Armando Bora: Pas “L’elisir d’amore”, do t’i rikthehem kinematografisë



Izaura Ndoj
Opera komike me dy akte, “L’elisir d’amore” solli mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatri Kombëtar të Operës dhe Baletit një formë tjetër dashurie, nën regjinë e Armondo Borës dhe nën tingujt e Gaetano Donizetti. Opera rikthehet nga Bora pas tetë vitesh, por me të tjerë protagonist si, Eriona Gjyzeli, Blerta Zhegu, Ardita Meni, Riad Ymeri, Elson Braha, Roel Llupa, Vladimir Sazdovski, Rezarta Qevani, Sofika Kole, Solem Alla etj. Në një intervistë për “Koha Jonë”, regjisori Armando Bora rrëfen rivënien e kësaj opere, elementët skenografikë dhe teatralë, si dhe rikthimin e tij në kinematografi me shfaqjen “Valixhet”. “Shfaqja këtë herë vjen me një staf të ri dhe me ndryshme mjaft interesante. Jam munduar që të sjell diçka ndryshe nga premiera e parë, pasi këtë herë elementi teatral është ajo që e zbukuron këtë shfaqje”, - tha Bora. “L’elisir D’amore” trajton historinë e dashurisë mes Adinës dhe Nemorinos, në rolin e Adinas do të interpretojnë sopranot Eriona Gjyzeli dhe Blerta Zhegu, ndërsa në rolin e Nemorinos janë përzgjedhur tenorët Riad Ymeri dhe Elson Braha. Në qendër të operës është dashuria e vajzës së pasur dhe kapriçoze dhe djaloshit të ndrojtur, por që përbrenda zien nga dashuria për të. Ardhja e një tjetër djaloshi të ri në fshat, Belkore, që është e kundërta e Nemorinos, e bën më intriguese historinë. Belkore me sharmin e tij e bën për vetë Adinën, ndërsa Nemorino mendon që ky njeri i "mrekullueshëm" bën tamam për zgjidhjen e hallit të tij dhe kërkon patjetër që të përfitojë nga fati i madh që i ka ardhur në derë. Plot me shpresë i kërkon Dulkamares, nëse ai posedon "Eliksirin e dashurisë së mbretëreshës Izota", për të bërë të vetën Adinën. Skenografia është realizuar nga Artur Muharremi, ndërsa kostumet nga Gjergji Marko.

Armand, riktheheni në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit pas tetë vitesh. Çfarë sjell të re kjo opera me dy akte?
Padyshim që koha e gjatë e rikthimit tim, dhe e rivënies në këtë rast të kësaj opere më ka krijuar mundësinë që të reflektoj gjatë nga ajo vënie e fundit të operës “L'elisir d'amore” me libret të Felice Romanit. Kësaj here kam mundur të depërtoj në detaje të imta që nuk munda t’i realizoj në variantin e kaluar. Shfaqja këtë herë vjen me një staf të ri dhe me ndryshime mjaft interesante. Jam munduar që të sjell diçka ndryshe nga premiera e parë, pasi këtë herë elementi teatral është ajo që e zbukuron këtë shfaqje. Përveçse kësaj, një tjetër element që e bën më të freskët këtë opera është dhe stafi i ri, pasi dhe në vënien e parë stafi ka qenë tërësisht i ri si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, përveç Marjana Lekës, ndërsa kësaj radhe kam tërësisht aktorë të rinj të predispozuar për mos ta konceptuar veprën tërësisht operistike, por edhe teatrale. Në këtë vepër i kam kushtuar shumë kohë figurës artistike, marrëdhënieve dhe elementëve të teatrit, dhe në këtë drejtim jam i kënaqur që munda të realizoj pikërisht ato gjëra që s’i realizova nga radha e kaluar.

Kjo rivënie e “L’elisir d’amore” vjen në kohë?
Me këtë opera vjen një sjellje në kohë joskematike, por është përcaktuar dhe e ndarë në tri periudha të caktuara; në skenën e parë, na shfaqet periudha para viteve ‘90; në skenën e dytë, ajo e viteve ‘92-‘93 kur Shqipëria ishte nën asistencën ekonomike dhe skena e tretë, lidhet me krizën e firmave piramidale, pasi një nga personazhet e operës, Dulkaman, është një mashtrues klasik. Më vjen mirë që përafrimet me këto momente pikante të historisë së Shqipërisë vijnë nëpërmjet këtyre elementëve të teatrit, jo tërësisht brenda operës, por nëpërmjet inserteve dhe reportazheve të kësaj periudhe.

I flet kjo opera atij realiteti që populli shqiptar ka kaluar në këto dy dekada?
Po në një farë mënyrë i flet, por nuk mund të pretendojmë që është opera ajo që bën rezymenë apo ka thelbin e realitetit shqiptar në këto 20 vite, por i flet dhe për këtë më vjen mirë që mund të themi diçka plus me gjuhën e artit.

Përveç elementit teatral që e dominojnë një pjesë të akteve, cilët janë ato elementë që e risjellin ndryshe këtë tingujt e Dinozettit?
Janë parë edhe elementët e tjerë si skenografia, ndriçimi, kostumet. Përveç kësaj janë një staf krejtësisht i ri dhe asnjë nga ato këngëtarë që kanë qenë në rivënien e parë dhe gjithsecili ka sjell në këtë opera individualitetet e tij dhe energjinë e tij për skenën. Kemi dy të rinj që vijnë nga Maqedonia dhe Kosova dhe në njëfarë mënyrë është një vepër ballkanike jo vetëm në kuptimin artistik, por edhe atë historik.

Një staf i ri, por me eksperienca të shumta. Ka qenë i vështirë bashkëpunimi me këta të rinj?
Ka qenë e lehtë, pasi predispozita për ta trajtuar ndryshe këtë vepër bëri që ata ta bëjnë punën me shumë pasion. Ka disa vite që në opera, në bashkëpunim me këta të rinj, tentohet të shkohet tek një mënyrë tjetër të kënduarit dhe për këtë arsye nuk kam hasur dhe shumë vështirësi. Koha ishte elementi negativ i kësaj shfaqje, pasi u bë për 20 ditë, por me të vërtetë që është aty ku unë kam dashur të jetë si një vepër gjigante e Dinozettit.

Përveç këtij projekti me operën, keni menduar t’i ktheheni përsëri kinematografisë?
Aktualisht po merrem me një projekt televiziv dhe në një farë mënyre jam duke provuar kënaqësinë time pas një eksperience të gjatë teatrore dhe kinemaje. Por, ndërkohë me një bashkëpunim mes miqsh jam duke punuar për të vënë një nga veprat e mia, “Valixhet”, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Shpresojmë të nisim provat së shpejti dhe në shtator të finalizojmë shfaqjen.
                       

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk