me
Pirro Manin në Teatër, menjëherë kalova në Televizion me proceset e disa lidhjeve
dramaturgjike që kishte teatri me filmin televiziv, kjo më dha atë mundësinë e
parë me filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe që sot ka mbetur me të
njëjtën vlerë.
Bashkëbisedimet me trupën, me aktorët,
me Ismail Kadarenë sollën një kinema me një frymë të re në televizion.
Televizioni më dha mundësi të mëdha, pasi ne mundëm të merrnim dhe shfaqje
teatri dhe të eksperimentonim. Pas “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” ndërtova
një film që ndryshe mund ta cilësoj si një ndër filmat më të mirë të karrierës sime
“Udha e shkronjave”. Mundësitë tashmë për të dhënë një film me përmasa të tilla
në një televizion që akoma s’i kishte shkelur përmasat e filmit me skenar
origjinal, me dramaturgji origjinale etj., më dhanë përsëri mundësinë që të
punoja me disa autorë skenari shumë të njohur, siç ishte Beci Dado.
Krijimtaria juaj artistike ndër vite dha edhe kontributin e saj në
televizion. Ka qenë e vështirë puna dhe bashkëpunimi me RTSH në atë kohë?
Të gjithë ata që u morën me
filmin nuk janë më në televizion, sepse RTSH publik i sotshëm ka mangësi të
madhe. Ndjek po atë rrugë të dikurshme të informacionit pa asnjë ndryshim, ku
sot janë mbi 40 kanale që japin një lum informacionesh. Prezenca e
informacionit në RTSh është e domosdoshme. RTSH është një institucion madhor,
pavarësisht nga vështirësitë që ka, nga mënyra se si e organizon prodhimin e
filmit artistik apo dokumentar, ai institucion ndodhet nën goditje të shumë
artistëve. Në këto momente, RTSh ka ngecur i gjithi për të mos thënë se
redaksia e filmit u prish. Po të bënim një llogari të thjeshtë, do të shikonim
që ai na merr një taksë vjetore prej 1200 lekësh të reja, dhe sot llogariten
300 mijë biznese të vogla në Tiranë veç atyre të mëdha dhe me dhjetëra familje,
të cilët paguajnë dritat ku merret dhe taksa e televizionit. Pra, është një
shifër që mund të shkojë 22 milionë euro në vit, e megjithatë RTSH vazhdimisht
thotë që nuk kam të ardhura. Nuk e di cila është arsyeja që thotë kështu, ky
është televizion publik, është taksë publike dhe duke qenë e tillë ajo duhet të
riorganizohet dhe nuk duhet të derdhet në arkën e shtetit dhe ta shpenzojë për
gjëra të tjera.
Çfarë ndodhi me karrierën tuja pas ikjes nga RTSH?
Vazhdimësia ime ka qenë në
studion “AlbaFilm”. Në momentet kur unë kam hyrë në Kinostudion “Shqipëria e
Re” përfshin një periudhë të rëndësishme të karrierës sime, pasi ka të bëjë me
katër filma, të cilët janë cilësuar që kanë karakteristika njerëzore në
interpretim, në mënyrën e shkrimit të skenarit si; “Kush vdes në këmbë”, “Dhe
vjen një ditë”, “Flutra në kabinën time” dhe “Dasma e Sakos”. Pas formimit të
QKK erdhi kompania “EuroFilm”, një kompani artistike.
Dokumentari zë një pjesë të mirë të karrierës suaj artistike...?
Prodhimi i viteve të fundit
fokusohet i gjithi tek filmi dokumentar, por midis tyre filmi dokumentar siç është
“Skënderbeu”, “Butrinti”, dhe dhjetëra dokumentarë të tjerë, të cilat kanë përfshirë
jo vetëm problemet sociale, pasi nuk janë në karakteristikat e mia, por më
tepër të karakterit historik apo të njohjes së arkeologjisë, siç është “Rruga
Egnatia”, “Odise Paskali” apo “Të bekuarit” e shumë dokumentarë të tjerë. Së
fundi, dua të them që karriera ime që mbyllet tani, e kisha menduar gjatë këtë
70-vjetor, dhe e mira ishte që t’i paraqisja publikut diçka më serioze, pasi
dhe çmimi “Mjeshtri i Madh” erdhi në kohën e vet, por “Skënderbeu” është një
vepër jashtëzakonisht madhore, e cila, në fund të fundit, nuk ka përfunduar.
Ministria e Kulturës dhe QKK kanë buxhete shumë të ulëta për filmat dhe nuk
mundet dot të realizojë atë program që ka menduar për 100-vjetorin e
Pavarësisë, prandaj me anë të shtypit dhe gazetës suaj, unë bëj thirrje që jo
vetëm të realizohet i gjithë programi që është menduar për 100-vjetorin e
Pavarësisë, por në radhë të parë ky film duhet të financohet me çdo kusht,
sepse filmi sjell jo pak gjëra të reja, jo vetëm të trajtimit shkencor dhe
historik, por dhe në trajtimin artistik. Projektet ndodhen në MTRKS dhe presin
nga çasti në çast të marrin miratimin e financimit në këtë Jubile.
Një regjisor me përmasa dimensionale, si në teatër ashtu dhe në film.
Si ju shikojmë mes të dyjave?
Kontributi im ka qenë shumë i
vogël në teatër, por ka influencuar jashtë mase në çështjen e interpretimit. Aktorët
që unë kam preferuar në film kanë qenë edhe aktorë teatri, siç ishte Sandër
Prosi apo Kadri Roshi. Influencat e teatrit janë në drejtime të tjera, teatri
ka një pikë shikimi, ndërsa kinemaja ka me dhjetëra pika shikimi. Ky këndvështrim
i kinemasë që hyn në një imazh apo vizion tjetër është pjesë përbërëse.
Me një galeri filmash dhe dokumentarësh keni ndonjë peng të parealizuar
deri në këtë momente?
Nuk ka regjisor që mos të ketë
ndonjë projekt të parealizuar. Deri tani vonë kam pasur një komedi të
mrekullueshme “Një hap nga parajsa”, por vështirësitë e mëdha ekonomike që ka
QKK gjithmonë e sheh komedinë jashtë natyrës së vet. Ndoshta do ta gjejë mundësinë
që ta realizojë në vazhdim, por në këto momente ndjehem i plotësuar
artistikisht.
Comments
Post a Comment