Ardian Trebicka: Kur i këndoj dashurisë, ndihem fitimtar dhe humbës
Yllka Selita
Nëse do të përmendet emrin i Ardian Trebickës, menjëherë mendja të shkon
tek këngët e ngrohta të dashurisë. Me një zë të ngrohtë dhe shumë të veçantë,
ai është personifikuar si këngëtari i zemrave. Në një intervistë për gazetën
“Koha Jonë”, Ardian Trebicka, ndan me lexuesit një pjesë nga kujtimet dhe e
përditshmja edhe projektet e tij më të fundit. Që nga fillesat në rrugën e këngës
e deri tek dëshira e madhe për të bërë një përmbledhje me këngët nga qyteti i
tij origjinës, Korça.
Ju tashmë jeni një emër shumë i
njohur në muzikë, por cilat janë kujtimet tuaja të para që ju lidhin me muzikën?
Fillesat e ime në këngë janë shumë të hershme, dhe mund të them se kënga ka
qenë pjesë e pandarë e fëmijërisë sime. Mbaj mend që në shtëpi dëgjoja dhe këndoja
këngë korçare, pasi edhe origjina e babait tim është nga Korça ... por çuditërisht
kënga e parë në ambiente jashtë shtëpisë sime ishte “Tundu moj Beke”, të cilën
ma mësoi tezja ime. Jam aktivizuar që në klasën e parë fillore dhe që atëherë kënga
dhe unë jemi bërë të pandarë.
Kur vendoset që t’i përkushtoheshit përfundimisht
këngës?
Mbase në atë kohë unë kam qenë paksa i vogël për të vendosur dhe kanë qenë
prindërit e mi që vendosën, kuptohet edhe me pëlqimin tim, që unë të vazhdoja
Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas Akademinë e Arteve të Bukura në degën
e Kantos, si tenor. Pikërisht në këtë periudhë, në një mënyrë kuptova se e
ardhmja ime do të ishte kënga dhe them se prindërit e mi nuk gabuan, ndaj ju
jam përjetë mirënjohës.
Si po shkon albumi juaj i fundit?
Albumi im i ri “KTHIM”, me gjithë vështirësitë që ka tregu muzikor sot, them
se po shkon shumë mirë. Besoj që dhe ky album për pak kohë, ka zënë vendin e tij
mes katër albumeve paraardhës, për vetë specifikat e tij të veçanta që ka. Po
thuaj çdo ditë e më tepër ma konfirmojnë këtë artdashësit e këngës sime, të cilët
i falënderoj dhe ju jam shumë mirënjohës, gjë e cila më bën të mos rresht se
publikuari dhe më vonë edhe albume të tjerë, pra janë burim frymëzimi për mua. Më
lejoni që në këtë intervistë të falënderoj dy bashkëpunëtoret e mi, të cilët për
mua janë një pjesë e padiskutueshme e suksesit, kompozitorin Ilirjan Mihali dhe
poetin Armand Trebicka.
Jeni cilësuar si këngëtari i
zemrave, çfarë do të thotë kjo për ju?
Repertori im i dedikohet tërësisht dashurisë së kësaj teme kaq
universale... Unë personalisht ndihem shumë mirë dhe jam vetvetja. Ka shumë
rëndësi të jesh i vërtetë dhe i sinqertë për çka këndon. Kur i këndon dashurisë
ndihesh fitimtar dhe humbës, dashuria është vetë jeta, pa të gjithçka vdes,
prandaj dhe unë i këndoj asaj. Besoj se kjo është arsyeja që më kanë cilësuar
kështu, dhe sigurisht që më vjen shumë mirë për këtë.
Zëri juaj përngjan shumë këngëtarit
të njohur Hulio Iglesias, mos vallë ai ka qenë edhe idhulli juaj?
Këtë fjali e dëgjoj shpesh... ndihem shumë mirë kur dëgjuesit tek unë gjejnë
të njëjtën ndjesi si tek Julio Iglesias, sepse duke lënë modestinë në art
thuhet në qoftë se krahasohesh me të mëdhenj je i destinuar për i tillë dhe
anasjelltas, për të qenë i vogël... unë ju jam mirënjohës që ju dhe dëgjuesit
tashmë ma keni përcaktuar krahasimin (qesh)
E keni menduar ndonjëherë se ç’profesion
mund të kishit zgjedhur, nëse nuk do të ishit një këngëtar?
Po e kam menduar në fakt. Mua më pëlqen deti shumë e një nga mundësitë për
të pasur marrëdhënie me të do të isha që të rrija gjatë në shoqërinë e tij, pra
do të zgjidhja diçka të tillë që kishte lidhje me detin, pse jo peshkatar.
A keni diçka që ju ka mbetur peng?
Besoj se jam ende i ri për të kërkuar pengjet nga jeta...
Si nis një ditë e juaja?
Prej tre vjetësh kafen e mëngjesit e konsumoj me kolegët e mi në Fakultetin
E Arteve “Kristal”, ku unë jam pedagog i degës se kantos klasike dhe moderne.
Ndihem mirë që pjesën e parë të ditës e kaloj me mësimdhënie. Pasditen ia
dedikoj familjes sime dhe shoqërisë, si në takime pune apo pse jo dhe për të
konsumuar një gotë verë, meqë e dua aq shumë.
Si është Ardiani këtë herë si bashkëshort,
jeni bashkëpunëtor në punët e shtëpisë, apo jeni një burrë "tipik" të
themi...
Deri tani them se jam bashkëshort ose shokë i mirë, të paktën kështu më thotë
Kela, bashkëshortja ime, ndërsa si djalosh, se i tillë ndihem, jam ashtu tipik siç
thoni ju (qesh).
A i keni kushtuar ndonjë këngë bashkëshortes
suaj?
Albumi i parë “Tango” ka qenë i gjithi dedikim për Kelën dhe që atëherë nuk
flas më për dedikime, pasi ajo e kupton se cila këngë i përket asaj. Tek albumi
i fundit zgjedhja e saj është “Të kam zemër”.
Ju gjithmonë keni kënduar një lloj
zhanri muzikor, keni eksperimentuar me zhanre të tjera?
Siç ju thashë më lart, është e rëndësishme të jesh vetvetja dhe i sinqertë për
atë çka përcjell në publik. Besoj se në 5 albume, kam eksperimentuar dhe kam
qenë i ndryshëm, por brenda të vërtetës së karakterit tim.
Cilat janë projektet tuaja më të afërta?
Në mendjen time kam shumë projekte, por do të veçoja në dëshirën time të
madhe realizimin e një recitali, pasi besoj se ka ardhur momenti që pas 5
albumesh, kam seç them në një natë për artdashësit e mi. Për momentin po merrem
me hulumtime mbi këngët e qytetit tim të origjinës Korçës. Është një projekt në
një dimension ndryshe, për qytetin tim që fle prej shumë kohesh brenda meje.
Besoj se mbiemri im do të qëndronte mirë në një album të tillë... Është një
projekt, të cilin unë e kam shumë për zemër, por të cilin e shoh me shumë përgjegjësi,
aq më tepër kur bëhet fjalë për një repertor të një qyteti me shumë tradita që,
për fat të keq, pas viteve ‘90-të këngën korçare e trajtuan dhe e servirën
sikur mbiemrat e këtij qyteti mbaronin me “S”.
Mendoni se artistët vlerësohen mjaftueshëm
sot në Shqipëri?
Me keqardhje e them se për artistët në Shqipëri kujtohen pasi vdesin.
Comments
Post a Comment