Anita Take: Pengu, nuk kam materiale të jetës sime të regjistruara


Nga Izaura Ndoj

Anita Take, këngëtarja e vlerësuar me titullin “Naim Frashëri i Artë” për vlerat dhe karrierën e saj në gati pesë dekada në muzikë, në një intervistë për “Koha Jonë” rrëfen jetën e saj në Estradën e Tiranës, emocionet dhe mbresat që i ka falur skena, por pa harruar pas dhe pengjet e jetës së saj. “Pengun, e kam shumë të madh. Jam fajtore pa faj, nuk kam materiale të jetës sime të regjistruar, pasi s’ka pasur televizor”, - pohon zëri brilant i skenës shqiptare. Ajo ka mbi 50 vjet që ka kënduar dhe vazhdon të këndojë edhe sot, sa herë që e thërrasin. Debutimin e saj të fundit e ka bërë tek spektakli “Njëqind këngët e shekullit”, ku duartrokitjet e gjata të njerëzve, që kishin mbushur plot e përplot sallën, e mallëngjyen pa masë. Ajo ka vendosur të mos ndahet kurrë nga kënga, dhe për më tepër nga skena.

Znj. Take, çfarë ju ka falur Estrada që nga krijimi i saj?
Në Estradë unë u formova si këngëtare, mësova se çfarë është disiplina, mësova se ç’domethënë frikë, mësova ta dua këtë institucion dhe kam dhënë shumë shpirt. Sot, kur dal në rrugë gjendem në çdo moment midis njerëzve që më duan dhe më respektojnë, ndoshta jo thjeshtë për zërin dhe mijëra shfaqjeve që kam dhënë, por e kam mbajtur shumë afër publikun dhe jam ndjerë shumë mirë me të.

Jeni cilësuar si zëri lirik i skenës shqiptare, por sa ka ndikuar koha e monizmit në zhvillimin e krijimtarisë suaj?
Në diktaturë nuk kam qenë e ndaluar për asnjë orë, ndaj kam kënduar 40 vjet pa pushim. Gjithçka arrihet me punë dhe me pasion, prandaj ia kam dal të jem e pranishme në çdo aktivitet. Kam qenë e ndërgjegjshme në të gjitha situatat që ka kaluar populli im. Nëse për një periudhë relativisht dhjetëvjeçare i kam kënduar lirikave të dashurisë, unë dhe këngëtaret e tjera duhej të këndonim këngën popullore qytetare. Unë kam qenë e privilegjuar, pasi kam pasur bashkëshortin kompozitor edhe ai më ushqente me kompozime të reja, kështu që nuk e kam ndjerë mungesën e këngëve të fondit të art.

Ju keni një fond të artë në Radio Tiranën. Si është gjendja e atyre në këto momente?
Atë e di vetë Radio Tirana. Me gjithë këto këngë dhe repertor të artë mezi kam mundur të bëj një CD me 20 këngë, të cilat ishte fati që unë ruaj akoma zërin dhe ato janë perlat më të bukura të Prodanit. Sikur të kisha mundësi ekonomike, pasi mundësia vokale nuk më mungon, do ta bëja një përmbledhje të atij fondi të artë të muzikës shqiptare.

Cila ka qenë marrëdhënia me bashkëshortin tuaj, për më tepër dhe bashkëpunëtorin tuaj më të mirë?
Marrëdhënia në fillim ka qenë si shokë pune dhe një marrëdhënie shumë të sinqertë. Pastaj kur e njohëm mirë njëri-tjetrin lindi dhe dashuria. Në atë kohë, ne kishim të bënim shumë me njëri-tjetrin, pasi shkëmbenim mendime, kritika reciproke për mbarëvajtjen e punës, punonim ditë dhe natë pa orar, ndonjëherë natën mbaronim në orën 3 dhe Agimi donte të më shoqëronte se ishte natë. Ky lloj afrimiteti na bëri ta donim dhe ta respektonim këtë dashuri që kishte lindur midis nesh.

Si e kujtoni emërimin tuaj në Estradën e Tiranës?
Në fakt, unë jam emëruar në Estradë pa u hapur akoma si institucion kulturor, si element për t’u përgatitur si një zhanër i ri. Unë në librezën e punës rastësisht këto ditë e kam parë, dhe unë paskam qenë emëruar si soliste në Filarmoninë e Shtetit, më 2 shkurt kam bërë 60 vjet si soliste e kategorisë së parë.

Po daljen tuaj të parë në skenë në Estradën e Tiranës?
Natën e parë të shfaqjes kaloi nëna një paralizë dhe isha shumë e tronditur. Tek po vija për në punë me çantën e makijazhit më pa drejtori Gaqo Avrazi dhe më pyeti se pse po qaj - i thashë po si do të këndoj, pasi kam lënë nënën të paralizuar. Ai më ra në kurriz dhe më tha - shko në shtëpi se kemi dhe këngëtarë të tjerë. Vetëm një natë nuk kam kënduar në Estradën e Tiranës dhe nuk kam munguar asnjëherë për 40 vjet.

Një karrierë e gjatë artistike me shumë emocione dhe mbresa. Cili ka qenë momenti kulminant i karrierës suaj artistike?
Pasi u rikthyen dhe njëherë këngët intime të dashurisë, atëherë kisha dalë në pension dhe isha 50 vjeçe. Në këtë moment bëra një bashkëpunim me Prodanin ku organizuam një koncert recital, i cili ishte i pari i kësaj natyre në vendin tonë. Në këtë kohë kishte ardhur këngëtarja e njohur Marinela nga Greqia dhe në shembullin e eksperiencës që na solli ajo, por unë u tërhoqa se kam një natyrë që nuk hidhet kollaj, por pas 6 muajsh përpjekjeje biseda me tim shoq e realizuam si koncert. Ka qenë një ndër koncertet më të suksesshme dhe u dha 86 herë vetëm për Tiranën dhe ishte me autorizim. Ishte një eveniment që unë e ruaj në kujtimet e mia si më të bukurat.

Keni ndonjë peng të parealizuar gjatë krijimtarisë suaj artistike?
Pengun e kam shumë të madh. Jam fajtore pa faj, nuk kam materiale të jetës sime të regjistruara, pasi s’ka pasur televizor.

Keni dëshirë t’i ktheheni sërish skenës me një koncert recital?
Edhe pse nuk jam shkëputur asnjë moment nga skena, e them me bindje se dëshira për t’u ngjitur në skenë nuk më ka munguar dhe as do të më mungojë ndonjëherë. Por, mundësia financiare është ajo që na ka penguar për të realizuar qoftë dhe njëherë ndonjë dalje para publikut. Kudo që unë shkoj më përpara këndoj se sa flas, nuk mundem unë të flas nëse nuk këndoj.

Fondi i artë i zërit tuaj është gjigant. Por, cila ka qenë kënga që publiku ju ka identifikuar?
“Vajza me trëndafil”. Por, di të them, në shtëpi kam dy piano dhe asnjëherë nuk ndahem prej muzikës.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk