Skënder Sallaku: Dua të rikthehem përsëri në skenë
Nga Yllka Selita
Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 25 janar 1935, Artist i Popullit, njëri
nga aktorët tanë më të mirë të humorit, ish-kampion kombëtar në mundjen
klasike, autor skeçesh e parodish. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës
Fizike "Vojo Kushi" dhe ka kryer një kualifikim njëvjeçar në Kinë,
pranë cirkut të Pekinit. Fillimisht Skënderi filloi punë si profesionist në
Estradën e Kufirit, më pas si kloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut
të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur. Në
një intervistë të dhënë për gazetën “Koha Jonë”, artisti i madh rrëfen për
ngjitjen e tij të parë në skenë, si ka prezantuar gruan e tij me babanë dhe çfarë
kujton ai në përvjetorin e 60 të krijimit të Estradës. Por, teksa flet i mallëngjyer
për kujtimet e tij, tregon se pengu i tij mbetet mbyllja e Estradës.
Para dy ditësh në një ceremoni të
thjeshtë u përkujtua 60-vjetori i krijimit të Estradës, si u ndjetë ju në këtë
përvjetor?
Vërtet që është një gëzim për mua që të marr pjesë në këtë 60-vjetor, por
ndjeva edhe pak nostalgji për gjithë atë periudhë të gjatë që kam kaluar në skenën
e Estradës mbi të gjitha, kam një dhimbje që ku institucion u mbyll. Mendoni
pak sa paradoksale që është, pasi Estradë ka Kukësi, ka Peshkopia, të mos ketë
Tirana, kjo është e tmerrshme. Është një trupë e tërë që punonte në atë kohë,
kur jepnim 240 shfaqje në vit. Gjithë javën jepnim shfaqje dhe vetëm të hënën bënim
pushim, si berberët, e bënim pushimin. Dhe ditën e premte jepnim dy shfaqje, një
shfaqje e jepnim në orën 16, për gratë dhe një shfaqje tjetër në orën 19.
Kishte shumë variacion dhe u bë një punë shumë e mirë dhe me kalimin e brezave,
ku brezi i ri zëvendësoi brezin më të vjetër në moshë, pasi erdhën elemente
shumë të talentuar si Vasillaq Vangjeli, Veli Rada, Agim Bajko e shumë të tjerë.
Domethënë trupa e Estradës së Tiranës filloi që të përtërihej me ardhjen e
vajzave dhe djemve të rinj.
Çfarë kujtoni nga ngjitja juaj e parë
në skenën e Estradës?
Ngjitjen time të parë në skenën e Estradë së Tiranës e kam bërë në vitin 1956,
nuk kam qenë në hapjen e Estradës që është bërë në vitin 1952. Pra, në vitin 56
unë kam ardhur nga Estrada e Kufirit, se isha ushtar atje. Erdha në këtë trupë
një djalë i ri 20-21-vjeçar dhe kam punuar edhe në Estradë dhe në Cirk, se në
atë periudhë u ngrit edhe Cirku. Ruaj kujtimet më të bukura se pikërisht në këtë
trupë, unë jam njohur edhe me bashkëshorten time. Pikërisht këtu u bashkuam dhe
u martuam dhe sot kemi dy fëmijë të mrekullueshëm.
A keni luajtur ju role me bashkëshorten
tuaj, duke qenë se ishit në të njëjtën trupë artistësh?
Kam luajtur vetëm një rol që e krijova unë vetë në cirk dhe e kam pas
nxjerrë në skenë me valixhe. Dilja me një valixhe dhe pyesja spektatorin çfarë kisha
unë në atë valixhe, dikush thoshte një qen, dikush thoshte diçka tjetër, atëherë
unë hapja valixhen dhe dilte Vitorja dhe bënte numrat e vet akrobatik dhe pasi mbaronte
e fusja prapë në valixhe dhe e nxirrja përjashta. Dhe një natë, nuk e lashë
valixhen pas skenës, por e çova në shtëpi (qesh). I thash babës, të kam sjellë
nusen. Jo more, - tha, dhe unë hapa valixhen dhe doli Vitorja, ky ishte dhe
prezantimi që i bëra gruas me babanë tim.
A ju mungojnë shumë kolegët që nuk
janë më pranë jush?
Na mungojnë shumë dhe pikërisht kur vjen këtu e i shikon që janë mbledhur të
gjithë, kupton se të mungojë emra që kanë lënë një boshllëk në skenë dhe në
shpirt. Më mungon Can Zyberi, Janak Çira, Lin Noka, pasi këta janë emra që kanë
qenë që në hapjen e Estradës. Pastaj kam disa momente të bukura me shumë regjisorë,
por njërin do të doja që ta veçoja dhe ai është Mihallaq Luarasi, i cili solli
një frymë të re në skenë dhe ne filluam që të punonim me Mihallaqin nga ana
profesionale, si për shembull mjeshtëri, aktori, të folurën skenike dhe shumë
gjëra të tjera, por unë e veçova për faktin se kemi punuar me të shfaqjen që bëri
shumë bujë, “Autobiografia”, dhe ashtu siç funksiononte në atë periudhë, ministria
që ndiqte me rigorozitet gjithçka që bëhej, e ka vlerësuar si shfaqen më të mirë
të të gjitha viteve të Estradës. Dhe më pas, përsëri me Mihallaqin, unë kam bërë
edhe një recital timin në vitin 1963.
A keni pasur ndonjë rol, i cili nuk
ju është lejuar që të luhej, për vetë periudhën kur është vënë në skenë?
Jo, përgjithësisht nuk më është censuruar asgjë, por kujtoj një shfaqje ku
unë kisha një rol polici, dhe sigurisht që vihej në lojë, dhe kur shfaqja u pa
nga një person që kishte një funksion të lartë në atë kohë, më tërhoqi vërejtje.
Megjithatë, unë i thashë, po ky është polic i joni nuk është polic i huaj, dhe
duke qeshur e kaloi, pra më lejoi që ta interpretoja edhe në shfaqjet e tjera.
A do të kishit dëshirë që të
ringjiteshit sot në skenë me ndonjë rol?
Po, unë nuk jam shkëputur përfundimisht nga skena, sepse unë kam dhënë
shfaqje në Durrës. Ky qytet ka diçka shumë të mirë, që mbledh aktorë nga
Shkodra, nga Tirana, ndërmjet tyre jam edhe unë dhe sa herë që ka ndonjë festë,
ne japim shfaqe për qytetarët durrsakë, kështu ndihem ende vital se jam në skenë.
Por një propozim të veçantë për këtu në skenën e Tiranës nuk e kam, të them të vërtetën
do të më pëlqente, por ende nuk më ka ardhur. Do ta mirëprisja me kënaqësi
ftesën për t’u ringjitur në skenë.
Sot në moshën 77-vjeçare, a keni një
peng tuajin?
E kam një peng shumë të madh, që është mbyllja e Estradës së Tiranës, sepse
u mbyll Estrada, unë them se u mbyll tradita, kjo sa i përket pengjeve të
profesionit tim, sepse në jetën time private nuk kam asnjë peng dhe jam shumë i
lumtur për këtë.
Comments
Post a Comment