Gjyste Vulaj: Jam kjo që jam dhe s'mund të ndryshoj për qejfin e të tjerëve
Yllka Selita
Gjyste Vulaj është ndër emrat më të njohur të muzikës nga të gjithë shqiptarët
kudo ku ata ndodhen. Shpesh është folur për bukurinë fizike të saj, por vetë
Gjystja nuk e ndjen veten një femër shumë të bukur, ajo mendon se shpirti i
pastër është ai që e zbukuron më së shumti. Ndoshta të lë përshtypjen e një
“Famme Fatal”, por është krejt e kundërta në momente që nis bashkëbisedimin me
të. Dhe se si është Gjystja përtej skenës muzikore ajo e rrëfen në një
intervistë për gazetën “Koha Jonë” ku flet për jetën e saj, për fillimet muzikore,
marrëdhënien me kolegët etj.
Gjyste, çfarë kujtoni nga fillimet tuaja
me këngën?
Një fakt të vërtetë nuk e harroj kurrë, këngën e parë që kam regjistruar, e
kam bërë veç nga ajo që kam qenë dhe jam e pasionuar pas muzikës, jo për të përfituar.
Zoti e paska shkruar që unë të kem këtë profesion duke më dhënë pasionin e madh,
sepse muzika për mua është sikur gjaku nëpër vena. Unë jam në shenjën e
horoskopit gaforrja dhe sikur mos të kisha këtë mundësi që të shprehja
ndjenjat, përmes krijimtarisë dhe interpretimit, do të kisha jetuar shpirtërisht
e mbyllur dhe në vuajtje.
Unë tek dëgjuesit e këngës sime shpërndaj gëzimin edhe hidhërimin, kështu që
ata kanë mundësi që të të shijojnë gjithçka dhe e vlerësojnë këtë pasi puna e
mirë, s’mund të mos admirohet. Që prej një dekade kam fituar shumë adhurues të flaktë,
po ashtu jam duke rezervuar nga brezat e rinj edhe një dekadë më të suksesshme,
pasi më premtojnë se kur të rriten do të tejmbushin sallat e koncerteve.
Ndoshta sot muzika e huaj është shumë e pranishme, imponuese, por unë besoj se
me krijimtarinë time, me interpretimin edhe bashkëpunëtorët e duhur do të mbijetoj
shumë gjatë. Kujtoj gjithashtu edhe përkrahjen apo dëshirën e ligë të disa njerëzve
që u munduan gjatë të më shkelnin, pengonin, por më kot, "të shkruarën"
se ndal kush, kryesorja është që kurrë s’jam mërzitur për thashethemet e
“armiqve”... Nuk harroj edhe daljen time të parë në skenë para publikut live,
ku nga emocionet nuk e prezantova veten siç duhet, dhashë veç 50% të aftësive të
mia, uffff sa më erdh inat pas koncertit, edhe sot e urrej veten për këtë gjë,
por shyqyr që e përjetova, sepse ula kokën dhe punova shumë dhe tani po bashkëjetoj
me suksesin që unë e them shpesh me shaka se më ka “adoptuar".
Jeni një ndër zërat më të pëlqyer të
momentit, çfarë mendoni se ju bën kaq të veçantë?
Shumëçka. Interpretimi i saktë, ngjyra e zërit që e ngjyros me shpirtin tim
të pastër, me ndjenjat e mia, po ashtu edhe krijimtaria ime, sepse të dyja këto,
si zëri dhe teksti i këngës janë nga shpirti i një fryme! Jam lindur për këtë
profesion, m'këndon zemra... Talenti, pasioni, puna me seriozitet dhe zëri
karakteristik më bëjnë profesioniste!
Cila është arsyeja që ju nuk jeni
pjesë e festivaleve që organizohen?
Jam shumë e angazhuar me koncerte nëpër botë, në çdo koncert këndoj live
dhe jam e vlerësuar shumë nga publiku pikërisht për interpretimin live, kjo do
të thotë se nuk e kërkoj sigurinë në kompeticione të tilla, siç janë festivalet.
Më pëlqejnë festivalet kur janë live kuptohet, sepse aty marrin pjesë përfaqësuesit
më të mirë të këngës dhe sigurisht që unë kam marrë pjesë aty, por janë të rrallë
organizimet e tilla. Kam marr pjesë tek "Maratona e këngës popullore, me
interpretim live me një këngë të vjetër folklorike me titull "Kish rrit
nana 2 jetima", ku kënga u pëlqye shumë. Si debutante që isha mora një
vlerësim shumë të shtrenjtë për mua nga i madhi Tish Daija, i cili në mes të
gjithë kolegëve të mi pjesëmarrës më tha: "aferim të qoftë, erdhe nga Mali
i Zi të na mësosh këngën shqipe"! Në "Folk Univers" në bazë të
anketimit mbarëkombëtare u zgjodha ndër 10 këngëtarët më të mirë të këngës
popullore, po ashtu vjet në festivalin "Çelsi muzikor" në Kosovë,
mora 2 çmime të para, nga juria dhe publiku. Festivalet për mua tani janë më shumë
për të promovuar më lehtë krijimtarinë time muzikore, sepse suksesin e marr nga
populli!
Sa i përket këngëve tuaja, a keni ju
një kompozitor, me të cilin bashkëpunoni?
Sokoli është kompozitori i 80% të këngëve të mia që në fillim të karrierës
sime artistike, por kam bashkëpunuar edhe me profesionistë të tjerë siç janë: Edmond
Zhulali, Shpëtim Saraci, Genti Lako, Flori, Xhevdet Gashi, Naim Krasniqi etj.
Sa ju përket teksteve të këngëve të mia, 99% i shkruaj vet, por pak kam bashkëpunuar
edhe me Jorgo Papingjin etj.
Ju keni një trup shumë të bukur, a
keni një sekret për të ruajtur format tuaja?
(Qesh) Sekrete të tilla s’di të mbaj. Kujdesem për ushqimin që konsumoj,
kjo është kryesorja. "Duhet t’i kursejmë dhëmbët", sepse edhe "Kënaqësia
ka pasojat e veta"!
Çfarë ju ka mbetur peng në gjithë këto
vite karrierë?
E urrej në një farë mënyrë sinqeritetin tim në këtë botë të gënjeshtërt,
sepse jeta është shumë e shkurtër për të kaluar një jetë të shtirur. Sa i përket
pyetjes suaj...
Sikur të mund të kthehesha edhe një herë fëmija e ta filloja nga e para,
"s’do të kisha fjetur kurrë" për të mundur që të jetoja çdo moment!
A keni menduar që të sillni një bashkëpunim
me ndonjë këngëtar/e dhe nëse po, kush do te ishte?
Më pyesin shumë shpesh në lidhje me duetet. Që prej duetit me Bashkim
Alibalin nuk kam bërë tjetër. E kam në plan një bashkëpunim tjetër, por ende
s’e kam përcaktuar se me cilin.
Jeni ndër ato këngëtare që i ekspozojnë
bukuritë që i ka falur natyra, a është bashkëshorti juaj xheloz?
Xheloz? Ai tërhiqet dhe e pëlqen jashtë mase bukurinë femërore, me dekoltera
apo mini funde. E kthen kokën pa hezituar për të parë të bukurat, por s'di se
cili më shpejt, unë apo ai (qesh). Na pëlqen e bukura në përgjithësi dhe s'jemi
xheloz për këtë, është sipërfaqësore, tek e fundit mendja dhe shpirti nuk
burgosen.
Mendoni se duke qenë paksa provokuese,
jeni edhe ndër këngëtaret më të kërkuara apo gjithçka ia dedikoni zërit tuaj?
(Qesh) Provokuese nuk jam hiç. Ndoshta dukem pak joshëse, por Zoti më ka
falur një "tërheqje universale". Njerëzit më pëlqejnë, sepse pas bukurisë
fizike, siç thoni ju, pasi personalisht mendoj se nuk jam edhe aq e bukur sa më
thonë, më bën të pëlqyer shpirti i pastër dhe thjeshtësia dhe këto mi kanë falë
të paret e mi. Jam kjo që jam dhe s'mund të ndryshoj për qejfin e të tjerëve. Gjithçka
ia dedikoj zërit dhe punës me pasion.
"Për të qenë i/e suksesshëm/me, për t’u realizuar, nuk mungon shumë nëse
i ke të gjitha"!
A e ndjeni ju konkurrencën me
koleget tuaja dhe çfarë marrëdhënie keni me to?
Në stilin tim jam unike! Konkurrencën nuk e kam ndjerë kurrë! Me kolegët
kaloj njerëzishëm, i respektoj pothuajse të gjithë, dikë sipas popullaritetit,
dikë sipas aftësive vokale, dikë sipas karakterit, moralit dhe dikë sipas të
gjitha këtyre bashkë.
Cilat janë projekt tuaja më të afërta?
Jam në përfundim të albumit më të ri, i cili do të editohet nga shtëpia
muzikore më me fame "Eurolindi" nga Kosova. Sa i përket stilit, gjithmonë
jam bashkëkohore dhe e gjithë kjo punë e madhe që dhe e bukur që po bëjmë,
shpresoj që të publikohet me daljen e albumit në muajin qershorin. Përfundimisht
çdo gjë që kam ia kushtoj Zotit.
"‘Zotin’ nuk e njoh,
sepse është krijues i Gjithësisë, veç ai mund të thotë: ‘Unë’, por kryesorja është
se ‘unë’ e njoh veten bashkëpunëtore të tij".
Comments
Post a Comment