Arian Çani: Jam një partizan i paepur i kauzave minoritare
Ilda
Lumani
Me
të drejtë Arian Çani në këtë intervistë pohon se “Zonë e Lirë” është një logo
që tejkalon logon e ekraneve, pasi kudo që ai shfaqet audienca i shkon nga pas.
Sigurisht koherenca e debateve, të ftuarit interesantë; nga figurat kryesore në
vend tek njerëzit e thjeshtë dhe me problematika sa të çuditshme dhe
interesante bëjnë që mbrëmja e së premtes të jetë qysh prej 9 vitesh koha
televizive “e pushtuar” prej Arian Çanit! Në nxitim e sipër (siç ndodh
gjithmonë me të) ai përgjigjet për disa nga kuriozitet tona, që kanë të bëjnë
pikërisht me dy temat kryesore të javëve të fundit në “ZL”, çështja e
kandidatëve për president dhe parade e 17 majit e homoseksualëve. Çfarë mendon
ai për emrat që përfliten …? Kush është kandidati i tij i preferuar…? Përse ka
zgjedhur të jetë avokati i homoseksualëve…? Dhe a do të vijë kryeministri i
vendit, Sali Berisha, në studio…? Çani përgjigjet…!
Arian, në këtë sezon të ri ju ka ndodhur që ndonjë
personazh nuk ju ka ardhur, pikërisht sepse keni ndryshuar ekran?
Çani: Jo. Kjo nuk
ka lidhje me të ftuarit e mi... “ZL” është tashmë një logo që e tejkalon logon
e ekraneve... Po bëhen 9 vjet tashmë...
A ka ardhur koha Arian, që në studion tuaj të vijë
kryeministri i vendit, Sali Berisha? I keni bërë ndonjë ftesë atij?
Çani:
Jo ende nuk i kam bërë një ftesë formale, por besoj që do të vijë dhe Doktori,
nëse dëshiron, sigurisht.
Po Fatos Nanon e keni ftuar në këtë sezon të ri?
Çani: Jo. Nuk është
se kam ndonjë dëshirë të madhe t'ju bëj ftesë këtyre personazheve. Ata e
zgjedhin vetë kur duhet të dalin në ekran... Nëse momenti i tyre do të
korrespondojë me momentin tim, atëherë pse jo...
Pjesa e dytë e programit prej javësh është kthyer në një “referendum”
për emrin e ri të presidentit. Deri më tani në studion tuaj kush ka qenë
kandidatura më e preferuar dhe anasjelltas?
Çani: Jozefina dhe
Nano
Po ju vetë kë do të donit si president prej figurave që
prezantoni çdo javë?
Çani: Nuk kam ende
një ide të saktë. Po e mendoj.
Cili prej debateve që keni hapur në këtë sezon në studio
ka ngjallur më shumë kuriozitet?
Çani: Rubrika e “Presidentëve”
dhe çështja e homoseksualëve, parada e tyre në 17 maj në Tiranë, nëse ndodh
sigurisht.
Në fakt çështja e paradës së homoseksualëve dhe debati që
provokoi ai diskutim ka sjellë reagime nga më të çuditshmet. Ju vetë çfarë qëndrimi
keni ndaj homoseksualëve?
Çani: Unë i mbështes
gjithmonë. Jam një partizan i paepur i kauzave minoritare, nëse ata janë vërtet
minoritarë... Se po të më vërtetojnë të kundërtën? Atëherë nuk i mbështes më.
Do të më duhet të mbështes heteroseksualët...
Arian, sezoni i ri në TV KLAN, ju ka çelur derën mjaft personazheve,
të cilët i kemi parë tashmë të premteve në studion tuaj. Një prej tyre është
B.Fevziu. Çfarë impakti ka pasur tek ndjekësit e programit tuaj?
Çani: Impakt shumë
pozitiv... Fevzo është një personazh mediatik shumë interesant. Përveç
informacionit të dorës së parë që më sjell në studio, Fevzo është një klient shumë
i mirë për formatin e emisionit tim ku aktualiteti përthyet me shpejtësi dhe me
rritëm. Fevzo ka një rritëm të admirueshëm. Mendoj se publiku i “ZL” është shumë
i kënaqur me Fevzon.
Comments
Post a Comment