Alban Skënderaj: Në shtator do të më shihni shumë ndryshe


Yllka Selita
Ai është nga emrat më të njohur të muzikës së lehtë shqiptare dhe një nga emrat që e fitoi suksesin që në daljen e tij të parë në skenë. Ky është Alban Skënderaj, djali që nuk është i suksesshëm vetëm në muzikë, por edhe në jetën e tij private, pas një lidhje disavjeçare që ka më këngëtaren Miriam Cani. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Albani flet për lidhjen, karrierën dhe për projektet e tij. Duke qenë se ai tashmë është edhe anëtar i jurisë së talent-shout më të madh “X Factor”, ai ndan edhe këtë eksperiencë të re me lexuesit dhe fansat e tij.

Alban, ju e keni publikuar videoklipin tuaj të fundit “Më prit atje” në të njëjtën ditë me klipin e Miriamit, ishte kjo një koincidencë, apo një zgjedhje e juaja?
Ishte vërtetë një koincidencë e bukur, pasi klipi i Miriamit, “Përgjithmonë” ishte përgatitur më parë, ndërsa i imi u vonua më shumë, pavarësisht se unë e kisha nisur më parë. Dhe ishte koincidenca që u bënë gati të dy dhe u shfaqën në televizione në të njëjtën ditë.
Keni tashmë disa vite që jeni në lidhje me këngëtaren e mirënjohur Miriam Cani, mendoni se ka ardhur koha për të bërë një hap të mëtejshëm në marrëdhënien tuaj?
Do të doja që të them se ne momentalisht jemi në një fazë shumë të lumtur. Sepse jemi secili aktiv në karrierën e tij dhe nuk i kemi bërë stres vetes. Unë dhe Miriami bashkëjetojmë dhe gjërat e tjera i shohim pak si gjëra qejfi dhe më simbolike, pra martesa apo ceremonitë e këtij lloji, pasi kjo nuk do të ndryshonte gjë në jetën tonë. Jemi duke iu dedikuar edhe për pak kohë punës, pasi kemi edhe projekte të përbashkëta. Jo, sepse i kemi vënë synim vetes, por sepse e kemi me pasion, dhe mënyra më e mirë që mund të bëjmë është që të mbështesim njëri-tjetrin edhe që të ndërthurim projektet tona, gjë që na ndihmon edhe për të kaluar edhe më shumë kohë bashkë. Dhe që të mos shkëputemi, por të jemi të lidhur, si nga ana emocionale ashtu edhe profesionale. Sa i përket martesë, është një proces them unë dhe do të vijë një ditë që të kemi dëshirë që të bëjmë ceremoninë.
Dhe sigurisht që pas atij momenti, do të jetë në planet e juaja ardhja e një fëmije?
Besoj se po, pasi, siç thashë edhe më lart, martesa është proces dhe dëshirë për t’u bërë baba apo nënë, sigurisht që nuk mund t’i shpëtosh. Është e vërtet se momentalisht ne jemi të fokusuar te karriera, por sigurisht që ardhja e një fëmije është e pashmangshme, pasi ne nuk do të arrijmë 50 vjeç dhe të jemi ende në bashkëjetesë e pa pasur një fëmijë, apo edhe më shumë. Sigurisht që do të ketë evolucion lidhja jonë, por mendoj se ka kohë.

Cili nga ju të dy është më shumë xheloz për tjetrin?
T’u them të vërtetën, ne punën e xhelozisë nuk e kemi asnjëri të theksuar edhe për faktin se ne kemi shumë vite që punojmë me këtë profesion dhe i kemi kaluar këto gjëra në hapat e para deri sa në një farë mënyre ramë dakord, që mos bien në “banalitet”, pasi jo vetëm profesioni, por edhe karakteri jonë nuk na e lejon që të hapim probleme thelbësore. Xhelozia sigurisht që është pjesë e dashurisë dhe si të gjitha ndjesitë që ka njeriu kanë vlerën e vet për ta bërë jetën më të bukur dhe sigurisht që një grimcë, por me doza shumë të vogla, është e domosdoshme për ta bërë lidhjen më interesante.
Çfarë partneri është Albani, sa i takon ndarjes së detyrave në shtëpi?
Nuk jam ndonjë tip i shkathët në shtëpi, por jo për faktin se jam nga ata “burrat e zamanit”, tipik shqiptar, por sepse nuk më jepet shumë dhe jam vazhdimisht shumë i fokusuar në mendime, e humbas shumë shpejt. Dhe ky fakt nuk më bën një bashkëpunëtor shumë të mirë në shtëpi, por sigurisht që kur duhet ndihma ime unë jap një dorë, pasi kur të dy partnerët janë shumë të angazhuar, është shumë e pamundur që ta mbajë vetëm njeri barrën, kështu që normalisht edhe unë ndihmoj.
Sa i përket videoklipeve tuaja, duke qenë se ju jeni të dy këngëtar, si e menaxhoni buxhetin që duhet të shpenzoni për to?

Faktikisht asnjëri nga ne nuk neglizhon sa i përket karrierës së tij. Mund të ndodhë që mund të jenë dy klipe gati për t’u regjistruar, dhe sigurisht që varet nga buxheti dhe mund të ndryshojnë vetëm afatet. Por ne ndonjëherë punojmë edhe me sponsorë dhe nuk duhet t’i gjejmë vetë të ardhurat, kohët e fundit është bërë pak më e vështirë edhe për sponsorë. Pasi është një periudhë krize e zymtë që ndihet gjithandej dhe nuk sheh njerëz me vizion sa i përket marketingut. Dhe më vjen keq që ta them, por gjithçka është kthyer në mënyrë primitive, marr-jep dhe arti është mënjanuar komplet. Ne mundohemi që t’i menaxhojmë sa mundemi, pasi në art i bie që të investosh më shumë se sa të fitosh, prandaj do pasur shumë kujdes që të ruhen balancat. Nga ana tjetër, të vjen keq që t’i mungosh publikut, pasi ata të mbështesin në një farë mënyre, pavarësisht se vetë sistemi nuk të bën që ata të të mbështesin në mënyrë ideale.
Para disa javësh u fol rreth tatuazhit tuaj, jeni bërë vërtet pishman për të?
Unë e thashë atë batutë me shumë sportivitet, dhe nuk është se jam bërë pishman. Por gjithçka mendoj se është me moshë. Unë sot jam 30 vjeç dhe kur e kam bërë tatuazhin isha 22 vjeç dhe mendoja pak më ndryshe. Jo se jam bërë pishman për tatuazhin, por, sot, do të kisha preferuar që ta bëja në një vend më pak të dukshëm, sepse këtu është shumë i ekspozuar, mua vazhdojnë më pëlqejnë tatuazhet, por, sot, nëse do të bëja një tatuazh e shoh në një stil tjetër. Mbase ky është edhe fakt që më bën ndonjëherë të them më mirë të mos e kisha, por, nga ana tjetër, ky tatu është bërë në një moment të jetës sime dhe gjithmonë do të ketë kuptim. Ai është një vulë apo një stampë e një periudhe të jetës sime që e bëra bashkë me albumin tim që titullohej “Melodi”. Sot do të kisha bërë me stil tjetër dhe në një vend tjetër se duke qenë shumë i dukshëm ndonjëherë edhe më mërzitet megjithatë, (qesh), do bëj një tjetër që ta kompensoj.
Po Miriami sa është pro këtyre gjërave?
Miriami është 26 vjeç dhe 21 vjet të jetë së saj i ka kaluar në Gjermani, kështu që është shumë pro këtyre gjërave. Mbase edhe një tatu do ta pëlqente për veten e saj, por ndoshta nuk ka pasur guximi për ta bërë.
Momentalisht ku po jetoni?
Ne kemi një shtëpi në Gjermani dhe një shtëpi këtu në Tiranë, dhe momentalisht po jetojmë këtu. Duke qenë se edhe Miriami kishte angazhime në Tiranë vendosëm që vitin ta kalonim këtu. Ajo filloi “The Voice” në shtator dhe mbaroi në shkurt dhe unë fillova “X Factorin” dhe mbaroj në qershor. Gjatë verës pastaj kemi angazhime të ndryshme dhe normalisht vendosëm që të shkëputeshim pak nga Gjermania. Miriami një herë në dy javë shkon atje, pasi po përgatitet për një mjuzikëll atje, kështu që vazhdon punon. Por në momentin që do të mbaroj edhe unë aktivitetin tim këtu do të shpërngulemi prapë atje.
A keni tentuar ju që të jeni pjesë e botës së muzikës në Gjermani?
Kam pasur disa eksperienca në Gjermani dhe kam marrë disa sodisfaksione, pasi kur punon në këto shtete të mëdha janë të tjera emocione. Por unë nuk jam shkëputur asnjëherë nga Shqipëria dhe ndoshta ky fakt më ka bërë që të mos rrezikoj 100% për të provuar diçka jashtë në tregun europian, i cili është shumë i madh dhe i vështirë për t’u depërtuar. Ndoshta ky ka qenë edhe fakti pse nuk kam rrezikuar, sepse këtu ka qenë gjithçka e sigurt, një ndjenjë pozitive, një vlerësim i vazhdueshëm që më ka dhënë publiku dhe nuk e kam parë të arsyeshme që t’i mungoj këtij publiku. Dhe në një farë mënyrë jam ndarë në gjysmë, mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Duhet pasur parasysh se që të çash në botën e shou-bizit jashtë është shumë e vështirë, pasi duhet që t’i dedikohesh 360 gradë. Ti duhet që të jetosh atje, të paguash, të presësh për një kohë të gjatë që të të vijë një mundësi dhe mund të mos bëhet në fund asgjë, pasi nuk kërkohet që vetëm një palë të jetë ok. Sepse nuk duhet që të jesh vetëm një supertalent, apo që të kesh shumë para, por janë shumë faktorë bashkë që të bëjnë të hysh në atë botë. Si për shembull, janë shtëpitë diskografike, koncepti, momenti, janë agjencitë, menaxhimi që të bëhet, koncepti promovues etj. Janë shumë gjëra të bëra së bashku që të dalë një produkt i mirë. Pra, asgjë nuk vjen rastësore në botën e show-bizit, pavarësisht se si shprehen VIP-t. Ka një punë përgatitore të mundshme për të gjithë, audicione, provime, pritje pa fund, deri sa ti të arrish diçka. Pasi gjithçka është proces dhe vetë ata që ta japin mundësin, të fusin në një udhë të tillë, që të shohin. Edhe nëse thonë që ti do të behësh, por nuk bëhet sa hap e mbyll sytë se fillon hyn në studio dhe behsh backvokali i një këngëtari, më pas hyn në grupin e tij dhe deri sa të të marrin në koncertet e tyre dhe bën hapjen e tij, për të të promovuar dhe e gjitha kjo, zgjat me vite.
Ju momentalisht jeni një nga anëtarët e jurisë se spektaklit “X Factor”, si ndiheni në këtë pozicion, kur vite më parë keni qenë ju që gjykoheshit nga të tjerët?
Mendoj, në fakt, se të jesh i gjykuar është një proces që nuk mbaron gjithë jetën, se kudo që të jesh të gjykojnë, edhe pse jemi në juri ku ne gjykojmë, të tjerë na gjykojnë ne. Megjithatë, duke pas jetuar eksperienca të ngjashme, jo më shumë se para dhjetë vjetësh le të themi, me konkurrentët. Për mua është çdo gjë shumë e freskët dhe më ndihmon që të kuptoj gjendjen shpirtërore të artistëve, problemet që ata kanë. Apo edhe faktorin emocion dhe të qenit në një skenë para publikut. Dhe pikërisht kjo eksperiencë e imja më bën që t’i ndihmoj në mënyrë më praktike. Të qenin në juri është edhe një denjë e mirë vlerësimi për punën që ti ke bërë gjatë këtyre viteve. Por, nga ana tjetër, edhe një përgjegjësi shumë e madhe, pasi vlerësimi që ti jep duhet të jetë vetëm për më të mirët, që talentet të dalin në pah dhe kjo duhet të jetë aftësia jonë si juri. Që të nxjerrim në pah vlerat e tyre dhe t’i japim shansin të “duhurit”, jo se të tjerët nuk e meritojnë, por vetë formati kërkon që të zgjidhen më të mirët.
Cilat do të jenë projektet e tuaja pas përfundimit të “X Factorit”?
Por të them të vërtetën ndihem shumë i lodhur dhe pasi të mbaroj spektaklin besoj se do të pushojmë gjatë realisht këtë verë me Miriamin. Besoj se do të nxjerr një single, që do të jetë diçka relaksuese dhe të jetë gati në stinën e verës dhe e kërcyeshme, por në stilin tim, pozitive, kjo ka rëndësi. Me siguri do të ketë disa aktivitete, të reduktuara, sepse unë nuk preferoj më që të shkoj kudo. Nga shtatori pastaj janë disa projekte të tjera që kam në kokë si unë si Miriami, të shohin nëse do të mund t’i realizojmë. Besoj se janë ende për “t’u pjekur”, por janë gjëra shumë interesante, pasi janë shumë ndryshe dhe gjëra të reja nga ne, por pasi të kemi “karikuar paksa bateritë” në verë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk