Sali Berisha: Hillary Clinton më kërkoi heqjen e imuniteteve



Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në përfundim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpreh se konsolidimi i shtetit ligjor është përgjegjësi e qeverisë dhe forcave politike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se qeveria mbetet e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit. Po kështu për reformën në drejtësi, ai tha se sekretarja e Shtetit kërkoi heqjen e imuniteteve, sepse ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Në intervistën e tij kryeministri Berisha flet edhe për sistemin zgjedhor, zgjedhjen e presidentit ku komenton dakordësinë mes tij dhe kryesocialistit Edi Rama për ndryshimet në Kushtetutë, linjën e interkonjeksionit dhe gjendjen ekonomike në vend.

Zoti Kryeministër, ku u përqendrua takimi me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, cilat çështje u diskutuan në të?
Takimi me Sekretaren e Shtetit ishte një takim i shkëlqyer dhe mund të them se janë shumë të pakta çështjet për të cilat nuk u diskutua në frymën më të hapur dhe më miqësore për to. Sekretarja e Shtetit shprehej e gatshme, e vendosur për të ndihmuar Shqipërinë, për luftën kundër korrupsionit, pasi u diskutua për korrupsionin, e informova për çfarë është arritur. Ajo shprehej shumë e gatshme që të ndërmarrim hapa të tjerë të rëndësishëm. Po kështu për reformën në drejtësi, sekretarja e Shtetit, dua ta theksoj, kërkoi heqjen e imuniteteve, sepse ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë, nuk është interesi më i mirë i politikanëve shqiptarë, por është i qytetarëve shqiptarë.
Në vitin 2005, ishte mendimi i përgjithshëm se PD erdhi në pushtet në emër të luftës kundër korrupsionit. Sot a mendoni se Shqipëria është duke e humbur betejën me luftën kundër korrupsionit?
Absolutisht jo! Duhet të theksoj se ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Transparency International, dhe në vlerësimin e saj të fundit ajo thotë se, “kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht Shqipëria ka bërë hapa mbrapa”, por ne jemi të përqendruar, në të gjithë përpjekjet tona në luftën kundër tij. Unë mund t’ju jap si shembull dy reformat e fundit që bëmë ne në këtë drejtim; sot në kuadrin e nismës që mori presidenti Obama një vit më parë për partneritetin për qeveri të hapur, ne jemi nga të paktat qeveri që publikojmë ditën e nesërme “on line” të gjitha shpenzimet e thesarit të shtetit, dy javë më parë ne u bëmë vendi i parë me “e-konçesione”. Tani, unë nuk them se s’ka korrupsion, por ka një vullnet të hekurt për ta luftuar dhe ajo që unë nga kjo vizitë i jam shumë mirënjohës, sepse Sekretarja e Shtetit më siguroi mua dhe shqiptarët se qeveria e ShBA është e gatshme të na asistojë në luftën e mëtejshme kundër korrupsionit. Ne si qeveri në 6 vjet kemi mbledhur 7.2 miliardë dollarë më shumë sesa qeveria e mëparshme në po të njëjtën periudhë, dhe që bëri Shqipërinë të dalë mbi linjën mediane sa i përket korrupsionit. Por lufta kundër korrupsionit është një betejë e vazhdueshme, kurrë nuk mund të thuash se e çrrënjos dot, por ajo që është më e rëndësishme është që në mënyrën më të fuqishme të vazhdosh betejën kundër tij.
A priten të shihen rezultate në këtë luftë, pasi është krijuar imazhi tjetër, ai i pandëshkueshmërisë në Shqipëri?
Kjo ka një relativitet. Në Shqipëri mendoj, në dijeninë time, janë ndëshkuar më shumë se në çdo vend tjetër zyrtarë për korrupsion, janë ndëshkuar me qindra çdo vit, dhe unë mund të them se kjo është një praktikë e mirë e organeve të drejtësisë shqiptare. A ka patur ndëshkime të zyrtarëve më të lartë? Nuk ka patur ndëshkime të zyrtarëve më të lartë, por duhet të them një gjë, barazia para ligjit duhet të jetë qëllim themelor dhe parim themelor, kurse targetimi për shkak të postit nuk justifikohet. Çfarë duhet të bëjmë ne sot? Duhet të synojmë barazinë para ligjit. Unë takova kryetaren e Komisionit të Jashtëm për Europën në Senatin amerikan dhe po diskutonim për këto probleme. Në SHBA nuk ka imunitet për korrupsionin dhe ne këtë model duam ta instalojmë sa më parë në Shqipëri, pra unë e quaj një betejë që vazhdon dhe një betejë e cila do të fitohet në mënyrë absolute. Natyrisht nuk mund të çrrënjoset ndonjëherë korrupsioni, gjithnjë duhet luftuar.
PD iu bashkua partive të vogla, ashtu siç u është bashkuar edhe PS, për korrektimin e sistemit zgjedhor. Cila do të jetë forma më e mirë për reformën zgjedhore ne Shqipëri, sipas mendimit tuaj?
Tani, që të jem i hapur, edhe në reformën e parë edhe në të dytën, iniciativën e ka opozita, sepse e gjykoj, që ky është rregulli në tërësi. Nuk mund të them në gjithçka, por në tërësi. Është bërë një punë shumë e madhe domethënë janë formuluar shumica e kapitujve, ka mbetur një ose dy kapituj të Kodit Zgjedhor për rishqyrtimin tërësor sipas rekomandimeve të ODHIR-it dhe OSBE-së. Ka disa probleme që duhet të pranohen d.m.th ka një zhvendosje të madhe drejt teknologjisë, e cila nga ODIHR-i nuk shihet me kaq simpati, por ne kemi besim se ajo funksionon dhe ne e kemi pranuar edhe e pranojmë. Unë gjykoj se ky është sistemi më i mirë, sepse ky sistem i jep fund një lloj rajonizimi gjeografik të papërshtatshëm të forcave politike dhe kjo është meritë e madhe e këtij sistemi. Unë them se vendosja e këtij sistemi e ka përmirësuar në mënyrë thelbësore përfaqësinë e zgjedhësve në parlamentin shqiptar, e kam fjalën për sistemin rajonal. Lidhur me formulën, ajo është çështje e matematicienëve dhe le të merren me të, unë nuk kam ndonjë kundërshtim, por unë nuk besoj të ketë kërkuar kush ndryshimin e sistemit rajonal. Sistemi rajonal është një sistem shumë i mirë për mendimin tim, shumë më i mirë se i pari, sepse përpara p.sh., ta zëmë se zgjedhësit e PD të Vlorës për shkak të përqindjes mbeteshin të papërfaqësuar në parlament, po kështu mbeteshin ata të PS në Shkodër e kështu me radhë; tani janë të përfaqësuar kudo dhe kjo është një meritë e këtij sistemi.
Çështja e Presidentit. Ju keni deklaruar nga njëra anë, se do të propozoni si kandidaturë një figurë të PD dhe keni thënë po ashtu, se do të konsultoheni me opozitën. Çfarë nënkuptoni me konsultim, që të merrni pëlqimin e tyre për kandidatin tuaj, apo jeni i hapur për kandidatë të tjerë, jashtë figurave të PD-së?
Natyrisht ky është një proces i cili gjykoj unë duhet të kalojë nëpërmjet konsultimeve dhe ne jemi të përgatitur të konsultohemi me opozitën dhe të gjitha forcat politike. Nuk ishte problem i diskutuar në takim me Sekretaren e Shtetit, por ky është problem që vjen shumë shpejt në rendin e ditës, muajin tjetër, ndaj dhe uroj e dëshiroj, që të mbizotërojë vullneti nga të gjitha palët.
Jeni ju të hapur për një kandidat jashtë PD-së?
Në tërësi unë i kam formuluar qëndrimet e mia. Ajo që unë jam i hapur, jam për konsultime dhe mbetem i vendosur për zbatimin e Kushtetutës. Pse... Po të kthehemi bashkë me zotin Rama në vitin 2008 ne ndryshuam Kushtetutën për të shmangur një krizë në zgjedhjen e Presidentit dhe vepruam shumë drejt. Por pse vepruam shumë drejt? Normalisht një proces i cili nuk ka lidhje me programin që iu paraqet zgjedhësve në fushatë, nuk duhet të bëhet shkak për ndërprerje mandati dhe zgjedhjesh të lira. Mund të bëhet, nuk është ndonjë paudhësi kaq e madhe, por normalisht nuk duhet të jetë, ndaj ne e ndryshuam ligjin dhe e bëmë që dy votimet e fundit të jenë me 70+1. A ka hapësirë për mirëkuptim dhe konsultime..?! Të plotë...!


Tenderët, s’është fuqia ekzekutive që mund të thyejë kontrollet
Kohët e fundit ka pasur komente qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë për marrëveshjen e linjës energjetike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ministri i Financave tha para pak ditësh në një intervistë për "Zërin e Amerikës" se i ka kërkuar firmës gjermane që ka organizuar tenderin që të konsiderojë ofertën më të ulët. Shqetësimi që është ngritur në Shqipëri, kritikat që janë ngritur atje nga shtypi kanë të bëjnë me faktin që për disa objekte, siç është fjala për parlamentin, nuk është gjetur oferta më e ulët, ndaj VOA e pyeti z.Berisha se cili është dallimi në këtë mes:
“Dallimi është shumë i madh. Për objektin nuk ka patur një juri për çmimin. Po të marrësh të 12 projektet e paraqitura për parlamentin, ato variojnë nga 48 milionë në 100 milionë euro. Juria ndërkombëtare, e cila ka patur edhe profesorë të shquar të Harvardit dhe nga gjithë bota, përzgjodhi projektin e zotit Prix për projektin më të mirë, i cili në mos gaboj, është 69 ose 79 milionë euro, nuk e mbaj mend mirë, pra juria kur përcakton se cili është projekti më i mirë, nuk merr parasysh në asnjë rrethanë çmimin, pastaj e pranon ekzekutuesi apo jo, është punë e tij, por kur thërret një juri, nuk mund të bëhesh vetë juri pastaj. Së dyti, patëm një problem me Prix. Problemi me Prix ishte se solli një shumë, në mos gaboj prej 10% për zbatimin e projektit; tani unë do të bëj transparencën e plotë, isha shumë zemërthyer nga kjo shumë që pruri, mirëpo çfarë ndodhi, është e vërtetë që një firmë tjetër e solli me 5%, por është e vërtetë që një firmë tjetër e solli me 14%, projektin e zbatimit. Kështu që në këto kushte ne respektuam mendimin e jurisë ndërkombëtare për projektin më të mirë. Rasti konkret i linjës është pak më ndryshe. KFV-ja është një bankë e mrekullueshme e cila ka financuar me dhjetëra e dhjetëra projekte të shkëlqyera në Shqipëri. Ne, por edhe qeveria e mëparshme, them se kemi patur marrëdhënie dhe kemi marrëdhënie shumë të mira. Në rastin konkret çështja qëndron me kredinë e kësaj banke; janë zhvilluar dy tenderë, Tiranë- Prishtinë dhe ai i Unazës së Jugut. Në tenderin Tiranë-Prishtinë një nga kompanitë, e cila i plotëson kushtet teknike, ka dhënë një ofertë prej 8.6 milionë euro më lirë, vetëm për segmentin shqiptarë, po të shtohet edhe segmenti i Kosovës del 20 milionë euro më lirë. Në Unazën e Jugut, po kjo kompani, që ka bërë këtë ofertë më të lirë, ka bërë një ofertë në mos gaboj deri 20 milionë euro më të shtrenjtë dhe tani pretendohet që kjo të fitojë Unazën e Jugut. Unë e kuptoj, se jo gjithmonë çmimi më i ulët duhet të përzgjidhet, por qeveria, që në momentin, që jashtë kritereve teknike heq dorë nga çmimi më i ulët, thyen një rregull të cilin do ta ketë shumë vështirë ta rivendosë. Plus që në total këto përbëjnë një shumë, vetëm për pjesën e Shqipërisë, mbi 20 milionë euro. Është garanci sovrane e qeverisë shqiptare, dhe ne nuk mund të gjejmë një justifikim në këtë rast që ne të pranojmë, sepse janë bërë kontrolle, ka gjykata tek të cilat të gjithë mund të drejtohen, u janë drejtuar kontrolleve dhe kanë vendosur ndryshe. Nuk është fuqia ekzekutive që mund të thyejë kontrollet, fuqia ekzekutive është të zbatojë e të respektojë kontrollet dhe këto janë dy gjëra shumë evidente”.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk